Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SI TË KEMI NJË FAMILJE TË LUMTUR?

Problemet në familjet me njerk

Problemet në familjet me njerk

MARGARITA, * NJË NJERKË NË AUSTRALI: «Ish-gruaja e burrit tim u tha fëmijëve të mos më dëgjonin për asgjë—madje as për gjënë më të vogël, si ‘Mos harroni të lani dhëmbët!’» Margarita mendon se martesa e saj pati probleme për shkak të kësaj taktike përçarëse.

Familjet me njerk përballen me marrëdhënie unike dhe shpesh sfiduese me të afërmit e tyre. * Shumicës së njerkëve u duhet të përballen me prindin tjetër të fëmijës për çështje të tilla si vizitat, disiplina dhe mbështetja financiare. Edhe miqtë e të afërmit mund ta kenë tejet të vështirë të përshtaten me pjesëtarët e rinj të familjes. Le të shohim se si këshillat biblike mund ta ndihmojnë familjen tënde me njerk t’i përballojë këto vështirësi.

MARRËDHËNIA 1: ME PRINDIN TJETËR TË FËMIJËS

Një njerkë në Namibi që quhet Judita, thotë: «Një herë, mamaja e fëmijëve u tha se isha thjesht bashkëshortja e re e babait të tyre dhe se asnjë nga fëmijët tanë s’do të ishin motrat e vëllezërit e tyre. Fjalët e saj më lënduan sepse i dua fëmijët e burrit si të ishin të mitë.»

 Specialistët e pranojnë se marrëdhëniet me prindin tjetër të fëmijës mund të bëhen çështje e vështirë e përçarëse në një familje me njerk. Shpesh, vështirësinë më të madhe e ka nëna dhe njerka. Çfarë mund t’i ndihmojë?

Një çelës i suksesit: Vër kufij të arsyeshëm. Nëse nuk e lejon prindin tjetër të përfshihet në jetën e fëmijës, ky i fundit mund të vuajë emocionalisht. * Prindërit e fëmijës, ata që ‘e sollën në jetë’, zënë vend unik në jetën e tij. (Proverbat 23:22, 25) Nga ana tjetër, nëse e lejon ish-bashkëshortin që të ndikojë tepër në familjen tënde, mund ta lëndosh e madje ta zemërosh bashkëshortin e ri. Përpiqu të ruash ekuilibrin, duke vënë kufij të arsyeshëm që ta mbrosh martesën, teksa vazhdon të bashkëpunosh me prindin tjetër për aq sa është e mundur.

SUGJERIME PËR PRINDËRIT

  • Kur të flasësh me ish-bashkëshortin, përqendrohu te fëmijët dhe fol sa më pak për gjëra të tjera. Për shembull, me takt mund ta pyesësh nëse është e mundur të telefonojë rregullisht në orare të caktuara gjatë ditës. Zakonisht kjo funksionon më mirë se telefonatat orar pa orar ose natën vonë.

  • Nëse nuk e ke ti kujdestarinë e fëmijëve, ndoshta mund të mbash lidhje të rregullta me anë të telefonatave, letrave, mesazheve ose email-eve. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Madje disa përdorin edhe video-konferencat. Ndoshta të është dukur fare e pamundur, por mund t’i kuptosh më mirë nevojat e problemet e fëmijëve të tu dhe t’u japësh këshilla të mira që i ndihmojnë.

SUGJERIME PËR NJERKAT

  • Shfaq «ndjenja të përbashkëta» ndaj nënës së fëmijëve duke treguar qartë se nuk po përpiqesh ta zëvendësosh. (1 Pjetrit 3:8) Mbaje rregullisht të informuar për ecurinë e fëmijëve, duke u përqendruar më shumë te gjërat pozitive. (Proverbat 16:24) Kërkoji këshilla dhe falënderoje kur t’i jep ato.

  • Kufizoji shprehjet e përzemërsisë ndaj fëmijëve në prani të nënës së tyre. Beverli, një njerkë në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Thjeshtrit e mi të vegjël donin të më thërritnin mami. Ramë dakord se mund të më thërritnin mami në shtëpinë tonë, por jo kur të ishin me nënën e tyre, Xhenën, ose me familjen e saj. Pas kësaj, marrëdhënia ime me Xhenën u përmirësua. Në fakt, më vonë bashkëpunuam për shfaqjet në shkollë dhe ekskursionet në natyrë.»

Mund të kesh më tepër ndikim te fëmijët se sa mendon

SUGJERIME SI TË SHKOJNË MIRË PRINDËRIT DHE NJERKËT

    Mirësjellja dhe respekti ndihmojnë që të ketë paqe

  • Mos flitni kurrë keq në sy të fëmijëve për një prind ose njerk që s’është i pranishëm. Është kollaj të të shkasë goja e të flasësh keq, por kjo e dëshpëron tej mase një fëmijë. Dhe, ti asnjëherë nuk e di si dhe kur mund të t’i përsëritin fjalët. (Eklisiastiu 10:20) Nëse një fëmijë thotë se prindi tjetër ose njerku foli keq për ty, përqendrohu te ndjenjat e fëmijës. Ndoshta mund të thuash diçka si: «Më vjen  keq që e dëgjove këtë. Mami yt është shumë e mërzitur me mua dhe ndonjëherë njerëzit nuk thonë gjëra të mira kur janë të zemëruar.»

  • Përpiqu që fëmija të zbatojë të njëjtat rregulla e disiplinë në të dyja shtëpitë. Nëse kjo s’është e mundur, shpjego ndryshimet pa e poshtëruar prindin tjetër. Mendo për situatën e mëposhtme:

    Njerka: Timi, vare peshqirin e lagur, të lutem!

    Timi: Te shtëpia e mamit i lëmë në dysheme dhe më pas i var ajo.

    Njerka (e nxehur): Epo, ajo po të mëson të jesh dembel!

    A nuk do të ishte më mirë të përgjigjeshe kështu?

    Njerka (me qetësi): Në rregull, por këtu i varim vetë.

  • Mos programo veprimtari për fëmijët gjatë kohës që do të jenë me prindin tjetër. (Mateu 7:12) Nëse s’mund ta ndryshosh programin, merri leje prindit tjetër para se t’u thuash fëmijëve çfarë ke planifikuar.

SUGJERIM: Ndiq hapat e mëposhtëm herën tjetër që do të takohesh me ish-gruan e bashkëshortit tënd ose me gruan e ish-bashkëshortit tënd:

  1. Shihe në sy dhe buzëqeshi. Mos psherëti, mos i rrudh vetullat ose mos u trego indiferente.

  2. Përshëndete me emër. Për shembull, thuaj: «Ç’kemi Xhena!»

  3. Përfshije në bisedë nëse jeni në grup.

MARRËDHËNIA 2: ME FËMIJËT E RRITUR

Një libër (Step Wars), citon një grua që ankohet për bashkëshortin, i cili priret të mbajë anën e fëmijëve të tij të rritur dhe nuk e pranon se ata sillen keq me të. Ajo thotë: «Tërbohem kaq shpejt.» Si të mos i lejosh marrëdhëniet me fëmijët e rritur që të ta dëmtojnë martesën?

Një çelës i suksesit: Trego empati. Bibla thotë: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:24) Përpiqu t’i dallosh e të bashkohesh me ndjenjat e tjetrit. Në familjet me njerk, thjeshtrit e rritur mund të kenë frikë se prindërit e tyre nuk do t’u tregojnë më përzemërsi. Ose, ndoshta mendojnë se duke pranuar njerkun do të tradhtojnë familjen fillestare. Ndërkohë, prindërit mund të kenë merak se mos i largojnë fëmijët po t’i kritikojnë.

Në vend se ta imponosh miqësinë, lejo që marrëdhënia me thjeshtrit të zhvillohet natyrshëm. Në përgjithësi, nuk është e mençur ta detyrosh ose t’i bësh presion dikujt për të ndier dashuri të vërtetë. (Kënga e Solomonit 8:4) Prandaj, kur u afrohesh thjeshtërve, përpiqu të jesh i arsyeshëm e realist në atë që pret prej tyre.

Mos thuaj gjithçka që mendon ose ndien, edhe sikur të sillen keq me ty. (Proverbat 29:11) Kur e ke veçanërisht të vështirë t’i kontrollosh fjalët, lutu si mbreti David i Izraelit: «O Jehova, vëri një rojë gojës sime. Vër një rojtar para derës së buzëve të mia.»—Psalmi 141:3.

Nëse vendos të jetosh në shtëpinë ku janë rritur fëmijët, mund të habitesh sa të lidhur janë ende me shtëpinë. Përpiqu të bësh sa më pak ndryshime, sidomos kur bëhet fjalë për dhomat e tyre. Mund të mendosh edhe për t’u transferuar në një shtëpi tjetër.

 SUGJERIM: Nëse thjeshtrit e tu të rritur vazhdojnë të sillen keq ose pa respekt me ty, tregoji bashkëshortit si ndihesh dhe dëgjoje me kujdes kur shprehet. Mos i bëj presion bashkëshortit që t’i ndreqë fëmijët. Përkundrazi, thjesht përpiquni ta kuptoni njëri-tjetrin. Kur «të jeni në një mendje» për situatën, mund të bashkëpunoni për ta përmirësuar atë.—2 Korintasve 13:11.

Përpiqu t’u tregosh dashuri të gjithë fëmijëve

MARRËDHËNIA 3: ME TË AFËRMIT DHE MIQTË E TJERË

Merioni, një njerkë në Kanada, thotë: «Prindërit e mi i bënin shpesh dhurata djalit tim, kurse fëmijëve të burrit jo. Përpiqeshim t’u blinim vetë dhurata, por ndonjëherë nuk e përballonim dot.»

Një çelës i suksesit: Vër në radhë të parë familjen e re. Bëjua të ditur të afërmve dhe miqve se i je përkushtuar familjes tënde të re. (1 Timoteut 5:8) Edhe pse s’mund të presësh që të gjithë të afërmit e miqtë t’i duan menjëherë pjesëtarët e rinj të familjes, mund t’u kërkosh të jenë të sjellshëm e t’i trajtojnë njësoj. Shpjegoju sa do të lëndohen fëmijët nëse lihen pas dore dhe s’u tregohet vëmendje ose mirëdashje në forma të ndryshme.

Përpiqu t’i lejosh gjyshërit nga martesa e parë të kenë vendin e tyre në jetën e fëmijëve të tu. Një nënë në Angli me emrin Suzana, tregon: «U rimartova 18 muaj pasi më vdiq burri i parë dhe prindërit e tij e kishin tejet të vështirë ta pranonin bashkëshortin tim të ri. Gjërat u përmirësuan kur i përfshimë më tepër, kur u thoshim fëmijëve t’u telefononin dhe kur i falënderonim për mbështetjen.»

SUGJERIM: Mendo se me cilin mik ose të afërm e ke më të vështirë të shkosh mirë, pastaj diskuto me bashkëshortin si ta përmirësosh këtë marrëdhënie.

Marrëdhëniet me të afërmit e familjes sate mund të të sjellin vështirësi në familjen me njerk. Por, zbato këshillat e Shkrimeve dhe familja jote do të marrë bekimet e premtuara në Bibël: «Me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia, dhe me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur.»—Proverbat 24:3.

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 4 Për informacion se si të përballosh vështirësi të tjera, shih serinë me temë «Sekretet e suksesit në familjet me njerk» në revistën Zgjohuni! të prillit 2012, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 8 Pa dyshim, nëse bashkëshorti i mëparshëm kërcënon ose abuzon, mund të lindë nevoja për kufij më të rreptë për të mbrojtur familjen.

PYET VETEN . . .

  • Si mund të shkoj më mirë me ish-gruan e bashkëshortit tim?

  • Si mund t’i ndihmojmë të afërmit dhe miqtë që as pa dashje të mos e dëmtojnë familjen tonë?