Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Sjellja ime ishte brutale»

«Sjellja ime ishte brutale»
  • LINDUR: 1960
  • VENDI I LINDJES: FINLANDA
  • MË PARË: MUZIKANT I RRYMËS HEAVY-METAL

E KALUARA IME:

U rrita në një lagje të klasës punëtore në qytetin-port të Turkut. Babanë e kisha kampion boksi, kështu që edhe unë me vëllanë e vogël iu futëm seriozisht boksit. Kur isha në shkollë, futesha shpesh në sherre. Si adoleshent, isha bërë pjesë e një grupi gangsterësh me nam, të cilët më pleksën në konflikte edhe më të dhunshme. U njoha edhe me muzikën heavy-metal, si dhe nisa të ëndërroja të bëhesha yll roku.

Bleva një bateri muzikore, formova një grup dhe shpejt u bëra vokalisti kryesor në grup. Në skenë më pëlqente të sillesha si i çmendur. Ngaqë grupi ynë ishte agresiv dhe kishim një pamje të egër, dalëngadalë u bëmë shumë të njohur. Filluam të këndonim para auditoreve të mëdha dhe bëmë disa regjistrime. Tek i fundit morëm goxha komente pozitive. Në fund të viteve 80, udhëtuam drejt Shteteve të Bashkuara për të bërë të njohur grupin tonë. Dhamë disa koncerte në Nju-Jork e në Los Anxhelos dhe, para se të ktheheshim në Finlandë, krijuam lidhje me profesionistë në industrinë e muzikës.

Megjithëse isha i lumtur që bëja pjesë në atë grup, doja shumë që jeta ime të kishte më tepër kuptim. U zhgënjeva nga vrazhdësia në industrinë e muzikës dhe nga jeta koti që bëja. Përbrenda ndihesha njeri i keq dhe kisha frikë se mos do të digjesha në ferrin e zjarrtë. U përpoqa të gjeja përgjigje në lloj-lloj librash fetarë. Gjithashtu, i lutesha me zjarr Perëndisë për ndihmë, ndonëse mendoja se kurrë s’do ta kënaqja.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Për të mbajtur veten, punoja në postë. Një ditë, mora vesh se një shok i punës ishte Dëshmitar i Jehovait. E bombardova me pyetje. Përgjigjet logjike të bazuara në Shkrime më ngjallnin kureshtje, prandaj pranova të studioja Biblën me të. Pasi studiova për disa javë, grupit iu ofrua një kontratë tërheqëse regjistrimi me mundësinë për të nxjerrë një album  në Shtetet e Bashkuara. Mendoja se kjo mundësi vjen një herë në jetë.

I thashë Dëshmitarit që studionte me mua se doja të bëja vetëm një album tjetër, dhe pastaj do t’i zbatoja seriozisht parimet biblike. Ai nuk më tha ç’mendonte; thjesht më kërkoi të lexoja fjalët e Jezuit te Mateu 6:24. Atje thuhet: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.» Mbeta pa fjalë kur kuptova domethënien e asaj që tha Jezui. Por, pas disa ditësh, ishte mësuesi im i Biblës ai që mbeti pa fjalë. I thashë se, ngaqë doja të ndiqja shembullin e Jezuit, e lashë grupin muzikor!

Bibla ishte si një pasqyrë që reflektonte të metat e mia. (Jakovi 1:22-25) Kuptova se sjellja ime ishte brutale; isha krenar, plot ambicie të sëmurë. Kisha fjalor të pistë, zihesha, duhanin s’e ndaja dhe pija rëndshëm. Kur kuptova se sa shumë binte ndesh jeta ime me parimet biblike, ndihesha përtokë nga zhgënjimi. Sidoqoftë, isha i gatshëm të bëja ndryshimet e nevojshme.—Efesianëve 4:22-24.

«Ati ynë qiellor është i mëshirshëm dhe dëshiron t’ua shërojë plagët atyre që pendohen për mëkatet»

Veçanërisht në fillim, ndërgjegjja më brente tej mase për gabimet e së kaluarës. Por, Dëshmitari me të cilin po studioja, më ndihmoi goxha. Ai më tregoi çfarë thotë Bibla tek Isaia 1:18: «Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» Ky bashkë me vargje të tjera biblike më bindën se Ati ynë qiellor është i mëshirshëm dhe dëshiron t’ua shërojë plagët atyre që pendohen për mëkatet.

Kur nisa ta njihja dhe ta çmoja Jehovain, doja t’ia kushtoja jetën atij. (Psalmi 40:8) U pagëzova në vitin 1992 në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Shën-Pjetërburg, Rusi.

DOBITË:

Kam zënë shumë shokë të mirë mes adhuruesve të Jehovait. Herë pas here, mblidhemi të luajmë muzikë të përshtatshme dhe kënaqemi me këtë dhuratë nga Perëndia. (Jakovi 1:17) Një bekim i veçantë ka qenë martesa me gruan time të dashur, Kristinën. Me të kam ndarë shumë gjëra—gëzimet dhe sfidat e jetës, si edhe ndjenjat më të thella.

Po të mos isha bërë Dëshmitar i Jehovait, sot mund të mos isha gjallë. Në të kaluarën, problemet dhe krizat s’më ndaheshin. Tani jeta ime ka qëllim të vërtetë dhe çdo gjë ka marrë drejtimin e duhur.