Mëso nga Fjala e Perëndisë
Kur u bë Mbret Jezui?
Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Çfarë mbretërie iu premtua Jezuit?
Perëndia premtoi se një pasardhës i mbretit David do të ulej përgjithnjë në fronin e Tij. Ky pasardhës i premtuar është Jezui, dhe tani po mbretëron në qiell si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.—Lexo Psalmin 89:4; Lukën 1:32, 33.
Kur Davidi ishte ende djalosh, Jehovai e zgjodhi të bëhej mbret i Izraelit, popullit të Tij. Kur Davidi vdiq, mbi «fronin e Jehovait» u ul Solomoni, të cilin e zgjodhi Jehovai. (1 Kronikave 28:4, 5; 29:23) Pasi vdiq Solomoni, shumë mbretër sunduan në Jerusalem, por pjesa më e madhe u treguan jobesnikë. Në fund, Jehovai lejoi që ushtritë babilonase ta shkatërronin Jerusalemin dhe ta hiqnin mbretin nga froni. Kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s. Që nga ajo kohë, asnjë pasardhës i Davidit nuk ka sunduar nga qyteti i mirëfilltë i Jerusalemit.—Lexo Ezekielin 21:27.
2. Për sa kohë Mbretëria e Perëndisë nuk do të kishte mbret?
Pak pas shkatërrimit të Jerusalemit, Perëndia Jehova i tha profetit të tij, Danielit, se Ai do të zgjidhte një mbret që do të sundonte nga qielli. Kur do të niste sundimi i tij?—Lexo Danielin 7:13, 14.
Danieli interpretoi një vegim në të cilin Perëndia urdhëroi të pritej një pemë tejet e madhe, ashtu siç kishte urdhëruar që mbretëria në Jerusalem të rrëzohej dhe të shkatërrohej. Por rrënjët e pemës duheshin lënë në tokë, që të rriteshin sërish pasi të kalonin «shtatë kohë». Bibla tregon se tri «kohë» e gjysmë janë baras me 1.260 ditë, prandaj «shtatë kohë» janë baras me 2.520 ditë. (Zbulesa 12:6, 14) Shpesh, në profecitë biblike, ditët përfaqësojnë vite. (Numrat 14:34) Prandaj, Mbretëria e Perëndisë nuk do të kishte mbret për 2.520 vjet.—Lexo Danielin 4:10-17.
3. Kur u bë Mbret Jezui?
Perëndia e bëri Jezuin Mbret në qiell në vitin 1914, fiks 2.520 vjet pas shkatërrimit të Jerusalemit. Kur Jezui u bë Mbret, pikësëpari dëboi nga qielli Satanain dhe demonët. (Zbulesa 12:7-10) Kjo ngjarje ishte e padukshme për sytë e njerëzve, por kriza që i solli njerëzimit u duk qartë. (Zbulesa 12:12) Ngjarjet që rrodhën që nga viti 1914 vërtetojnë se Jezui u bë Mbret në këtë vit.—Lexo Mateun 24:14; Lukën 21:10, 11, 31.
4. Çfarë do të thotë për ty pozita e Jezuit si Mbret?
Përmbushja e profecive për pozitën e Jezuit si Mbret vërteton se ti mund t’i besosh Fjalës së Perëndisë. Së shpejti, Jezui do ta përdorë fuqinë mbretërore për ta çliruar njerëzimin nga të gjitha vuajtjet.—Lexo Psalmin 72:8, 12, 13; Danielin 2:44.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 215-218, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Tabela në faqet 16, 17]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Tetor Tetor
607 p.e.s. 1914 e.s.
← 2.520 vjet →
1000 p.e.s. 1 p.e.s. 1 e.s. 1000 e.s. 2000 e.s.
← 606 vjet e 3 muaj →← 1.913 vjet e 9 muaj →
Shkatërrohet Bëj llogaritë: Perëndia e bën
mbretëria 606 vjet e 3 muaj Jezuin Mbret
në Jerusalem + 1.913 vjet e 9 muaj në qiell
= 2.520 vjet