Jeta në kohët biblike—Peshkatari
Jeta në kohët biblike—Peshkatari
«Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, [Jezui] pa dy vëllezër, Simonin, që quhet Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë. Ai u tha atyre: ‘Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.’»—MATEU 4:18, 19.
PESHQIT, peshkimi dhe peshkatarët përmenden shpesh në tregimet e ungjijve. Në fakt, Jezui bëri disa ilustrime rreth peshkimit. Kjo s’na habit, sepse ai kaloi shumë kohë duke i mësuar të tjerët në afërsi ose në breg të detit të Galilesë. (Mateu 4:13; 13:1, 2; Marku 3:7, 8) Ky liqen i bukur me ujë të ëmbël është rreth 21 kilometra i gjatë dhe 11 kilometra i gjerë. Shtatë dishepuj të Jezuit—Pjetri, Andrea, Jakovi, Gjoni, Filipi, Thomai dhe Natanaeli—mund të kenë qenë peshkatarë.—Gjoni 21:2, 3.
Çfarë përfshinte zanati i peshkatarit në kohën e Jezuit? Pse të mos mësosh ca gjëra rreth këtyre burrave dhe zanatit të tyre? Do të mësosh më shumë për apostujt si peshkatarë dhe për veprimet e ilustrimet e Jezuit. Së pari, shqyrto çfarë përfshinte të punoje në detin e Galilesë.
«Në det filloi një stuhi e madhe»
Deti i Galilesë ndodhet në një luginë të fundosur dhe gjendet rreth 210 metra nën nivelin e detit. Brigjet e detit rrethohen nga shpate shkëmbore dhe, në veri të tij, mali hijerëndë Mateu 8:23-27.
Hermon prek qiellin. Ndonjëherë, në dimër erërat e acarta mund të krijojnë një det valë-valë. Në verë, ajri i nxehtë mbulon sipërfaqen e ujërave. Papritur e papandehur, nga malet përreth zbresin stuhi të fuqishme dhe shfrehen gjithë tërbim mbi marinarët që lundrojnë në det. Pikërisht një stuhi e tillë e zuri Jezuin dhe dishepujt e tij.—Peshkatarët lundronin në barka që ishin të gjata rreth 8,3 metra dhe të gjera rreth 2,3 metra. Shumë prej tyre kishin një direk dhe një strehë si kabinë poshtë kiçit. (Marku 4:35-41) Këto mjete të ngadalta, por të forta, e përballonin furinë e erërave që e shtynin në një drejtim velën dhe direkun, kurse nga krahu tjetër tërhiqnin peshën e një rrjete.
Barkat i vozitnin me rrema që montoheshin në të dyja anët. Një ekuipazh mund të përbëhej nga gjashtë ose më tepër peshkatarë. (Marku 1:20) Gjithashtu, ka të ngjarë që barkat të kishin pajime lundrimi dhe furnizime të ndryshme, si: vel liri (1), litar (2), rrema (3), spirancë prej guri (4), rroba të ngrohta e të thata (5), ushqime (Marku 8:14) (6), shporta (7), jastëk (Marku 4:38) (8) dhe rrjetë (9). Ato mund të kenë pasur edhe tapa rezervë për rrjetat (10), plumbça (11), vegla riparimi (12) dhe pishtarë (13).
‘Zunë shumë peshq’
Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot, zonat më të pasura të peshkimit në detin e Galilesë ndodhen pranë grykëderdhjeve të burimeve dhe lumenjve të shumtë që ushqejnë detin. Ata sjellin barishte që tërheqin peshqit. Për të kapur prenë, peshkatarët në kohën e Jezuit shpesh punonin natën dhe përdornin pishtarë. Në një rast, disa dishepuj të Jezuit peshkuan gjithë natën, por nuk zunë gjë. Megjithatë, ditën tjetër, ata ia vunë veshin Jezuit kur u tha t’i hidhnin sërish rrjetat dhe zunë aq shumë peshq, sa barkat gati u fundosën.—Luka 5:6, 7.
Ndonjëherë peshkatarët lundronin në ujëra të thella. Në zonat e peshkimit, dy barka punonin bashkë si skuadër. Burrat shtrinin një rrjetë mes barkave e më pas ekuipazhet vozitnin me sa u hanin krahët në drejtime të kundërta, duke lëshuar rrjetën teksa rrethonin peshqit. Pasi barkat përfundonin një rreth, gracka mbyllej. Pas kësaj peshkatarët tërhiqnin litarët e lidhur në cepat e rrjetës dhe i shkarkonin në barkë peshqit. Rrjeta mund të ketë qenë më tepër se 30 metra e gjatë dhe shkonte në thellësi rreth 2,5 metra; madhësi e mjaftueshme kjo për të zënë një tufë të tërë peshqish. Pjesa e sipërme pluskonte me anë të tapave dhe pjesa e poshtme tendosej me anë të peshave.
Peshkatarët lëshonin rrjetën dhe më pas e tërhiqnin herë pas here, për orë të tëra.Në ujëra më të cekëta, një skuadër peshkatarësh përdorte teknikë tjetër. Një barkë tërhiqte nga bregu njërën anë të rrjetës tratë dhe, pasi bënte një rreth, kthehej sërish në breg, duke i zënë brenda peshqit. Pastaj, burrat që pritnin buzë detit, tërhiqnin rrjetën, zbraznin peshqit aty dhe i përzgjidhnin. Peshqit e përshtatshëm i futnin në enë. Disa i shitnin të freskët në zonën përreth. Shumicën i thanin e i kriposnin ose i marinonin, i ruanin në amfora argjile dhe i eksportonin në Jerusalem a në vende të huaja. Krijesat pa luspa ose pa pendë, si ngjalat, konsideroheshin të papastra dhe i hidhnin. (Levitiku 11:9-12) Jezui përmendi këtë metodë peshkimi kur e krahasoi ‘mbretërinë e qiejve’ me një rrjetë tratë dhe llojet e ndryshme të peshqve me njerëz të mirë e të këqij.—Mateu 13:47-50.
Një peshkatar i vetëm mund të përdorte një fildispanjë me grepa bronzi që kishin karrem. Ose mund të përdorte një rrjetë të vogël që e hidhte me dorë. Për ta hedhur rrjetën, ai futej në ujë, e vinte rrjetën në krah dhe pastaj e vërviste tutje. Rrjeta në formë kupole hapej, binte në ujë dhe fundosej. Nëse peshkatarit do t’i ecte, rrjeta do të kapte ca peshq teksa e tërhiqte me anë të litarit në qendër të saj.
Rrjetat ishin të kushtueshme dhe duhej goxha punë për t’i mirëmbajtur, prandaj i përdornin me kujdes. Shumicën e kohës peshkatarët e kalonin duke riparuar, duke larë dhe duke tharë rrjetat, punë që i kryenin pas çdo rruge peshkimi. (Luka 5:2) Apostujt Jakov dhe Gjon, që ishin vëllezër, po ndreqnin rrjetat të ulur në barkën e tyre kur Jezui i ftoi ta ndiqnin.—Marku 1:19.
Ndër llojet e peshqve që kërkonin peshkatarët e shekullit të parë, ishte tilapia, që gjendej me bollëk. Ky lloj ishte një ushqim i zakonshëm për shumicën e galileasve dhe ka të ngjarë që Jezui ta ketë ngrënë këtë peshk të shijshëm. Ai mund të ketë përdorur tilapia të tharë e të kripur kur, me anë të një mrekullie, ushqeu mijëra veta me dy peshq. (Mateu 14:16, 17; Luka 24:41-43) Shpesh, ky lloj peshku noton duke i mbajtur në gojë të vegjlit e tij. Gjithsesi, kur nuk mban të vegjlit, ka mundësi të mbajë në gojë një guralec ose madje mund të marrë një monedhë të shndritshme në fund të shtratit të detit.—Mateu 17:27.
Në shekullin e parë, peshkatarët e suksesshëm ishin të duruar, punëtorë dhe të gatshëm t’i përballonin vështirësitë teksa kërkonin shpërblimin e vlefshëm. Edhe ata që e pranuan ftesën e Jezuit për të marrë pjesë në veprën e bërjes së dishepujve, duhej të shfaqnin cilësi të tilla që të kishin sukses si «peshkatarë njerëzish».—Mateu 28:19, 20.
[Figura në faqen 19]
(Shih botimin)