Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

PSE u bë Dëshmitar i Jehovait një burrë që u rrit në një familje katolikësh të flaktë dhe që kishte karrierë të suksesshme si gjykatës? Ç’e shtyu një terrorist të hiqte dorë nga dhuna e të bëhej shërbëtor fetar? Lexo se ç’thonë këta njerëz.

«Kuptova më mirë se ç’është e drejta dhe e gabuara.»​—SEBASTIAO ALVIS ZHUNKERA

LINDUR: 1946

VENDI I LINDJES: BRAZILI

MË PARË: KATOLIK I FLAKTË

E KALUARA IME: Familja ime jetonte në fshat, rreth 6 kilometra larg qytetit të Piketit. Prindërit kishin një fermë të vogël dhe toka na plotësonte nevojat bazë. Shkollën e kisha në Piket, kështu që me kalimin e kohës bleva një biçikletë të vjetër që të shkoja më kollaj në qytet. Njerëzit në zonën tonë ishin të varfër, por qyteti ishte i pastër dhe shkalla e krimeve relativisht e vogël. Shumica e burrave të qytetit punonin në një fabrikë për prodhimin e armëve të ushtrisë.

Isha tip studioz dhe arrita të hyja në Shkollën Ushtarake të Aeronautikës në një qytet atje afër, ku u diplomova si rreshter më 1966. Më pas u diplomova në fakultetin e juridikut. Më vonë, aplikova për shef policie. Në vitin 1976, kalova një provim shteti dhe ma dhanë punën që doja. Ndonjëherë puna ma kërkonte të isha administrator në burg. Gjatë kësaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait vinin shpesh dhe kërkonin leje që t’u predikonin të burgosurve. Ata më flitnin gjithmonë edhe mua për mesazhin e Biblës. Kisha shumë respekt për Perëndinë. Më bëri përshtypje kur mësova se Perëndia ka emër, Jehova, dhe se mund të lidhnim miqësi me të.

Me kalimin e kohës, ngjita shkallët e karrierës në drejtësi. Në vitin 1981, kalova një provim tjetër shteti dhe u bëra gjykatës. Pastaj, më 2005, më emëruan gjykatës apeli në gjykatën e San-Paulos.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Pak pasi u diplomova në fakultetin e juridikut, nisa të lexoja Biblën, dhe kjo solli goxha ndryshim në mënyrën si i mendoja gjërat. Isha katolik i flaktë. Në familje kishim priftërinj dhe një peshkop, e unë ndihmoja priftin gjatë meshës. Para se ai të mbante fjalim nga katedra, lexoja pjesë të caktuara nga libri i lutjeve. Në familjet katolike nuk ishte e zakonshme të lexohej Bibla. Mamaja u mërzit tej mase kur mori vesh se lexoja Biblën. Ajo u përpoq të më shkurajonte duke më thënë se rrezikoja të luaja mendsh. Gjithsesi, vazhdova ta lexoja sepse nuk shihja ndonjë të keqe.

Mendoj se ajo që më shtyu të vazhdoja me leximin e Biblës ishte kureshtja. Doja të dija më tepër për priftërinjtë dhe për rolin e tyre në kishë. Gjithashtu nisa të lexoja për lëvizjen «Teologjia e Çlirimit», por arsyetimi dhe logjika që përdornin përkrahësit e saj ishin kaq të mangët, sa më dukeshin pa pikë kuptimi.

Në të njëjtën kohë, dentisti im, i cili ishte budist, më ofroi një libër që ia kishin dhënë. Libri titullohej Njeriu erdhi me evolucion apo me krijim? * E pranova librin, me mendimin se do të ishte interesante ta lexoja njëkohësisht me librin Origjina e llojeve të Çarls Darvinit. Libri Njeriu erdhi me evolucion apo me krijim? kishte argumente të forta, logjike dhe bindëse. S’dyshoja fare se teoria e evolucionit ishte pa baza.

Teksa lexoja librin për krijimin, kureshtja më shtohej. Doja të kisha më shumë libra të Dëshmitarëve të Jehovait. Më thanë se një mekanik ishte Dëshmitar i Jehovait. Fola me të dhe më dha disa libra që t’i lexoja. Në atë kohë, s’pranova të studioja Biblën me Dëshmitarët. Mendoja se mund ta studioja vetë.

Kur fillova të lexoja Biblën, mendova se do të ishte e mençur ta lexoja edhe me familjen, meqë tani isha i martuar. Çdo javë studionim si familje dhe e lexonim Biblën së bashku. Ngaqë ishim katolikë, priftërinjtë e peshkopët ishin gjithçka për familjen time. Prandaj, ajo që lexova te Gjoni 14:6 më tërhoqi vëmendjen: «Jezui i tha [dishepullit Thoma]: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.’» Pasi hetova me imtësi këtë çështje, u binda se shpëtimi ynë vjen nga Jehovai me anë të Jezuit. Na kishin mbushur mendjen se shpëtimi ynë vinte nga priftërinjtë.

Edhe dy shkrime të tjera biblike ma ndryshuan qëndrimin ndaj Kishës Katolike e mësimeve të saj. Njëri ndodhet te Proverbat 1:7 që thotë: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt njohurisë. Të marrët e përbuzin mençurinë dhe disiplinën.» Kurse tjetri është te Jakovi 1:5 ku thuhet: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» Isha tejet i etur për njohuri e mençuri, por kisha nuk po ma shuante etjen. Kështu që nuk shkova më në kishë.

Më 1980, gruaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Sa herë që isha në shtëpi, merrja pjesë edhe unë në studim. Me kalimin e kohës, pranova një studim biblik. Gjithsesi na u desh një kohë e gjatë, para se të vendosnim të pagëzoheshim si Dëshmitarë të Jehovait. Gruaja u pagëzua më 1994, kurse unë më 1998.

DOBITË: Të katër fëmijët tanë kanë nxjerrë dobi ngaqë janë rritur sipas normave të Jehovait. (Efesianëve 6:4) Dy djemtë përpiqen fort që t’i ndihmojnë Dëshmitarët e tjerë në kongregacionet e tyre t’i afrohen më tepër Jehovait. Kurse dy vajzat u predikojnë me shumë zell të tjerëve. Gruaja kalon mjaft orë çdo muaj duke ndihmuar njerëzit të mësojnë për Biblën, dhe unë kënaqem tek shërbej si plak në kongregacion.

Kur u bëra Dëshmitar i Jehovait, kuptova më mirë se ç’është e drejta dhe e gabuara. Si gjykatës, përpiqem të imitoj Jehovain kur merrem me çështje të ndryshme në gjykatë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, duke qenë i arsyeshëm. Po ashtu, përpiqem të jem i dhembshur kur ka rrethana lehtësuese.

Jam marrë me shumë çështje lidhur me dhunën, krimin, me abuzimin ndaj fëmijëve, si dhe me krime të tjera të rënda. Prapëseprapë, s’jam bërë i pandjeshëm. Ndiej neveri kur shoh në lajme sa shumë është përhapur në botë prishja dhe degjenerimi moral. I jam mirënjohës Jehovait që kam arritur të kuptoj pse janë shtuar krimet, si dhe shpresën që kemi për ditë më të mira.

«Burgu s’më ndryshoi.»​—KIT UDSI

LINDUR: 1961

VENDI I LINDJES: IRLANDA E VERIUT

MË PARË: TERRORIST

E KALUARA IME: Linda në vitin 1961 në Portedaun, qytet plot veprimtari në Irlandën e Veriut. Kam prejardhje protestante dhe u rrita në një bllok banesash ku jetonin së bashku fqinjë katolikë e protestantë. Shumica e familjeve ishin relativisht të varfra. S’kishim dhe aq para. Megjithatë hynim e dilnim me njëri-tjetrin.

Bëja një jetë për të cilën s’jam fare krenar. Më 1974 u përfshiva në lëvizjen «Trazirat», që ekzistonte atëherë në Irlandën e Veriut. Në atë kohë, gjërat u përkeqësuan në komunitetet tona. Për shembull, një natë babai im, i cili ishte menaxher i Fabrikës së Qilimave të Ulsterit, ishte në punë duke stërvitur dy djem katolikë që ishin fqinjët tanë. Ndërkohë, dikush hodhi një bombë nga dritarja e dhomës së ndenjjes në shtëpinë e këtyre djemve katolikë, e si pasojë u vranë babanë, nënën dhe vëllanë.

Problemet u përshkallëzuan dhe shpërtheu lufta e hapur. Protestantëve në zonat katolike ua dogjën shtëpitë duke i detyruar të iknin dhe katolikët i ngacmonin në komunitetet protestante. Blloku ku jetonim u bë kryesisht protestant. Nuk zgjati shumë dhe më arrestuan e më dënuan me tre vjet burg, ngaqë edhe unë vija bomba.

Kur isha në burg, u bëra shok me një të burgosur që ishte i njohur në komunitetin e lojalistëve, lëvizje politike që dëshiron ta ruajë lidhjen mes Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ishim si vëllezër dhe më vonë u bëra shoqëruesi i dhëndrit në dasmën e tij. Burgu s’më ndryshoi as mua, as atë. Kur na liruan, iu futëm menjëherë veprimtarive tona politike, këtë herë më me zell. Si rrjedhojë, shokun e burgosën sërish. Kur ishte në burg, e vranë.

Edhe mua më vunë në shënjestër e një herë ma hodhën në erë makinën. Por ato ngjarje vetëm sa më bënë më të vendosur t’i përkrahja më aktivisht bindjet e mia politike.

Gjatë kësaj kohe, mora pjesë në një dokumentar për «Trazirat», që u transmetua në televizionin britanik. Dokumentari më solli probleme të tjera. Për shembull, një natë, kur shkova në shtëpi, kuptova se gruaja më kishte lënë. Pak pas kësaj, si pasojë e programit televiziv, më morën djalin. Më kujtohet se pashë veten në pasqyrë dhe thashë: «O Zot, nëse je atje lart, më ndihmo!»

Të shtunën vijuese, takova një të njohurin tim që quhej Pol, i cili ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Ai nisi të më fliste për Biblën. Dy ditë më vonë, Poli më dërgoi një kopje të Kullës së Rojës. Një artikull në atë revistë citonte fjalët e Jezuit te Gjoni 18:36. Ai tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» Këto fjalë më bënë shumë përshtypje. Atë ditë jeta ime nisi të ndryshonte.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Poli filloi të studionte Biblën me mua. Më vonë e vazhdova studimin me Billin, një Dëshmitar tjetër. E dija se isha student i vështirë; bëja kaq shumë pyetje. Po ashtu, sillja mjaft predikues fetarë në shtëpi që të provoja se Billi e kishte gabim. Por arrita ta dalloja të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.

Më vjen në mendje një rast kur i thashë Billit të mos vinte në shtëpinë time për studimin, sepse rreth bllokut të banesave kishte postblloqe dhe me siguri do t’ia konfiskonin e do t’ia digjnin makinën. Sidoqoftë, Billi erdhi si zakonisht për studimin. Ai e la makinën në shtëpi dhe mori biçikletën. E kush do të donte t’ia konfiskonte atë? Në një rast tjetër, Billi dhe unë ishim ulur e po bënim studimin biblik kur policia e ushtria erdhën në shtëpi të më arrestonin. Teksa më merrnin me vete, Billi thirri fort e më tha të besoja te Jehovai. Këto raste m’u ngulitën në mendje.

Herën e parë që shkova në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e Mbretërisë, disa duhet të jenë tronditur me mua. Kisha flokë të gjatë dhe një vath, si dhe kisha veshur një xhaketë lëkure që më identifikonte si pjesëtar të grupit politik ku merrja pjesë. S’e besoja dot sa mirë më trajtuan Dëshmitarët. Mirëdashja e tyre më la vërtet pa fjalë.

Ndonëse studioja Biblën, shoqëritë e vjetra s’i kisha lënë ende. Por, me kalimin e kohës, të vërtetat që mësova nga Bibla nisën të më depërtonin thellë në zemër. E kuptova se, nëse doja t’i shërbeja Jehovait, duhej të ndryshoja pikëpamjet politike dhe shoqëritë. Kjo s’ishte e lehtë. Gjithsesi, teksa mësoja më tepër për Biblën dhe merrja forcë nga Jehovai, ia dola të bëja ndryshime. Preva flokët, hoqa vathin dhe bleva kostum. Gjithashtu, ajo që po mësoja, nisi të më përmirësonte qëndrimin ndaj të tjerëve.

DOBITË: Bëja jetë krimineli e terroristi. Policia e zonës ma njihte mirë fytyrën. Tani gjërat janë ndryshe. Për shembull, kur ndoqa për herë të parë kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait që mbahej në qytetin e Navenit, policët më shoqëruan gjatë gjithë rrugës nëpër Irlandë e Irlandën e Veriut. Kurse tani, udhëtoj i pashoqëruar për në kongrese. Gjithashtu, marr pjesë lirisht në predikim me shokët e mi Dëshmitarë, Polin e Billin dhe me pjesën tjetër të kongregacionit.

Teksa jeta ime ndryshonte për mirë, u ambientova me kongregacionin dhe u bëra pjesë e tij. Atje takova një Dëshmitare me emrin Luizë dhe u martuam. Për më tepër, u bashkova sërish me djalin.

Kur kthej kokën pas, më vjen keq që i kam lënduar e dëmtuar të tjerët. Por mund ta vërtetoj se Bibla i ndihmon vërtet njerëzit si unë që të ndryshojnë, nga një jetë plot veprime të gabuara në një jetë me qëllim e shpresë.

[Shënimi]

^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 12]

Mamaja u mërzit tej mase kur mori vesh se lexoja Biblën