Lexuesit pyesin . . .
A ka rëndësi për Perëndinë nëse unë pi duhan?
▪ Dikush mund ta bëjë me sinqeritet këtë pyetje, pasi asnjë ligj në Bibël nuk i përmend produktet duhanit. A do të thotë kjo se është e vështirë të kuptojmë ç’mendon Perëndia për këtë? Jo, aspak!
Bibla thotë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Timoteut 3:16) Në Shkrime Ai jep parime dhe pohime të qarta me anë të së cilave na tregon si të kujdesemi për shëndetin. Në fillim, le të shqyrtojmë çfarë kanë zbuluar studiuesit për ndikimin e duhanit në shëndetin e njeriut. Më pas, do të shohim si lidhen parimet e Biblës me këto zbulime.
Duhani dëmton shëndetin e përdoruesit dhe është shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme. Në Shtetet e Bashkuara, në çdo 5 vdekje, 1 shkaktohet nga pirja e duhanit. Në këtë vend, çdo vit vdesin më tepër njerëz nga duhani, sesa nga «alkooli, përdorimi i paligjshëm i drogës, vrasjet, vetëvrasjet, aksidentet me makinë dhe SIDA, të marra të gjitha së bashku»,—thotë një raport nga Instituti Kombëtar për Abuzimin me Drogën.
Duhanpirësit dëmtojnë të tjerët. Tymi i cigareve dëmton në çfarëdolloj sasie qoftë. Ata që thithin tymin e duhanit të të tjerëve, d.m.th. tym të dorës së dytë, rrezikojnë 30 për qind më shumë t’u shkaktohet kanceri i mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Vitet e fundit, mjekët kanë identifikuar një rrezik tjetër që e quajnë «tym të dorës së tretë». Ky term u referohet mbetjeve kimike që ngelin në rroba, tapete dhe në sipërfaqe të tjera, që nuk hiqen edhe shumë kohë pasi zhduket tymi. Këto lëndë helmuese dëmtojnë veçanërisht shëndetin e fëmijëve dhe mund t’u vonojë aftësinë për të mësuar.
Duhani krijon varësi. Ai e bën përdoruesin skllav të këtij vesi të dëmshëm. Në fakt, studiuesit mendojnë se, të çlirohesh nga varësia ndaj nikotinës, përbërësit kryesor të duhanit, është ndër gjërat më të vështira.
Si lidhen parimet biblike me këto fakte? Ja çfarë thuhet më poshtë:
Perëndia dëshiron që të tregojmë respekt për jetën. Në Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit, tregoi se ata që duan ta kënaqin, duhet të kenë respekt për jetën njerëzore. (Ligji i përtërirë 5:17) Izraelitët duhej të ndërtonin një parmak ose mur të ulët përreth tarracës së shtëpive. Pse? Tarracat ishin të sheshta dhe izraelitët dilnin në to. Muri nuk lejonte që familja dhe të tjerët të rrëzoheshin e të lëndoheshin ose të vriteshin. (Ligji i përtërirë 22:8) Përveç kësaj, izraelitët duhej të siguroheshin që kafshët e tyre të mos i dëmtonin të tjerët. (Dalja 21:28, 29) Dikush që pi duhan, dhunon parimet ku mbështeten këto ligje. Ai e dëmton me dashje shëndetin e tij. Gjithashtu, duhani dëmton edhe shëndetin e të tjerëve përreth.
Perëndia pret që ta duam atë dhe të afërmin. Jezu Krishti tha se dishepujt e tij duhet t’u binden dy urdhërimeve më të mëdha. Duhet ta duan Perëndinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje e me gjithë forcë, si dhe ta duan të afërmin si veten. (Marku 12:28-31) Meqenëse jeta është dhuratë nga Perëndia, ai që pi duhan, tregon mungesë të theksuar respekti për këtë dhuratë dhe, rrjedhimisht, nuk ka dashuri për Perëndinë. (Veprat 17:26-28) Ky ves mund t’i dëmtojë rëndë të tjerët, prandaj kot thotë se e do të afërmin.
Perëndia kërkon që t’i shmangim zakonet e papastra. Bibla i udhëzon të krishterët të pastrohen nga «çdo ndotje e mishit dhe e frymës». (2 Korintasve 7:1) Është e qartë se duhani i ndot ata që e pinë. Disa duan ta lënë për t’i pëlqyer Perëndisë, por e kanë shumë të vështirë. Megjithatë, me ndihmën e Perëndisë, ata mund të çlirohen nga ky ves ndotës.