Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

«Shpirti yt . . . do të përkulet mbi mua»

«Shpirti yt . . . do të përkulet mbi mua»

PËRULËSIA është tërheqëse. Zakonisht njerëzit e përulur na bëjnë për vete. Mjerisht, në botën e sotme është e vështirë të hasim përulësinë e vërtetë, sidomos nga ata që kanë pushtet ose autoritet mbi të tjerët. Po Perëndia Jehova, më i fuqishmi i universit, a është i përulur? Le të shqyrtojmë fjalët e profetit Jeremia që i gjejmë te Vajtimet 3:20, 21.​—Lexoje.

Jeremia i shkroi Vajtimet në një pikë kritike të historisë së Izraelit. Sapo kishte parë me sytë e tij diçka që i shkaktoi dhembje të madhe: shkatërrimin e Jerusalemit të tij të dashur nga babilonasit. Profeti i dëshpëruar e dinte se gjëma ishte ekzekutim i drejtë i gjykimit hyjnor ndaj izraelitëve mëkatarë. Por, a e shihte të pashpresë situatën Jeremia? A mendonte se Jehovai ishte aq i largët ose i ftohtë sa të mos shikonte të penduarit e të mos i nxirrte nga gjendja e dëshpëruar? Vër re teksa Jeremia flet në emër të popullit.

Edhe pse shumë janë të trishtuar, Jeremia është plot shpresë. Ai i thërret Jehovait: «Me siguri shpirti yt * [vetë Jehovai] do të kujtohet dhe do të përkulet mbi mua.» (Vargu 20) Jeremia nuk ka asnjë dyshim. E di se Jehovai nuk do ta harrojë as atë, as të penduarit e popullit të Tij. Megjithatë, çfarë do të bëjë Perëndia i Plotfuqishëm?​—Zbulesa 15:3.

Jeremia është i sigurt se Jehovai «do të përkulet» mbi të penduarit e sinqertë. Nga këto fjalë arrijmë ta përfytyrojmë Jehovain si një person të butë. Jehovai, «Më i Larti në tërë dheun», si të thuash do të përkulet e do t’i ngrejë adhuruesit e tij nga gjendja e poshtëruar, që të kenë sërish miratimin e tij. (Psalmi 83:18) I kapur fort pas shpresës, Jeremia gjen ngushëllim të vërtetë për dhembjen që ka në zemër. Profeti besnik është i vendosur ta presë me durim kohën e duhur kur Jehovai të çlirojë popullin e tij të penduar.​—Vargu 21.

Në të vërtetë, fjalët e dokumentuara të Jeremisë na mësojnë dy gjëra për Jehovain. Së pari, është i përulur. (Psalmi 18:35) Ndonëse «s’ka më të fuqishëm se Ai», Jehovai, si të thuash, është i gatshëm të zbresë në nivelin tonë që të na ndihmojë kur vuajmë. (Jobi 37:23; Psalmi 113:5-7) A nuk na ngushëllon ky mendim? Së dyti, Jehovai është i mëshirshëm, është ‘gati të falë’ mëkatarët e penduar dhe t’u japë sërish miratimin e tij. (Psalmi 86:5) Këto dy cilësi​—përulësia dhe mëshira—​shkojnë krah për krah.

Sa mirënjohës jemi që Jehovai nuk është si sundimtarët njerëzorë, të cilët krenaria i bën kokëfortë dhe të pandjeshëm! A nuk nxitesh të mësosh më shumë për Perëndinë e përulur, i cili është gati «të përkulet» që t’i ngrejë nga gjendja e dëshpëruar adhuruesit e tij e t’u japë shpresë?

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë qershorit:

Jeremia 51Ezekieli 5

[Shënimi]

^ par. 3 Skribët e lashtë e ndryshuan vargun duke e bërë «shpirti im», sikur kjo t’i referohej Jeremisë. Me sa duket besonin se ishte mungesë respekti të flisje për Perëndinë si të ishte një shpirt, fjalë që Bibla e përdor për krijesat tokësore. Por shpesh Bibla e përshkruan Perëndinë me fjalë njerëzore që të na ndihmojë ta kuptojmë Atë. Meqë fjala «shpirt» mund të nënkuptojë «jetën që zotërojmë», shprehja «shpirti yt» do të thotë «ti», pra nënkupton vetë personin.

[Diçitura në faqen 14]

Jehovai, si të thuash, është i gatshëm të zbresë në nivelin tonë që të na ndihmojë kur vuajmë