Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

Shpërblyesi i të gjithë atyre që i shërbejnë

Shpërblyesi i të gjithë atyre që i shërbejnë

«FALEMINDERIT!» Kujt nuk i bëhet qejfi kur dëgjon t’i thuhen fjalë vlerësimi për një punë të bërë mirë ose për një dhuratë nga zemra? Të gjithë duam ta ndiejmë se përpjekjet tona vlerësohen, sidomos nga ata që i duam. Sigurisht, më shumë se gjithçka duam Perëndinë tonë, Jehovain. A i vlerëson ai përpjekjet që bëjmë në shërbim të tij? Le të shqyrtojmë si u soll me Ebed-Melekun, një burrë i cili rrezikoi kokën që të shpëtonte një profet të Perëndisë.​—Lexo Jereminë 38:7-13 dhe 39:16-18.

Kush ishte Ebed-Meleku? Me sa duket ishte një zyrtar i oborrit të mbretit Zedekia të Judës. * Ebed-Meleku ishte një bashkëkohës i profetit Jeremia, që Perëndia e kishte dërguar të paralajmëronte Judën e pabesë për shkatërrimin që e priste. Edhe pse rrethohej nga princa të paperëndishëm, Ebed-Meleku i frikësohej Perëndisë dhe kishte respekt të thellë për Jereminë. Cilësitë hyjnore të Ebed-Melekut u vunë në provë kur princat e ligj e akuzuan në mënyrë të rreme Jereminë për kryengritje dhe e hodhën në një sternë me llucë që të vdiste. (Jeremia 38:4-6) Çfarë bëri Ebed-Meleku?

Ai veproi me guxim dhe vendosmëri, pa iu trembur ndëshkimit të princave. Iu afrua Zedekisë para të tjerëve dhe ngriti zërin kundër trajtimit të padrejtë ndaj Jeremisë. Ndoshta, duke treguar me gisht fajtorët, i tha mbretit: «Këta njerëz kanë vepruar keq . . . [me Jereminë].» (Jeremia 38:9) Ebed-Melekut iu dëgjua fjala dhe, nën drejtimin e Zedekisë, mori 30 burra që të shpëtonte Jereminë.

Tani Ebed-Meleku shfaqi një tjetër cilësi të çmuar: mirëdashjen. Mori «lecka të vjetra dhe copa pëlhure të vjetra e ia zbriti me litarë Jeremisë». Pse i duheshin leckat dhe pëlhurat? Që Jeremia t’i vinte nën sqetulla që të mos vritej kur ta tërhiqnin me litarë nga gropa plot llucë.​—Jeremia 38:11-13.

Jehovai pa çfarë bëri Ebed-Meleku. A e vlerësoi? Nëpërmjet Jeremisë, Perëndia i tha Ebed-Melekut se shkatërrimi i Judës ishte afër. Pastaj Perëndia e siguroi se do ta shpëtonte, duke i bërë pesë premtime. Jehovai i tha: «Unë do të të çliroj . . . Nuk do të biesh në duart e armiqve . . . Do të të siguroj shpëtim . . . Nuk do të biesh nga shpata . . . Do të kesh si plaçkë shpirtin tënd.» Pse Jehovai i premtoi Ebed-Melekut se do ta shpëtonte? Ai i tha: «Se pate besim tek unë.» (Jeremia 39:16-18) Jehovai e dinte se ai nuk veproi vetëm nga meraku për Jereminë, por edhe nga besimi te Perëndia.

Mësimi është i qartë: Jehovai e vlerëson çfarë bëjmë në shërbim të tij. Bibla na siguron se ai mban mend edhe gjërat më të vogla që lidhen me adhurimin e motivuar nga një zemër plot besim. (Marku 12:41-44) A nuk nxitesh që të afrohesh më shumë me Perëndinë që e vlerëson shërbimin tënd? Nëse po, të jesh i sigurt se ai është tamam si quhet në Fjalën e tij: «Shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»​—Hebrenjve 11:6.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë majit:

Jeremia 32-50

[Shënimi]

^ par. 2 Ebed-Meleku ishte «eunuk». (Jeremia 38:7) Edhe pse kuptimi i drejtpërdrejtë i kësaj fjale nënkuptonte një mashkull të tredhur, ajo kishte përdorim më të gjerë dhe i referohej çdo zyrtari që punonte në oborrin e mbretit.