Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Të trajtosh me respekt bashkëshortin

Të trajtosh me respekt bashkëshortin

Viktori *: «Kur Rajmonda mërzitet, qan për një kohë të gjatë. Nëse ulemi që të bisedojmë, ajo acarohet, madje nuk pranon të më flasë. Duket sikur asgjë nuk funksionon. Më vjen ta lë me kaq.»

Rajmonda: «Kur Viktori erdhi në shtëpi, po qaja. U përpoqa t’i shpjegoja pse isha e mërzitur, por ai ma preu shkurt. Më tha se nuk ishte dhe aq serioze e të mos e vritja mendjen. Kjo më mërziti edhe më tepër.»

A NDIHESH ndonjëherë si Viktori ose si Rajmonda? Të dy duan të komunikojnë, por shpesh nuk ia dalin. Pse?

Burrat dhe gratë komunikojnë ndryshe dhe kanë nevoja të veçanta. Një grua mund të dojë me zjarr të shprehet lirshëm dhe shpesh. Nga ana tjetër, mjaft burra përpiqen të ruajnë paqen duke i zgjidhur problemet shpejt dhe duke shmangur çështjet e vështira. Atëherë, si mund t’i kapërcesh këto mospërputhje dhe të flasësh me burrin a gruan? Duke e trajtuar bashkëshortin me respekt.

Ai që i respekton të tjerët, i vlerëson ata dhe përpiqet t’ua kuptojë ndjenjat. Që në vogëli mund të kesh mësuar t’i respektosh njerëzit më me autoritet ose më me përvojë se ti. Por, në martesë, sfida është t’i tregosh respekt dikujt me të cilin je pak a shumë njësoj​—bashkëshortit. Linda, e cila është e martuar prej tetë vjetësh, thotë: «Filipi dëgjonte me durim dhe kuptonte këdo që i shprehej. Doja që të vepronte po njësoj edhe me mua.» Ka të ngjarë që edhe ti t’i dëgjosh me durim e t’u flasësh gjithë respekt miqve e madje të panjohurve. Por, kur vjen puna te bashkëshorti, a tregon të njëjtën konsideratë?

Mungesa e respektit krijon tension në familje dhe çon në mosmarrëveshje të rënda. Një sundimtar i mençur tha: «Më e mirë është një kafshatë buke të thatë më paqe, se një shtëpi plot mish flish, por me grindje.» (Proverbat 17:1, Simon Filipaj) Bibla u thotë bashkëshortëve t’i trajtojnë gratë me nderim ose respekt. (1 Pjetrit 3:7) Edhe «gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj».​—Efesianëve 5:33.

Si të komunikosh me respekt? Shqyrto disa këshilla praktike nga Bibla.

Kur bashkëshorti ka diçka për të thënë

Vështirësia:

Mjaft vetave u pëlqen më shumë të flasin se të dëgjojnë. A je një prej tyre? Bibla e përshkruan si të marrë atë që «përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë». (Proverbat 18:13) Pra, dëgjo para se të flasësh. Pse? Klara, e cila është e martuar prej 26 vjetësh, thotë: «Më pëlqen kur burri nuk përpiqet t’i zgjidhë problemet e mia menjëherë. Madje, as ka pse të bjerë dakord apo të thotë shkakun e problemit. Thjesht dua të më dëgjojë dhe të pranojë si ndihem.»

Në anën tjetër, disa burra e gra ngurrojnë të shprehen dhe nuk ndihen rehat kur bashkëshorti u bën presion të thonë si ndihen. Lori, e cila u martua kohët e fundit, zbuloi se të shoqit i duhet mjaft kohë që të shprehë si ndihet. Ajo thotë: «Duhet të jem e durueshme e të pres që ai të më hapet.»

Një zgjidhje:

Nëse ti dhe bashkëshorti keni nevojë të flisni për diçka që rrezikon t’ju përçajë, ngrije si çështje kur të dy të jeni të qetë dhe të shtendosur. Po sikur bashkëshorti të ngurrojë të flasë? Kupto se «mendimet e dikujt janë si uji në një pus të thellë, por njeriu mendjehollë i nxjerr në sipërfaqe». (Proverbat 20:5) Po të nxjerrësh një kovë nga pusi shpejt e shpejt, do të derdhësh shumë ujë. Po njësoj, nëse përballesh me bashkëshortin me shpatë në dorë, ai mund të marrë pozicion mbrojtjeje dhe mund ta humbësh mundësinë që ai ose ajo të hapet. Përkundrazi, pyete me butësi e respekt dhe trego durim nëse bashkëshorti nuk shpreh atë që ndien aq shpejt sa do të doje.

Kur bashkëshorti shprehet, ji «i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim». (Jakovi 1:19) Një dëgjues i mirë nuk dëgjon vetëm me veshë, por edhe me zemër. Kur bashkëshorti flet, përpiqu t’ia kuptosh ndjenjat. Nga mënyra si dëgjon, ai ose ajo do ta kuptojë sa e respekton ose nuk e respekton.

Jezui na mësoi si të dëgjojmë. Për shembull, kur një i sëmurë iu drejtua për ndihmë, Jezui nuk ia zgjidhi menjëherë problemin. Në fillim dëgjoi përgjërimin e atij burri. Më pas lejoi të prekej thellë nga ajo që dëgjoi. Në fund e shëroi burrin. (Marku 1:40-42) Kur bashkëshorti flet, ndiq modelin e Jezuit. Mos harro, ka të ngjarë që ai ose ajo kërkon të tregosh nga zemra ndjenja të përbashkëta, jo t’i japësh zgjidhje të menjëhershme. Prandaj dëgjo gjithë sy e veshë. Lejo të prekesh nga ajo që dëgjon. Atëherë dhe vetëm atëherë përgjigjju nevojave të bashkëshortit. Duke bërë kështu do të tregosh se e respekton.

SUGJERIM: Herën tjetër që bashkëshorti fillon të të flasë, rezistoji prirjes për t’iu përgjigjur menjëherë. Prit derisa të ketë mbaruar së foluri dhe të kesh kuptuar atë që ka thënë. Më vonë afroju dhe pyete: «A t’u duk se po të dëgjoja vërtet?»

Kur ti ke diçka për të thënë

Vështirësia:

«Telekomeditë bëjnë të duket normale që dikush të flasë keq për bashkëshortin dhe të jetë fyes e sarkastik»,—vëren Linda, e përmendur më sipër. Disa rriten në familje ku të folurit pa respekt është normal. Kur më vonë martohen, e kanë të vështirë ta shmangin këtë lloj të foluri në familjen e tyre. Iva, e cila jeton në Kanada, tregon: «U rrita në një ambient ku ishin të zakonshme sarkazmat, ulërimat dhe nofkat tallëse.»

Një zgjidhje:

Kur u flet të tjerëve për bashkëshortin, thuaj «vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë». (Efesianëve 4:29) Përcill përshtypje të mirë për burrin a gruan me anë të mënyrës si flet për të.

Edhe kur je vetëm me bashkëshortin, rezistoji prirjes për të folur me sarkazëm dhe me nofka tallëse. Në Izraelin e lashtë, Mikala u inatos me burrin, mbretin David. Ajo foli me sarkazëm dhe tha se ai u soll si «një kokëbosh». Fjalët e saj e fyen Davidin, por nuk i pëlqyen as Perëndisë. (2 Samuelit 6:20-23) Cili është mësimi? Kur i flet bashkëshortit, zgjidhi fjalët me kujdes. (Kolosianëve 4:6) Filipi, i martuar prej tetë vjetësh, e pranon se ai dhe gruaja ende kanë mosmarrëveshje. Ai ka vënë re se, ndonjëherë, gjërat që thotë e përkeqësojnë situatën. Filipi thotë: «Kam arritur të kuptoj se ‘të fitosh’ një argument faktikisht do të thotë ta humbasësh. Kam parë se është më e kënaqshme dhe e dobishme ta forcojmë marrëdhënien tonë.»

Një vejushë e moshuar e kohëve të lashta i nxiti nuset e saj ‘të gjenin një vend prehjeje secila në shtëpinë e burrit të vet’. (Rutha 1:9) Kur burri dhe gruaja i japin dinjitet njëri-tjetrit, e bëjnë shtëpinë «një vend prehjeje».

SUGJERIM: Me bashkëshortin, lini kohë mënjanë që të shqyrtoni sugjerimet e kësaj nënteme. Pyete bashkëshortin: «Kur u flas të tjerëve për ty në praninë tënde, a ndihesh i nderuar apo i poshtëruar? Ç’përmirësime mund të bëj?» Dëgjo vërtet teksa tjetri shpreh ndjenjat. Përpiqu t’i zbatosh sugjerimet që dëgjon.

Prano që bashkëshorti është ndryshe

Vështirësia:

Disa të sapomartuar kanë arritur gabimisht në përfundimin se ajo që Bibla e quan «një mish i vetëm» ka kuptimin se çifti duhet të ketë një mendim ose një personalitet të vetëm. (Mateu 19:5) Megjithatë, shpejt kuptojnë se ky mendim është idealist. Pas njëfarë kohe si të martuar, shpesh ndryshimet e personalitetit i çojnë në grindje. Linda thotë: «Një ndryshim i madh mes nesh është se Filipi merakoset më pak se unë. Ndonjëherë ai arrin të ruajë qetësinë kur unë jam e shqetësuar, kështu që inatosem, sepse duket sikur nuk shqetësohet aq sa unë.»

Një zgjidhje:

Pranoje tjetrin siç është dhe respekto atë që është ndryshe te bashkëshorti. Ta ilustrojmë: sytë punojnë ndryshe nga veshët; prapëseprapë bashkëpunojnë që ta kalosh rrugën i sigurt. Adriana, e cila është e martuar prej afro tri dekadash, thotë: «Për aq kohë sa pikëpamjet tona nuk bien ndesh me Fjalën e Perëndisë, unë dhe burri lejojmë që të kemi mendime të ndryshme. Në fund të fundit, jemi të martuar, jo të klonuar.»

Kur bashkëshorti mendon ose reagon ndryshe nga ti, mos u përqendro vetëm tek interesat e tua. Merri në konsideratë mendimet e bashkëshortit. (Filipianëve 2:4) Burri i Adrianës, Keli, pranon: «Jo gjithmonë i kuptoj ose jam dakord me mendimet e gruas. Por i kujtoj vetes se atë e dua më shumë se mendimin tim. Kur ajo është e lumtur, jam edhe unë.»

SUGJERIM: Bëj një listë se në ç’mënyrë janë më të larta se të tuat pikëpamja e bashkëshortit ose mënyra si i zgjidh gjërat.​—Filipianëve 2:3.

Respekti është një nga sekretet që e bën martesën të lumtur e jetëgjatë. Linda thotë: «Respekti sjell kënaqësi dhe siguri në martesë. Patjetër që ia vlen ta zhvillosh respektin.»

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

PYET VETEN . . .

  • Si e ka pasuruar familjen tonë fakti që bashkëshorti është ndryshe nga unë?

  • Pse është mirë t’u hap rrugë preferencave të bashkëshortit sa herë që nuk cenohen parimet biblike?