A është papa «pasardhësi i Shën Pjetrit»?
A është papa «pasardhësi i Shën Pjetrit»?
NË VITIN 2002, papa Gjon Pali II i shkroi një letër peshkopit të Limburgut, Gjermani, që të anulonte një vendim të peshkopit në lidhje me abortin. Në hyrje të letrës, papa tha se ishte përgjegjës për «mirëqenien dhe unitetin e tërë kishave, sipas vullnetit të Jezu Krishtit». Ai pretendoi se kishte autoritet për të anuluar vendimin e peshkopit sepse, si papë, mbahet si «pasardhësi i Shën Pjetrit».
Sipas një përkufizimi të Kishës Katolike të Romës, «Krishti e vuri Shën Pjetrin në krye të të gjithë apostujve». Më tej, Kisha thotë se «Krishti vendosi që Pjetri të kishte përherë pasardhës në këtë parësi dhe se këta pasardhës janë peshkopët e Romës».—New Catholic Encyclopedia (2003), vëllimi 11, faqet 495-496.
Këto janë goxha pretendime. A i keni shqyrtuar vetë nëse janë të vërteta? Shqyrtoni përgjigjet e tri pyetjeve: (1) a e mbështet Bibla pretendimin se Pjetri ishte papa i parë? (2) Çfarë na mëson historia në lidhje me origjinën e caktimit të papëve njëri pas tjetrit? (3) A e mbështetin sjellja dhe mësimet e papëve pretendimin e tyre se janë pasardhës të Pjetrit?
A ishte Pjetri papa i parë?
Që të provojnë se Kisha e ka themelin te Pjetri, katolikët për një kohë të gjatë e kanë drejtuar vëmendjen te fjalët e Jezuit te Mateu 16:18: «Ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim.» Në fakt, këto fjalë gjenden të gdhendura në latinisht poshtë kubesë së Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë.
Agustini, një ndër etërit e përnderuar të Kishës, dikur mendonte se kongregacioni ishte ndërtuar mbi Pjetrin. Gjithsesi, nga fundi i jetës, ndryshoi pikëpamje për kuptimin e fjalëve të Jezuit. Në një vepër të njohur (Retractations), Agustini argumentoi se kisha, pra kongregacioni i krishterë, ishte ndërtuar mbi Jezuin, jo mbi Pjetrin. *
Është e vërtetë, apostulli Pjetër zë vend të rëndësishëm në ungjij. Në fakt, Jezui zgjodhi tre apostuj—Gjonin, Jakovin dhe Pjetrin—që të ishin me të në disa raste të veçanta. (Marku 5:37, 38; 9:2; 14:33) Jezui i besoi Pjetrit «çelësat e mbretërisë së qiejve», të cilat Pjetri i përdori për të hapur rrugën drejt Mbretërisë, së pari për judenjtë dhe prozelitët, pastaj për samaritanët dhe në fund për jojudenjtë. (Mateu 16:19; Veprat 2:5, 41; 8:14-17; 10:45) Ngaqë ishte me natyrë të hedhur, me raste Pjetri shërbeu si zëdhënës i apostujve si grup. (Veprat 1:15; 2:14) Por, a tregojnë këto fakte se Pjetri ishte kreu i kongregacionit të hershëm?
Faktikisht, apostulli Pavël shkroi se Pjetrit iu besua ‘përgjegjësia si apostull ndër ata që ishin të rrethprerë’. (Galatasve 2:8) Megjithatë, konteksti tregon se Pavli nuk po thoshte se Pjetri drejtonte kongregacionin. Pavli foli për rolin e Pjetrit që t’u predikonte judenjve.
Megjithëse Pjetrit i dhanë përgjegjësi të mëdha, në asnjë shkrim të Biblës nuk përmendet 1 Pjetrit 1:1; 5:1.
që të ketë thënë se ishte kreu i kongregacionit dhe, si i tillë, të merrte vendime për dishepujt si grup. Në letrën që shkroi, ai e quajti veten «apostull» dhe «plak»; asgjë më tepër.—Çfarë na mëson historia për origjinën e papatit?
Atëherë, kur dhe si lindi ideja e papatit? Ideja se ishte e pranueshme që një burrë të kërkonte të spikaste mbi bashkëbesimtarët, nisi të zinte rrënjë që kur apostujt ishin ende gjallë. Si e konsideronin apostujt një mendim të tillë?
Vetë apostulli Pjetër u tha burrave që merrnin drejtimin në kongregacion, ‘të mos silleshin si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë’. Ata duhej të ngjisheshin me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit. (1 Pjetrit 5:1-5) Apostulli Pavël paralajmëroi se brenda kongregacionit do të ngriheshin njerëz që ‘do të thoshin gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt’. (Veprat 20:30) Rreth fundit të shekullit të parë të e.s., apostulli Gjon shkroi një letër në të cilën kritikoi ashpër një dishepull që quhej Diotref. Pse i hoqi vërejtje? Një arsye ishte se atij ‘i pëlqente të ishte i pari’ në kongregacion. (3 Gjonit 9) Apostujt i dhanë këto këshilla që të frenonin ose të pengonin për njëfarë kohe ambiciet e atyre që donin të spikatnin.—2 Selanikasve 2:3-8.
Pak pasi vdiq apostulli i fundit, disa individë filluan të spikatnin mbi të tjerët. Një libër thotë: «Ka mundësi që nuk kishte asnjë peshkop ‘monarkik’ në Romë para mesit të shekullit të dytë.» (The Cambridge History of Christianity) Rreth shekullit të tretë, peshkopi i Romës e shpalli veten si autoritetin më të lartë, të paktën në disa kisha, por jo në të gjitha. * Disa kanë përpiluar një listë të pasardhësve të Pjetrit që t’i japin peshë pretendimit se peshkopi i Romës është autoriteti më i lartë.
Megjithatë, kjo listë nuk e mbështet shumë këtë pretendim. Pse? Së pari, disa emra të kësaj liste nuk mund të verifikohen. Më e rëndësishmja, kjo listë ka themele të dobëta. Pse vallë? Edhe sikur Pjetri të ketë predikuar në Romë, siç nënkupton ca literaturë jofetare e shekullit të parë dhe të dytë, nuk ka asnjë provë se ishte kreu i kongregacionit atje.
Një dëshmi se Pjetri nuk ishte kreu i kongregacionit në Romë është se, kur apostulli Pavël u shkroi letrën romakëve, përmendi një listë mjaft të gjatë të të krishterëve atje. Ndërsa Pjetrin nuk e përmendi fare. (Romakëve 16:1-23) Nëse Pjetri ishte kreu i kongregacionit, a do ta kishte shpërfillur ose përbuzur Pavli atë?
Gjithashtu, vini re se, rreth periudhës që Pjetri shkroi nën frymëzim letrën e tij të parë, Pavli i shkroi Timoteut një letër të dytë. Në këtë letër, Pavli e përmendi Romën pa ngurruar. Faktikisht, Pavli shkroi gjashtë letra nga Roma, por në asnjërën nuk e përmendi Pjetrin.
Rreth 30 vjet pasi Pavli shkroi letrat e tij, apostulli Gjon shkroi tri letra dhe librin e Zbulesës. Gjoni nuk përmendi në asnjë pjesë të shkrimeve se kongregacioni i Romës ishte më i spikaturi, as përmendi ndonjë udhëheqës të kishës që mbante postin më të lartë të një pasardhësi të supozuar të Pjetrit. As Bibla dhe as dëshmitë historike nuk e mbështetin pretendimin se Pjetri e shpalli veten peshkopin e parë të kongregacionit në Romë.
A e mbështetin sjellja dhe mësimet e papëve pretendimin e tyre?
Me të drejtë presim që kush pohon se është «pasardhësi i Shën Pjetrit» dhe «zëvendësi i Krishtit», të ndjekë si sjelljen e mësimet e Pjetrit, ashtu edhe të Krishtit. Për shembull, a pranonte Pjetri trajtim të veçantë nga bashkëbesimtarët? Jo. Nuk lejonte të përnderohej në asnjë lloj mënyre. (Veprat 10:25, 26) Ç’të themi për Jezuin? Ai tha se erdhi që t’u shërbente të tjerëve, jo që t’i shërbenin. (Mateu 20:28) Ndryshe nga kjo, për çfarë njihen papët? A lejojnë të spikatin mbi të tjerët, a i refuzojnë titujt madhështorë dhe a i shmangin shfaqjet pompoze të pasurisë e të fuqisë?
Si Pjetri, edhe Krishti, ishin burra të drejtë dhe nxitnin paqen. Krahasojeni këtë me atë që thotë enciklopedia Lexikon für Theologie und Kirche (Leksiku për teologjinë dhe kishën) për papa Leonin X. Aty thuhet: «Përfshihej në politikë dhe shpesh në favorizime ndaj të afërmve, si dhe ishte i dhënë pas kënaqësive të tepruara të botës. Kështu që i linte pas dore detyrat urgjente në lidhje me besimin.» Karl Amoni, prift katolik dhe profesor i historisë së kishës, thotë se raportet e verifikuara për papa Aleksandrin VI tregojnë se «në një masë tejet të madhe ishte i paskrupull, abuzonte me autoritetin, bënte tregti me pozitat në kishë dhe kryente imoralitet».
Ç’mund të themi për mësimet e papëve? Si janë ato në krahasim me mësimet e Pjetrit dhe të Krishtit? Pjetri nuk besonte se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Duke folur për mbretin e mirë David, tha qartë: «Davidi . . . nuk u ngjit në qiej.» (Veprat 2:34) Pjetri as nuk mësonte se foshnjat duhen pagëzuar. Në vend të kësaj, ai mësonte se pagëzimi është një hap që besimtari e bën me vetëdije.—1 Pjetrit 3:21.
Jezui mësoi se asnjëri prej dishepujve të tij s’duhej të spikaste mbi të tjerët. Ai tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve.» (Marku 9:35) Pak para vdekjes, Jezui u dha dishepujve këtë drejtim të qartë: «Mos lejoni t’ju quajnë Rabi, sepse keni vetëm një mësues, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mbi tokë mos quani askënd atë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos lejoni t’ju quajnë ‘udhëheqës’, sepse keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.» (Mateu 23:1, 8-10) A mendoni se papët u janë përmbajtur mësimeve të Pjetrit dhe të Krishtit?
Disa mendojnë se papa duhet të qëndrojë në pozitën e tij edhe nëse nuk bën jetë të krishterë. A ju duket i arsyeshëm ky argument? Jezui tha: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq. Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë.» Duke u bazuar te dëshmitë, a mendoni se Pjetri ose Krishti do të donin të përfaqësoheshin nga frytet që kanë prodhuar papët?—Mateu 7:17, 18, 21-23.
[Shënimet]
^ par. 7 Biseda e Jezuit me Pjetrin u përqendrua në identifikimin e Krishtit dhe të rolit të tij, jo të rolit që do të luante Pjetri. (Mateu 16:13-17) Më vonë, vetë Pjetri tha se Jezui ishte shkëmbi mbi të cilin u ndërtua kongregacioni. (1 Pjetrit 2:4-8) Apostulli Pavël konfirmoi se ‘guri i qoshes’ i kongregacionit të krishterë ishte Jezui, jo Pjetri.—Efesianëve 2:20.
^ par. 14 Si Jezui, edhe apostujt paralajmëruan se në kongregacionin e krishterë do të mbizotëronin njerëz që mësonin doktrina apostate. (Mateu 13:24-30, 36-43; 2 Timoteut 4:3; 2 Pjetrit 2:1; 1 Gjonit 2:18) Këto deklarata dolën të vërteta kur kisha ose kongregacioni i shekullit të dytë nisi të përvetësonte tradita pagane dhe të përziente doktrinat biblike me filozofinë greke.
[Figurat në faqen 25]
A tregojnë dëshmitë se papët e kanë ndjekur shembullin e Pjetrit?