Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duket pa kuptim jeta?

Pse duket pa kuptim jeta?

Pse duket pa kuptim jeta?

PSE duhet të besosh se jeta nuk do të jetë vetëm ‘disa ditë të pakta e të kota që na kalojnë porsi hije’, siç e tha mbreti Solomon? (Eklisiastiu 6:12, Simon Filipaj) Fjala e frymëzuar e Perëndisë, Bibla​—burim informacioni që është gjithmonë i besueshëm—​premton se jeta në të ardhmen do të ketë kuptim të vërtetë.​—2 Timoteut 3:16, 17.

Bibla na tregon cili ishte qëllimi fillestar për tokën. Gjithashtu shpjegon pse bota është plot padrejtësi, shtypje dhe vuajtje. Pse ka rëndësi t’i kuptojmë këto gjëra? Sepse arsyeja kryesore që njerëzit mendojnë se jeta s’ka fare kuptim, është se nuk e dinë​—ose zgjedhin ta shpërfillin—​qëllimin e Perëndisë për këtë planet dhe për njerëzimin në të.

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Perëndia Jehova * e bëri tokën që të ishte një shtëpi e përsosur parajsore për njerëzimin, vend ku burrat dhe gratë të gëzonin përgjithmonë një jetë kuptimplotë e të kënaqshme si njerëz të përsosur. Kjo e vërtetë themelore është në kundërshtim me idenë e pranuar gjerësisht, por jo të bazuar në Shkrime, se Perëndia e bëri tokën si vend prove për njerëzit, që të shihte nëse e meritonin të bënin jetë më me kuptim në qiell.​—Shih kutinë  «A duhet të largohemi nga toka që të bëjmë jetë me kuptim?» në faqen 6.

Perëndia e krijoi burrin dhe gruan sipas shëmbëlltyrës së Tij, duke u dhënë aftësi të pasqyronin cilësitë e Tij të mrekullueshme. (Zanafilla 1:26, 27) I bëri të përsosur. Ata kishin gjithçka u nevojitej për të gëzuar përgjithmonë një jetë frytdhënëse dhe me kuptim. Kjo do të përfshinte ta mbushnin tokën e ta nënshtronin, duke e shndërruar gjithë planetin në një parajsë, tamam si kopshti i Edenit.​—Zanafilla 1:28-31; 2:8, 9.

Çfarë shkoi keq?

S’ka dyshim se diçka shkoi shumë keq. Njerëzit në përgjithësi nuk e pasqyrojnë shëmbëlltyrën e Perëndisë. Sigurisht që toka nuk është parajsë. Çfarë ndodhi? Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, abuzuan me vullnetin e tyre të lirë. Ata donin ‘të ishin si Perëndi’, të vendosnin vetë se çfarë ishte ‘e mirë dhe e keqe’. Duke vepruar kështu, ata ndoqën udhën rebele që tashmë kishte ndërmarrë Satana Djalli.​—Zanafilla 3:1-6.

Pra, ligësia nuk është pjesë e ndonjë plani misterioz e të paracaktuar të Perëndisë. Ajo filloi kur Satanai​—e më pas Adami dhe Eva—​u rebeluan ndaj sundimit të Perëndisë. Si pasojë e këtij rebelimi, prindërit tanë të parë e humbën Parajsën dhe përsosmërinë, duke i sjellë mëkatin e vdekjen jo vetëm vetes, por edhe pasardhësve​—gjithë familjes njerëzore. (Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12) Kështu u krijuan kushtet dhe rrethanat që jeta të duket pa kuptim.

Pse nuk e zhduku menjëherë ligësinë?

Disa pyesin veten: «Pse Perëndia nuk e zhduku menjëherë ligësinë duke shkatërruar Satanain bashkë me rebelët e tjerë e t’ia niste nga e para?» A do të kishte qenë vërtet e mençur kjo? Si do të reagoje ti po të dëgjoje për një qeveri të fuqishme që ekzekuton menjëherë këdo që sfidon autoritetin e saj? A nuk do t’i armiqësonin këto veprime njerëzit e drejtë dhe a nuk do ta vinin në dyshim mënyrën si e ushtron autoritetin qeveria?

Perëndia zgjodhi të mos vepronte menjëherë kundër rebelëve. Me mençuri, lejoi të kalonte kohë që të zgjidheshin​—një herë e mirë—​çështjet e ngritura në Eden për mënyrën e sundimit të tij.

Heqja e gjithë ligësisë

Gjëja kyçe që s’duhet harruar, është kjo: Perëndia e ka lejuar ligësinë vetëm për një periudhë kohe të kufizuar. Ai ka vepruar kështu duke ditur se mund t’i zhbëjë plotësisht pasojat e hidhura sapo të zgjidhen çështjet jetësore të ngritura nga rebelimi ndaj mënyrës se si sundon.

Perëndia nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për tokën dhe njerëzimin. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai na siguron se Ai është Bërësi i tokës, Ai «që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Shumë shpejt, do të nisë ta kthejë tokën në gjendjen e përsosur që kishte si qëllim në fillim. Pasi ta tregojë qartë se mënyra e tij e sundimit është e drejtë, do të jetë i justifikuar ta përdorë forcën e tij të parezistueshme që të vendosë vullnetin e tij dhe të shkatërrojë plotësisht gjithë ligësinë. (Isaia 55:10, 11) Në lutjen model, Jezu Krishti ndër të tjera i kërkoi Perëndisë të ndërmerrte këtë veprim. Jezui na mësoi të lutemi: «U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Çfarë përfshin kjo?

Vullneti i Perëndisë për tokën

Midis të tjerash, «zemërbutët do të trashëgojnë tokën». (Psalmi 37:9-11, 29; Proverbat 2:21, 22) Jezu Krishti «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin». Do t’i çlirojë «nga shtypja dhe dhuna». (Psalmi 72:12-14) Nuk do të ketë më luftëra; as vdekje, as lot, as dhembje, as vuajtje nuk do të ketë më. (Psalmi 46:9; Zbulesa 21:1-4) Njerëz të shumtë që kanë vdekur gjatë kohës që Perëndia ka toleruar ligësinë, do të ringjallen për të jetuar në to­kë dhe do t’u jepet mundësia të nxjerrin dobi nga këto bekime dhe të tjera.​—Gjoni 5:28, 29.

Në fakt, Jehovai do t’i zhbëjë dëmet që ka shkaktuar rebelimi i Satanait. Aq e plotë do të jetë kjo ndreqje, sa «vuajtjet e mëparshme [çdo gjë që sjell hidhërim dhe dhembje] do të jenë harruar». (Isaia 65:16-19) Kjo e ardhme është e garantuar. Perëndia nuk gënjen. Të gjitha premtimet e tij realizohen. Jeta nuk do të jetë më «kotësi dhe rropatje pas erës». (Eklisiastiu 2:17) Përkundrazi, do të jetë plot kuptim.

Por ç’të themi për sot? A mund të bësh jetë më me kuptim tani nëse di çfarë mëson Bibla dhe kupton qëllimin e Perëndisë për tokën? Artikulli i fundit i kësaj serie do të trajtojë këtë pyetje.

[Shënimi]

^ par. 5 Në Bibël, Jehova është emri i Perëndisë.

[Kutia në faqen 6]

 A duhet të largohemi nga toka që të bëjmë jetë me kuptim?

Për shekuj me radhë, njerëz pa njohuri rreth qëllimit të Perëndisë për tokën, kanë mësuar se ne duhet të largohemi nga toka që të gëzojmë një ekzistencë me kuptim të vërtetë.

Disa kanë thënë se shpirtrat «gëzonin një ekzistencë më të lartë para se të hynin në trupa njerëzorë». (New Dictionary of Theology) Të tjerë kanë thënë se shpirti «burgosej në trup si ndëshkim për mëkatet që ka kryer kur ishte në qiell».​—Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature.

Filozofë grekë si Sokrati dhe Platoni, mësonin këtë ide: vetëm kur shpirti largohet nga kufizimet e një trupi njerëzor fizik, atëherë «lirohet nga sorollatjet, marrëzitë dhe frika, nga dëshirat e çmendura e nga tërë hallet e tjera që mundojnë njerëzimin» dhe banon «në shoqërinë e perëndive për gjithë kohën në vazhdim».​—Phaedo e Platonit, 81, A.

Më vonë, të ashtuquajtur udhëheqës të krishterë futën në mësimet e tyre «supozime rreth pavdekësisë së shpirtit» të cilat i mësonin filozofë grekë.​—Christianity​—A Global History.

Krahasoji këto ide me tri të vërteta themelore që gjenden në Bibël:

1. Perëndia ka si qëllim që toka të jetë shtëpia e përhershme e njerëzve, jo një vend i përkohshëm prove për të parë kush e meriton të jetojë me të në qiell. Nëse Adami dhe Eva do t’u bindeshin ligjeve të Perëndisë, do të ishin ende gjallë këtu, në një tokë parajsore.​—Zanafilla 1:27, 28; Psalmi 115:16.

2. Ndërkohë që shumë fe mësojnë se njeriu ka një shpirt​—diçka jomateriale që banon përbrenda—​ajo që mëson Bibla është më e thjeshtë. Njeriu është «një shpirt i gjallë» i formuar nga «pluhuri i tokës». (Zanafilla 2:⁠7) Bibla nuk e përshkruan kurrë këtë shpirt si të pavdekshëm. Ajo thotë se shpirti mund të vritet ose të shkatërrohet, pra pushon plotësisht së ekzistuari. (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5, 10; Ezekieli 18:4, 20) Shpirti i parë, Adami, vdiq dhe u kthye në pluhur nga i cili ishte krijuar. Ai u kthye sërish në mosekzistencë.​—Zanafilla 2:17; 3:19.

3. E ardhmja e njeriut nuk varet nga zotërimi i një shpirti të pavdekshëm që shkon në qiell, por nga premtimi i Perëndisë për një ringjallje nga të vdekurit që të jetojë në një tokë parajsore.​—Danieli 12:13; Gjoni 11:24-26; Veprat 24:15.