«Një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë»
«Një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë»
KUR Perëndia Jehova i çliroi izraelitët nga Egjipti, ai premtoi t’i çonte «në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë».—Dalja 3:8.
Kur izraelitët u vendosën me banim në Tokën e Premtuar, filluan të mbarështonin lopë, dele dhe dhi, duke prodhuar kështu mjaft qumësht. Por, ç’të themi për mjaltin? Disa mendojnë se shprehja i referohet shurupit të ëmbël që bëhej nga hurmat, fiqtë ose rrushi. Dhe shumica nga rastet specifike ku Bibla përmend mjaltin e bletëve, bëjnë fjalë për mjaltin e egër, jo për mjaltin e prodhuar nën kujdesin e bletërritësve. (Gjykatësit 14:8, 9; 1 Samuelit 14:27; Mateu 3:1, 4) A ‘rridhte’ vërtet edhe mjaltë bashkë me qumështin në atë vend?
Një zbulim arkeologjik i bërë kohët e fundit në Izraelin e sotëm na jep një tablo më të qartë. Në lidhje me zbulimin, Universiteti Hebraik tha në një deklaratë për shtyp: «Sipas profesorit (Amihai) Mazari, kjo është bletorja [koloni kosheresh] më e hershme që është zbuluar deri më sot në gërmimet arkeologjike në gjithë Lindjen e Mesme të kohës së lashtë. Ajo daton nga shekulli i 10-të deri në fillim të shekullit të 9-të p.e.s.»
Arkeologët gjetën më tepër se 30 koshere të rreshtuara në tri radhë dhe dolën në përfundimin se e gjithë zona mund përmbante rreth 100 koshere. Nga studimi i mbetjeve të koshereve, janë gjetur pjesë të trupave të bletëve dhe molekula të dyllit të tyre. Studiuesit llogaritin se «çdo vit mund të nxirrej deri gjysmë toni mjaltë nga këto koshere».
Në kohët e lashta, mjalti ishte ushqim i shijshëm, kurse dylli përdorej në industrinë e metaleve dhe të lëkurës. Përdorej edhe për pllaka shkrimi, që përbëheshin nga një pllakë druri mbi të cilën derdhej një shtresë dylli, i cili mund të shkrihej për t’u përdorur sërish. Në ç’përfundim dalin arkeologët në bazë të këtij zbulimi?
Deklarata për shtyp vazhdon: «Ndërkohë që Bibla nuk thotë asgjë për bletarinë e asaj kohe në Izrael, zbulimi i koshereve në Tel-Rehov tregon se bletaria dhe nxjerrja e mjaltit e të hojeve të bletëve, ishte industri tejet e zhvilluar që në periudhën e tempullit të parë [të Solomonit]. Kështu, ka mundësi që termi ‘mjaltë’ që përdoret në Bibël i referohet vërtet mjaltit të bletëve.»
[Burimi i figurës në faqen 15]
Instituti i Arkeologjisë/Universiteti Hebraik © Gërmimet në Tel-Rehov