Kongreset krahinore gjatë verës në Rusi sjellin bekime
Kongreset krahinore gjatë verës në Rusi sjellin bekime
ÇDO verë, rusët e apasionuar pas natyrës lënë shtëpitë e tyre në qytet dhe vërshojnë në fshat që të kalojnë kohë në shtëpizat e verës të quajtura daka. Për ta, kjo është koha që të largohen nga ritmi i vrullshëm i qytetit. Gjatë këtyre verave të fundit, edhe Dëshmitarët e Jehovait në Rusi, të shumtë në numër, i janë drejtuar natyrës, por për një arsye tjetër.
Megjithëse në disa qytete vepra e predikimit është kufizuar, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi vazhdojnë të mblidhen lirisht për adhurim, duke ushtruar të drejtën kushtetuese të lirisë fetare. Por në disa raste, kundërshtimi dhe presioni nga autoritetet e keqinformuara ose nga kleri i kishës ortodokse vendëse ua kanë bërë të vështirë të marrin leje, që të përdorin godina të përshtatshme për kongreset krahinore që mbajnë çdo verë. Prandaj Dëshmitarët i kanë organizuar jashtë kongreset, në formë «pikniku» ose «fushimi». Nga viti 2007 deri më 2009, «piknikë» të tillë janë mbajtur rreth 40 herë në 25 vende anekënd Rusisë.
Një Dëshmitar që i ka ndjekur kongreset në Rusi për shumë vjet, thotë: «Vitet e kaluara kur merrnim me qira stadiume dhe ndërtesa në qytete të mëdha, mjaft njerëz të sinqertë
dhe autoritete vendëse kanë arritur t’i nxjerrin vetë përfundimet për organizatën tonë, duke u bazuar te pastërtia dhe rregulli që shihnin. Tani jemi të detyruar të mblidhemi në pyll ku të vetmet që na shohin janë kafshët e egra. Është për të ardhur keq që publiku nuk i sheh dot këto grumbullime të mrekullueshme, ku marrin pjesë njerëz me prejardhje, raca dhe fe të ndryshme.»Ndonëse këto grumbullime janë raste të gëzuara, një Dëshmitar pranon: «Është kënaqësi të shohësh vetëmohimin dhe besnikërinë e Dëshmitarëve që përshtaten me rrethana të ndryshme. Por, ta themi hapur, kur autoritetet na e bëjnë të vështirë të mbajmë kongreset, kjo është rraskapitëse si fizikisht, edhe emocionalisht. Gjithashtu, kjo na kufizon lirinë e adhurimi të Perëndisë së Plotfuqishëm në mënyrë dinjitoze.» Si e kanë përballuar këtë problem Dëshmitarët e Jehovait në Rusi?
Kongrese në pyll anembanë vendit
Shpesh anulimet e marrëveshjeve në minutën e fundit për vendet me qira, nënkuptojnë se organizuesit e kongresit kanë vetëm pak ditë që të bëjnë ndryshimet për mijëra delegatë. Për shembull, në vitin 2008, Dëshmitarëve në Çeboksari, Republika e Çuvashes, iu desh ta mbanin kongresin krahinor në një shesh të madh të rrethuar nga mështekna, pranë lumit Vollga që dukej teposhtë. I priste një punë gjigante. Nga 1.930 delegatët që priteshin, 1.700 do të strehoheshin te sheshi i kongresit. Duheshin dushe e lavamanë të pajisur me ujë të ngrohtë e të ftohtë, banja dhe energji elektrike. Gjithashtu të gjithë kishin nevojë për ushqim.
Vëllezërit e përballuan me sukses sfidën. U thirrën zdrukthëtarë, elektricistë dhe hidraulikë. Një grup me 350 Dëshmitarë vullnetarë erdhën të ndihmonin dhe 14 nga këta jetuan në vendin e kongresit për dhjetë ditë. Sharruan dërrasa dhe pastruan vendin nga bëzhdilat. Ngritën çadra, dhoma të përkohshme dushi dhe banja. Një grup tjetër vëllezërish bënë shumë vajtje-ardhje në qytet që të blinin gjëra. Meqë nuk kishte vend të freskët për ushqimin, vëllezërit vendosën t’u siguronin të gjithëve tri vakte të ngrohta në ditë, të gatuara në vend. Administrata e vendit të kongresit bashkëpunoi duke punësuar disa punëtorë që të përgatitnin ushqim për delegatët. Në fund, 500 delegatë kishin çadrat e veta, 150 morën shtëpi me qira afër vendit të kongresit, 15 fjetën në ndonjë stallë bari dhe pjesa tjetër qëndruan në çadrat që ngritën vëllezërit.
Kur mbërritën delegatët, panë detin blu të karrigeve të vendosura në radhë të rregullta. Përballë kishte dy skena të zbukuruara me lule sipas stilit të fshatit, njëra për programin në rusisht, kurse tjetra për atë në gjuhën çuvashe. Të gjithë u kënaqën me programin frymor dhe e çmuan punën e palodhur të vullnetarëve. Një nga punëtorët që përgatitën ushqimin tha me gëzim: «Po të mos e shihja me sytë e mi, nuk do ta besoja kurrë se ekziston një organizatë kaq e frytshme dhe e rregullt sa juaja.» Disa e krahasuan organizimin e kongresit me festën e Kasolleve që festohej në Izraelin e kohëve biblike.
Në qytete të tjera, Dëshmitarët shpesh kishin vetëm një ditë për të përgatitur një vend tjetër ku të mbanin kongresin krahinor. Kjo
ndodhi në Nizhni-Novgorod ku vullnetarët punuan me turne ditë e natë në një tokë private. Atyre iu desh të pritnin pemë dhe shkurre, të kositnin barin dhe të hiqnin qafe këpushat dhe milingonat. Kur delegatët mbërritën të premten në mëngjes, vullnetarët kishin vënë 2.000 karrige plastike dhe dhjetë banja portative, kishin bërë lavamanë me ujë të rrjedhshëm, kishin ndërtuar një skenë dhe kishin vënë një gjenerator e një sistem akustik. Një vëlla tha: «Gjëja më e mrekullueshme ishte se vëllezërit që kishin punuar gjithë kohën nuk ndiheshin heronj. Me përulësi, vazhduan t’u shërbenin të tjerëve gjatë gjithë kongresit. Në kuptimin e plotë të fjalës u shpenzuan që vëllezërit e motrat e tyre të ishin rehat dhe të shijonin mësimin hyjnor.»Një tjetër vëlla shkruan: «Kishte një frymë të vërtetë bashkëpunimi. Ndonëse ishte hera e parë që vëllezërit organizonin një kongres në natyrë dhe nuk kishin shumë kohë, peshuan mirë gjithçka që gjatë programit të kishte sa më pak shpërqendrime. Më vonë nuk u ndiemë të lodhur. Ishte sikur Jehovai të na kishte bërë me krahë.»
Fryma e Perëndisë në veprim
Në mjaft mënyra, zgjidhja e problemeve që kishin të bënin me kongresin i bashkoi më shumë Dëshmitarët vendës dhe tregoi se fryma e Perëndisë vepron. Në Smolensk mjaft nga strehimet u anuluan pikërisht mbrëmjen para kongresit. Një plak thotë: «Kur disa autobusë me delegatë mbërritën në orën një të mëngjesit, nuk kishim ku t’i strehonim. Fillova të qaja sepse nuk bëja dot gjë për ta. Iu drejtova Jehovait në lutje dhe iu përgjërova ta zgjidhte problemin. Sa i lumtur isha kur një orë më vonë gjetëm strehime të tjera për të gjithë! Ishte mahnitëse dhe provoi se Jehovai nuk e lë të drejtin në baltë.» Në një kongres tjetër në pyll, vëllezërit i kërkuan ndihmë për strehimin një fshati aty afër. Ngaqë Dëshmitarët kanë bërë emër të mirë në atë zonë, fshatarët me gatishmëri strehuan 2.000 delegatë në shtëpitë e tyre gjatë kongresit.
Një Dëshmitar thotë: «Vetë fakti që kongresi u mbajt, provoi sa e rëndësishme është të mbështetemi te Jehovai në të gjitha rrethanat.» Kjo u duk sidomos kur «mysafirë» të paftuar u shfaqën për të prishur kongresin. Në Novashaktinsk kleri ortodoks dhe protestues rusë erdhën dhe kënduan himne e këngë me mikrofona që të mbytnin zërin e oratorit të kongresit. Megjithatë, policia nuk i la ta prishnin programin. Kur një protestueseje, një gruaje ortodokse, i ra të fikët nga vapa, vëllezërit e çuan në repartin e ndihmës së shpejtë të kongresit dhe i dhanë ndihmë mjekësore. Ajo mbeti pa fjalë.
Të mahnitur nga ajo që panë
Për shkak të frikës në rritje ndaj terrorizmit, grumbullimet e mëdha në Rusi shpesh
tërheqin vëmendjen e zyrtarëve që merren me zbatimin e ligjit, si dhe të vendësve kureshtarë. Për shembull, një kongres në pyll në Vollzhski po e vëzhgonin përfaqësues të forcave antiekstremiste të policisë. Njëri prej tyre humbi celularin gjatë programit dhe vëllezërit e ndihmuan ta gjente te reparti i sendeve të humbura. Pak pas kësaj, mori një telefonatë nga shefi i tij, i cili donte të dinte nëse në kongres kishte ndonjë prirje të dhunshme ose ekstremiste. Oficeri iu përgjigj: «Çdo gjë shkon për bukuri. Këtu ka 5.000 veta dhe asnjë shenjë dhune. Nuk bëhet fjalë për ekstremizëm. Ja diçka që të bën përshtypje. Humba celularin dhe ata e gjetën e ma kthyen!»Një roje i bëri përshtypje pastërtia e vendit dhe u habit që, me kaq shumë fëmijë, nuk shihje as edhe një letër karameleje. Pronari i vendit të një kongresi tjetër takoi policinë, e cila kishte marrë raporte për një grumbullim të madh fetar. Ai e çoi shefin e policisë në ballkonin e katit të tretë të një banese ku dukej sheshi i kongresit dhe tha: «Shikojeni me sytë tuaj. Çfarë rregulli!» Pronari u mrekullua që Dëshmitarët nuk pinin alkool ose duhan dhe ishin larguar pa lënë gjurmë se dikush kishte qenë atje, pasi të gjitha mbeturinat i kishin marrë me vete. Ai tha i entuziazmuar: «Ishte si në parajsë!»
Uniteti i dukshëm i popullit të Perëndisë
Pas një kongresi në pyll, kreu i një fshati aty pranë u nxit të thoshte: «E kuptoj që jeni njerëz modestë. Por jeni vërtet të fuqishëm. Teksa ne strukemi secili në strehën e vet, ju arrini t’i bashkoni njerëzit.» Nga Kaliningradi në Kamçatkë, qytetarëve të këtij vendi të gjerë vazhdon t’u bëjë përshtypje uniteti i popullit të Perëndisë që duket qartë në grumbullimet e tyre të mëdha frymore. Pavarësisht sa shpejt ose sa papritur duhet t’i ndryshojnë planet, diçka mbetet e pandryshueshme—qëndrimi gjithë respekt për autoritetet dhe njerëzit e tjerë.
Sido që të jenë rrethanat e tyre tani, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi vazhdojnë të mblidhen me gëzim që të marrin mësim frymor. Ata luten ‘për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në poste të larta, që [Dëshmitarët] të vazhdojnë të bëjnë një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor dhe seriozitet’.—1 Timoteut 2:2.
[Diçitura në faqen 27]
Dëshmitar që doli vullnetar për të ndihmuar që të mbahej një kongres në natyrë
[Diçitura në faqen 29]
Dëshmitarët e Jehovait në Rusi vazhdojnë të bëjnë «një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor»
[Figurat në faqen 28]
Vullnetarët punuan së bashku që të pastronin sheshin para se të mbahej kongresi dhe që të siguronin vakte për mijëra delegatë
[Figurat në faqen 29]
Të gjithë u kënaqën me programin frymor dhe e çmuan punën e palodhur të vullnetarëve