Afrojuni Perëndisë
«Do të kishe mall»
ËSHTË e dhembshme të shohësh një njeri të dashur të vuajë dhe të vdesë. Pa dyshim hidhërohemi nga një humbje e tillë. Megjithatë, është ngushëlluese të dimë se Krijuesi, Perëndia Jehova, na e kupton hidhërimin. Për më tepër, digjet nga dëshira që të përdorë fuqinë e pakufishme për t’i sjellë sërish në jetë të vdekurit. Vër re shpresën që përcjellin fjalët e Jobit të dokumentuara te Jobi 14:13-15.
Të shqyrtojmë rrethanat e Jobit. Ai ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm dhe kaloi sprova të rënda: humbjen e gjërave materiale, vdekjen e gjithë fëmijëve të dashur dhe një sëmundje të dhembshme. Në kulm të mjerimit i thirri Perëndisë: «Ah sikur të më fshihje në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit]!» (Vargu 13) Jobi e shihte Sheolin si fundin e vuajtjeve. Atje, si një thesar i fshehur nga Perëndia, do të ishte rehat nga hallet dhe dhembjet. *
A do të rrinte Jobi përgjithmonë në Sheol? Jobi besonte të kundërtën. Ai vazhdoi me lutjen e tij: «Ah sikur . . . të vije një afat e të më kujtoje!» Jobi shpresonte i sigurt se qëndrimi i tij në Sheol do të ishte i përkohshëm dhe se Jehovai nuk do ta harronte. Jobi e krahasoi kohën që do të kalonte në Sheol me «shërbimin e detyruar»—një periudhë e detyruar pritjeje. Për sa kohë? Ai tha: «Derisa të më vinte lehtësimi.» (Vargu 14) Ai lehtësim do të nënkuptonte çlirim nga Sheoli, me fjalë të tjera, ringjallje nga të vdekurit.
Pse Jobi ishte i sigurt se do t’i vinte lehtësimi? Sepse e dinte si ndihet Krijuesi ynë i dashur për adhuruesit e tij besnikë që kanë vdekur. Jobi tha: «Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Vargu 15) Jobi e pranonte se ishte vepër e duarve të Perëndisë. Jetëdhënësi që bëri të mundur formimin e Jobit në barkun e nënës, sigurisht që mund ta kthente sërish në jetë.—Jobi 10:8, 9; 31:15.
Fjalët e Jobit na mësojnë sa i dhembshur është Jehovai. Ai lidhet në mënyrë të veçantë me ata që, si Jobi, e vënë veten në duart e tij duke e lejuar t’i modelojë e t’u japë formë që t’i bëjë njerëz të dëshirueshëm për të. (Isaia 64:8) Jehovai i çmon adhuruesit e tij besnikë. Për besnikët që kanë vdekur ai ka «mall». Sipas një studiuesi, termi hebraik i përkthyer «mall», është «pa dyshim një nga fjalët më të forta që shpreh ndjenjën që provojmë kur e dëshirojmë me zjarr diçka». Vërtet, Jehovai jo vetëm i kujton adhuruesit e tij, por edhe digjet nga dëshira t’i kthejë sërish në jetë.
Sa mirë që në librin i Jobit—një ndër librat e parë biblikë që u shkruan—Jehovai e pa të përshtatshme të tregonte qëllimin e tij për të ringjallur të vdekurit. * Ai dëshiron që të jesh prapë bashkë me njerëzit e tu të dashur që kanë vdekur. Ky mendim e bën më të lehtë humbjen. Pse të mos mësosh më shumë për këtë Perëndi të dashur dhe si ta lësh të të modelojë? Nëse vepron kështu, do të shohësh si do të bëhet realitet qëllimi i tij.
^ par. 2 Një vepër me referime thotë se fjalët e Jobit «të më fshihje» mund të kenë kuptimin «të [më] lije mënjanë si diçka të vyer për t’u përdorur më vonë». Një burim tjetër thotë se këto fjalë nënkuptojnë «të më fshihje si thesar».
^ par. 6 Për të mësuar më shumë për premtimin e ringjalljes në një botë të drejtë, i cili gjendet në Bibël, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.