A vdiq Jezui vërtet në kryq?
A vdiq Jezui vërtet në kryq?
«KRYQI është simboli më i njohur i krishtërimit»,—thotë një enciklopedi. Shumë piktura dhe vepra fetare e paraqitin Jezuin të gozhduar në kryq. Pse ky simbol është kaq i përhapur në të ashtuquajturin krishterim? A vdiq vërtet në kryq Jezui?
Mjaft veta do t’i drejtoheshin Biblës për përgjigje. Për shembull, sipas përkthimit Simon Filipaj, gjatë ekzekutimit të Jezuit, ata që po vëzhgonin, u tallën me të dhe e sfiduan duke i thënë: «Zbrit nga kryqi!» (Mateu 27:40, 42) Shumë përkthime të tjera biblike thonë diçka të ngjashme. Një përkthim tjetër thotë për Simonin nga Kirena: «[Ushtarët] e detyruan që të mbante kryqin e Jezusit.» (Marku 15:21, Bibla ECM) Në këto vargje, fjala ‘kryq’ është përkthyer nga fjala greke staurós. A ka bazë të fortë një përkthim i tillë? Çfarë do të thotë staurós?
A ishte një kryq?
Sipas studiuesit të greqishtes U. Vajni, staurós «shërben për të treguar kryesisht një hu ose shtyllë të drejtë. Në të keqbërësit gozhdoheshin për t’u ekzekutuar. Si emri, ashtu edhe folja stauroo, mbërthej në shtyllë ose në hu, në kuptimin fillestar duhen dalluar nga forma kishtare e një kryqi me dy krahë».
Një fjalor thotë se fjala staurós «nënkuptonte pikërisht një shtyllë vertikale, ose një element të një gardhi me hunj, në të cilin mund të varej çdo gjë, ose mund të përdorej për të rrethuar një copë tokë. Edhe në mes të romakëve duket se crux (fjala latine nga rrjedh kryqi ynë) të ketë qenë në fillim një shtyllë vertikale». (The Imperial Bible-Dictionary) Kështu, nuk habitemi që një enciklopedi katolike (The Catholic Encyclopedia) thotë: «Megjithatë është e sigurt se kryqi, fillimisht ishte një shtyllë e thjeshtë vertikale, e mprehur në majë.»
Ka edhe një fjalë tjetër greke, ksílon, të cilën e përdorën shkrimtarët e Biblës për të përshkruar mjetin e ekzekutimit të Jezuit. Një vepër e përkufizon fjalën ksílon si «një copë dru, një shtyllë druri». (A Critical Lexicon and Concordance to the English and Greek New Testament) Ajo thotë më tej se ashtu si staurós, ksílon «ishte thjesht një hu ose shtyllë vertikale ku romakët gozhdonin ata që ishin për t’u ekzekutuar».
Në harmoni me këtë, vërejmë se versioni i Biblës King James thotë te Veprat 5:30: «Perëndia i etërve tanë e ngriti Jezuin, të cilin ju e vratë dhe e varët në një pemë [ksílon].» Por, versione të tjera, megjithëse e përkthejnë «kryq» fjalën staurós, fjalën ksílon e përkthejnë «pemë». Një Bibël thotë për Jezuin te Veprat 13:29: «Si i kryen të gjitha gjërat e parathëna në shkrime për të, e zbritën nga pema [ksílon] dhe e varrosën.»—The Jerusalem Bible.
Duke pasur parasysh kuptimin bazë të fjalëve greke staurós dhe ksílon, vepra që u citua më sipër (Critical Lexicon and Concordance) vëren: «Të dyja fjalët nuk përputhen me idenë e sotme të një kryqi, me të cilin jemi familjarizuar nëpërmjet pikturave.» Me fjalë të tjera, ajo që përshkruan shkrimtarët e ungjijve me fjalën staurós, nuk ngjante aspak me atë që njerëzit sot e quajnë kryq. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re përdor shprehjen «shtylla e torturës» te Mateu 27:40-42 dhe në vende të tjera ku shfaqet fjala staurós. Në mënyrë të ngjashme, një Bibël tjetër (Complete Jewish Bible) përdor shprehjen «shtylla e ekzekutimit».
Origjina e kryqit
Nëse Bibla nuk thotë aspak se Jezui u ekzekutua në një kryq, pse atëherë të gjitha kishat që pohojnë se mësojnë dhe zbatojnë Biblën—katolikët, protestantët dhe ortodoksët—i stolisin ndërtesat me kryqin dhe e përdorin si simbol të besimit të tyre? Si u bë kryqi simbol kaq i përhapur?
Përgjigjja është se kryqi nuk përnderohet vetëm nga ata që shkojnë në kishë, të cilët thonë se ndjekin Biblën, por edhe nga njerëz që nuk e ndjekin Biblën, adhurimi i të cilëve e ka origjinën shumë kohë para kishave «të krishtere». Mjaft vepra fetare pranojnë se përdorimi i kryqeve në forma dhe trajta të ndryshme daton që në periudhat e largëta të qytetërimit njerëzor. Për shembull, në hieroglife dhe piktura të perëndive e të perëndeshave në Egjiptin e lashtë, shpesh shfaqet një kryq në formë T-je me një rreth në majë. Quhet kryqi ansata dhe mendohet të jetë simbol i jetës. Me kalimin e kohës, kjo formë e kryqit u përvetësua dhe u përdor gjerësisht nga Kisha Koptike dhe të tjera.
Sipas një enciklopedie katolike (The Catholic Encyclopedia), «forma e hershme e kryqeve duket se ka qenë i ashtuquajturi kryqi ‘gama’ (crux gammata), që studiuesit orientalistë dhe ata që merren me arkeologjinë prehistorike e njohin më shumë me emrin në sanskritisht, svastika». Kjo shenjë përdorej gjerësisht mes hinduistëve në Indi dhe budistëve në mbarë Azinë dhe ende gjendet në zbukurime e stolisje të atyre zonave.
Nuk dihet saktësisht se kur u përvetësua kryqi si simbol «i krishterë». Fjalori i Vajnit (Expository Dictionary of New
Testament Words) thotë: «Nga mesi i shekullit të 3-të pas Krishtit, kishat ose ishin larguar nga disa doktrina të besimit të krishterë, ose i kishin kthyer në absurditete. Për të rritur prestigjin e sistemit kishtar apostat, paganët pranoheshin në kisha pa marrë parasysh nëse kishin rilindur me anë të besimit, dhe u lejohej në një masë të madhe të mbanin shenjat dhe simbolet e veta pagane», përfshirë kryqin.Disa shkrimtarë e drejtojnë vëmendjen te pretendimi i Kostandinit, adhurues i perëndisë-diell, se, në vitin 312 të e.s., gjatë një fushate ushtarake kishte parë një vegim të një kryqi të vendosur mbi diell, bashkë me mbishkrimin në latinisht «in hoc vince» (fito me këtë). Disa kohë më vonë, një shenjë «e krishterë» u vendos në flamuj, në mburoja dhe në armaturën e ushtrisë së tij. (Piktura në të majtë.) Thuhej se Konstandini u kthye në të krishterë, edhe pse u pagëzua vetëm pas 25 vjetësh në shtratin e tij të vdekjes. Motivi i tij u vu në dyshim nga disa. Një libër thotë: «Në vend që të vepronte si dikush që kishte pranuar mësimet e Jezuit, nazareasit, ai veproi si dikush që mendonte ta kthente krishterimin në një fe katolike [universale], që do të pranohej më lehtë nga nënshtetasit e tij.»—The Non-Christian Cross.
Që atëherë, kanë hyrë në përdorim mjaft kryqe të formave e trajtave të ndryshme. Për shembull, një vepër (The Illustrated Bible Dictionary) thotë se ajo që quhet kryqi i shën Antonit «kishte formën e një T-je dhe disa mendojnë se rrjedh nga simboli i perëndisë [babilonase] Tamuz, shkronja tau». Është edhe kryqi i shën Andresë, i cili ka formën e shkronjës X dhe kryqi i njohur me dy trarë, me pjesën horizontale të ulur më poshtë. Lloji i dytë, i quajtur kryqi latin, gabimisht «është ruajtur, sipas traditës, si forma e kryqit në të cilin vdiq Zotëria ynë».
Çfarë besonin të krishterët e shekullit të parë?
Bibla thotë se në shekullin e parë, shumë veta që dëgjuan Jezuin, u bënë besimtarë dhe pranuan vlerën shpenguese të vdekjes së tij flijuese. Bibla thotë se, pasi apostulli Pavël u predikoi judenjve në Korint, duke provuar se Jezui është Krishti, «Krispi, i pari i sinagogës, u bë besimtar në Zotërinë e po ashtu edhe tërë ata të shtëpisë së tij. Shumë korintas që dëgjuan, filluan të besonin e të pagëzoheshin». (Veprat 18:5-8) Në vend që t’u paraqiste ndonjë simbol a shëmbëlltyrë fetare për adhurimin e tyre, Pavli i udhëzoi të bashkëkrishterët të ‘iknin nga idhujtaria’ dhe nga çdo praktikë tjetër të marrë nga adhurimi pagan.—1 Korintasve 10:14.
Historianët dhe studiuesit nuk kanë gjetur asnjë provë për të vërtetuar se të krishterët e hershëm e përdornin kryqin. Është interesante se libri Historia e kryqit (anglisht) citon një shkrimtar të fundit të shekullit të 17-të, i cili pyeti: «A mund të kënaqet i bekuari Jezu teksa sheh dishepujt që gëzohen tërë krenari për shëmbëlltyrën e atij mjeti të dënimit kapital, në të cilin [mendohet se] vuajti pa u ankuar dhe pa faj, duke e përbuzur turpin?» Si do të përgjigjeshe?
Adhurimi i pranueshëm për Perëndinë nuk kërkon objekte ose shëmbëlltyra. Pavli pyeti: «Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?» (2 Korintasve 6:14-16) Në asnjë vend në Shkrime nuk jepet ideja se një i krishterë duhet të përfshijë në adhurim ndonjë objekt të ngjashëm me mjetin ku u gozhdua Jezui.—Krahaso Mateun 15:3; Markun 7:13.
Atëherë, cila është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë? Nuk është as kryqi, as ndonjë simbol tjetër, por është dashuria. Jezui u tha dishepujve: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
[Diçitura në faqen 19]
Ajo që përshkruan shkrimtarët e ungjijve nuk ngjante aspak me atë që njerëzit sot e quajnë kryq
[Figura në faqen 18]
Vizatim i shekullit të 17-të i një ekzekutimi në staurós, libri «de cruce» i Lipsiusit
[Figura në faqen 19]
Pikturë egjiptiane në mur (rreth shekullit të 14-të p.e.s.) që paraqit kryqin ansata, një simbol i jetës
[Burimi]
© DeA Picture Library / Art Resource, NY
[Figura në faqen 19]
Kryqi gama në tempullin hinduist Laxmi Narayan
[Burimi i figurës në faqen 20]
Nga libri The Cross in Tradition, History, and Art (1897)