Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është «fundi»?

Çfarë është «fundi»?

Çfarë është «fundi»?

«. . .  dhe atëherë do të vijë fundi.»​—MATEU 24:14.

DUKET se ka me bollëk skenarë për fundin e botës. Libra, filma dhe revista që variojnë nga ato komike deri tek ato shkencore, portretizojnë shumëllojshmëri katastrofash për fundin e botës. Këtu përfshihen asgjësimi me anë të një lufte bërthamore, përplasja me ndonjë asteroid, një virus vdekjeprurës, ndryshimi klimatik i dalë jashtë kontrollit ose pushtues nga hapësira.

Edhe pikëpamjet fetare janë të ndryshme. Shumë veta mësojnë se «fundi» do t’i sjellë fundin gjithë jetës në tokë. Duke komentuar për Mateun 24:14, një teolog ka shkruar këto fjalë të zymta: «Ky është një nga vargjet më të rëndësishme në gjithë Fjalën e Perëndisë . . . Brezi ynë ballafaqohet me një shkatërrim të mundshëm në një shkallë të tillë të përgjithshme, sa pak prej nesh përpiqen ta përfytyrojnë realitetin e tmerrshëm.»

Zakonisht, pikëpamje të tilla anashkalojnë një fakt të rëndësishëm: Perëndia Jehova «e ka bërë të patundshme» tokën; «nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Kështu, kur Jezui foli për ‘fundin’, nuk donte të thoshte se toka do të shkatërrohej, as donte të thoshte se njerëzimi do të fshihej nga faqja e dheut. Donte të thoshte se të ligjtë—ata që me kokëfortësi refuzojnë të jetojnë sipas drejtimit të dashur të Jehovait—do të shkatërroheshin.

Mendoni për një ilustrim. Imagjinoni sikur keni një shtëpi të bukur dhe keni lejuar disa njerëz të jetojnë në të pa pagesë. Disa nga banorët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe kujdesen mirë për shtëpinë tuaj. Megjithatë, të tjerë s’bëjnë gjë tjetër veçse sjellin telashe, zihen me njëri-tjetrin dhe i keqtrajtojnë banorët e mirë. Ata e dëmtojnë pronën tuaj dhe vazhdojnë me kokëfortësi edhe kur përpiqeni t’i ndalni.

Çfarë do të bënit për t’i rregulluar gjërat? A do ta shkatërronit shtëpinë? Vështirë se po. Ndoshta do t’i dëbonit banorët e këqij dhe do t’i riparonit dëmet e shkaktuara.

Jehovai do të veprojë njësoj. Ai e frymëzoi psalmistin të shkruante: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën. Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»​—Psalmi 37:9-11.

Apostulli Pjetër foli për të njëjtën temë. Ai shkroi nën frymëzim: «Që nga kohët e lashta kishte qiej dhe tokë që qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit me anë të fjalës së Perëndisë. Prej tyre bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» (2 Pjetrit 3:5, 6) Këtu apostulli i referohet Përmbytjes së ditëve të Noesë. Bota e njerëzve të paperëndishëm pësoi shkatërrimin, por toka jo. Ajo Përmbytje globale u la «njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë».​—2 Pjetrit 2:6.

Pastaj, Pjetri shtoi: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin.» Po të ndalemi këtu me leximin, mund të nxjerrim përfundim të gabuar. Por vini re se vargu vazhdon: «E të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» Nuk do të shkatërrohet toka, por të paperëndishmit. Po më pas? Pjetri shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj [Mbretëria mesianike e Perëndisë] e një tokë të re [një shoqëri e drejtë njerëzore], dhe në ta do të banojë drejtësia.»​—2 Pjetrit 3:7, 13.

Gjithashtu, profecitë biblike tregojnë se është afër koha kur do të vijë «fundi». Lexoni Mateun 24:3-14 dhe 2 Timoteut 3:1-5 për të parë aspekte që tregojnë vërtetësinë e kësaj. *

A nuk të tingëllon e çuditshme që ka kaq shumë pështjellim për Mateun 24:14, varg që edhe një fëmijë mund ta kuptojë? Ka disa arsye për këtë. Satanai i ka verbuar njerëzit që të mos i shohin të vërtetat e çmuara që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (2 Korintasve 4:4) Për më tepër, Perëndia ua ka fshehur qëllimet e tij njerëzve krenarë dhe ua ka zbuluar të përulurve. Për këtë, Jezui tha: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Mateu 11:25) Çfarë nderi të jemi mes të përulurve, të cilët e kuptojnë çfarë është vërtet Mbretëria e Perëndisë dhe mezi i presin bekimet që do t’u sjellë tërë atyre që e mbështetin!

[Shënimi]

^ par. 11 Për informacione më të hollësishme, shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 9]

Mbretëria do t’i sjellë ‘fundin’ gjithë ligësisë në tokë