Mësoji fëmijët
Pse nuk nxitoi Jezui?
JEZUI ka marrë vesh se miku i tij i ngushtë, Lazari, është shumë sëmurë. Lajmin ia solli një lajmëtar i dërguar nga Maria dhe Marta, motra të Lazarit. Lajmëtari erdhi nga Betania, vendi ku jeton Lazari bashkë me motrat e tij. Motrat kanë besim se Jezui mund t’ua shërojë vëllanë, edhe pse jetojnë shumë larg, në anën tjetër të lumit Jordan. Ato e dinë se edhe më parë ka shëruar njerëz nga një distancë e largët.—Mateu 8:5-13; Gjoni 11:1-3.
Kur lajmëtari arrin te Jezui dhe i tregon lajmin e trishtë, Jezui nuk bën gjë. Bibla thotë se ai «ndenji dy ditë atje ku ishte». (Gjoni 11:6) A e dini pse Jezui nuk nxiton t’i shkojë në ndihmë Lazarit? . . . * Le të flasim pak rreth kësaj.
Jezui e di se Lazari ka vdekur ngaqë ishte i sëmurë. Prandaj, u thotë apostujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.» Ata kundërshtojnë: «Vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë e ti po shkon prapë atje?» Jezui shpjegon: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.»
Apostujt i përgjigjen: «Zotëri, nëse ka shkuar të pushojë, do të bëhet mirë.» Tani Jezui shpjegon: «Lazari ka vdekur.» Pastaj thotë diçka që duhet t’i ketë habitur ata: «Unë gëzohem për ju që nuk isha atje. . . . Hajdeni të shkojmë tek ai.»
Thomai flet me guxim: «Ejani të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.» Thomai e di se armiqtë do të përpiqen përsëri ta vrasin Jezuin dhe se mund t’i vrasin edhe apostujt. Por, prapëseprapë, të gjithë shkojnë. Rreth dy ditë më vonë, mbërrijnë në Betani, në qytetin e Lazarit. Është rreth tre kilometra larg nga Jerusalemi.—Gjoni 11:7-18.
A e dini pse Jezui është i kënaqur që nuk mbërriti më përpara? . . . Ai kishte ringjallur edhe persona të tjerë më parë, megjithatë ata kishin vdekur vetëm pak orë para se Jezui t’i rikthente në jetë. (Luka 7:11-17, 22; 8:49-56) Por trupi i Lazarit kishte qenë në varr për disa ditë. Askush s’mund ta vërë në dyshim nëse ai ka vdekur vërtet!
Kur Marta, motra e Lazarit, merr vesh se Jezui është afër Betanisë, vrapon për ta takuar. «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste»,—thotë ajo. «Yt vëlla do të ngrihet»,—e siguron Jezui. Marta kthehet me vrap dhe i thotë fshehtas motrës, Marisë: «Mësuesi është këtu pranë dhe po të thërret.»
Maria niset menjëherë për te Jezui. Por turma mendon se ajo po shkon te
varri, prandaj i shkojnë pas. Kur Jezui sheh Marinë dhe turmën që po qajnë, edhe ai nuk i mban dot «lotët». Shumë shpejt, të gjithë mbërrijnë te varri, i cili është i mbyllur me një gur të madh. Jezui urdhëron: «Hiqeni gurin.» Por Marta kundërshton duke thënë: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kjo është dita e katërt.»Njerëzit i binden Jezuit dhe e heqin gurin. Pastaj ai lutet duke e falënderuar më parë Perëndinë për fuqinë që e di se do t’ia japë për ta ringjallur Lazarin. Jezui thërret «me zë të lartë: ‘Lazar, dil jashtë!’» Dhe Lazari del, ‘i lidhur me rripa pëlhure’. Prandaj Jezui urdhëron: «Zgjidheni dhe lëreni të ikë.»—Gjoni 11:19-44.
A e kupton tani pse nuk nxitoi Jezui? . . . Ai e dinte se, duke pritur, do të jepte dëshmi më të mirë për Atin e tij, Jehovain. Dhe ngaqë zgjodhi kohën më të mirë, shumë veta besuan te Jezui. (Gjoni 11:45) Ç’mësim nxjerrim nga shembulli i Jezuit? . . .
Edhe ti mund të zgjedhësh një kohë të përshtatshme për të dhënë dëshmi rreth gjërave të mrekullueshme që Perëndia ka bërë dhe që do të bëjë akoma. Ndoshta mund të flasësh me shokët e klasës ose me mësuesit për këto gjëra. Disa të rinj kanë shfrytëzuar mundësinë të flasin për bekimet e mëdha që Mbretëria e Perëndisë do t’i sjellë njerëzimit, edhe gjatë orës së mësimit. Sigurisht, ti nuk mund të ringjallësh të vdekurit, por mund t’i ndihmosh të tjerët të njohin Perëndinë, i cili ka fuqi dhe do t’i sjellë prapë në jetë të dashurit tanë.
^ par. 4 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.