Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Marrin përgjigje katër pyetje rreth fundit

Marrin përgjigje katër pyetje rreth fundit

Marrin përgjigje katër pyetje rreth fundit

JEZU KRISHTI paratha se ‘fundi do të vinte’ një ditë në të ardhmen. Duke përshkruar atë kohë, ai tha: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.»—Mateu 24:14, 21.

Fjalët e Jezuit për fundin, bashkë me pjesë të tjera të Biblës për këtë temë, ngrenë disa pyetje të rëndësishme. Pse të mos e hapësh Biblën tënde dhe të lexosh se çfarë thotë ajo në përgjigje të këtyre pyetjeve?

1 Çfarë do të marrë fund?

Bibla nuk mëson se toka e mirëfilltë do të shkatërrohet. ‘[Perëndia] e ka vendosur tokën mbi themele të forta, ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës’,—shkroi psalmisti. (Psalmi 104:5) Gjithashtu, Bibla nuk mëson se jeta do të zhduket nga një zjarr i madh. (Isaia 45:18) Vetë Jezui tregoi se disa njerëz do t’i mbijetojnë fundit. (Mateu 24:21, 22) Atëherë, çfarë thotë Bibla se do të marrë fund?

Qeveritë e dështuara njerëzore do të marrin fund. Perëndia e frymëzoi profetin Daniel të shkruante: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.

Lufta dhe ndotja do të marrin fund. Duke përshkruar se çfarë do të bëjë Perëndia, Psalmi 46:9 thotë: «Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.» Gjithashtu, Bibla mëson se Perëndia do të ‘rrënojë ata që rrënojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.

Krimi dhe padrejtësia do të marrin fund. Fjala e Perëndisë premton: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.» *Proverbat 2:21, 22.

2 Kur do të vijë fundi?

Perëndia Jehova ka vendosur ‘një kohë të caktuar’ për t’i dhënë fund ligësisë dhe për ta shtrirë sundimin e Mbretërisë së tij në gjithë tokën. (Marku 13:33) Por Bibla e tregon qartë se ne nuk mund ta llogaritim datën specifike se kur do të vijë fundi. Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36) Gjithsesi, Jezui dhe dishepujt e tij parathanë ç’kushte do të ekzistonin në tokë pikërisht para se Perëndia të sillte fundin. Fundi është te pragu kur të gjitha ngjarjet vijuese të ndodhin në të njëjtën kohë dhe në një shkallë botërore.

Trazirat politike e shoqërore dhe prishja e natyrës po ndodhin në një shkallë të paparë në histori. Duke iu përgjigjur pyetjeve të dishepujve në lidhje me fundin, Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete nga njëri vend në tjetrin dhe do të ketë mungesë ushqimi. Këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» (Marku 13:8) Apostulli Pavël shkroi: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.»—2 Timoteut 3:1-5.

Po kryhet një fushatë predikimi mbarëbotërore në shumë gjuhë. Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

3 Çfarë do të ndodhë pas fundit?

Bibla nuk mëson se të gjithë njerëzit e mirë do të merren nga toka për të jetuar në qiell. Në vend të kësaj, Jezui mësoi se qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzimin, do të përmbushet. «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»—tha Jezui. (Mateu 5:5; 6:9, 10) Për ata që vdesin para se të vijë fundi, Bibla premton një ringjallje në të ardhmen. (Jobi 14:14, 15; Gjoni 5:28, 29) Çfarë do të ndodhë pas fundit?

Jezui do të sundojë nga qielli si mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Profeti Daniel shkroi: «Pashë në vegimet e natës dikë si një bir njeriu [Jezui i ringjallur], i cili po vinte me retë e qiejve. Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve [Perëndia Jehova] dhe e afruan pranë, pikërisht përpara Tij. Atij [Jezuit] iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»—Danieli 7:13, 14; Luka 1:31, 32; Gjoni 3:13-16.

Nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të gëzojnë shëndet të plotë, siguri dhe jetë të përhershme. Profeti Isaia shkroi: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.» (Isaia 65:21-23) Apostulli Gjon shkroi për atë kohë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.

4 Çfarë duhet të bësh që t’i mbijetosh fundit?

Apostulli Pjetër e pranoi se disa nga ata që do të jetonin në kohën e fundit do të talleshin me idenë se Perëndia do të ndërhynte ndonjëherë në çështjet njerëzore e do t’i jepte fund ligësisë në tokë. (2 Pjetrit 3:3, 4) Megjithatë, Pjetri i nxit ata që jetojnë në ditët tona të bëjnë hapat e mëposhtëm.

Mëso nga e kaluara. Pjetri shkroi se Perëndia «nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, por Noenë, një predikues të drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm». (2 Pjetrit 2:5) Për ata që tallen, Pjetri tha: «Me dëshirë, atyre u shpëton pa vënë re ky fakt, se që nga kohët e lashta kishte qiej dhe tokë që qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit me anë të fjalës së Perëndisë. Prej tyre bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji. Megjithatë, me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka * që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.»—2 Pjetrit 3:5-7.

Jeto në përputhje me normat morale të Perëndisë. Pjetri shkroi se ata që dëshirojnë t’i mbijetojnë fundit, do të kryejnë «vepra të shenjta sjelljeje dhe . . . veprime të përkushtimit hyjnor». (2 Pjetrit 3:11) Vër re se Pjetri thekson «vepra të shenjta sjelljeje» dhe «veprime të përkushtimit hyjnor». Prandaj kërkohet më shumë se thjesht të themi që kemi besim ose të përpiqemi t’i rregullojmë në minutën e fundit gjërat me Perëndinë.

Cilat janë ato vepra dhe veprime që Perëndia i pranon? Pse të mos i krahasosh gjërat që di me gjërat që Bibla mëson për këtë temë? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmonin me kënaqësi. Kërkoju atyre të të tregojnë ku bazohen në Bibël për përgjigjet që japin. Nëse vepron kështu, mund ta presësh të ardhmen me guxim dhe siguri, pavarësisht nga gjërat që shkaktojnë frikë përreth nesh.

[Shënimet]

^ par. 8 Shih edhe artikullin në faqen 22 të kësaj reviste: «A kanë të gjithë mundësi të njëjta për ta njohur Perëndinë?»

^ par. 19 Këtu Pjetri po i referohej tokës në mënyrë simbolike. Edhe shkrimtari i Biblës, Moisiu, iu referua tokës në mënyrë simbolike. Ai shkroi: «Gjithë toka kishte vetëm një gjuhë.» (Zanafilla 11:1) Ashtu si toka në vetvete nuk flet «një gjuhë», edhe shkatërrimi nuk ka të bëjë me tokën e mirëfilltë. Përkundrazi, siç thotë Pjetri, janë njerëzit e paperëndishëm ata që do të shkatërrohen.

[Diçitura në faqen 7]

Nuk është toka ajo që do të marrë fund, por njerëzit që e rrënojnë atë