Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

SI ARRITI një prind i vetëm në Rusi, i cili ishte i dhënë pas drogës, ta hiqte këtë ves dhe të përmirësonte marrëdhënien me fëmijët e saj? Si arriti një i pastrehë që jetonte në Kioto, Japoni, të gjente forcën dhe guximin t’i mposhtte dobësitë personale që e çuan në varfëri? Çfarë e ndihmoi një rritës gjedhësh (kauboj) të mos pinte më me tepri? Ja çfarë thonë ata.

«Mësova se kam detyrimin të siguroj të ardhurat për veten.»​—NELI BAJMATOVA

MOSHA: 45 vjeçe

VENDI I LINDJES: RUSI

MË PARË: E DROGUAR

E KALUARA IME: U rrita në Vladikavkaz, në kryeqytetin e Republikës së Osetisë së Veriut (tani Alani). Familja ime ishte disi e pasur. Por, edhe pse kisha të mira materiale, nuk isha e lumtur. Kur isha 34 vjeçe, tashmë kisha përjetuar dy martesa të dështuara. Kisha dhjetë vjet që merrja drogë dhe prandaj dy herë iu nënshtrova një trajtimi në klinikë. Edhe pse me dy fëmijë, në atë kohë nuk ndieja dashuri për ta dhe as gëzoja një marrëdhënie normale me miqtë e familjen.

Mamaja ishte bërë një Dëshmitare e Jehovait dhe shpesh e dëgjoja teksa qante për mua e i lutej Jehovait të më ndihmonte. Mendoja: «Sa naive që është mamaja ime! Si mund të më ndihmojë Jehovai mua?» U përpoqa ta lija drogën, por nuk kisha forcën e duhur të hiqja dorë nga ky ves. Një herë, kisha dy ditë që s’kisha marrë drogë. Pastaj, mendova se duhej të dilja nga shtëpia dhe u hodha nga dritarja. Fatkeqësisht, ndodhesha në katin e dytë. Si pasojë, theva krahun dhe këmbën, si dhe dëmtova kurrizin. Ndenja në regjim shtrati për më se një muaj.

Ndërsa merrja veten, nëna kujdesej për mua dhe nuk më qortonte. Ajo e kuptonte se isha në një gjendje delikate nga ana emocionale dhe mendore. Gjithsesi, pranë krevatit, linte disa revista Zgjohuni! * I lexova njëra pas tjetrës dhe pashë se ishin shumë interesante dhe informative. Pastaj vendosa të studioja Biblën me Dëshmitarët.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Një gjë që më mësoi Bibla ishte ndjenja e përgjegjësisë. Në vend që të prisja që mamaja të më mbështeste financiarisht, mësova se kam detyrimin të siguroj të ardhurat për veten e për fëmijët e mi. Pas një kohe të gjatë që mendoja vetëm për veten, nuk ishte kaq e lehtë të filloja të punoja rregullisht.

Gjithashtu më ndihmoi shumë këshilla te Ligji i përtërirë 6:5-7, e cila u thotë prindërve t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë. Kuptova se isha përgjegjëse para Perëndisë për mënyrën se si po i rritja dy fëmijët. Ky fakt më nxiti të kaloja më shumë kohë me ta dhe të kultivoja dashurinë e duhur.

Ndieja një mirënjohje të thellë që Jehovai më kishte lejuar të mësoja të vërtetën për të. Prandaj ia kushtova jetën atij dhe u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait.

DOBITË: Ngaqë mësova të kontrolloja temperamentin shpërthyes, marrëdhënia ime me mamanë u përmirësua. Edhe marrëdhënia ime me fëmijët është më e mirë.

Meqë kam zhvilluar urrejtje për gjërat e paperëndishme, shumë nga problemet që i kisha për shkak të mënyrës së mëparshme të jetesës, janë zhdukur. Tani gjej shumë lumturi duke ndihmuar të tjerët të mësojnë të vërtetën për Perëndinë tonë të dashur, Jehovain.

«Mendoj se shpëtova në kuptimin e plotë të fjalës.»

—MINORU TAKEDA

MOSHA: 54 vjeç

VENDI I LINDJES: JAPONI

MË PARË: JETOJA NË RRUGË

E KALUARA IME: U rrita në qytetin e Jamagukit me babanë dhe gjyshen. Mamanë nuk e njoha kurrë. Kur isha 19 vjeç, më vdiq gjyshja dhe vazhdova të jetoja me babanë. Punoja si kuzhinier dhe babai ishte po ashtu i punësuar në industrinë e ushqimit. Oraret tona të punës ishin të ndryshme, prandaj zor se e shihnim njëri-tjetrin. Fillova të punoja me orar të zgjatur dhe të pija me shokët.

Ndërsa koha kalonte, puna po më mërzitej. U zura me shefin dhe fillova të pija më shumë. Përfundimisht, nga fundi i të 20-ave, vendosa të largohesha nga shtëpia dhe të udhëtoja. Kur m’u mbaruan paratë, fillova të punoja në një qendër paçinkoje (bixhozi). U njoha me një vajzë dhe u martuam. Por u ndamë vetëm pas dy vjetësh e gjysmë.

Isha i dëshpëruar e pa pikë vullneti dhe përfundova i zhytur në borxhe ndaj huadhënësve. Ia mbatha nga mbledhësit e borxheve dhe jetova për ca kohë në qytetin tim bashkë me babanë, por e gënjeja, dhe kjo e prishi marrëdhënien tonë. Me paratë që ia mora në shtëpi, luajta bixhoz, dhe jetova kështu për ca kohë. Së fundi, rashë në skamje dhe jetova te një stacion treni për një periudhë kohe. Shkova në Hakata, pastaj në Himej dhe në fund në qytetin e Kiotos. Jetova në rrugë për disa vjet.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 1999, isha në një park afër lumit Kamogaua kur m’u afruan dy gra. Njëra më pyeti: «A dëshiron të studiosh Biblën?» E pranova ofertën. Të krishterë të pjekur nga kongregacioni vendës i Dëshmitarëve të Jehovait studiuan Biblën me mua dhe më ndihmuan të kuptoja sa e rëndësishme ishte të zbatoja parimet e saj. Ata më sugjeruan të përpiqesha të gjeja një punë dhe një vend për të jetuar. Për t’u bërë qejfin, bëra disa intervista pune, por në fillim nuk u përpoqa shumë. Megjithatë, më vonë fillova të lutesha për ndihmë dhe u përpoqa seriozisht të gjeja punë, e më në fund gjeta.

Gjithashtu, lutja më ndihmoi gjatë një prove shumë të vështirë. Huadhënësit, prej të cilëve ia kisha mbathur, më gjetën dhe kërkuan paratë. U stresova shumë. Gjatë leximit të përditshëm të Biblës, lexova Isainë 41:10. Në atë varg, Perëndia u premton shërbëtorëve të tij besnikë: «Do të të ndihmoj.» Ai premtim më dha forcë dhe kurajë. Iu përvesha punës dhe së fundi i zgjidha problemet me paratë. Në vitin 2000, u kualifikova për t’u pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait.

DOBITË: Ajo që mësova nga Bibla më nxiti të përpiqesha për ta rregulluar marrëdhënien me babanë dhe ai më fali për sjelljen e mëparshme. Ai ishte shumë i lumtur që kisha mësuar të jetoja sipas normave biblike. Mendoj se shpëtova në kuptimin e plotë të fjalës, sepse fillova të jetoja sipas parimeve të Biblës.

Përveç kësaj, punoj për të siguruar të ardhurat. (Efesianëve 4:28; 2 Selanikasve 3:12) Gjithashtu kam gjetur miq të vërtetë brenda kongregacionit të krishterë. (Marku 10:29, 30) I jam mirënjohës nga thellësia e zemrës Jehovait për gjërat që më ka mësuar.

«Nuk ishte e lehtë të bëja ndryshimet e nevojshme.»​—DEJVID HUDSONI

MOSHA: 72 vjeç

VENDI I LINDJES: AUSTRALI

MË PARË: PINTE ME TEPRI

E KALUARA IME: Isha fëmija i 11-të i prindërve të mi, Uillit dhe Lusit. Familja ime jetonte në një komunitet aborigjenësh të quajtur Orukën, që gjendet në pjesën më të largët veriore të Kuinslandit. Orukëni u ndërtua në brigjet e lumit piktoresk të Arçërit dhe ishte pranë detit. Prindërit na mësuan ne fëmijëve të gjuanim dhe të peshkonim për të jetuar. Në atë kohë, ne aborigjenët ishim nën një rregullim qeveritar që na ndalonte t’i qarkullonim paratë dhe ishim të kufizuar të banonim vetëm në një zonë të caktuar.

Prindërit u përpoqën shumë të më ngulitnin cilësi të mira dhe na mësuan të gjithë fëmijëve të respektonim të moshuarit në komunitet dhe të ndanim me të tjerët ato pak gjëra që kishim. Si pasojë, i konsideronim të moshuarit si t’i kishim nëna, baballarë, xhaxhallarë, teze etj.

Babai më vdiq kur isha shtatë vjeç dhe u shpërngulëm në Mepun, në një fshat të veçuar aborigjenësh, i cili është rreth 150 kilometra në veri të Orukënit. Kur isha 12 vjeç, mësova të merresha me kuajt dhe gjedhët dhe, deri në fund të 40-ave, punova në shumë stalla si rritës gjedhësh (kauboj). Bëja një jetë të vështirë. Pija shumë dhe shpesh. Kjo çoi në mjaft dhembje koke dhe vështirësi.

Njëherë, kur po pija me tepri, dola nga një hotel duke m’u marrë këmbët dhe e gjeta veten para një makine që po ecte me shpejtësi. Dy vitet e ardhshme i kalova në rehabilitim e fizioterapi. Ditët e mia si rritës gjedhësh morën fund.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Gjatë kohës që isha në rehabilitim, një shoqe më solli disa revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për t’i lexuar. Megjithatë nuk kisha shumë arsim, prandaj nuk lexoja mirë. Pastaj, një ditë përvëluese vere, një burrë i moshuar 83-vjeçar më bëri një vizitë. E ftova brenda të pinte pak ujë të ftohtë. Më dha ca literaturë biblike dhe më pyeti nëse mund të kthehej e të më shpjegonte përmbajtjen e tyre. Me kalimin e kohës filluam të studionim rregullisht Biblën së bashku. Kuptova se, për t’i pëlqyer Perëndisë, duhej të bëja disa ndryshime në personalitetin dhe stilin e jetës.

Nuk ishte e lehtë të bëja ndryshimet e nevojshme. Gjithsesi, nga gjërat që më kishte mësuar mamaja, kisha respekt të thellë për burrin e moshuar që studioi Biblën me mua dhe për njohurinë që mora për Perëndinë falë tij. Por prapë ngurroja t’ia kushtoja jetën Perëndisë. Mendoja se duhej të dija çdo gjë që ishte e shkruar në Bibël.

Por ja që një shok pune më ndihmoi të ndreqja pikëpamjen për këtë çështje. Ai ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe më dha inkurajimin që gjendet te Kolosianëve 1:9, 10. Ajo pjesë thotë se duhet të vazhdojmë ‘të rritemi në njohurinë e saktë të Perëndisë’. Shoku i punës më ndihmoi të kuptoja se gjithmonë do të kisha gjëra të reja për të mësuar, prandaj nuk kisha pse të sprapsesha nga njohuria e kufizuar.

Më bëri veçanërisht përshtypje ajo që pashë kur fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait. Njerëz nga të gjitha prejardhjet adhuronin Perëndinë në unitet. Ky unitet më bindi plotësisht se kisha gjetur fenë e vërtetë, kështu që u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1985.

DOBITË: Lexoj më rrjedhshëm dhe tani kaloj shumë orë çdo javë duke ndihmuar të tjerët të mësojnë të lexojnë dhe të studiojnë Biblën. Përveç kësaj, edhe shoqja që më solli në fillim revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! studioi me Dëshmitarët, u pagëzua dhe tani është gruaja ime e dashur. Së bashku gjejmë gëzim të vërtetë duke ndihmuar të tjerët në komunitetin aborigjen të mësojnë për Perëndinë Jehova.

[Shënimi]

^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

[Diçitura në faqen 21]

Unë dhe gruaja gjejmë gëzim të vërtetë duke ndihmuar të tjerët në komunitetin aborigjen të mësojnë për Perëndinë