Çfarë i frikëson shumë veta?
Çfarë i frikëson shumë veta?
«S’është nevoja të jesh besimtar për të menduar se po shkojmë drejt një katastrofe.»—STIVËN O’LIRI, NDIHMËSPROFESOR NË UNIVERSITETIN E KALIFORNISË JUGORE. *
A JE dakord me thënien e mësipërme? Kjo seri artikujsh do të shqyrtojë disa nga arsyet pse njerëzit i frikësohen së ardhmes. Gjithashtu do të tregojë pse mund të jesh i sigurt se jeta në tokë nuk do të marrë fund. Ka arsye të vlefshme për të qenë optimistë, edhe pse faktet që do të lexosh në vazhdim janë trishtuese.
Rreziku i një lufte bërthamore mbetet kërcënues. Në vitin 2007, Buletini i shkencëtarëve atomikë paralajmëroi: «Që nga koha kur u hodhën bombat e para atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki, bota nuk i ka hasur raste të tilla të rrezikshme.» Pse gjithë ky merak? Buletini raportonte se në vitin 2007 kishte akoma rreth 27.000 armë bërthamore dhe 2.000 prej tyre ishin «gati për të shpërthyer brenda pak minutash». Sikur edhe një përqindje e vogël e atyre armëve të shpërthente, pasoja do të ishte katastrofike!
A është ulur rreziku i një lufte bërthamore që nga ai vit? Pesë fuqitë më të mëdha që zotërojnë armë bërthamore—Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara—«ose janë duke zhvilluar sisteme të reja armësh bërthamore, ose kanë shprehur synimin e tyre për të vepruar kështu», sipas Librit vjetor 2009 të SIPRI-t. * * Por ky libër pohon se këto vende nuk janë të vetmet që zotërojnë armë bërthamore. Studiuesit përllogaritin se India, Pakistani dhe Izraeli zotërojnë secili nga 60 deri në 80 bomba bërthamore. Gjithashtu, ata thonë se në mbarë botën ka një total prej 8.392 armësh bërthamore të testuara, gati për t’u shpërthyer!
Ndryshimet e klimës mund të sjellin katastrofë. «Rreziqet që sjellin ndryshimet e klimës janë pothuajse po aq frikësuese sa ato të armëve
bërthamore»,—thotë Buletini i shkencëtarëve atomikë, i përmendur më sipër. Shkencëtarë të respektuar të tillë, si Stivën Hokingu, Profesor i merituar në Universitetin e Kembrixhit, dhe sër Martin Risi, specialist i Fakultetit të Trinitetit në Universitetin e Kembrixhit, u bëjnë jehonë këtyre paralajmërimeve të zymta. Ata mendojnë se keqpërdorimi i teknologjisë dhe ndikimi i njeriut në natyrë mund ta ndryshojnë në mënyrë të pakthyeshme jetën në tokë ose madje t’i japin fund qytetërimit.Parashikimet për fundin e botës shqetësojnë miliona njerëz. Po të shkruani shprehjen «fundi i botës» dhe vitin «2012» në Internet, do të gjeni qindra faqe me spekulime se fundi do të vijë atë vit. Pse kështu? Një kalendar i lashtë i majave, i njohur si «Numërimi i gjatë», pritet të përfundojë në vitin 2012. Siç dihet, shumë veta frikësohen se mos kjo, në njëfarë mënyre, sinjalizon fundin e qytetërimit.
Shumë njerëz fetarë besojnë se Bibla mëson që toka do të shkatërrohet në kuptimin e plotë të fjalës. Ata mendojnë se të gjithë besimtarët besnikë do të merren në qiell, ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit do të lihen të vuajnë në një tokë plot kaos ose do të hidhen në ferr.
Megjithatë, a thotë Bibla se toka do të rrënohet ose do të shkatërrohet plotësisht? Apostulli Gjon paralajmëroi: «Mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia.» (1 Gjonit 4:1) Në vend që thjesht të pranosh atë që thonë të tjerët, pse të mos e shohësh vetë në Bibël se çfarë thuhet atje për fundin e botës? Ajo çka mëson Bibla mund të të habitë.
[Shënimet]
^ par. 2 Marrë nga artikulli «Katastrofat tregojnë se jemi afër ditës së gjykimit», publikuar në faqen MSNBC të Internetit, më 19 tetor 2005.
^ par. 5 SIPRI është Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm.
^ par. 5 Raporti në Librin vjetor 2009 të SIPRI-t u shkrua nga Shanon N. Kajli, studiuese me përvojë dhe drejtoreshë e projektit të armëve bërthamore të programit të SIPRI-t për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve; Vitali Fedçenko, studiues në programin e SIPRI-t për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve; si dhe Hans Krisënsën, drejtor i projektit të informacionit bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë.
[Burimet e figurave në faqen 4]
Reja në formë kërpudhe: U.S. National Archives photo; fotografia e uraganit: WHO/League of Red Cross and U.S. National Archives photo