A e dini?
A e dini?
Çfarë ishte porta e qytetit që përmendet shpesh në tregimet biblike?
▪ Në kohët biblike, shumica e qyteteve rrethoheshin me mure mbrojtëse. Kishin shumë porta dhe brenda sheshe ku njerëzit mblidheshin për t’u takuar, për tregti dhe për të marrë e dhënë lajme. Aty bëheshin njoftime publike dhe profetët mund të shpallnin mesazhe. (Jeremia 17:19, 20) Një botim thotë se «gati çdo veprim publik bëhej te porta e qytetit ose afër saj». (The Land and the Book) Në Izraelin e lashtë, portat e qytetit ishin pak a shumë si sheshet e fshatit një herë e një kohë, ku njerëzit mblidheshin për të diskutuar çështje të ndryshme.
Për shembull, Abrahami bleu nga Efroni një copë tokë si varrezë për familjen «në prani të bijve të Hethit, mes të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit të tij». (Zanafilla 23:7-18) Edhe Boazi u kërkoi dhjetë pleqve të Betlehemit të uleshin te porta e qytetit ndërsa, në prani të tyre, merrte masa që të sistemonte sipas ligjit për rimartesën e vejushave, Ruthën dhe pasurinë e burrit të saj të vdekur. (Rutha 4:1, 2) Kur pleqtë e një qyteti vepronin si gjykatës, uleshin në portën e qytetit që të dëgjonin çështjet gjyqësore, të merrnin vendime dhe të ekzekutonin gjykime.—Ligji i përtërirë 21:19.
Ku ndodhej Ofiri që në Bibël përmendet si burim ari i cilësisë së lartë?
▪ Për herë të parë ‘ari i Ofirit’ përmendet te libri i Jobit që e krahason me ‘arin e kulluar’. (Jobi 28:15, 16) Rreth 600 vjet pas kohës së Jobit, mbreti David mblodhi nga «ari i Ofirit» për ndërtimin e tempullit të Jehovait në Jerusalem. Edhe i biri, Solomoni, importoi ar nga Ofiri.—1 Kronikave 29:3, 4; 1 Mbretërve 9:28.
Sipas Shkrimeve, Solomoni kishte një flotë anijesh të ndërtuara në Ezion-Geber, në Detin e Kuq, që sillte ar nga Ofiri. (1 Mbretërve 9:26) Studiuesit mendojnë se Ezion-Geberi ndodhet në veri të gjirit të Akabës, në zonën e Elatit dhe të Akabës së sotme. Prej aty anijet mund të shkonin në çdo anë të Detit të Kuq ose në vende tregtare më të largëta në brigjet afrikane a indiane, ku ndoshta ndodhej Ofiri. Por të tjerë mendonin se Ofiri ndodhej në Arabi, ku janë zbuluar miniera të lashta ari e ku është gjetur ar edhe në ditët tona.
Disa mendojnë se minierat e arit të Solomonit ishin vetëm legjendë. Për këtë, egjiptologu Kenet A. Kiçen shkruan: «Ofiri nuk është legjendë. Në një ostrakon hebraik [ose copë ene prej balte] që ndoshta i përket shekullit të tetë [p.e.s.], dallohet qartë një mbishkrim i shkurtër: ‘Ar nga Ofiri për Beth-Horonin—30 sikla.’ Ofiri këtu paraqitet si burim i vërtetë ari, pikërisht siç përmendet ‘ari i Amaut’, ‘ari i Puntit’ ose ‘ari i Kushit’ në tekstet egjiptiane. Për secilin emërtim bëhet fjalë për ar të vërtetë që është marrë ose nga vendi i përmendur, ose është i cilësisë a llojit të atij vendi.»
[Figura në faqen 15]
Abrahami te porta e qytetit, duke kërkuar të blejë një copë tokë
[Figura në faqen 15]
Ostrakon Hebraik me mbishkrim që përmend Ofirin
[Burimi]
Foto nga Koleksioni i Autoriteteve për Antikitetet e Izraelit © Muzeu i Izraelit, Jerusalem