Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë po bën Perëndia?

Çfarë po bën Perëndia?

Çfarë po bën Perëndia?

«O Jehova, pse rri akoma larg? Pse fshihesh në kohë vuajtjesh?» *PSALMI 10:1.

NJË vështrim i shpejtë i titujve kryesorë të lajmeve vërteton se po jetojmë në «kohë vuajtjesh». Kur ndodh një tragjedi, kur prekemi nga krimi, nga një aksident i rëndë ose nga vdekja e një njeriu të dashur, mund të pyesim me të drejtë: a e sheh Perëndia ç’po kalojmë? A do t’ia dijë ai për ne? Madje, a ekziston ai?

Megjithatë, a ke menduar se ajo që presim nga Perëndia mund të bazohet në supozime të gabuara? Ta ilustrojmë: përfytyro një fëmijë që është i mërzitur, sepse babai ka shkuar në punë. Fëmijën e ka marrë malli dhe do që babai të vijë në shtëpi. Ai ndihet i braktisur. Gjatë gjithë ditës pyet: «Ku është babi?»

Mund ta dallojmë menjëherë se mënyra si mendon ky fëmijë është e gabuar. Dihet se në atë moment i ati po punon që të sigurojë të ardhura për të gjithë familjen. Po ashtu, edhe mënyra jonë e të menduarit mund të jetë e gabuar kur thërrasim: «Ku është Perëndia?»

Për shembull, disa mund të duan që Perëndia të jetë një ekzekutues, roli kryesor i të cilit është ndëshkimi i menjëhershëm i keqbërësve. Të tjerë e shohin Perëndinë pak a shumë si plaku i vitit të ri që jep dhurata, si për shembull: një punë, një bashkëshort, madje edhe një biletë fituese lotarie.

Të dyja pikëpamjet e mësipërme të çojnë në përfundimin se, nëse Perëndia nuk sjell menjëherë drejtësi ose nuk na jep atë që i kërkojmë, duhet të jetë i pandjeshëm ndaj vuajtjeve tona dhe në padije për nevojat tona. Por asnjë nga këto përfundime nuk i afrohet fare së vërtetës. E vërteta është se në këtë kohë Perëndia Jehova po punon që të sigurojë atë që i duhet gjithë familjes njerëzore, ndonëse jo në atë mënyrë që i pëlqen shumicës.

Atëherë, çfarë po bën Perëndia? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi pas në fillimet e historisë njerëzore, kur marrëdhënia e njeriut me Perëndinë u dëmtua rëndë, por jo në mënyrë të pariparueshme.

Pasojat e dëmshme të mëkatit

Përfytyro një shtëpi të rrënuar prej vitesh. Çatia ka rënë, dyert kanë rënë nga menteshat dhe pjesa e jashtme është dëmtuar qëllimisht. Dikur kjo shtëpi ishte në gjendje të mirë, por tani jo më. Duke pasur parasysh dëmin e madh, restaurimi nuk do të jetë diçka e lehtë, nuk do të ndodhë menjëherë.

Tani mendo për dëmin që i ndodhi njerëzimit rreth 6.000 vjet më parë kur një krijesë frymore e padukshme, Satanai, i nxiti Adamin dhe Evën të rebeloheshin kundër Perëndisë. Para se të ndodhte kjo, çifti i parë njerëzor gëzonte shëndet të përsosur dhe perspektivën për të jetuar përgjithmonë bashkë me brezat që do të vinin. (Zanafilla 1:28) Por, kur mëkatuan, ishte njësoj sikur Adami dhe Eva të dëmtonin familjen njerëzore që ende s’ishte formuar.

Mos i nënvlerëso pasojat e atij rebelimi. Bibla thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.» (Romakëve 5:12) Përveçse solli vdekjen, mëkati ka dëmtuar marrëdhënien tonë me Krijuesin dhe ka ndikuar te ne nga ana fizike, mendore dhe emocionale. Si rezultat ndodhemi në po atë gjendje si shtëpia e rrënuar. Njeriu i drejtë Job e përmblodhi në mënyrë realiste gjendjen tonë kur tha se njeriu është «jetëshkurtër dhe i mbytur me halle».—Jobi 14:1.

Por a e braktisi Perëndia racën njerëzore pasi Adami dhe Eva mëkatuan? Aspak. Në fakt, qysh atëherë e deri tani, Ati ynë qiellor vazhdon të punojë për të mirën e familjes njerëzore. Që ta vlerësosh më shumë atë që po bën për ne, shqyrto tre hapa të nevojshëm për restaurimin e një shtëpie dhe si lidhet çdonjëri prej tyre me atë që ka bërë Perëndia për ta rikthyer njerëzimin në gjendjen që ishte.

1 Pasi inspekton shtëpinë e dëmtuar, pronari vendos nëse do ta riparojë apo do ta shembë.

Menjëherë pas rebelimit në Eden, Perëndia Jehova bëri të ditur qëllimin që kishte për ta rikthyer njerëzimin në gjendjen e mëparshme. Ai i tha krijesës frymore të padukshme që nxiti rebelimin: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.»—Zanafilla 3:15.

Me anë të këtyre fjalëve, Jehovai premtoi se do ta shkatërronte shkaktarin e rebelimit në Eden. (Romakëve 16:20; Zbulesa 12:9) Për më tepër, Jehovai paratha se një ‘farë’, që do të vinte në të ardhmen, do të shpengonte njerëzimin nga mëkati. * (1 Gjonit 3:8) Në këtë mënyrë Jehovai bëri të njohur premtimin e tij se do ta riparonte krijimin e vet e nuk do ta shembte. Por ripërtëritja e njerëzimit do të kërkonte kohë.

2 Një arkitekt përgatit planin me të gjitha të dhënat për restaurimin.

Perëndia Jehova u dha izraelitëve një kod ligjesh dhe projektoi një tempull ku duhej ta adhuronin. Bibla thotë: «Këto gjëra janë një hije e gjërave që do të vijnë.» (Kolosianëve 2:17) Ashtu si plani i restaurimit, ai kod ligjesh përfaqësonte diçka më të madhe.

Për shembull, izraelitët ofronin flijime në kafshë për faljen e mëkateve. (Levitiku 17:11) Kjo praktikë paraqiste një flijim më të madh që do të ofrohej shekuj më vonë e që do ta shpengonte njerëzimin një herë e mirë. * Vetë struktura e tabernakullit dhe e tempullit ku adhuronin izraelitët, paraqiste në mënyrë paraprake hapat që do të ndërmerrte Mesia i ardhshëm ose ‘fara’, duke filluar që nga vdekja e tij flijuese e deri te ngritja në qiell.—Shih tabelën në faqen 7.

3 Zgjidhet një ndërtues që të ndjekë udhëzimet sipas planit dhe të kryejë restaurimin.

Jezui ishte Mesia i premtuar që do të jepte jetën e vet për të shpenguar njerëzimin, duke ndjekur modelin e flijimeve që bënin izraelitët. Vërtet, Gjon Pagëzori e quajti Jezuin «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Jezui e pranoi me dëshirë caktimin. Ai tha: «Sepse nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»—Gjoni 6:38.

Vullneti i Perëndisë për Jezuin nuk përfshinte vetëm që ai ‘të jepte shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’, por edhe që të bënte një besëlidhje me ithtarët e tij për një Mbretëri. (Mateu 20:28; Luka 22:29, 30) Me anë të kësaj Mbretërie, Perëndia do të përmbushë qëllimin që ka për njerëzimin. Mesazhi për Mbretërinë e Perëndisë quhet «lajmi i mirë», sepse shpjegon se Perëndia ka themeluar një qeveri në qiell që të marrë nën kontroll situatën në tokë.—Mateu 24:14; Danieli 2:44. *

Puna e restaurimit vazhdon

Para se të ngjitej në qiell, Jezui i urdhëroi dishepujt: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë. . . . Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mateu 28:19, 20.

Prandaj ripërtëritja e njerëzimit nuk do të përfundonte me vdekjen e Jezuit. Ajo do të vazhdonte deri në «përfundimin e sistemit», kohë kur Mbretëria e Perëndisë do të fillonte të merrte nën kontroll situatën në tokë. Ne po jetojmë pikërisht në atë kohë. E dimë këtë, pasi shenja që paratha Jezui për «përfundimin e sistemit» po përmbushet në ditët tona. *Mateu 24:3-14; Luka 21:7-11; 2 Timoteut 3:1-5.

Sot në 236 vende, Dëshmitarët e Jehovait i binden urdhrit të Jezuit për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Në fakt, kjo revistë që po lexon është botuar që të të ndihmojë të mësosh më shumë për këtë Mbretëri dhe se çfarë do të bëjë ajo. Në faqen 2 të çdo numri të Kullës së Rojës, do të lexosh: «[Kjo revistë] i ngushëllon njerëzit me lajmin e mirë se Mbretëria e Perëndisë, e cila është një qeveri reale në qiell, së shpejti do t’i japë fund ligësisë dhe do ta kthejë tokën në një parajsë. Nxit besimin te Jezu Krishti, i cili vdiq që të marrim jetën e përhershme dhe tani sundon si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.»

Është e vërtetë se ndërkohë mund të dëgjosh ende për sulme terroriste dhe katastrofa natyrore ose mund të të ndodhë ndonjë tragjedi. Por, po të studiosh Biblën, do të bindesh se Perëndia nuk e ka braktisur njerëzimin. Përkundrazi, «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Premtimi i tij për të na rikthyer atë që humbën prindërit tanë të parë, do të përmbushet.Isaia 55:11.

[Shënimet]

^ par. 2 Jehova është emri i Perëndisë, siç tregohet në Bibël.

^ par. 16 Për një shpjegim të hollësishëm të Zanafillës 3:15, shih kapitullin 19 të librit T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 19 Për më shumë informacion, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 22 Për më shumë informacion rreth Mbretërisë së Perëndisë, shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

[Tabela dhe figurat në faqen 7]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

«Kopje e realitetit»​—Çfarë përfaqësonte Tabernakulli?

ALTARI

Vullneti i Perëndisë për të pranuar flijimin e Jezuit.—HEBRENJVE 13:10-12.

KRYEPRIFTI

Jezui.—HEBRENJVE 9:11.

1 Në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti ofronte një flijim për mëkatet e popullit.—LEVITIKU 16:15, 29-31.

1 Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui dha jetën si flijim për ne.—HEBRENJVE 10:5-10; 1 GJONIT 2:1, 2.

E SHENJTA

Gjendja e Jezuit i lindur nga fryma.—MATEU 3:16, 17; ROMAKËVE 8:14-17; HEBRENJVE 5:4-6.

PERDJA

Trupi fizik i Jezuit, pengesa që ndau jetën tokësore nga ajo qiellore.—1 KORINTASVE 15:44, 50; HEBRENJVE 6:19, 20; 10:19, 20.

2 Kryeprifti kalonte në anën tjetër të perdes që ndante Të Shenjtën nga Më e Shenjta.

2 Pasi u ringjall, Jezui ‘kaloi në anën tjetër të perdes’ kur u ngjit në qiell ‘që të paraqitej për ne përpara personit të Perëndisë’.—HEBRENJVE 9:24-28.

MË E SHENJTA

Qielli—HEBRENJVE 9:24.

3 Sapo hynte te Më e Shenjta, Kryeprifti spërkaste pak gjak nga flijimet para arkës së besëlidhjes.—LEVITIKU 16:12-14.

3 Kur paraqiti vlerën e gjakut të tij të derdhur, Jezui siguroi një shlyerje të përhershme për mëkatet tona.—HEBRENJVE 9:12, 24; 1 PJETRIT 3:21, 22.