Njeriu që ndryshoi botën
Njeriu që ndryshoi botën
Miliarda njerëz kanë jetuar e kanë vdekur këtu në tokë. Shumica nuk kanë lënë gjurmë në rrjedhën e kohës. Por disa janë bërë pjesë e historisë, ndoshta pjesë e jetës suaj të përditshme.
ZGJOHESH në mëngjes dhe ndez dritën. Ngaqë je sëmurë nuk harron të pish antibiotikët që të ka dhënë mjeku kundër infeksionit. Merr një libër ose revistë për ta lexuar dhe kthehesh në shtrat. Dita ende s’ka filluar dhe tashmë ke nxjerrë dobi nga puna e disa njerëzve të shquar.
Majkëll Faradei: Ky fizikan anglez i lindur më 1791, shpiku motorin elektrik dhe gjeneratorin. Arritjet e tij ndihmuan që njerëzit ta përdornin edhe më gjerë rrymën elektrike.
Cai Luni: Ky zyrtar i oborrit perandorak të Kinës ka zhvilluar më tej procesin e bërjes së letrës rreth vitit 105 të e.s., dhe kjo ndihmoi për prodhimin në masë të saj.
Johan Gutenbergu: Shpikës gjerman i cili rreth vitit 1450 bëri shtypshkronjën e parë me shkronja të lëvizshme. Kjo shpikje bëri të mundur shtypjen pa shumë shpenzime, duke u siguruar njerëzve informacione të shumta e të larmishme.
Aleksandër Flemingu: Në vitin 1928, ky studiues skocez zbuloi një substancë antibiotike që e quajti penicilinë. Tani antibiotikët përdoren gjerësisht kundër infeksioneve bakteriale.
Zbulimet dhe risitë e disa njerëzve pa dyshim u kanë dhënë mundësi miliarda njerëzve të gëzojnë disa lehtësira ose të kenë shëndet më të mirë.
Megjithatë, është dikush që qëndron mbi gjithë të tjerët. Nuk njihet për ndonjë zbulim shkencor ose arritje mjekësore. Përkundrazi, ky njeri nga një familje e thjeshtë që vdiq afro 2.000 vjet më parë, na la një mesazh—një mesazh të fuqishëm shprese dhe ngushëllimi. Po të merret parasysh sa ka ndikuar ky mesazh në jetën e njerëzve në mbarë tokën, shumë do të mendonin se ai është vërtet njeriu që ndryshoi botën.
Ky ishte Jezu Krishti. Çfarë predikoi ai? Si mund të ndikojë ky mesazh në jetën tënde?