Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë na mësoi Jezui për Mbretërinë e Perëndisë?

Çfarë na mësoi Jezui për Mbretërinë e Perëndisë?

Çfarë na mësoi Jezui për Mbretërinë e Perëndisë?

«Ai nisi të shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar . . . lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë.»—LUKA 8:1.

TË GJITHËVE na pëlqen të flasim për gjërat që kanë rëndësi për ne, për gjërat që kemi për zemër. Siç tha vetë Jezui, «goja flet nga mbushullia e zemrës». (Mateu 12:34) Duke pasur parasysh gjërat për të cilat foli Jezui gjatë shërbimit këtu në tokë, mund të arrijmë në përfundimin se e kishte për zemër Mbretërinë e Perëndisë.

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Një mbretëri është një qeveri ku sundon mbreti. Kështu që Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e themeluar nga Perëndia. Jezui foli gjerësisht për Mbretërinë e Perëndisë, dhe kjo ishte tema e mesazhit të tij. Te katër Ungjijtë kjo Mbretëri përmendet 110 herë. Por Jezui nuk i mësonte njerëzit vetëm me fjalë. Edhe veprimet e tij flitnin shumë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për atë që do të bëjë ajo.

Cili është mbreti? Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë nuk është zgjedhur nga votimet e njerëzve. Përkundrazi, ky Sundues është zgjedhur nga vetë Perëndia. Me anë të mësimeve të tij Jezui zbuloi se është ai që Perëndia ka zgjedhur si Mbret.

Jezui e dinte se profecitë biblike kishin parashikuar se Mesia i premtuar do të sundonte në një Mbretëri të përjetshme. (2 Samuelit 7:12-14; Danieli 7:13, 14; Mateu 26:63, 64) Të mos harrojmë se Jezui e deklaroi hapur që ai vetë do të ishte Mesia i parathënë. Kështu Jezui po identifikohej si Mbreti i caktuar nga Perëndia. (Gjoni 4:25, 26) Në mënyrë të përshtatshme, Jezui përdori disa herë shprehjen «Mbretëria ime».—Gjoni 18:36.

Jezui gjithashtu mësoi se do të kishte edhe të tjerë që do të sundonin bashkë me të në këtë Mbretëri. (Luka 22:28-30) Ai i quajti këta bashkësundimtarë «kope e vogël», pasi do të ishin të kufizuar në numër. (Luka 12:32) Libri i fundit i Biblës tregon se ata që do të kenë privilegjin të sundojnë me Krishtin, do të jenë gjithsej 144.000.—Zbulesa 5:9, 10; 14:1.

Ku ndodhet Mbretëria? «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»,—i tha Jezui guvernatorit të Judesë, Ponc Pilatit. (Gjoni 18:36) Mbretëria e Perëndisë me Krishtin në krye nuk do të qeverisë nëpërmjet përfaqësuesve njerëzorë. Jezui në mënyrë të përsëritur e quante Mbretërinë e Perëndisë «mbretëria e qiejve». * (Mateu 4:17; 5:3, 10, 19, 20) Pra, Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore.

Jezui ishte i sigurt se do të kthehej në qiell pas qëndrimit të tij në tokë. Ai tha se atje ‘do të përgatiste një vend’ që bashkësundimtarët e tij të bashkoheshin me të.—Gjoni 14:2, 3.

Cili është qëllimi i Mbretërisë? Jezui i mësoi dëgjuesit t’i luteshin Perëndisë kështu: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Vullneti i Perëndisë po bëhet në qiell. Kjo Mbretëri është mjeti me të cilin Perëndia po përmbush qëllimin që ka për tokën. Për ta arritur këtë, Mbretëria do të sjellë ndryshime dramatike në tokë.

Çfarë do të bëjë Mbretëria për tokën? Jezui tregoi se Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë ligësinë duke eliminuar ata që janë të vendosur të praktikojnë të ligën. (Mateu 25:31-34, 46) Kjo do të thotë se do të marrë fund çdo lloj pandershmërie dhe ligësie. Jezui tha se toka do të mbushet me njerëz që janë «me natyrë të butë», të drejtë, të mëshirshëm, «me zemër të kulluar» dhe paqebërës.—Mateu 5:5-9.

A do t’u duhet këtyre besnikëve të jetojnë në një planet të ndotur? Kurrsesi! Jezui premtoi se toka do të ketë ndryshime të mrekullueshme nën Mbretërinë e Perëndisë. Një nga burrat që po ekzekutohej përbri Jezuit, tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Sakaq, Jezui iu përgjigj: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:42, 43) Po, Mbretëria e Perëndisë do ta transformojë këtë tokë në një parajsë globale, të ngjashme me kopshtin e Edenit.

Çfarë do të bëjë tjetër kjo Mbretëri për njerëzimin? Jezui jo vetëm premtoi çfarë do të bënte Mbretëria e Perëndisë, por edhe e shfaqi me vepra. Bëri shumë shërime me anë të mrekullive, duke treguar në masë të vogël atë çka do të bëjë në përmasa shumë më të mëdha në të ardhmen, gjatë sundimit të Mbretërisë. Te Ungjijtë e frymëzuar, për Jezuin thuhet: «Ai i ra përqark mbarë Galilesë, dhe mësonte në sinagogat e tyre, predikonte lajmin e mirë për mbretërinë dhe shëronte çdo lloj lëngate e sëmundjeje në popull.»—Mateu 4:23.

Jezui bëri një sërë shërimesh të ndryshme. Ai ‘hapi sytë e një njeriu që kishte lindur i verbër’. (Gjoni 9:1-7, 32, 33) Me një prekje të butë shëroi dikë që e kishte zënë sëmundja e neveritshme e lebrës. (Marku 1:40-42) Kur i çuan «një njeri të shurdhër, që i mbahej goja», ai tregoi se mund t’i bënte ‘të shurdhrit të dëgjonin dhe të pagojët të flitnin’.—Marku 7:31-37.

As vetë vdekja nuk mund t’i bënte ballë dorës së Mbretit të caktuar nga Perëndia. Në Bibël janë dokumentuar tri raste kur Jezui u ktheu jetën të vdekurve. Ringjalli të vetmin bir të një vejushe, një vajzë 12-vjeçare dhe Lazarin, mikun e tij të shtrenjtë.—Luka 7:11-15; 8:41-55; Gjoni 11:38-44.

Duke përshkruar të ardhmen e mrekullueshme që i pret nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë, Jezui paratha nëpërmjet apostullit Gjon: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 1:1; 21:3, 4) Vetëm mendo: një botë pa lot dëshpërimi, pa dhembje dhe pa vdekje. Pastaj lutja që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë, ashtu si në qiell, do të përmbushet plotësisht.

Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë? Jezui u mësoi njerëzve se sundimi i tij mbretëror do të fillonte në të njëjtën kohë me një periudhë të veçantë që e quajti «prania» e tij. Jezui dha një profeci të hollësishme për të treguar se kur do të fillonte prania e tij në pushtetin mbretëror. Kjo periudhë do të karakterizohej nga trazira globale, ku përfshihen luftëra, zi buke, tërmete, murtaja dhe rritje të paligjshmërisë. (Mateu 24:3, 7-12; Luka 21:10, 11) Këto shenja dhe të tjera që paratha Jezui kanë qenë të dukshme sidomos që nga viti 1914, viti kur shpërtheu Lufta I Botërore. Pra, tani Jezui sundon si Mbret. Së shpejti kjo Mbretëri do të vijë edhe në tokë e vullneti i Perëndisë do të bëhet edhe këtu. *

Si do të ndikojë te ti ardhja e Mbretërisë së Perëndisë? Gjithçka varet si do t’i përgjigjesh mesazhit të Jezuit.

[Shënimet]

^ par. 8 Shprehja «mbretëria e qiejve» del rreth 30 herë në Ungjillin e Mateut.

^ par. 17 Për një shqyrtim të hollësishëm se nga e dimë që Mbretëria e Perëndisë po afron, shih kapitullin 9 me titull «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?» në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.