Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse tha Jezui «askush nuk shtie verë të re në calikë të vjetër»?

▪ Në kohët biblike, verën e mbanin zakonisht në kacekë ose calikë. (Josiu 9:13) Calikët bëheshin me lëkurën e plotë të kafshëve shtëpiake, si kecat dhe dhitë. Për të bërë një calik, kafshës së ngordhur i prisnin kokën e këmbët dhe e rripnin me kujdes që të mos i çahej lëkura e barkut. Pastaj lëkura regjej dhe gjithë të çarat qepeshin, përveç qafës ose njërës prej këmbëve, që lihej e hapur si grykë e calikut. Për ta mbyllur, përdornin një tapë ose e lidhnin me ndonjë lidhëse.

Me kalimin e kohës, lëkura ngurtësohej dhe humbte elasticitetin. Prandaj, ishte e papërshtatshme që në calikë të vjetër të mbahej verë e re, e cila vazhdonte të fermentohej. Kishte shumë të ngjarë që fermentimi të çante lëkurën e ngurtë të calikëve të vjetër. Kurse lëkura e re ishte më elastike dhe mund ta përballonte presionin që shkaktonte fermentimi i vazhdueshëm i verës së re. Pra, Jezui po fliste për diçka që njihej gjerësisht në ato kohë. Ai tha se ç’mund të ndodhte nëse dikush fuste verë të re në calikë të vjetër: «Vera e re i çan calikët dhe derdhet, kurse calikët prishen. Por vera e re shtihet në calikë të rinj.»—Luka 5:37, 38.

Cilët ishin ‘burrat gjakësorë’ që përmenden gjatë arrestimit të Pavlit nga romakët?

▪ Sipas tregimit të Veprave, gjatë një trazire në tempullin e Jerusalemit, një komandant i ushtrisë romake e arrestoi apostullin Pavël me mendimin se ishte udhëheqësi i një bande rebele me «katër mijë burra gjakësorë». (Veprat 21:30-38) Çfarë dimë për këta burra gjakësorë?

Shprehja që është përkthyer «burra gjakësorë», në greqisht është «burra me kamë», e cila rrjedh nga fjala latine sicarii që do të thotë «përdorues të sica-s [të kamës]». Jozef Flavi, historian i shekullit të parë, i përshkruan këta njerëz si një bandë judenjsh patriotë e fanatikë, armiq të paepur të Romës që kryenin vrasje politike të organizuara.

Jozefi tregon se ata «vrisnin njerëz në mes të ditës e në mes të qytetit; këtë e bënin sidomos gjatë festimeve kur përziheshin me turmat dhe i goditnin armiqtë e tyre me kamat që mbanin fshehur nën rrobë». Kur viktima binte përtokë i vdekur, ata shtireshin si të indinjuar për vrasjen dhe kështu shpëtonin pa u zbuluar. Jozefi shton se më vonë këta burra me kamë luajtën një rol të rëndësishëm në revoltën e judenjve kundër Romës në vitet 66-70 të e.s. Ja pse komandanti romak ndoshta mezi priste të arrestonte atë që e pandehte si udhëheqësin e një bande të tillë.

[Figura në faqen 15]

Calik i vjetër

[Figura në faqen 15]

Përshkrimi i një burri me kamë nga një piktor