Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse u bë regjistrimi i popullsisë që çoi në lindjen e Jezuit në Betlehem?

Sipas Ungjillit të Lukës, kur Cezar Augusti nxori një dekret për regjistrimin e mbarë popullsisë në Perandorinë Romake, «të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet». (Luka 2:1-3) Qyteti i Jozefit, babait birësues të Jezuit, ishte Betlehemi dhe meqë Jozefi e Maria shkuan atje për t’iu bindur këtij dekreti, Jezui lindi në atë vend. Regjistrime të tilla shërbenin për të lehtësuar mbledhjen e taksave dhe rekrutimin për shërbimin ushtarak.

Kur romakët pushtuan Egjiptin në vitin 30 p.e.s., regjistrimi i popullsisë tashmë bëhej prej vitesh në këtë vend. Studiuesit besojnë se romakët përvetësuan sistemin egjiptian të regjistrimit të popullsisë dhe zbatuan procedura të ngjashme në pjesën tjetër të perandorisë.

Provë e një regjistrimi të tillë është një dekret i vitit 104 të e.s., nxjerrë nga guvernatori romak i Egjiptit. Në një kopje të këtij dekreti, e cila ruhet në Bibliotekën Britanike, thuhet: «Gaj Vibi Maksimi, prefekt i Egjiptit (thotë): meqë ka ardhur koha për regjistrimin e popullsisë shtëpi më shtëpi, është e nevojshme që të gjithë ata që për çfarëdolloj arsyeje banojnë jashtë krahinave të tyre, të detyrohen të rikthehen në shtëpitë e veta që të zbatojnë urdhrin e rregullt për regjistrimin dhe gjithashtu të kujdesen me zell për kultivimin e ngastrave të tyre.»

Pse Jozefi mendoi t’i jepte Marisë një certifikatë divorci ndërkohë që ishin thjesht të fejuar?

Sipas Ungjillit të Mateut, Jozefi mori vesh se Maria ishte shtatzënë ndërkohë që ‘ishte e fejuar me të’, por para se të martoheshin. Meqë nuk e dinte se Maria ishte shtatzënë «me anë të frymës së shenjtë», Jozefi duhet të ketë menduar se ajo e kishte tradhtuar dhe prandaj mendoi të divorcohej prej saj.—Mateu 1:18-20.

Për judenjtë, të fejuarit konsideroheshin si të martuar. Por ata nuk jetonin bashkë si burrë e grua derisa të përfundonin formalitetet e dasmës. Fejesa shihej si një angazhim kaq i rëndësishëm, saqë, nëse martesa nuk bëhej sepse dhëndri ndryshonte mendje ose për ndonjë arsye tjetër të fortë, vajza nuk ishte e lirë të martohej derisa të merrte një certifikatë divorci. Në qoftë se i fejuari i një vajze vdiste para martesës, ajo konsiderohej e ve. Nga ana tjetër, nëse ajo kryente kurvëri gjatë fejesës, konsiderohej kurorëshkelëse dhe dënohej me vdekje.—Ligji i përtërirë 22:23, 24.

Me sa duket, Jozefi mendoi për pasojat që do të kishte Maria po të turpërohej para të gjithëve. Edhe pse e kuptonte se duhej t’ua parashtronte çështjen autoriteteve përkatëse, ai donte ta mbronte e të shmangte një skandal. Prandaj, vendosi të divorcohej nga ajo pa rënë në sy. Në fund të fundit, certifikata e divorcit që do të zotëronte një nënë e vetme, do të tregonte se kishte qenë e martuar më parë.

[Figura në faqen 16]

Dekret për regjistrimin e popullsisë i vitit 104 të e.s., nxjerrë nga guvernatori Romak i Egjiptit

[Burimi]

© The British Library Board, të gjitha të drejtat të rezervuara (F.904)