Jehovai e çmon zemërbutësinë
Afrojuni Perëndisë
Jehovai e çmon zemërbutësinë
KRENARI, xhelozi, ambicie. Këto tipare janë të përhapura tek ata që çajnë në këtë botë. Por, a na afrojnë me Perëndinë Jehova karakteristika si këto? Përkundrazi, Jehovai çmon zemërbutësinë tek adhuruesit e tij. Kjo duket nga tregimi që gjendet te kapitulli 12 i Numrave. Ngjarja zhvillohet në shkretëtirën e Sinait pasi izraelitët janë çliruar nga Egjipti.
Miriami dhe Aaroni, motra dhe vëllai i Moisiut, «nisën të flitnin kundër» vëllait të tyre më të vogël. (Vargu 1) Në vend që të flitnin me Moisiun, ata folën kundër tij, ka të ngjarë duke i përhapur ankesat e tyre nëpër kamp. Miriami përmendet e para, pra, me sa duket ishte ajo strumbullari i gjithë kësaj. Arsyeja e parë për murmuritjet ishte se Moisiu kishte marrë një grua kushite. Mos vallë Miriami ishte xheloze se mund të mbetej në hije për shkak të kësaj gruaje, aq më tepër kur kjo nuk ishte as izraelite?
Rrënjët e murmuritjeve ishin më të thella. Miriami dhe Aaroni vazhdonin të thoshin: «Pse, vetëm nëpërmjet Moisiut ka folur Jehovai? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?» (Vargu 2) Mos ndoshta motivi i vërtetë për murmuritjet ishte dëshira për më shumë pushtet dhe prestigj?
Në tregim Moisiu nuk iu përgjigj vetë ankesave. Me sa duket ai e përballoi në heshtje keqtrajtimin. Durimi i tij vërtetoi edhe një herë përshkrimin që i bën Bibla si «më zemërbuti ndër të gjithë ata» që rronin në tokë. * (Vargu 3) Moisiut nuk iu desh të mbrohej vetë. Jehovai po dëgjonte dhe doli në mbrojtje të tij.
Jehovai i konsideroi murmuritjet sikur të ishin bërë kundër atij vetë. Në fund të fundit ishte ai që e kishte caktuar Moisiun. Kur qortoi murmuritësit, Perëndia u kujtoi se kishte një marrëdhënie të veçantë me Moisiun. Ai tha: «Unë flas me të gojë më gojë.» Pastaj Jehovai pyeti Miriamin dhe Aaronin: «Si nuk patët frikë të flitnit kundër Moisiut?» (Vargu 8) Duke folur kundër Moisiut, ata ishin fajtorë, se në të vërtetë kishin folur kundër Perëndisë. Për këtë mungesë flagrante respekti, do të provonin zemërimin hyjnor.
Miriami, që siç duket ishte shkaktarja, u godit me lebër. Menjëherë Aaroni iu përgjërua Moisiut që të ndërhynte për të. Vetëm mendoni: mirëqenia e Miriamit tani varej nga ndërhyrja e njeriut me të cilin ishin sjellë padrejtësisht! Me zemërbutësi Moisiu ia plotësoi kërkesën. Ai flet për herë të parë në këtë tregim kur i përgjërohet Jehovait për motrën e vet. Miriami u shërua, por iu desh të duronte turpin e periudhës shtatëditore të karantinës.
Ky tregim na ndihmon t’i kuptojmë më mirë cilësitë që Jehovai çmon dhe tiparet të cilave u kundërvihet. Nëse duam t’i afrohemi Perëndisë, duhet të bëjmë çmos që të çrrënjosim çdo gjurmë krenarie, xhelozie dhe ambicieje që mund të dallojmë te vetja. Jehovai i do zemërbutët. Ai premton: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:11; Jakovi 4:6.
[Shënimi]
^ par. 4 Zemërbutësia është një pikë e fortë që e bën njeriun të zotë për t’i përballuar padrejtësitë me durim dhe pa u hakmarrë.