Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Betheli i Bruklinit—100 vjet histori

Betheli i Bruklinit—100 vjet histori

Shtëpia Bethel 122-124 Columbia Heights

13-17 Hicks Street (1909-1918)

VITI 1909 ishte një vit historik për qytetin e Nju-Jorkut. U hap ura e Kuinzborout, e cila lidh Kuinzin me Manhatanin, si edhe ura e Manhatanit, e cila ishte një lidhje tjetër mes Manhatanit dhe Bruklinit.

Ishte një vit historik edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Çarls Tejz Rasëlli, presidenti i Watch Tower Bible and Tract Society, korporata ligjore e Dëshmitarëve të Jehovait, më parë kishte vënë re potencialin për shtrirjen e predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Ai besonte se shpërngulja e selisë së Shoqatës nga Pitsburgu, Pensilvani, në Bruklin, Nju-Jork, do të ishte një hap i rëndësishëm për ta arritur këtë. Përgatitjet për shpërnguljen kishin nisur në vitin 1908 dhe ajo u bë në fillim të vitit vijues.

Pse u bë shpërngulja në Bruklin?

Ata që drejtonin veprën e predikimit në atë kohë, e dinin se ungjillëzimi me anë të fjalimeve në gazeta, ishte një mënyrë e efektshme për të përhapur të vërtetën biblike. Në fakt, brenda vitit 1908, fjalimet e përjavshme të Rasëllit dolën në 11 gazeta, me një qarkullim të përgjithshëm prej 402.000 kopjesh.

Megjithatë, Rasëlli shkroi: «Vëllezërit që i njohin mirë metodat e gazetave . . . na sigurojnë se, në qoftë se fjalimet javore do të botohen nga [një qendër më e madhe], si rezultat ato mund të botohen në mbarë Shtetet e Bashkuara, dhe se brenda një viti mund të jenë me qindra gazetat që do t’i botojnë rregullisht.» Prandaj, filluan kërkimet për vendin më të mirë nga ku të përhapnin veprën e predikimit.

Fjalimet e Rasëllit në gazetë

Po pse u zgjodh Bruklini? Rasëlli tha: «Si përfundim, pasi kërkuam drejtimin hyjnor, arritëm në konkluzionin se Bruklini në Nju-Jork, me një popullsi të madhe . . . dhe i njohur si ‘Qyteti i kishave’, do të ishte për këto arsye qendra më e përshtatshme për veprën e korrjes.» Rezultatet flasin vetë. Brenda një kohe të shkurtër, 2.000 gazeta botonin fjalimet e Rasëllit.

Nju-Jorku ishte një zgjedhje e mirë edhe për një arsye tjetër. Deri në vitin 1909, ishin ngritur zyra degësh në Britaninë e Madhe, Gjermani e Australi, dhe shumë shpejt do të ngriheshin edhe të tjera. Prandaj, dukej e arsyeshme që selia botërore të ndodhej në një qytet-port që kishte edhe shumë lidhje rrugore dhe hekurudhore.

Pse u quajt Bethel?

18 Concord Street (1922-1927)

117 Adams Street (1927 deri më sot)

Në fillim, selia e Watch Tower Bible and Tract Society u ngrit në vitet 80 të shekullit 19, në Allegeni (tani pjesë e Pitsburgut), Pensilvani. Në atë kohë, quhej Shtëpia e Biblës. Në vitin 1896, aty punonin 12 veta.

Por, me shpërnguljen në Bruklin në vitin 1909, godina e re për personelin u quajt Bethel. * Po pse Bethel? Pronën që Shoqata Watch Tower bleu në adresën 13-17 Hicks Street, e zotëronte kleriku i njohur Henri Uard Biçër dhe ajo njihej si Betheli i Biçërit. U ble edhe ish-rezidenca e Biçërit, e cila ndodhej në adresën 124 Columbia Heights. Kullën e Rojës 1 mars 1909, thuhej: «Është vërtet e jashtëzakonshme që morëm Bethelin e vjetër të Biçërit dhe që më pas rastësisht morëm edhe ish-rezidencën e tij. . . . Shtëpinë e re do ta quajmë ‘Bethel’, kurse zyrën dhe sallën e re do t’i quajmë ‘Tabernakulli i Bruklinit’. Këta emra do të zëvendësojnë termin ‘Shtëpia e Biblës’.»

Sot, komplekset tejet të zgjeruara në Bruklin dhe në dy vende të tjera të shtetit të Nju-Jorkut, Uollkill dhe Paterson, ku përfshihen godinat e banimit, shtypshkronja dhe zyrat, quhen Bethel. Në fakt, anembanë botës tani ka shtëpi Bethel në 113 vende. Në to shërbejnë më shumë se 19.000 veta që ndihmojnë për shpërndarjen e informacioneve biblike.

35 Myrtle Avenue (1920-1922)

Një mirëseardhje e ngrohtë për vizitorët

Godinat iu kushtuan Perëndisë më 31 janar 1909. E hëna 6 shtator 1909, ishte një ditë vizitash në Bethel. Qindra Studentë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, vizituan Bethelin. Shumë prej tyre erdhën drejtpërdrejt nga një kongres i krishterë që ishte mbajtur në Saratoga Springs, gati 320 kilometra në veri të qytetit të Nju-Jorkut. Çarls Tejz Rasëlli i mirëpriti dhe i përshëndeti personalisht vizitorët. *

Vizitorët vazhdojnë të jenë të mirëpritur në Bethel. Në fakt, çdo vit, më shumë se 40.000 njerëz vizitojnë godinat e Bruklinit. Betheli i Bruklinit vazhdon të luajë një rol jetësor për përhapjen e interesave të Mbretërisë së Jehovait në dobi të miliona njerëzve.

Shtypshkronja në Uollkill

Qendra e Arsimimit në Paterson

^ par. 11 Fjala hebraike «Bethel» do të thotë «Shtëpia e Perëndisë». Në Bibël, Betheli ishte një qytet i njohur izraelit. Vetëm qyteti i Jerusalemit përmendet më shpesh se ai.

^ par. 14 Për hollësi të tjera historike, shih librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 718-723 (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.