Lindja e re—Si ndodh?
Lindja e re—Si ndodh?
JEZUI foli me Nikodemin jo vetëm për rëndësinë, shkakun dhe qëllimin e lindjes së re, por edhe nëpërmjet kujt ndodh kjo lindje. Jezui tha: «Nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:5) Pra, një njeri lind përsëri me anë të ujit dhe frymës. Por, kujt i referohet shprehja ‘uji dhe fryma’?
‘Uji dhe fryma’—Çfarë janë?
Ngaqë ishte një studiues fetar jude, pa dyshim Nikodemi e njihte mirë mënyrën se si e përdorin shprehjen ‘fryma e Perëndisë’ Shkrimet Hebraike. Ajo është forca vepruese e Perëndisë, e cila mund të ndikojë te njerëzit që të kryejnë gjëra të jashtëzakonshme. (Zanafilla 41:38; Dalja 31:3; 1 Samuelit 10:6) Kështu, kur Jezui përdori fjalën «fryma», Nikodemi duhet të ketë kuptuar se po fliste për frymën e shenjtë, forcën vepruese të Perëndisë.
Për çfarë e kishte fjalën Jezui kur përmendi ujin? Shqyrto ngjarjet e dokumentuara menjëherë para dhe pas bisedës me Nikodemin. Këto tregojnë se edhe Gjon Pagëzori, edhe dishepujt e Jezuit po kryenin pagëzime me ujë. (Gjoni 1:19, 31; 3:22; 4:1-3) Kjo praktike u bë shumë e njohur në Jerusalem. Prandaj, kur Jezui foli për ujin, Nikodemi duhet të ketë kuptuar se ai nuk po fliste për ujin në përgjithësi, por për ujin e pagëzimit. *
Të pagëzuar «me frymë të shenjtë»
Nëse ‘lindja nga uji’ lidhet me pagëzimin në ujë, çfarë do të thotë ‘të lindësh nga fryma’? Para bisedës së Nikodemit me Jezuin, Gjon Pagëzori kishte njoftuar se jo vetëm uji, por edhe fryma do të luante rol në pagëzim. Ai tha: «Unë ju pagëzova me ujë, kurse ai [Jezui] do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.» (Marku 1:7, 8) Marku, shkrimtar i Ungjillit, përshkruan herën e parë kur ndodhi një pagëzim i tillë. Ai shkruan: «Ato ditë, Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua në Jordan nga Gjoni. Sapo doli nga uji, Jezui pa qiejt të hapeshin dhe frymën të zbriste mbi të porsi një pëllumb.» (Marku 1:9, 10) Kur Jezui u zhyt në lumin Jordan, ai u pagëzua me ujë. Në çastin që mori frymën nga qielli, u pagëzua me frymë të shenjtë.
Rreth tre vjet pas pagëzimit të tij, Jezui i siguroi dishepujt: «Ju do të pagëzoheni me frymë të shenjtë pas pak ditësh.» (Veprat 1:5) Kur ndodhi kjo?
Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 dishepuj të Jezuit ishin mbledhur në një shtëpi në Jerusalem. «Befas nga qielli u dëgjua një zhurmë si ajo e një ere të furishme, dhe mbushi gjithë shtëpinë ku po rrinin. Atyre iu shfaqën gjuhë si prej zjarri. . . . Atëherë të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë.» (Veprat 2:1-4) Po atë ditë, edhe të tjerë në Jerusalem u nxitën të pagëzoheshin me ujë. Apostulli Pjetër i tha një turme: «Pendohuni, e secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet. Atëherë do të merrni falas si dhuratë frymën e shenjtë.» Cili qe reagimi? «Ata që i përqafuan me zemër fjalët e tij, u pagëzuan, dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt.»—Veprat 2:38, 41.
Një proces i dyfishtë
Çfarë tregojnë këto pagëzime për lindjen e re? Tregojnë se lindja e re ndodh nëpërmjet një procesi të dyfishtë. Vër re se në fillim Jezui u pagëzua me ujë. Më pas, mori frymën e shenjtë. Po kështu, dishepujt e hershëm në fillim ishin pagëzuar me ujë (disa nga Gjon Pagëzori) dhe më pas morën frymën e shenjtë. (Gjoni 1:26-36) Në mënyrë të ngjashme, 3.000 dishepujt e rinj në fillim u pagëzuan me ujë dhe pastaj morën frymën e shenjtë.
Si duhet të ndodhë lindja e re sot, duke pasur parasysh pagëzimet që ndodhën në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? Në të njëjtën mënyrë që ndodhi në rastin e apostujve të Jezuit dhe të dishepujve të hershëm. Së pari, një njeri pendohet për mëkatet e tij, kthen rrugë nga sjellja e gabuar, ia kushton jetën Jehovait që ta adhurojë e t’i shërbejë atij dhe e bën publik kushtimin duke u pagëzuar me ujë. Më pas, nëse Perëndia e zgjedh të shërbejë si sundimtar në Mbretërinë e Tij, miroset me frymë të shenjtë. Pjesa e parë e këtij procesi të dyfishtë (pagëzimi me ujë) shkaktohet nga individi; pjesa e dytë (pagëzimi me frymë) shkaktohet nga Perëndia. Kur dikush pagëzohet në të dy mënyrat, atëherë ka lindur përsëri.
Por, pse gjatë bisedës me Nikodemin Jezui përdori shprehjen «lind nga uji dhe nga fryma»? Për të theksuar se ata që do të pagëzoheshin me ujë dhe frymë, do të përjetonin një ndryshim të jashtëzakonshëm. Artikulli vijues shqyrton këtë aspekt të lindjes së re.
[Shënimi]
^ par. 5 Në mënyrë të ngjashme, një herë apostulli Pjetër tha në rastin e një pagëzimi: «A mund ta ndalojë ndokush ujin?»—Veprat 10:47.
[Figura në faqen 9]
Gjoni i pagëzoi me ujë izraelitët e penduar