Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për lutjet që dëgjon Perëndia

Për lutjet që dëgjon Perëndia

Çfarë mësojmë nga Jezui

Për lutjet që dëgjon Perëndia

Shpesh Jezui kërkonte ndonjë vend të veçuar për t’u lutur dhe u rekomandoi dishepujve të bënin të njëjtën gjë. Bibla tregon: «Një herë Jezui ishte në një vend dhe po lutej. Kur mbaroi, një nga dishepujt i tha: ‘Zotëri, na mëso si të lutemi’ . . . Ai u tha: ‘Sa herë të luteni, thoni: “Atë, u shenjtëroftë emri yt.”’» (Luka 5:16; 11:1, 2) Kështu, Jezui tregoi se lutjet duhet t’ia drejtojmë Atit të tij, Jehovait. Vetëm ai është Krijuesi ynë dhe ‘Dëgjuesi i lutjes’.—Psalmi 65:2.

A i pëlqejnë të gjitha lutjet Perëndisë?

Përsëritja e lutjeve të mësuara përmendësh nuk i pëlqen Perëndisë. Jezui tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra.» (Mateu 6:7) Duhet t’i flasim nga zemra Atit tonë qiellor. Në një rast, Jezui u theksoi dishepujve se lutjet e një mëkatari që sinqerisht donte të ndryshonte, ishin më të pranueshme për Perëndinë se lutjet e një njeriu krenar që mbante me përpikëri zakonet fetare. (Luka 18:10-14) Pra, që të na dëgjohen lutjet, me përulësi duhet të përpiqemi të bëjmë ç’na udhëzon Perëndia. Edhe Jezui u shpreh: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati. . . . Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:28, 29) Ai iu lut Perëndisë: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.»—Luka 22:42.

Për çfarë duhet të lutemi?

Meqë janë përhapur shpifje për emrin e Perëndisë, Jezui udhëzoi: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.’» (Mateu 6:9, 10) Duhet të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë, sepse është qeveria që do të përdorë Ai për të përmbushur vullnetin e Tij në qiell dhe në tokë. Jezui tha se mund të lutemi për «bukën për këtë ditë». Mund t’i lutemi Jehovait edhe për punën, strehimin, veshjen, problemet shëndetësore dhe shqetësime të tjera. Veç kësaj, Jezui tha se duhet të lutemi për falje.—Luka 11:3, 4.

A duhet të lutemi për të tjerët?

Jezui lutej për të tjerët. Bibla na thotë: «I çuan disa fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta e të lutej.» (Mateu 19:13) Ai i tha apostullit Pjetër: «Kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket.» (Luka 22:32) Jezui i nxiti dishepujt të luten për të tjerët, madje edhe për ata që i përndjekin e i fyejnë.—Mateu 5:44; Luka 6:28.

Pse duhet të ngulmojmë në lutje?

Jezui i kushtoi kohë lutjes dhe i nxiti dishepujt «të luteshin gjithnjë e të mos dorëzoheshin». (Luka 18:1) Jehovai na fton t’i shprehim sigurinë që kemi tek ai, duke i folur vazhdimisht për gjërat që na interesojnë. «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet»,—tha Jezui. Por kjo s’nënkupton se Jehovai ngurron t’u përgjigjet atyre që e duan dhe e respektojnë si Atë. Përkundrazi, Jezui tha: «Nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»—Luka 11:5-13.

Për më shumë informacion, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *

[Shënimi]

^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.