Një pritje për publikun
Një pritje për publikun
«ÇFARË bëjnë aty?» Këtë pyetje e bëjnë shumë veta që kalojnë pranë kompleksit të madh të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Mogales (Krugersdorp), pranë Johanesburgut, në Afrikën e Jugut. Prandaj, Dëshmitarët vendosën të organizonin një pritje për publikun në kompleksin e degës më 12-13 tetor 2007. Qëllimi ishte i dyfishtë: të ndërpriteshin thashethemet e rreme dhe t’i tregohej publikut se ç’po bën zyra e degës për të mbështetur veprën që urdhëroi Jezu Krishti.—Mateu 28:19, 20.
Ata që shërbejnë në zyrën e degës vendosën në hyrje tabela të mëdha mirëseardhjeje dhe u shpërndanë ftesa të veçanta fqinjëve. U ftuan me familjet e tyre bashkëpunëtorët që i ofrojnë shërbime kompleksit. Cili qe reagimi? Kompleksin e vizituan më shumë se 500 vizitorë që nuk ishin Dëshmitarë.
Diçka që la mbresa, ishte makina rotative e shtypit MAN Roland Litoman, e cila shtyp deri në 90.000 revista në orë. Vizitorëve u bëri përshtypje edhe zona e stërmadhe e dërgimeve, ku paketohen e dërgohen 14 tonë literaturë në ditë, si edhe reparti i libralidhjes. Dëshmitarët e reparteve të ndryshme ngritën kënde ekspozimi mjaft tërheqëse, përfshirë edhe një kënd ku bëhej një përmbledhje e historisë së shtypit të mekanizuar, që nga Gutenbergu e deri te shtypi modern lito-ofset. Në një kënd tjetër tregohej se si kujdeset dega për mjedisin. Për shembull, një makineri speciale eliminon gazet toksike dhe erërat nga tharëset e makinave të shtypit, kurse filtrat mbledhin pluhurin e letrës për ta eliminuar.
Një gazetë vendëse botoi një artikull ku thuhej se 700 vullnetarët që jetojnë në këtë pronë «janë shërbëtorë fetarë të emëruar zyrtarisht që ia kanë kushtuar jetën Jehovait». Aty komentohej edhe për «pastërtinë e përsosur dhe për mënyrën se si bëhej çdo gjë në kohën e duhur» në shtypshkronjë. Kompleksin e vizitoi një burrë që i kundërshtonte Dëshmitarët e Jehovait. Pas vizitës, ai shkroi një letër ku thuhej: «Përgëzime. Nuk ndodh shpesh të shohësh përsosmëri të këtij niveli.»
Shumë vizitorë shprehën çmueshmëri për vizitën në kompleks dhe u habitën kur panë se në degë kishte literaturë të bazuar në Bibël në 151 gjuhë dhe se aty shtypen botime për 18 vende të Afrikës Jugore e Qendrore. Komplekset e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës janë të hapura për vizita gjatë orarit të punës. Pse të mos gjeni kohë për një vizitë duke kontaktuar degën në vendin tuaj?
[Figura në faqen 14]
Vizitorë që mbërrijnë në kompleksin e degës
[Figura në faqen 14]
Ftesë
[Figura në faqen 15]
Kompleksi i degës së Afrikës së Jugut në qytetin e Mogales, Afrika e Jugut
[Figura në faqen 15]
Makina e shtypit ofset MAN Roland Litoman
[Figura në faqen 15]
Reparti i libralidhjes
[Figura në faqen 15]
Reparti i dërgimeve