Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Komunikimi me adoleshentët

Komunikimi me adoleshentët

«Më parë e kisha të lehtë të flisja me djalin, por tani që është 16 vjeç, unë dhe burri im e kemi të vështirë të dimë se ç’mendon ai. Mbyllet në dhomën e vet dhe mezi na flet!»​—MIRIAMI, MEKSIKË.

«Dikur fëmijët pritnin me padurim të dëgjonin çdo gjë që do t’u thosha. I përpinin fjalët e mia! Sot që janë adoleshentë, mendojnë se s’marr vesh nga bota e tyre.»​—SKOTI, AUSTRALI.

NËSE ke fëmijë adoleshentë, ka të ngjarë që të ndihesh njësoj si prindërit e përmendur më sipër. Në të kaluarën komunikimi me fëmijën mund të rridhte lirshëm si trafiku në autostradë. Por tani duket sikur rruga është bllokuar. Anxhela, një nënë nga Italia, thotë: «Kur djali im ishte i vogël, më bombardonte me pyetje. Ndërsa tani, jam unë që duhet ta nis bisedën. Nëse nuk e bëj këtë, mund të kalojnë ditë të tëra pa bërë një bisedë domethënëse.»

Ashtu si Anxhela, edhe ti ndoshta ke parë se fëmija yt, që dikur shprehej lirshëm, tani është shndërruar në një adoleshent të mbyllur. Çdo përpjekje për të bërë një bisedë mund të përfundojë vetëm në përgjigje të prera e të ftohta. «Si ia kalove sot?»—e pyet djalin. «Mirë»,—përgjigjet me vrazhdësi. «Ç’kemi ndonjë gjë nga shkolla?»—e pyet vajzën. «Hiç»,—thotë duke ngritur supet. Nëse përpiqesh të nisësh me zor një bisedë duke e pyetur «pse nuk flet më si më parë», vijon një heshtje varri.

Patjetër, disa adoleshentë nuk e kanë problem të shprehen. Por gjërat që thonë nuk janë ato gjëra që duan të dëgjojnë prindërit. «‘Më lër rehat’, më përgjigjej shpesh vajza kur i kërkoja të bënte diçka»,—kujton Edna, një nënë nga Nigeria. Ramoni nga Meksika thotë diçka të ngjashme për djalin e vet 16-vjeçar. «Grindemi çdo ditë,—thotë ai.—Sa herë i them të bëjë diçka, fillon e gjen justifikime për të mos e bërë.»

Komunikimi me një adoleshent indiferent mund t’ia vërë në provë durimin një prindi. Bibla e pranon se «planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim». (Proverbat 15:22) «Kur s’e di se ç’mendon djali, acarohem aq shumë sa dua të bërtas»,—thotë Ana, një prind i vetëm nga Rusia. Pse, pikërisht kur komunikimi bëhet kaq i rëndësishëm, të rinjtë—dhe prindërit e tyre—duket sikur e humbin aftësinë për të komunikuar?

Dallo pengesat e komunikimit

Të komunikosh nuk do të thotë thjesht të flasësh. Jezui tha se «goja . . . flet nga mbushullia e zemrës». (Luka 6:45) Pra, komunikimi i mirë na ndihmon të mësojmë nga të tjerët dhe të zbulojmë gjëra për veten. Kjo e fundit mund të jetë e vështirë për adoleshentët, sepse, sapo hyjnë në pubertet, edhe fëmija më i shoqërueshëm papritur mund të bëhet i ndrojtur. Ekspertët shpjegojnë se adoleshentët zakonisht ndihen sikur të gjithë i vëzhgojnë se çfarë bëjnë dhe thonë, tamam si të ishin para një skene me një projektor të drejtuar mbi ta. Që të mos ndihen të vëzhguar, adoleshentët e sikletosur mund ta ulin perden e skenës, si të thuash, dhe të mbyllen në botën e tyre ku prindërit nuk futen dot lehtë.

Një faktor tjetër që mund të pengojë komunikimin është dëshira e adoleshentëve për të qenë të pavarur. Nuk mund ta shmangësh këtë—fëmija yt po rritet, dhe kjo nënkupton edhe se një ditë do të ndahet nga familja. Patjetër, kjo nuk do të thotë se fëmija yt adoleshent është gati të jetojë më vete. Më shumë se kurrë ai ose ajo ka nevojë për ty në shumë drejtime. Por ndarja nis disa vite përpara se të bëhet plotësisht i pjekur. Ndërsa arrijnë pjekurinë, shumë adoleshentë parapëlqejnë t’i mendojnë vetë gjërat para se t’ua tregojnë të tjerëve.

Sigurisht, adoleshentët mund të mos jenë kaq të mbyllur me moshatarët—siç tha Xhesika, një nënë nga Meksika. Ajo thotë: «Kur vajza ime ishte e vogël, vinte gjithmonë për të m’i treguar problemet. Tani shkon te shoqet.» Nëse edhe fëmija yt adoleshent vepron kështu, mos nxirr përfundimin se ai ose ajo ta ka «hequr vizën» si prind. Përkundrazi, anketat tregojnë se edhe kur adoleshentët thonë të kundërtën, ata i vlerësojnë këshillat e prindërve më shumë se ato të shokëve. Atëherë, çfarë mund të bësh që ta mbash hapur derën e komunikimit?

Çelësi i suksesit​—Të shemben pengesat

Imagjino sikur po udhëton me makinë në një autostradë të gjatë e të drejtë. Për shumë kilometra, të është dashur ta lëvizësh timonin shumë pak. Por, papritur, gjendesh përballë një kthese të fortë. Që të mos dalësh nga rruga, nuk ke zgjidhje tjetër veçse të luash timonin. Njësoj është edhe me fëmijën tënd kur bëhet adoleshent. Për disa vjet, ndoshta nuk ke pasur shumë nevojë të ndryshosh metodat e tua si prind. Por tani, jeta e fëmijës ka marrë një kthesë të fortë dhe duhet «të luash timonin në kthesë» duke ndryshuar metodat e komunikimit. Bëji vetes pyetjet vijuese.

‘A jam gati të komunikoj kur djali ose vajza është gati të shprehet?’ Bibla thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.» (Proverbat 25:11) Siç e tregon qartë ky shkrim, shpesh çelësi është të gjesh kohën e duhur. Ta ilustrojmë: një bujk as nuk mund ta shpejtojë, as nuk mund ta shtyjë kohën e korrjes. Ai vetëm duhet të shfrytëzojë këtë kohë. Fëmija yt adoleshent mund të ketë një kohë të caktuar gjatë së cilës ai ose ajo është më i gatshëm të flasë. Shfrytëzoje këtë mundësi. Frensis, një nënë e vetme nga Australia, thotë: «Shumë herë vajza vinte natën në dhomën time për të folur, ndonjëherë për orë të tëra. Mua s’më pëlqen të rri vonë natën, prandaj nuk e kisha të lehtë, por gjatë atyre netëve flitnim për gjithçka.»

SUGJERIM: Nëse fëmija yt duket se ngurron të flasë, bëni diçka bashkë—bëni një xhiro në këmbë a me makinë ose bëni një lojë a ndonjë punë shtëpie. Shpesh këto rrethana i ndihmojnë adoleshentët të jenë më të gatshëm për t’u shprehur.

‘A e dalloj se çfarë fshihet pas fjalëve? Te Jobi 12:11 thuhet: «A nuk i peshon veshi fjalët, si shijon qiellza ushqimin?» Tani më shumë se kurrë, ke nevojë ‘të peshosh’ fjalët e djalit ose të vajzës sate. Shpesh adoleshentët flasin në mënyrë të ekzagjeruar. Për shembull, djali ose vajza yt mund të thotë: «Ti gjithmonë më trajton si fëmijë!» ose «Ti s’më dëgjon kurrë!» Në vend që të kapesh pas fjalëve «gjithmonë» dhe «kurrë», përpiqu të kuptosh se ndoshta fëmija nuk po flet në mënyrë të mirëfilltë. Për shembull, shprehja «Ti gjithmonë më trajton si fëmijë!» mund të ketë kuptimin «Ndihem sikur ti s’ke besim tek unë», dhe shprehja «Ti s’më dëgjon kurrë!» mund të nënkuptojë «Dua të të them se si ndihem vërtet». Përpiqu të dallosh se çfarë fshihet pas fjalëve.

SUGJERIM: Kur fëmija yt të flet me fjalë të forta, thuaj diçka të tillë, si: «E shoh se je i mërzitur dhe do të doja të di se çfarë ke. Më thuaj përse mendon se të trajtoj si fëmijë.» Më pas dëgjoje pa e ndërprerë.

‘A e pengoj komunikimin duke e detyruar fëmijën të flasë?’ Bibla thotë: «Fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.» (Jakovi 3:18) Me fjalët e me qëndrimin tënd bëj që të ketë «paqe», që fëmija të ndihet i lirshëm të flasë. Mos harro, ti je avokati i fëmijës. Prandaj kur diskutoni një çështje, përpiqu të mos dukesh si një prokuror që do të përgënjeshtrojë një dëshmitar në gjyq. Ani, një baba nga Koreja, thotë: «Një prind i mençur nuk thotë shprehje të tilla, si: ‘Kur do të rritesh ndonjëherë?’ ose ‘Sa herë ta kam thënë?’ Pasi gabova disa herë në këtë drejtim, kuptova se djemtë e mi acaroheshin jo vetëm nga mënyra se si u flitja, por edhe se çfarë u thosha.»

SUGJERIM: Nëse fëmija yt adoleshent nuk u përgjigjet pyetjeve, provo një metodë tjetër. Për shembull, në vend që ta pyesësh vajzën se si e kaloi ditën, tregoji se si e kalove ti ditën dhe shih nëse reagon. Ose për të zbuluar se ç’mendon vajza për një çështje, bëj pyetje që nuk përqendrohen tek ajo. Pyete se ç’mendon një shoqe e saj për çështjen. Më pas pyete se ç’këshillë do t’i jepte shoqes.

Komunikimi me adoleshentët nuk është i pamundur. Përshtate sipas nevojës mënyrën se si komunikon. Fol me prindërit e tjerë që kanë pasur rezultat në këtë drejtim. (Proverbat 11:14) Kur të komunikosh me djalin ose vajzën, ‘ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt’. (Jakovi 1:19) Mbi të gjitha, mos hiq dorë nga përpjekjet për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait».—Efesianëve 6:4.

PYET VETEN . . .

  • Çfarë ndryshimesh kam parë te fëmija im që kur ai ose ajo ka hyrë në adoleshencë?

  • Në cilat mënyra mund të përmirësoj aftësitë e mia të komunikimit?