Si të kemi një familje të lumtur?
Si t’i zgjidhni problemet?
Burri: «Ku janë vajzat?»
Gruaja: «Kanë shkuar në qendrën tregtare, të blejnë ca rroba.»
Burri: [Ngre zërin i mërzitur] «Ç’do të thuash me ‘të blejnë ca rroba’? S’ka as një muaj që blenë rroba!»
Gruaja: [E lënduar dhe duke menduar se i shoqi po akuzon atë, hidhet në mbrojtje] «Epo kishte ulje çmimesh. Sidoqoftë, më morën leje mua.»
Burri: [Nxehet dhe bërtet] «Ti e di sa inat kam kur vajzat harxhojnë lekë pa më pyetur! Si xhanëm merr vendime të nxituara pa folur më parë me mua?»
SI MENDONI, ç’probleme duhet të zgjidhë ky çift? Është e qartë se burri e ka të vështirë të ruajë gjakftohtësinë. Por, veç kësaj, duket që nuk janë dakord se sa liri duhet të kenë fëmijët. E, me sa duket, kanë probleme me komunikimin.
Martesa të përsosura s’ka, prandaj të gjithë çiftet hasin probleme herë pas here. Sido që të jenë këto probleme, të mëdha a të vogla, është jetësore që burri dhe gruaja të mësojnë t’i zgjidhin. Përse?
Me kalimin e kohës, problemet që mbeten pa u zgjidhur mund të kthehen në mure që bllokojnë komunikimin. Mbreti i mençur Solomon u shpreh: «Ka grindje që janë si shuli i një kulle banimi.» (Proverbat 18:19) Si të gjeni një rrugë që të komunikoni më mirë kur diskutoni për problemet?
Po të themi që komunikimi është jetë për një martesë, atëherë dashuria e respekti janë zemra dhe mushkëritë e kësaj lidhjeje. (Efesianëve 5:33) Kur kanë për të zgjidhur probleme, dashuria do t’i shtyjë bashkëshortët të harrojnë gabimet e së kaluarës, si dhe plagët emocionale që kanë shkaktuar ato, e të përqendrohen te problemi që kanë përpara. (1 Korintasve 13:4, 5; 1 Pjetrit 4:8) Çiftet që tregojnë respekt për njëri-tjetrin, lënë që secili të flasë lirshëm dhe përpiqen të dëgjojnë jo vetëm fjalët, por edhe mendimet që përcjellin ato.
Katër hapa për të zgjidhur problemet
Shqyrtoni katër hapat e renditur më poshtë dhe vini re se si mund t’ju ndihmojnë parimet e Biblës që t’i zgjidhni problemet me dashuri e respekt.
1. Caktoni një kohë që të flitni për problemin.
«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë Eklisiastiu 3:1, 7) Siç e pamë në zënkën e mësipërme, disa probleme mund të shkaktojnë ndjenja të forta. Nëse ndodh kjo, tregoni vetëkontroll dhe ‘heshtni’ për momentin, pra ndalojeni diskutimin para se bashkëshorti të humbë gjakftohtësinë. Do t’i kurseni shumë dëme martesës po t’ia vini veshin këshillës së Biblës: «Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; largohu, pra, përpara se të plasë sherri.»—Proverbat 17:14.
për të folur.» (Por ka edhe «një kohë për të folur». Problemet janë si bari i keq, po t’i lësh, lulëzojnë. Prandaj, mos e shpërfillni problemin duke shpresuar se do të zgjidhet vetë. Nëse i kërkoni bashkëshortit ta ndërpritni diskutimin, tregoni respekt për të duke caktuar një afat jo shumë të largët për të folur përsëri për çështjen. Kjo do t’ju ndihmojë të dyve të zbatoni parimin e këshillës biblike: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» (Efesianëve 4:26) Natyrisht që pastaj duhet ta mbani fjalën.
SUGJERIM: Vendosni një kohë të caktuar çdo javë që të diskutoni për problemet e familjes. Nëse vini re se në një moment të ditës jeni më të prirur të acaroheni, për shembull kur sapo vini nga puna ose para se të hani, bini dakord që të mos diskutoni për problemet në ato momente. Zgjidhni një kohë që e dini se do të jeni më pak të stresuar.
2. Shpreheni hapur e me respekt mendimin tuaj.
«Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efesianëve 4:25) Për të martuarit, i afërmi më i ngushtë është bashkëshorti. Prandaj, kur flitni me të, shprehini hapur e konkretisht ndjenjat tuaja. Margareta, * e cila ka 26 vjet e martuar, thotë: «Në fillim të martesës, prisja që im shoq ta kuptonte vetë si ndihesha kur lindte një problem. Por pastaj e kuptova se ky pretendim nuk ishte realist. Tani përpiqem t’ia shpreh qartë mendimet dhe ndjenjat.»
Mos harroni se synimi juaj kur diskutoni për një problem, nuk është të fitoni një betejë ose të mundni armikun, por thjesht t’i bëni të ditur bashkëshortit çfarë mendoni. Për ta bërë sa më mirë këtë, tregoni cili është problemi sipas jush, pastaj thoni se kur lind ky problem e më pas shpjegoni si ju bën të ndiheni. Për shembull, nëse ju mërzit rrëmuja që krijon bashkëshorti, me respekt mund t’i thoni: ‘Kur vjen nga puna dhe i lë rrobat sa andej-këtej [kur dhe cili është problemi], më duket sikur përpjekjet e mia që ta mbaj në rregull shtëpinë nuk vlerësohen [si ndihesh ti saktësisht].’ Pastaj me takt sugjerojini zgjidhjen që mendoni ju për këtë problem.
SUGJERIM: Që t’i keni të qarta në mendje idetë, para se të flitni me bashkëshortin, shkruani në një fletë cili është problemi sipas jush e si do të donit ta zgjidhnit.
3. Dëgjoni me vëmendje dhe mbajini parasysh ndjenjat e bashkëshortit.
Dishepulli Jakov shkroi se çdo i krishterë duhet të jetë «i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt». (Jakovi 1:19) Pak gjëra shkaktojnë trishtim në martesë aq sa përshtypja se bashkëshorti nuk e kupton si ndihesh. Prandaj, bëni çmos të mos i lini këtë përshtypje bashkëshortit tuaj!—Mateu 7:12.
Volfgangu, i cili ka 35 vjet i martuar, thotë: «Kur flasim për problemet, tensionohem, sidomos kur më duket se gruaja nuk e kupton pikëpamjen time.» Diana, e cila tani ka 20 vjet e martuar, pranon: «I ankohem shpesh tim shoqi se nuk më dëgjon me tërë mend kur flasim për problemet.» Si ta kapërceni këtë pengesë?
Mos pretendoni se e dini ç’po mendon ose si ndihet bashkëshorti. «Kur është arrogant, njeriu shkakton vetëm grindje, por mençuria Proverbat 13:10) Mos ia ulni dinjitetin duke e ndërprerë kur shprehet. Kur të ketë mbaruar, që të siguroheni se e kuptuat çfarë tha, përsëritjani me fjalët tuaja atë që dëgjuat, por pa sarkazëm e pa e sulmuar. Lëreni t’ju korrigjojë nëse e keni kuptuar gabim diçka që tha. Mos flitni vetëm ju. Vazhdojeni bisedën në këtë mënyrë, derisa të dy të bini dakord se i kuptoni mendimet dhe ndjenjat e njëri-tjetrit për çështjen.
është me ata që këshillohen së bashku»,—thotë Fjala e Perëndisë. (Natyrisht, duhet përulësi e durim të dëgjoni me vëmendje dhe të mbani parasysh mendimin e njëri-tjetrit. Por nëse jeni të parët për t’i treguar bashkëshortit këtë nderim, edhe tjetri do të jetë më i prirur t’ju nderojë.—Mateu 7:2; Romakëve 12:10.
SUGJERIM: Mos i përsëritni si papagall fjalët që tha bashkëshorti. Me dashamirësi, përpiquni të thoni me fjalët tuaja si e kuptuat atë që tha dhe atë që ndiente.—1 Pjetrit 3:8.
4. Gjeni një zgjidhje të pranueshme për të dy.
«Dy janë më mirë se një, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.» (Eklisiastiu 4:9, 10) Problemet në martesë nuk do të zgjidhen nëse të dy bashkëshortët nuk bashkëpunojnë e nuk e mbështetin njëri-tjetrin.
Është e vërtetë që Jehovai caktoi burrin si kreun e familjes. (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 5:23) Por kryesi nuk do të thotë diktaturë. Një burrë i mençur nuk merr vendime me kokën e vet. Davidi, i martuar prej 20 vjetësh, thotë: «Përpiqem të gjej një pikë ku jam dakord me gruan dhe mendoj për një vendim që mund ta mbështetim të dy.» Tanja, e cila tani ka 7 vjet e martuar, thotë: «Nuk është puna kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Nganjëherë, thjesht ka mendime të ndryshme se si të zgjidhet një problem. Kam parë se çelësi i suksesit është të jesh elastik dhe i arsyeshëm.»
SUGJERIM: Krijoni një frymë skuadre, duke shkruar që të dy në letër sa më shumë zgjidhje të mundshme për një problem. Kur t’ju kenë mbaruar idetë, shqyrtoni listën e secilit dhe zbatoni atë zgjidhje që e keni menduar të dy njësoj. Pastaj, caktoni një afat jo shumë të largët, dhe shikoni nëse është vepruar sipas atij vendimi dhe sa i suksesshëm ka qenë.
Punoni së bashku, jo veç e veç
Jezui tha për martesën: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Shprehja «e ka bashkuar» është përkthyer nga fjala greke që do të thotë «vë në zgjedhë së bashku». Në kohën e tij, zgjedha ishte një copë druri në të cilin mbreheshin dy kafshë për të kryer një punë. Në qoftë se kafshët nuk bashkëpunonin, s’do të nxirrnin gjë në dritë dhe zgjedha do t’u acaronte qafën. Po të bashkëpunonin, mund të tërhiqnin pesha të rënda ose të punonin arën.
Po kështu, nëse burri dhe gruaja nuk punojnë si skuadër, zgjedha e martesës mund t’i acarojë. Nga ana tjetër, nëse mësojnë të punojnë së bashku, mund të zgjidhin pothuajse çdo problem e të bëjnë shumë gjëra të mira. Kalala, një burrë që ka një martesë të lumtur, e përmbledh kështu çështjen: «Për 25 vjet, unë dhe ime shoqe i kemi zgjidhur problemet duke folur hapur, duke vënë veten në vend të tjetrit, duke iu lutur Jehovait për ndihmë e duke zbatuar parimet e Biblës.» A mund të veproni edhe ju kështu?
PYET VETEN . . .
-
Cilin problem dua të diskutoj medoemos me bashkëshortin?
-
Si të sigurohem se e kuptoj ç’mendon vërtet bashkëshorti për këtë çështje?
-
Ç’probleme mund të krijoj nëse gjithnjë ngul këmbë që të bëhet siç them unë?
^ par. 17 Disa emra janë ndryshuar