Kungimi—Faktet që fshihen pas këtij riti
Kungimi—Faktet që fshihen pas këtij riti
NJERËZIT kudo nëpër botë e bëjnë rregullisht këtë ceremoni, disa herë në vit, çdo javë, madje çdo ditë. E megjithatë, quhet një mister i besimit, dhe shumë nga ata që e praktikojnë, pohojnë se nuk e kuptojnë. Ajo shihet si e shenjtë, e madje mendohet se është diçka hyjnore.
E kemi fjalën për kungimin, ose siç quhet ndryshe eukaristia, atë pjesë të meshës katolike kur prifti bekon bukën e verën dhe fton besimtarët të marrin Krishtin në Kungimin e Shenjtë. * Papa Benedikti XVI tha se kjo ceremoni është ‘përmbledhja dhe tërësia e besimit të katolikëve’. Jo shumë kohë më parë kisha kremtoi «Vitin e Kungimit» si pjesë e përpjekjeve «për të rizgjuar dhe rritur besimin e katolikëve te kungimi».
Edhe katolikët që nuk shquhen për të flaktë, janë fanatikë të këtij riti. Për shembull, në një ese të kohëve të fundit, botuar në revistën Time, një grua e re e përshkruar si katolike përparimtare, shkroi: «Pavarësisht se pikëpamjet tona për dogmat e kishës katolike ndryshojnë, ne prapë i përmbahemi atij që na bashkon në besimin katolik: përkushtimit ndaj ceremonisë së kungimit.»
Por, çfarë është kungimi? A u kërkohet ithtarëve të Krishtit ta ndjekin këtë rit? Së pari, le të shohim si u zhvillua dhe u kthye në traditë. Më pas, mund të ndalemi te një pyetje më e rëndësishme: a pasqyron vërtet kungimi kremtimin që themeloi Jezu Krishti rreth 2000 vjet më parë?
Kungimi dhe «krishterimi»
Nuk është e vështirë të kuptojmë pse kungimi shihet si diçka hyjnore. Momenti kyç i kësaj ceremonie është gjatë lutjes së kungimit, kur, sipas një libri fetar, «forca e fjalëve, veprimi i Krishtit dhe fuqia e Shpirtit të Shenjtë» i bëjnë trupin dhe gjakun e Jezuit «të pranishëm në kuptimin hyjnor». (Katekizmi i Kishës Katolike) Pasi merr bukën dhe verën, prifti i fton besimtarët të marrin kungimin,
zakonisht duke ngrënë vetëm bukën ose osten.Kisha Katolike mëson se buka dhe vera transformohen hyjnisht në trupin dhe gjakun e Krishtit, një doktrinë që quhet transubstancim. Kjo doktrinë lindi gradualisht, dhe termi u përkufizua e u përdor për herë të parë zyrtarisht në shekullin e 13-të. Në kohën e Reformës Protestante u vunë në dyshim disa aspekte të kungimit katolik. Martin Luteri hodhi poshtë doktrinën e transubstancimit dhe doli në mbrojtje të konsubstancimit. Ndryshimi është fare i lehtë. Luteri mësonte se buka dhe vera bashkekzistojnë me trupin dhe gjakun e Jezuit, jo që transformohen në trupin dhe gjakun e Jezuit.
Me kalimin e kohës, mes feve të krishtere pati ndryshime të tjera lidhur me domethënien e kungimit, si duhej bërë dhe sa shpesh. Megjithatë, sido që të bëhet, ai ka mbetur një rit shumë i rëndësishëm për të gjithë «krishterimin». Por, si ishte kremtimi që themeloi vetë Jezui?
Themelimi i ‘Darkës së Zotërisë’
«Darkën e Zotërisë» ose përkujtimin e vdekjes së tij e themeloi vetë Jezui. (1 Korintasve 11:20, 24) Por, mos vallë nisi një rit misterioz, gjatë të cilit ithtarët e vet do të hanin vërtet trupin e tij dhe do të pinin vërtet gjakun e tij?
Jezui sapo kishte kremtuar Pashkën hebraike dhe kishte dëbuar Judë Iskariotin, apostullin që shumë shpejt do ta tradhtonte. Mateu, një nga 11 apostujt që ishin të pranishëm, tha: «Ndërsa vazhdonin të hanin, Jezui mori një bukë dhe pasi e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe u tha: ‘Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.’ Mori edhe një kupë verë, falënderoi [greqisht efharistésas] Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: ‘Pini të gjithë ju, sepse kjo përfaqëson “gjakun tim të besëlidhjes”, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.’»—Mateu 26:26-28.
Jezui, njësoj si gjithë shërbëtorët e Perëndisë, e kishte zakon të kërkonte një bekim për ushqimin. (Ligji i përtërirë 8:10; Mateu 6:11; 14:19; 15:36; Marku 6:41; 8:6; Gjoni 6:11, 23; Veprat 27:35; Romakëve 14:6) Atëherë, a ka ndonjë arsye për të besuar se me këto falënderime Jezui po kryente edhe një mrekulli, duke i bërë ithtarët e tij të hanin mirëfilli mishin dhe gjakun e tij?
«Përfaqëson» apo «është»?
Është e vërtetë se disa Bibla i përkthejnë fjalët e Jezuit kështu: «Merrni, hani; ky është trupi im» dhe «pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im». (Mateu 26:26-28, Diodati i Ri; Simon Filipaj; ECM) Gjithashtu, është e vërtetë se fjala estín, një formë e foljes «jam» në greqisht, në thelb do të thotë «është». Megjithatë, kjo folje ka edhe kuptimin «paraqet». Vlen të përmendim se në shumë versione të Biblës, kjo folje shpesh është përkthyer «përfaqëson» ose «simbolizon». * Nga konteksti përcaktohet përkthimi më i saktë. Për shembull, te Mateu 12:7, estín përkthehet «do të thotë» në shumë versione të Biblës: «Po të dinit se çfarë do të thotë [greqisht estín]: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.»—Diodati i Ri; Simon Filipaj; ECM.
Shumë studiues të respektuar të Biblës janë në një mendje se fjala «është» nuk e përcjell saktë mendimin që po shprehte Jezui në këtë rast. Për shembull, teologu katolik, Zhak Dypo, studioi kulturën dhe
shoqërinë në të cilën jetoi Jezui, dhe nxori përfundimin se përkthimi «më i natyrshëm» i këtij vargu do të ishte: «Kjo përfaqëson trupin tim» ose «kjo paraqet trupin tim».Sidoqoftë, Jezui s’mund të linte të nënkuptohej se ithtarët e tij do të hanin trupin dhe do të pinin gjakun e tij në kuptim të mirëfilltë. Pse jo? Pas Përmbytjes në ditët e Noesë, kur Perëndia i lejoi njerëzit të hanin mishin e kafshëve, ai i ndaloi prerazi të konsumonin gjak. (Zanafilla 9:3, 4) Ky urdhërim u përsërit edhe në Ligjin e Moisiut, të cilit Jezui iu bind në gjithçka. (Ligji i përtërirë 12:23; 1 Pjetrit 2:22) Veç kësaj, apostujt u frymëzuan nga fryma e shenjtë ta rishkruanin urdhrin kundër përdorimit të gjakut, duke e bërë ligj të detyrueshëm për çdo të krishterë. (Veprat 15:20, 29) A do të themelonte Jezui një kremtim ku ithtarëve të tij do t’u kërkohej të shkelnin një dekret të shenjtë të Perëndisë së Plotfuqishëm? E pamundur!
Pra, kuptohet se Jezui i përdori bukën dhe verën si simbole. Buka pa maja përfaqësonte ose paraqiste trupin e tij pa mëkat që do të flijohej. Vera e kuqe simbolizonte gjakun e tij që do të derdhej «në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve».—Mateu 26:28.
Qëllimi i Darkës së Zotërisë
Në fund të kremtimit të parë të Darkës së Zotërisë, Jezui tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Ai rast na ndihmon të kujtojmë Jezuin dhe gjërat e mrekullueshme që u arritën nëpërmjet vdekjes së tij. Na sjell ndër mend se Jezui mbështeti sovranitetin e Jehovait, Atit të tij. Gjithashtu, na kujton se falë vdekjes së tij si njeri i përsosur e pa mëkat, Jezui dha ‘shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. Shpërblesa i jep mundësi kujtdo që ushtron besim te flijimi i tij, të lirohet nga mëkati dhe të fitojë jetën e përhershme.—Mateu 20:28.
Por, mbi të gjitha, Darka e Zotërisë është një darkë e përbashkët. Në të marrin pjesë (1) Perëndia Jehova, që mori masat për shpërblesën, (2) Jezu Krishti, «Qengji i Perëndisë», që siguroi shpërblesën dhe (3) vëllezërit e Jezuit të mirosur me frymën e shenjtë. Duke ngrënë bukën e duke pirë verën, këta të fundit tregojnë se janë në unitet të plotë me Krishtin. (Gjoni 1:29; 1 Korintasve 10:16, 17) Gjithashtu, tregojnë se bëjnë pjesë në «besëlidhjen e re» si dishepuj të Jezuit, të mirosur nga fryma. Ata do të mbretërojnë me Krishtin në qiell si mbretër dhe priftërinj.—Luka 22:20; Gjoni 14:2, 3; Zbulesa 5:9, 10.
Kur duhet mbajtur Përkujtimi? Përgjigjja bëhet e qartë kur sjellim ndër mend se Jezui zgjodhi një datë të veçantë për të themeluar këtë kremtim, Pashkën. Këtë datë, 14 nisanin sipas kalendarit hebraik, populli i Perëndisë kishte 1500 vjet që e kremtonte çdo vit për të kujtuar shpëtimin e mahnitshëm që i siguroi Jehovai popullit të tij. Kuptohet që Jezui po i udhëzonte ithtarët e tij ta kremtonin në të njëjtën datë aktin më madhështor të shpëtimit që do të siguronte Perëndia nëpërmjet vdekjes së Krishtit. Prandaj, ithtarët e vërtetë të Jezuit janë të pranishëm në Darkën e Zotërisë çdo vit, në datën që përkon me 14 nisanin sipas kalendarit hebraik.
A e bëjnë ngaqë u pëlqejnë ritet? Ç’është e vërteta, pikërisht kjo i bën për vete shumë nga ata që kremtojnë kungimin. Autorja e esesë së lartpërmendur në revistën Time, tha: «Pjesëmarrja në rite të lashta të praktikuara nga kaq shumë njerëz, seç të jep një ndjesi të thellë lehtësimi.» Si një pjesë e mirë e katolikëve sot, kjo autore parapëlqen që ceremonia të bëhet në latinisht, si në të kaluarën. Pse? Ajo shkruan: «Meshën dua ta dëgjoj të këndohet në një gjuhë që s’e kuptoj, pasi shpesh nuk më pëlqen ajo që dëgjoj në anglisht.»
Dëshmitarëve të Jehovait bashkë me miliona të interesuar u pëlqen ta mbajnë Darkën e Zotërisë në gjuhën e tyre, kudo që jetojnë. Ata provojnë kënaqësi të thellë kur e kuptojnë më mirë domethënien dhe vlerën e vdekjes së Krishtit. Për këto të vërteta ia vlen të meditojmë e të diskutojmë gjatë gjithë vitit. Dëshmitarët mendojnë se Përkujtimi është mënyra më e mirë për të kujtuar vazhdimisht dashurinë e thellë të Perëndisë Jehova dhe Birit të tij, Jezu Krishtit. Ai i ndihmon ‘të vazhdojnë të shpallin vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë’.—1 Korintasve 11:26.
[Shënimet]
^ par. 3 Kjo ceremoni quhet edhe Darka e Zotërisë, thyerja e bukës, shërbesa eukaristike, Flijimi i Shenjtë, Liturgjia e Shenjtë e Hyjnore dhe Mesha e Shenjtë. Fjala «kungim» ose «eukaristi» vjen nga fjala greke efharistía, që do të thotë mirënjohje, falënderim.
^ par. 15 Shih, për shembull, Mateun 13:38; 27:46; Lukën 8:11; Galatasve 4:24 si përkthehen në Biblën Diodati i Ri.
[Diçitura në faqen 27]
Si ishte kremtimi që themeloi vetë Jezui?
[Figura në faqen 28]
Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij
[Figura në faqen 29]
Kremtimi i Përkujtimit të vdekjes së Jezu Krishtit