Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Harmagedoni​—Lufta e Perëndisë që do t’u japë fund gjithë luftërave

Harmagedoni​—Lufta e Perëndisë që do t’u japë fund gjithë luftërave

Harmagedoni​—Lufta e Perëndisë që do t’u japë fund gjithë luftërave

«Për ta është mizore të vrasësh një krijesë njerëzore; prandaj, në sytë e tyre lufta është e pakuptimtë dhe e neveritshme, madje në gjuhën e tyre nuk kanë një fjalë për të shprehur këtë koncept.»—PËRSHKRIM I POPULLSISË INUITE TË GRËNLANDËS NGA EKSPLORUESI NORVEGJEZ FRITJOF NANSEN, NË VITIN 1888.

KUSH nuk do të donte të jetonte në një shoqëri ku lufta të ishte «e pakuptimtë dhe e neveritshme»? Kush nuk e dëshiron një botë në të cilën edhe fjala luftë të mos ekzistojë, ngaqë s’njihet as koncepti i luftës? Një botë e tillë mund të tingëllojë joreale, sidomos po të shpresojmë se këtë do ta bëjnë të mundur njerëzit.

Megjithatë, në profecinë e Isaisë, vetë Perëndia premton se do të sjellë një botë të tillë: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»—Isaia 2:4.

Qartë, bota e sotme, ku ka 20 milionë ushtarë në shërbimin aktivë dhe rreth 20 luftëra në vazhdim, do të kishte nevojë për ndryshime të jashtëzakonshme që të shihte përmbushjen e kësaj profecie. Ja përse nuk habitemi që Perëndisë së plotfuqishëm, Jehovait, do t’i duhet të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit. Kjo ndërhyrje nga ana e Jehovait do të arrijë kulmin me atë ngjarje që Bibla e quan Harmagedon.—Zbulesa 16:14, 16.

Edhe pse vitet e fundit fjala «Harmagedon» është përdorur në kuptimin e një shkrumbimi bërthamor të përbotshëm, një fjalor e përshkruan kështu domethënien kryesore të kësaj fjale: «Vendi i një konflikti të madh e përfundimtar mes forcave të së mirës dhe të së keqes.» A do ta mposhtë ndonjëherë e mira të keqen, apo një betejë e tillë është vetëm pjellë e fantazisë?

Mund të marrim zemër kur vërejmë se Bibla flet herë pas here për fundin e ligësisë. Psalmisti thotë: «Mëkatarët do të shuhen krejt nga faqja e dheut; të ligjtë nuk do të jenë më.» (Psalmi 104:35) Në librin e Proverbave shkruhet: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»—Proverbat 2:21, 22.

Gjithashtu, Bibla e tregon qartë se të ligjtë nuk do ta dorëzojnë pushtetin paqësisht; prandaj është e nevojshme që Perëndia të ndërmarrë një veprim përfundimtar që do të shfarosë gjithë ligësinë, duke përfshirë edhe luftën. (Psalmi 2:2) Emri me të cilin Bibla e quan këtë konflikt unik—Harmagedon—ka një kuptim shumë të rëndësishëm.

Beteja të së kaluarës pranë Megidos

Fjala Harmagedon do të thotë «Mali i Megidos». Qyteti i lashtë i Megidos, bashkë me ultësirën e Jezreelit që e rrethon, ka një histori të gjatë me beteja vendimtare. «Gjatë gjithë historisë, Megidoja dhe lugina e Jezreelit kanë qenë sheshi i betejës për luftëra që kanë përcaktuar vetë rrjedhën e qytetërimit»,—shkruan historiani Erik H. Klajn në librin The Battles of Armageddon.

Sikurse pohon Klajni, betejat që janë zhvilluar pranë Megidos shpesh kanë qenë vendimtare. Ushtritë mongole, të cilat pushtuan pjesën më të madhe të Azisë në shekullin e 13-të, pësuan humbjen e tyre të parë pikërisht në këtë luginë. Jo shumë larg nga Megidoja, forcat britanike nën drejtimin e gjeneralit Edmund Alenbi mundën turqit gjatë Luftës së Parë Botërore. Një historian ushtarak e përshkruan fitoren e gjeneralit Alenbi si «një nga fushatat vendimtare më të shpejta dhe një nga betejat vendimtare më të plota në tërë historinë».

Pranë Megidos janë zhvilluar edhe beteja vendimtare që raportohen në Bibël. Gjykatësi Barak mundi forcat kananite të Siserës. (Gjykatësit 4:14-16; 5:19-21) Pranë Megidos, Gideoni, vetëm me 300 burra, shpartalloi një ushtri të madhe midianite. (Gjykatësit 7:19-22) Mbreti Saul dhe biri i tij, Jonatani, vdiqën pranë malit Gilboa, ku forcat filistine mundën ushtrinë e Izraelit.—1 Samuelit 31:1-7.

Për shkak të vendndodhjes gjeografike e strategjike, në Megido dhe në luginën aty pranë janë zhvilluar dhjetra beteja gjatë 4.000 viteve të shkuara. Një historian ka llogaritur së paku 34!

Pa dyshim që historia e Megidos dhe vendndodhja e saj strategjike kanë lidhje me përdorimin figurativ të fjalës «Harmagedon». Ndonëse kjo fjalë del vetëm një herë në Bibël, konteksti në librin e Zbulesës tregon qartë se Harmagedoni do të ndikojë në jetën e çdo njeriu në tokë.

Harmagedoni sipas Biblës

Edhe pse shumë luftëra që janë bërë pranë Megidos ishin vendimtare, asnjëra prej tyre nuk shfarosi ligësinë. As nuk i ka vendosur me të vërtetë përballë njëra-tjetrës forcat e së mirës dhe të së keqes, në kuptimin e plotë të fjalës. Është logjike të mendojmë që kjo lloj lufte do të vijë nga Perëndia. Ashtu siç tha edhe Jezui «askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë». (Luka 18:19) Për më tepër, Bibla e quan Harmagedonin në mënyrë specifike si luftën e Perëndisë.

Libri biblik i Zbulesës thotë që «mbretërit e mbarë tokës së banuar» do të mblidhen «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14) Pastaj, tregimi profetik shton: «Ato i mblodhën ata së bashku në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon.» * (Zbulesa 16:16) Më pas Zbulesa shpjegon se ‘mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre do të mblidhen së bashku për të luftuar kundër atij që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij’. (Zbulesa 19:19) Ky kalorës nuk është askush tjetër veçse Jezu Krishti.—1 Timoteut 6:14, 15; Zbulesa 19:11, 12, 16.

Ç’përfundim duhet të nxjerrim nga këto vargje të Biblës? Që Harmagedoni është lufta ndërmjet Perëndisë dhe forcave të njerëzimit të pabindur. Por, përse do ta bëjnë këtë luftë Jehovai dhe Biri i tij, Jezu Krishti? Pikësëpari, Harmagedoni ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Për më tepër, ai do t’i hapë udhën një bote paqësore, ‘një toke të re që po e presim sipas premtimit të tij [Perëndisë]’ ku «do të banojë drejtësia».—2 Pjetrit 3:13.

Përse është i nevojshëm Harmagedoni?

A ju duket e vështirë të përfytyroni se Jehovai, «Perëndia i dashurisë», do ta caktonte për të luftuar Birin e tij, ‘Princin e Paqes’? (2 Korintasve 13:11; Isaia 9:6) Po të kuptojmë motivet e tyre, do ta kemi më të qartë arsyen. Libri i Psalmeve e përshkruan Jezuin si një luftëtar që kalëron. Përse lufton? Psalmisti shpjegon se Krishti kalëron «në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë». Ai lufton sepse e do drejtësinë dhe e urren ligësinë.—Psalmi 45:4, 7.

Bibla e përshkruan në mënyrë të ngjashme edhe reagimin e Jehovait ndaj padrejtësive që sheh sot në botë. Profeti Isaia shkruan: «ZOTI i ka parë këto dhe është i pakënaqur që nuk ka drejtësi. Ai do të veshë drejtësinë si parzmore dhe fuqinë shpëtuese si përkrenare. Ai do të vishet me dëshirën e fortë për t’i ndrequr gjërat, për të ndëshkuar dhe për t’u hakmarrë për të gjitha padrejtësitë që vuajnë njerëzit.»—Isaia 59:15, 17; Today’s English Version.

Për aq kohë sa pushtetin ta kenë të ligjtë, njerëzit e drejtë s’kanë për të gëzuar paqe e siguri. (Proverbat 29:2; Eklisiastiu 8:9) Në mënyrë realiste, nuk mund t’i shohim dot të ndarë korrupsionin dhe ligësinë nga njerëzit që i praktikojnë ato. Prandaj, paqja dhe drejtësia e përhershme kanë një çmim—heqjen e njerëzve të ligj. Solomoni shkroi se «i ligu është shpërblesë për të drejtin».—Proverbat 21:18.

Përderisa Gjykatësi është Perëndia, mund të jemi të sigurt se, në secilin rast, gjykimi kundër të ligjve do të jetë i drejtë. «A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?»—pyeti Abrahami. Ai mësoi se Jehovai është gjithnjë i drejtë! (Zanafilla 18:25) Veç kësaj, Bibla na siguron se Jehovai nuk kënaqet me shkatërrimin e të ligut; kjo është rrugëzgjidhja e tij e fundit.—Ezekieli 18:32; 2 Pjetrit 3:9.

Harmagedoni—Një luftë reale

Nga cila anë do të jemi në këtë konflikt vendimtar? Automatikisht, shumica nga ne do të thoshim se jemi me forcat e së mirës. Por, si mund të jemi të sigurt? «Kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë»,—nxit profeti Sofonia. (Sofonia 2:3) Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës»,—thotë apostulli Pavël.—1 Timoteut 2:4.

Hapi i parë drejt shpëtimit është të mësojmë të vërtetën për Jehovain dhe qëllimin e tij për ta pastruar tokën nga ligësia. Hapi i dytë, që do të na sjellë miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë, është të praktikojmë drejtësinë.

Nëse ndërmarrim këta hapa të rëndësishëm, faktikisht do ta presim Harmagedonin me padurim, luftën që do t’u japë vërtet fund luftërave njerëzore. Kur kjo luftë të ketë mbaruar, njerëzit anembanë botës do ta konsiderojnë luftën si diçka të pakuptimtë dhe të neveritshme. Ata «as do të mësojnë më të luftojnë».—Isaia 2:4.

[Shënimi]

^ par. 17 Për të parë nëse Harmagedoni është ose jo një vend i mirëfilltë, shihni artikullin «Lexuesit pyesin», në faqen 31.

[Diçitura në faqen 5]

Ndërhyrja e Perëndisë në çështjet e njerëzve quhet Harmagedon

[Figura në faqen 6]

Megidoja

[Figura në faqen 6]

Gideoni dhe njerëzit e tij fituan një betejë vendimtare pranë Megidos

[Figura në faqet 6, 7]

Kur Harmagedoni të ketë mbaruar, njerëzit anembanë botës do ta konsiderojnë luftën si diçka të pakuptimtë dhe të neveritshme

[Figura në faqen 8]

Hapi i parë drejt shpëtimit është të mësojmë të vërtetën për Jehovain dhe qëllimin e tij