Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Bari që interesohet për ty

Një Bari që interesohet për ty

Afrojuni Perëndisë

Një Bari që interesohet për ty

Mateu 18:12-14

‘A INTERESOHET Perëndia për mua?’ Nëse ia ke bërë vetes ndonjëherë këtë pyetje, nuk je i vetmi. Shumë prej nesh përballemi me vuajtje e telashe dhe hera-herës mund të pyesim veten nëse Krijuesi i universit të paanë na vëren ndopak. Kemi nevojë të dimë: a interesohet Perëndia Jehova për ne si individë? Kur ishte në tokë, Jezui, i cili e njeh Jehovain më mirë se kushdo, dha me anë të një ilustrimi një përgjigje që të ngroh zemrën.

Duke e bazuar ilustrimin e tij në jetën baritore, Jezui tha: «Nëse një njeri ka njëqind dele dhe njëra humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai nëntëdhjetë e nëntë në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën? Ja ku ju them: po ta gjejë, ai do të gëzojë më shumë për të, se për ato nëntëdhjetë e nëntë që nuk e kanë humbur rrugën. Po ashtu edhe Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.» (Mateu 18:12-14) Le të shohim se si këtu Jezui i bën një përshkrim të gjallë kujdesit të butë që ka Jehovai për çdonjërin nga adhuruesit e Tij.

Bariu ndiente përgjegjësi për secilën nga delet. Kur një dele humbte rrugën, ai e dinte mirë cila mungonte. Njihte çdo dele me emrin që i kishte vënë. (Gjoni 10:3) Bariu i dashur nuk gjente prehje derisa delja e humbur të ishte sërish në tufë. Edhe pse shkonte pas së humburës, nuk i vinte në rrezik 99 delet e tjera. Barinjtë shpesh rrinin tok dhe i linin tufat të përziheshin. * Kështu bariu që nisej në kërkim të së humburës, mund t’i linte për pak kohë delet nën kujdesin e barinjve të tjerë. Kur e gjente shëndoshë e mirë delen e humbur, bariu gëzohej. Pasi e vinte mbi supe krijesën e trembur, e kthente në tufë ku ishte e mbrojtur dhe e sigurt.​—Luka 15:5, 6.

Duke shpjeguar ilustrimin, Jezui tha se Perëndia nuk do që «asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund». Më parë Jezui i kishte paralajmëruar dishepujt e tij që të mos pengonin ‘një nga ata të vegjël që tregonin besim tek ai’. (Mateu 18:6) Pra, çfarë na mëson për Jehovain ilustrimi i Jezuit? Ai është një Bari që interesohet thellësisht për çdo dele, edhe për ‘të vegjlit’—për ata që mund të duken të parëndësishëm nga pikëpamja e botës. Po, në sytë e Perëndisë çdo adhurues i tij është i veçantë dhe i vyer.

Në rast se dëshiron me zjarr të sigurohesh se Perëndia të çmon, përse të mos mësosh më shumë për Bariun e Madh, Perëndinë Jehova, dhe si t’i afrohesh atij. Kështu mund të kesh sigurinë që kishte apostulli Pjetër, i cili pa dyshim e dëgjoi nga goja e Jezuit ilustrimin për delen e humbur. Më vonë Pjetri shkroi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

[Shënimi]

^ par. 3 Nuk ishte problem t’i ndaje tufat, sepse çdo dele i përgjigjej thirrjes së veçantë të bariut të saj.​—Gjoni 10:4.