Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Çlirimi juaj po afrohet»

«Çlirimi juaj po afrohet»

«Drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»LUKA 21:28.

KËNGËT: 133, 43

1. Cilat ngjarje ndodhën në vitin 66 të e.s.? (Shih figurën hapëse.)

IMAGJINO sikur je një i krishterë që jeton në Jerusalem në vitin 66 të e.s. Kohët e fundit në qytet kanë ndodhur shumë ngjarje. Së pari, guvernatori romak, Flori, ka konfiskuar 17 talenta nga thesari i tempullit të shenjtë. Menjëherë judenjtë ngrihen në revoltë, shpartallojnë forcat romake në Jerusalem dhe shpallin pavarësinë nga Roma. Por Roma vepron vrik. Brenda tre muajve, Jerusalemin e rrethojnë 30.000 trupa me në krye guvernatorin romak të Sirisë, Cest Galin. Sakaq ushtarët hyjnë në rrethinat e qytetit dhe rebelët judenj tërhiqen brenda murit të tempullit për t’u mbrojtur. Më pas ushtarët romakë fillojnë të prishin murin e jashtëm të zonës së tempullit. Të gjithë qytetin po e zë paniku. Si ndihesh teksa sheh gjithë këtë?

2. Çfarë duhej të bënin të krishterët në vitin 66 të e.s., dhe si ia dolën mbanë?

2 Pa dyshim që të kujtohet paralajmërimi i Jezuit që gjejmë tek Ungjilli i Lukës: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar.» (Luka 21:20) Pas kësaj Jezui udhëzoi: «Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen, dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet.» (Luka 21:21) Ndoshta pyet veten: «Si t’u bindem këtyre udhëzimeve? Si vallë mund të largohem nga Jerusalemi ndërkohë që është i rrethuar nga kaq shumë ushtarë?» Sakaq ndodh diçka e çuditshme. Tamam përpara syve të tu trupat romakë nisin të tërhiqen. Siç ishte parathënë, sulmi i tyre po ‘shkurtohet’. (Mat. 24:22) Tani ke rastin t’u bindesh udhëzimeve të Jezuit. Pa humbur kohë ikën në malet që ndodhen në anën tjetër të lumit Jordan bashkë me të gjithë të krishterët besnikë në Jerusalem e në periferi të tij. * Më vonë, në vitin 70 të e.s., një ushtri tjetër romake turret drejt qytetit dhe e shkatërron. Ama ti shpëtove ngaqë iu binde udhëzimeve të Jezuit.

3. Me cilën situatë do të përballemi së shpejti, dhe ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Shpejt, madje shumë shpejt, secili prej nesh do të përballet me një situatë të ngjashme. Jezui i paralajmëroi dishepujt për shkatërrimin e Jerusalemit. Gjithashtu i përdori ato ngjarje të shekullit të parë edhe për të treguar atë që do të ndodhë kur të shpërthejë papritur ‘shtrëngimi i madh’. (Mat. 24:3, 21, 29) Mirëpo ‘një shumicë e madhe’ do të mbijetojë nga ajo katastrofë botërore, dhe ky është një lajm i mirë për ne. (Lexo Zbulesën 7:9, 13, 14.) Çfarë na thotë Bibla për këto ngjarje që na presin? Përgjigjja duhet të na interesojë jashtë mase, pasi nga kjo varet shpëtimi ynë. Tani le të shqyrtojmë me hollësi si do të ndikojnë këto ngjarje te secili prej nesh.

FILLIMI I SHTRËNGIMIT TË MADH

4. Çfarë do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh, dhe si do të ndodhë kjo?

4 Si do të nisë shtrëngimi i madh? Nga libri i Zbulesës kuptojmë se do të fillojë me shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’. (Zbul. 17:5-7) Sa me vend është krahasimi i gjithë fesë së rreme me një prostitutë! Kleri ka vepruar si prostitutë me udhëheqësit e kësaj bote të ligë. Në vend që të mbështetë besnikërisht Jezuin dhe Mbretërinë e tij, kleri ka përkrahur qeveritarët njerëzorë dhe ka bërë kompromis me parimet hyjnore vetëm e vetëm për të pasur ndikim në çështjet politike. Ai është si nata me ditën me të mirosurit e Perëndisë, të cilët krahasohen me një «virgjëreshë të dëlirë». (2 Kor. 11:2; Jak. 1:27; Zbul. 14:4) Por kush do ta shkatërrojë organizatën që ngjan si prostitutë? Perëndia Jehova do të vërë «mendimin e tij» në zemrën e ‘dhjetë brirëve të bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur’. Këta brirë përfaqësojnë të gjitha fuqitë politike sot që mbështetin Kombet e Bashkuara, një organizatë që simbolizohet nga ‘bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur’.Lexo Zbulesën 17:3, 16-18.

5, 6. Pse nxjerrim përfundimin se shkatërrimi i Babilonisë së Madhe nuk sjell vdekjen e gjithë besimtarëve të saj?

5 Por a duhet të nxjerrim përfundimin se shkatërrimi i feve të Babilonisë së Madhe sjell vdekjen e të gjithë anëtarëve të dikurshëm të tyre? Me sa duket jo. Nën frymëzim, profeti Zakaria shkroi për atë kohë dhe përshkroi dikë që më parë ishte pjesëtar i fesë së rreme: «Ai do të thotë: ‘Nuk jam profet, jam një njeri që punon tokën, sepse një njeri më mori që në rininë time.’ Do ta pyesin: ‘Ç’janë këto plagë që ke në trup?’ Ai do të përgjigjet: ‘Janë plagët që m’u bënë nga goditjet që mora në shtëpinë e atyre që më donin me zjarr.’» (Zak. 13:4-6) Pra, siç duket edhe disa pjesëtarë të klerit do ta braktisin fenë e tyre dhe do të mohojnë se ishin pjesë e atyre feve të rreme.

6 Po me popullin e Perëndisë ç’do të ndodhë në atë kohë? Jezui shpjegon: «Në të vërtetë, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Mat. 24:22) Siç e pamë, në vitin 66 të e.s. shtrëngimi ‘u shkurtua’. Kjo u dha mundësi «të zgjedhurve», pra të krishterëve të mirosur, të iknin nga qyteti e nga rrethinat e tij. Në mënyrë të ngjashme, pjesa e parë e shtrëngimit të madh që po vjen ‘do të shkurtohet’ për shkak «të të zgjedhurve». «Dhjetë brirët» politikë nuk do të lejohen ta shfarosin popullin e Perëndisë. Përkundrazi, do të ketë një ndërprerje të shkurtër.

KOHË SPROVE DHE GJYKIMI

7, 8. Çfarë mundësie do të kemi pas shkatërrimit të organizatave të rreme fetare, dhe çfarë do të tregojë se populli besnik i Perëndisë dallon nga të tjerët?

7 Çfarë do të ndodhë pas shkatërrimit të organizatave të rreme fetare? Do të jetë momenti të tregojmë çfarë kemi vërtet në zemër. Shumica e njerëzve do të kërkojnë strehë tek organizatat njerëzore që krahasohen me ‘shkëmbinjtë e maleve’. (Zbul. 6:15-17) Kurse populli i Perëndisë në mënyrë simbolike do të hyjë në strehën që siguron Jehovai. Në shekullin e parë, gjatë intervalit nuk ishte koha që një grup i madh judenjsh të bëheshin të krishterë. Ishte koha që të vepronin e të bindeshin ata që tashmë ishin të krishterë. Po ashtu, nuk mund të presim që falë asaj ndërprerjeje që do të ndodhë në shtrëngimin e madh të vijnë në të vërtetën një dyndje njerëzish. Por të gjithë besimtarëve të vërtetë do t’u jepet rasti të tregojnë sa e duan Jehovain dhe të mbështetin vëllezërit e Krishtit.Mat. 25:34-40.

8 Ndonëse s’e kuptojmë plotësisht gjithçka që do të ndodhë gjatë asaj kohe sprove, e dimë se do të kërkohet njëfarë sakrifice nga ana jonë. Që të mbijetonin, të krishterët në shekullin e parë duhej të linin pas gjërat materiale e të duronin vështirësitë. (Mar. 13:15-18) A do të jemi gati të humbim gjërat materiale që të mbetemi besnikë? A do të bëjmë gjithçka që na kërkohet për t’i qëndruar besnikë Jehovait? Të mendojmë pak: në atë kohë ne do të jemi të vetmit që do të ndjekim shembullin e profetit të lashtë Daniel. Do të vazhdojmë të adhurojmë Perëndinë tonë, të ndodhë ç’të ndodhë.Dan. 6:10, 11.

9, 10. (a) Cilin mesazh do të shpallë populli i Perëndisë në atë kohë? (b) Si do të reagojnë armiqtë e Perëndisë?

9 Kjo nuk do të jetë koha për të predikuar ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’. Ajo kohë do të ketë kaluar. Tani vjen «fundi». (Mat. 24:14) S’do mend që populli i Perëndisë do të japë një mesazh të rëndë gjykimi. Kjo fare mirë mund të përfshijë ndonjë deklaratë që shpall se botës së ligë të Satanait i erdhi fundi. Bibla e krahason këtë mesazh me breshrin: «Mbi njerëzit ra nga qielli një breshër i madh, me kokrrat gati sa pesha e një talente. Njerëzit blasfemuan Perëndinë për shkak të plagës së breshrit, sepse kjo plagë ishte jashtëzakonisht e madhe.»Zbul. 16:21.

10 Asgjë nga këto nuk do t’u shpëtojë syve të armiqve tanë. Profeti Ezekiel shpjegon nën frymëzim se çfarë do të bëjë Gogu i Magogut, pra një koalicion kombesh: «Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Atë ditë do të të vlojnë në zemër mendime e do të kurdisësh një plan të keq. Do të thuash: ‘Do të shkoj kundër këtij vendi të parrethuar. Do t’u sulem atyre që nuk i shqetëson kush, që banojnë të gjithë të sigurt e të parrethuar me mure dhe që nuk kanë as derë e as shul’, me qëllimin që të zësh një pre të madhe e të bësh shumë plaçkë, të vësh dorë mbi vendet e populluara rishtas, që dikur ishin të shkreta, dhe mbi popullin e mbledhur nga kombet, që po grumbullon pasuri dhe prona, mbi ata që banojnë në zemër të tokës.”» (Ezek. 38:10-12) Në kuptimin frymor, populli i Perëndisë do të dallohet si i veçantë, sikur të qëndronte «në zemër të tokës». Kombet s’do ta durojnë dot këtë. Ato s’do t’i mbajë vendi derisa t’u vërsulen të mirosurve të Jehovait dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

11. (a) Çfarë duhet të mbajmë parasysh për radhën e ngjarjeve gjatë shtrëngimit të madh? (b) Si do të reagojnë njerëzit ndaj shenjave që do të shfaqen në qiell?

11 Teksa shqyrtojmë se ç’do të ndodhë tjetër, duhet të mbajmë parasysh se Fjala e Perëndisë nuk e tregon radhën e saktë të ngjarjeve. Ka shumë mundësi që disa ngjarje të ndodhin gjatë së njëjtës periudhë. Në profecinë për përfundimin e këtij sistemi, Jezui thotë: «Do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, kurse në tokë kombet do të jenë në ankth, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë nga buçitja e detit dhe trazimi i tij. Ndërkohë njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhin në tokën e banuar, sepse fuqitë e qiejve do të tronditen. Atëherë do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në një re me fuqi dhe lavdi të madhe.» (Luka 21:25-27; lexo Markun 13:24-26.) A do të përfshijë përmbushja e kësaj profecie shenja e ngjarje të frikshme në qiejt e mirëfilltë? Duhet të presim e të shohim se ç’do të ndodhë. Sidoqoftë, shenjat do të ngjallin terror e panik në zemrat e armiqve të Perëndisë.

Do të kemi qëndrim pozitiv, të sigurt për çlirimin (Shih paragrafët 12, 13.)

12, 13. (a) Ç’do të ndodhë kur Jezui të vijë «me fuqi dhe lavdi të madhe»? (b) Si do të reagojnë shërbëtorët e Perëndisë në atë kohë?

12 Ç’do të ndodhë kur Jezui të vijë «me fuqi dhe lavdi të madhe»? Do të jetë koha për të shpërblyer besnikët dhe për të ndëshkuar jobesnikët. (Mat. 24:46, 47, 50, 51; 25:19, 28-30) Sipas Mateut, Jezui e përfundon profecinë për shenjën e përbërë me shëmbëlltyrën e deleve e të cjepve. Ai tha: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.» (Mat. 25:31-33) Çfarë gjykimi do t’u shpallet deleve dhe cjepve? Shëmbëlltyra përfundon kështu: «Ata [cjeptë] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.»Mat. 25:46.

13 Si do të reagojnë cjeptë kur ta kuptojnë se i pret ‘vdekja e përhershme’? «Do të godasin gjoksin e do të vajtojnë.» (Mat. 24:30) Po vëllezërit e Krishtit dhe shokët e tyre besnikë, si do të reagojnë në atë kohë? Me besim të plotë te Perëndia Jehova e te Biri i tij, Jezu Krishti, do t’ia vënë veshin urdhrit të Jezuit: «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (Luka 21:28) Vërtet, do të kemi qëndrim pozitiv, të sigurt për çlirimin.

SHKËLQEJNË SI DIELLI NË MBRETËRI

14, 15. Çfarë është mbledhja e të zgjedhurve që do të ndodhë pasi të fillojë sulmi i Gogut të Magogut, dhe çfarë nënkupton?

14 Çfarë do të ndodhë pasi Gogu i Magogut të nisë sulmin ndaj popullit të Perëndisë? Si Mateu, edhe Marku flasin për të njëjtën ngjarje: «[Biri i njeriut] do të dërgojë engjëjt dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, nga skaji i tokës deri në skajin e qiellit.» (Mar. 13:27; Mat. 24:31) Kjo mbledhje e të zgjedhurve nuk i referohet as mbledhjes së parë të të mirosurve, as vulosjes përfundimtare të mbetjes së të mirosurve. (Mat. 13:37, 38) Kjo vulosje ndodh para se të shpërthejë shtrëngimi i madh. (Zbul. 7:1-4) Po çfarë është mbledhja e të zgjedhurve që përmend Jezui? Është koha kur mbetja e të 144.000-ve do të marrë shpërblimin qiellor. (1 Sel. 4:15-17; Zbul. 14:1) Kjo do të ndodhë diku pas shpërthimit të sulmit të Gogut të Magogut. (Ezek. 38:11) Atëherë do të përmbushen këto fjalë të Jezuit: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.»Mat. 13:43. *

15 A do të thotë kjo se do të ndodhë një «rrëmbim» në qiell i të mirosurve? Shumë kisha mësojnë se të krishterët do të rrëmbehen ose do të merren në qiell me trupat e tyre fizikë. Për më tepër, sipas tyre Jezui do të kthehet në mënyrë të dukshme për të sunduar në tokë. Gjithsesi, Bibla tregon qartë se në qiell do të shfaqet «shenja e Birit të njeriut» dhe se Jezui do të vijë «në retë e qiellit». (Mat. 24:30) Të dyja këto shprehje nënkuptojnë diçka të padukshme. Për më tepër «mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë». Prandaj ata që do të merren në qiell së pari duhet ‘të shndërrohen në një çast, sa hap e mbyll sytë, gjatë trumbetës së fundit’. * (Lexo 1 Korintasve 15:50-53.) Prandaj, megjithëse s’përdorim fjalën «rrëmbim» për shkak të ngjyrimit të saj të gabuar, mbetja e të mirosurve besnikë do të mblidhet së bashku në një çast të vetëm.

16, 17. Çfarë duhet të ndodhë para se të bëhet martesa e Qengjit në qiell?

16 Kur 144.000 të mirosurit të jenë të gjithë në qiell, mund të bëhen përgatitjet e fundit për martesën e Qengjit. (Zbul. 19:9) Por para asaj ngjarjeje të hareshme do të ndodhë diçka tjetër. Sill ndër mend se Gogu do ta sulmojë popullin e Perëndisë pak para se mbetja e 144.000 të mirosurve të merret në qiell. (Ezek. 38:16) Si do të reagojnë besnikët kur të ndodhë ky sulm? Në tokë populli i Perëndisë do të duket i pambrojtur. Ata do t’u binden udhëzimeve që u dhanë në ditët e mbretit Jehozafat: «Në këtë rast nuk keni nevojë të luftoni. Zini vend, rrini pa lëvizur dhe shihni se si do t’ju shpëtojë Jehovai. O Judë dhe Jerusalem, mos kini frikë, as mos u tmerroni.» (2 Kron. 20:17) Kurse në qiell do të ketë një reagim tjetër. Kur përshkruan kohën që të gjithë të mirosurit do të jenë në qiell, Zbulesa 17:14 na tregon për armiqtë e popullit të Perëndisë: «Këta do të luftojnë me Qengjin, por, meqë është Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve, Qengji do t’i mundë, e po kështu edhe të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit që janë me të.» Pra, së bashku me 144.000 bashkëqeveritarët e tij në qiell, Jezui do të shpëtojë popullin e Perëndisë këtu në tokë.

17 Lufta vijuese e Harmagedonit do të sjellë lartësimin e emrit të shenjtë të Jehovait. (Zbul. 16:16) Atëherë, të gjithë ata që do të gjykohen si cjep «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme». Më në fund toka do të pastrohet nga e gjithë ligësia, dhe shumica e madhe do të shpëtojë gjatë pjesës së fundit të shtrëngimit të madh. Tani që janë bërë të gjitha përgatitjet, mund të bëhet dasma e Qengjit, që është ngjarja më kulmore e librit të Zbulesës. (Zbul. 21:1-4) * Të gjithë ata që do të mbijetojnë në tokë do të gëzojnë miratimin dhe dashurinë e pashtershme të Perëndisë. Çfarë dasme fantastike do të jetë! A nuk e presim me padurim?Lexo 2 Pjetrit 3:13.

18. Për çfarë duhet të jemi të vendosur tani që jemi në prag të këtyre ngjarjeve emocionuese të parathëna?

18 Çfarë duhet të bëjë secili nga ne tani që jemi në prag të këtyre ngjarjeve emocionuese? Apostulli Pjetër u frymëzua të shkruante: «Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen, tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait. . . . Prandaj, o të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që në fund, të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe.» (2 Pjet. 3:11, 12, 14) Le të jemi të vendosur të qëndrojmë të pastër frymësisht, duke përkrahur Mbretin e paqes.

^ par. 15 Trupat fizikë të të mirosurve që do të jenë gjallë në atë kohë nuk do të merren në qiell. (1 Kor. 15:48, 49) Ka gjasa që Jehovai t’i zhdukë trupat e tyre njësoj si bëri me trupin e Jezuit.

^ par. 17 Edhe Psalmi 45 na tregon diçka për radhën e ngjarjeve. Së pari, Mbreti mbaron luftën dhe pastaj bëhet martesa.