Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata «i panë» gjërat e premtuara

Ata «i panë» gjërat e premtuara

«Nuk e morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg.»HEBR. 11:13.

1. Si mund të na sjellë dobi aftësia për t’i përfytyruar gjërat që s’i kemi parë? (Shih figurën hapëse.)

AFTËSIA për të përfytyruar gjërat që s’i kemi parë është dhuratë nga Perëndia. Falë saj mund të bëjmë plane me mençuri dhe të presim me padurim të shijojmë gjërat e mira. Jehovai mund të parashohë ngjarjet e së ardhmes dhe shpesh na i tregon paraprakisht në Shkrime. Edhe ne mund të shohim me sytë e mendjes se ç’do të ndodhë. Në fakt, aftësia për të imagjinuar gjërat që nuk shihen na ndihmon të tregojmë besim.2 Kor. 4:18.

2, 3. (a) Pse ka rëndësi ku i bazojmë përfytyrimet tona? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë gjatë këtij studimi?

2 Përfytyrimi i diçkaje që s’e kemi parë kurrë nuk bazohet gjithmonë te realiteti. Për shembull, nëse një vogëlushe imagjinon sikur po fluturon mbi një flutur, kjo është veç fantazi. Ama kur Hana bluajti në mend momentin që do të çonte të birin, Samuelin, për të shërbyer në tabernakull, kishte një bazë reale për atë që përfytyronte. Ky përfytyrim bazohej te vendimi i saj dhe e ndihmoi të përqendrohej te synimi që kishte. (1 Sam. 1:22) Edhe ne, kur përfytyrojmë gjërat që ka premtuar Perëndia, mendojmë për diçka që do të ndodhë se s’bën.2 Pjet. 1:19-21.

3 Pa dyshim, shumë besnikë të kohëve biblike i panë me sytë e mendjes gjërat që kishte premtuar Perëndia. Si nxorën dobi nga përfytyrimi i bekimeve të ardhshme? Si mund të nxjerrim dobi edhe ne kur meditojmë për gjërat e mrekullueshme që ka parathënë Perëndia për njerëzit e bindur?

MORËN FORCË NGAQË «E PANË» SHPRESËN E TYRE

4. Ku e bazonte Abeli atë që përfytyronte për të ardhmen?

4 A «pa» Abeli, njeriu i parë besnik, plotësimin e ndonjë premtimi të Jehovait? Nuk mund të themi se ai e dinte qysh më parë si do të plotësohej përfundimisht premtimi që nënkuptohet nga fjalët e Perëndisë drejtuar gjarprit: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zan. 3:14, 15) Gjithsesi, Abeli duhet të ketë menduar goxha për këtë premtim dhe duhet ta ketë kuptuar se dikush ‘do të plagosej në thembër’ që njerëzimi të rifitonte përsosmërinë që gëzonin Adami dhe Eva para se të mëkatonin. Çfarëdo që të ketë përfytyruar për të ardhmen Abeli, besimi i tij bazohej te premtimi i Perëndisë, prandaj Jehovai e pranoi flijimin që paraqiti.Lexo Zanafillën 4:3-5; Hebrenjve 11:4.

5. Pse Enokut mund t’i ketë dhënë zemër ajo që përfytyroi për të ardhmen?

5 Enoku besnik tregoi besim, edhe pse kishte të bënte me njerëz të paperëndishëm që thoshin gjëra skandaloze kundër Perëndisë. Nën frymëzim hyjnor, Enoku profetizoi se Jehovai do të vinte ‘me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë, që të ekzekutonte gjykimin kundër të gjithëve, që të shpallte fajtorë tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme, që i bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm’. (Jud. 14, 15) Si njeri që tregoi besim, Enoku mund të ketë parë me sytë e mendjes një botë pa paperëndishmëri.Lexo Hebrenjve 11:5, 6.

6. Ku mund ta ketë mbajtur mendjen Noeja pas Përmbytjes?

6 Falë besimit, Noeja i mbijetoi Përmbytjes. (Hebr. 11:7) Pas Përmbytjes, besimi e nxiti të paraqiste flijime në kafshë. (Zan. 8:20) Njësoj si Abeli, pa dyshim që ai kishte besim se me kohë njerëzimi do të çlirohej nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Edhe kur nisi epoka e errët pas Përmbytjes, gjatë së cilës Nimrodi iu kundërvu Jehovait, Noeja nuk e humbi besimin dhe shpresën. (Zan. 10:8-12) Ka shumë të ngjarë që t’i ngrohej zemra kur e mendonte njerëzimin të çliruar nga sundimi shtypës, nga mëkati i trashëguar dhe nga vdekja. Edhe ne mund «ta shohim» një të ardhme të tillë fantastike, që tani e kemi te pragu.Rom. 6:23.

«E PANË» PËRMBUSHJEN E PREMTIMEVE

7. Ç’të ardhme mund «të kenë parë» Abrahami, Isaku dhe Jakobi?

7 Abrahami, Isaku dhe Jakobi mund të kenë parë me sytë e mendjes një të ardhme të ndritur, sepse Perëndia kishte premtuar se nëpërmjet pasardhjes së tyre, gjithë kombet e tokës do të merrnin bekime. (Zan. 22:18; 26:4; 28:14) Pasardhësit e atyre patriarkëve do të bëheshin të shumtë dhe do të banonin në Tokën e Premtuar që do t’u jepte Perëndia. (Zan. 15:5-7) Me anë të besimit, ata burra me frikë Perëndie mund «të shihnin» brezat pas tyre tek zotëronin atë vend. Madje, qysh nga koha kur njerëzimi humbi përsosmërinë, Jehovai i ka siguruar shërbëtorët besnikë se bekimet që Adami nuk i meritoi, s’kanë humbur përgjithmonë.

8. Çfarë e ndihmoi Abrahamin të shfaqte besim të jashtëzakonshëm?

8 Ka shumë të ngjarë që Abrahami të ketë shfaqur besim në mënyra mbresëlënëse falë aftësisë për të përfytyruar atë që kishte premtuar Perëndia. Siç tregojnë Shkrimet, edhe pse Abrahami dhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë «nuk e morën përmbushjen e premtimeve» sa ishin gjallë, «i panë ato nga larg e i mirëpritën». (Lexo Hebrenjve 11:8-13.) Abrahami kishte aq shumë dëshmi të qarta se shpresa e tij do të bëhej realitet, sa ishte sikur t’i shihte gjërat që s’i kishte parë.

9. Ç’dobi i solli Abrahamit besimi te premtimet e Perëndisë?

9 Besimi te premtimet e Perëndisë ia forcoi Abrahamit vendosmërinë që të bënte vullnetin e Tij. I motivuar nga besimi, ai la qytetin e Urit dhe nuk pranoi të banonte gjatë në ndonjë qytet të Kanaanit. Ashtu si Uri, ato qytete kishin themele të paqëndrueshme për shkak të qeverive të paperëndishme. (Jos. 24:2) Gjithë pjesën tjetër të jetës së tij të gjatë, Abrahami ‘priti qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia’. (Hebr. 11:10) Ai «e pa» veten duke jetuar në një vend të përhershëm nën qeverisjen e Jehovait. Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami dhe të tjerë si ata besonin se të vdekurit do të ringjallen e mezi pritnin të jetonin në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë, nën «qytetin që ka themele të vërteta». Besimi te Jehovai iu forcua teksa bluanin në mend bekime të tilla.Lexo Hebrenjve 11:15, 16.

10. Ç’mund të ketë përfytyruar Sara nisur nga premtimi që i bëri Jehovai Abrahamit?

10 Të mendojmë edhe për gruan e Abrahamit, Sarën. Kur ishte 90 vjeçe dhe pa fëmijë, pikëpamja pozitive për të ardhmen i dha forcë të vepronte me besim. Për të ishte sikur t’i shihte pasardhësit e vet tek shijonin bekimet e premtuara nga Jehovai. (Hebr. 11:11, 12) Pse kishte një shpresë kaq të fortë? Sepse Jehovai i kishte thënë bashkëshortit të saj: «Unë do ta bekoj atë, dhe nga ajo do të të jap një djalë. Unë do ta bekoj, dhe nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër popujsh.» (Zan. 17:16) Pasi lindi Isakun, Sara kishte arsye të fortë që të përfytyronte plotësimin e pjesës tjetër të premtimit që Perëndia i kish bërë Abrahamit. Edhe ne e kemi këtë dhuratë të mrekullueshme: aftësinë për t’i parë me sytë e mendjes gjërat e mira që ka premtuar Perëndia e që do të ndodhin pa pikë dyshimi.

E MBANTE SHIKIMIN NGULUR TE SHPËRBLIMI

11, 12. Si e ushqeu Moisiu dashurinë për Jehovain?

11 Edhe Moisiu tregoi besim te Jehovai duke ushqyer dashuri të thellë për Perëndinë. Gjatë fëmijërisë dhe rinisë, kur ishte pjesëtar i familjes mbretërore të Egjiptit, Moisiut fare kollaj mund t’i lindte dashuria për pasuri e pushtet. Por me sa duket, prindërit e vërtetë i mësuan Moisiut për Jehovain dhe për qëllimin e Tij që t’i çlironte hebrenjtë nga skllavëria e t’u jepte Tokën e Premtuar. (Zan. 13:14, 15; Dal. 2:5-10) Nëse Moisiu bluante shpesh në mend bekimet që e pritnin popullin e Perëndisë, sipas teje çfarë do t’i rritej në zemër—dashuria për lavdi personale apo dashuria për Jehovain?

12 Shkrimet na tregojnë: «Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit, sepse e konsideroi poshtërimin e Krishtit si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, dhe e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit.»Hebr. 11:24-26.

13. Si i solli dobi Moisiut meditimi i thellë për gjithë sa kishte premtuar Perëndia?

13 Teksa meditonte thellë për gjithë sa kishte premtuar të bënte Jehovai për izraelitët, Moisiut i rritej besimi dhe dashuria për Perëndinë e tij. Ashtu si të tjerë me frikë Perëndie, ka gjasa të imagjinonte kohën kur Jehovai do ta çlironte njerëzimin nga vdekja. (Jobi 14:14, 15; Hebr. 11:17-19) S’është çudi që Moisiut i brofte zemra nga dashuria për Perëndinë që i dhimbseshin hebrenjtë dhe mbarë njerëzimi. Besimi dhe dashuria e motivuan Moisiun gjatë gjithë jetës. (Ligj. 6:4, 5) Madje edhe kur faraoni e kërcënoi me vdekje, besimi, dashuria për Perëndinë si edhe një tablo e gjallë për të ardhmen e shkëlqyer i dhanë forcë Moisiut t’i bënte ballë me guxim kërcënimit.Dal. 10:28, 29.

TË PËRFYTYROJMË REALITETET E MBRETËRISË

14. Ç’lloj mendimesh janë veç ëndrra me sy hapur?

14 Shumë veta sot krijojnë përfytyrime jorealiste për të ardhmen. Për shembull, edhe kur janë të këputur nga ana materiale, ëndërrojnë pasuri përrallore e siguri të plotë, ndërkohë që sot jeta është e mbushur me «telashe e të këqija». (Psal. 90:10) Fantazojnë një jetë pa halle falë ndonjë qeverie njerëzore, ndërkohë që Bibla tregon se e vetmja shpresë e vërtetë për njerëzimin është Mbretëria e Perëndisë. (Dan. 2:44) Shumë veta mendojnë se Perëndia nuk do ta shkatërrojë këtë sistem të lig, por Bibla paraqet një tablo krejt tjetër. (Sof. 1:18; 1 Gjon. 2:15-17) Këto shpresa të njerëzve që e shpërfillin qëllimin e Jehovait për të ardhmen janë veç ëndrra me sy hapur.

A «e sheh» veten në botën e re? (Shih paragrafin 15.)

15. (a) Si nxjerrin dobi të krishterët e vërtetë kur përfytyrojnë shpresën e tyre? (b) Përmend diçka që mezi e pret teksa Perëndia plotëson premtimet e tij.

15 Nga ana tjetër, si të krishterë të vërtetë marrim zemër kur përfytyrojmë shpresën tonë, qoftë qiellore, qoftë tokësore. A e sheh veten tek shijon gjërat që ka premtuar Perëndia? Patjetër që të mbushet zemra me gëzim kur imagjinon se ç’mund të bësh teksa Perëndia plotëson qëllimet e tij. Ndoshta «e sheh» veten duke jetuar përgjithmonë në tokë. Imagjino bashkëpunimin me të tjerët për ta kthyer mbarë planetin në parajsë. Njerëzit rreth teje e duan Jehovain, tamam si ti. Je plot shëndet, energji dhe para teje shpaloset një e ardhme e shkëlqyer. Punon tërë qejf për ta kthyer tokën në parajsë, ngaqë ata që mbikëqyrin punën merakosen nga zemra për ty. Kënaqesh duke përdorur talentet dhe aftësitë, sepse çdo gjë që bën u sjell dobi të tjerëve dhe nderon Perëndinë. Për shembull, i ndihmon të saporingjallurit të njohin Jehovain. (Gjoni 17:3; Vep. 24:15) Kjo nuk është aspak fantazi. Gjithë këto përfytyrime të bukura bazohen në të vërtetat biblike për të ardhmen.—Isa. 11:9; 25:8; 33:24; 35:5-7; 65:22.

PSE TË BISEDOJMË PËR SHPRESËN TONË?

16, 17. Si nxjerrim dobi kur bisedojmë për shpresën tonë?

16 Përfytyrimi ynë për të ardhmen bëhet akoma më i gjallë kur bisedojmë me bashkëbesimtarët se ç’do të na pëlqente të bënim ndërsa Jehovai plotëson premtimet e tij. Vërtet, asnjë prej nesh nuk e di saktësisht në ç’rrethana do të jetojë në botën e re. Sidoqoftë, kur bisedojmë për mundësitë që kemi para, i japim zemër njëri-tjetrit dhe shprehim besimin se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Kur apostulli Pavël vizitoi vëllezërit në Romë, s’do mend që e vlerësuan mundësinë ‘për të inkurajuar njëri-tjetrin’, siç e vlerësojmë edhe ne në këto kohë të trazuara.—Rom. 1:11, 12.

17 Kur shohim me sytë e mendjes të ardhmen, e kemi më kollaj t’u vëmë fre mendimeve negative për hallet tona. Mbase apostullin Pjetër e shqetësonin mendime të tilla kur i tha Jezuit: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. Vallë, ç’do të ketë për ne?» Për ta ndihmuar Pjetrin dhe të pranishmit që të përfytyronin të ardhmen, Jezui u përgjigj: «Vërtet po ju them se në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.» (Mat. 19:27-29) Kështu, Pjetri dhe dishepujt e tjerë mund të meditonin për rolin e tyre në Mbretërinë që do të qeveriste tokën dhe që do të derdhte bekime të mrekullueshme mbi njerëzit e bindur.

18. Si nxjerrim dobi sot kur bluajmë në mend plotësimin e premtimeve të Perëndisë?

18 Meditimi për plotësimin e premtimeve hyjnore u ka sjellë gjithmonë dobi shërbëtorëve të Jehovait në tokë. Abeli kishte aq njohuri për qëllimet e Perëndisë, sa të imagjinonte një të ardhme më të mirë, të tregonte besim dhe të përqafonte një shpresë të sigurt. Abrahami shfaqi besim në mënyra mbresëlënëse, sepse «pa» diçka nga plotësimi i profecisë së Perëndisë për pasardhjen e premtuar. (Zan. 3:15) Moisiu «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit» duke vepruar me besim dhe duke thelluar dashurinë për Jehovain. (Hebr. 11:26) Patjetër që edhe besimi ynë te Perëndia e dashuria për të do të rriten, teksa përdorim aftësinë për të përfytyruar plotësimin e premtimeve të Jehovait. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta përdorim sa më mirë këtë dhuratë nga Perëndia.