JETËSHKRIM
Ngjarje të spikatshme nga jeta ime në shërbimin e Mbretërisë
Më 1947 ca priftërinj katolikë në Santa-Anë, Salvador, u përpoqën t’u hapnin telashe Dëshmitarëve. Ndërsa vëllezërit mbanin studimin e përjavshëm të Kullës së Rojës, disa djem hidhnin gurë të mëdhenj nga dera e hapur e shtëpisë misionare. Pastaj aty kaloi një procesion me priftërinj në krye ku disa njerëz mbanin pishtarë, të tjerë ikona. Për dy orë qëllonin me gurë ndërtesën dhe thërritnin pareshtur: «Rroftë Virgjëresha!» dhe «Vdektë Jehovai!» Synimi ishte që misionarët të trembeshin aq sa t’ia mbathnin nga qyteti. E di këtë, sepse isha një nga misionarët në atë mbledhje 67 vjet më parë. *
DY VJET para se të ndodhte kjo, unë dhe Evelina Trebërti, shoqja ime misionare, u diplomuam në klasën e katërt të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, që atëherë bëhej afër Itakës, Nju-Jork, dhe u caktuam të shërbenim në Santa-Anë. Por, para se t’ju rrëfej diçka nga historia ime gati 29-vjeçare në shërbimin misionar, më lini t’ju tregoj pse vendosa t’i futesha kësaj vepre.
TRASHËGIMIA IME FRYMORE
Më 1923, vitin kur linda, prindërit e mi Xhon dhe Eva Olsoni, jetonin në Spokan, Uashington, SHBA. Ishin luteranë, por nuk e pranonin doktrinën kishtare të ferrit të zjarrtë, sepse nuk pajtohej me bindjen e tyre se Perëndia është i dashur. (1 Gjon. 4:8) Babai punonte në një furrë buke. Një natë një shok pune i shpjegoi se Bibla nuk mëson se ferri është vend torturash. S’kaloi shumë dhe prindërit filluan të studionin me Dëshmitarët e Jehovait e mësuan atë që tregon vërtet Bibla për jetën pas vdekjes.
Nuk isha më shumë se nëntë vjeçe, por nuk e harroj me sa entuziazëm shpreheshin prindërit për të vërtetat biblike të sapozbuluara. Entuziazmi iu shtua akoma më tepër kur mësuan emrin e Perëndisë së vërtetë, Jehova, dhe kur u çliruan nga doktrina pështjelluese e Trinitetit. Teksa i thithja si sfungjer gjërat e mrekullueshme të Biblës, mësoja ‘të vërtetën që të liron’. (Gjoni 8:32) Ja pse nuk më mërziste kurrë studimi i Fjalës së Perëndisë, por gjithmonë e kam shijuar. Edhe pse e ndrojtur, i shoqëroja prindërit në predikim. Ata u pagëzuan më 1934 dhe në vitin 1939, kur isha 16 vjeçe, u bëra edhe unë shërbëtore e pagëzuar e Jehovait.
Në verën e vitit 1940, prindërit shitën shtëpinë dhe që të tre filluam shërbimin e plotkohor si pionierë në Kër d’Alenë, Idaho. Jetonim në një apartament me qira sipër një servisi makinash. Në shtëpinë tonë mbaheshin edhe mbledhjet. Në atë kohë, kongregacionet rrallëherë kishin Sallën e tyre të Mbretërisë, ndaj mblidheshin në shtëpi private ose ambiente me qira.
Më 1941 bashkë me prindërit ndoqëm kongresin në Sent-Luis, Misuri. Të dielën ishte «Dita e Fëmijëve», dhe ata të moshës 5-18 vjeç ishin ulur mu para podiumit. Në momentin kulmor të fjalimit, vëlla Xhozef F. Radhërfordi na u drejtua neve: «Të gjithë ju . . . fëmijë . . . që keni pranuar t’i bindeni Perëndisë dhe Mbretit të tij, ju lutem ngrihuni në këmbë!» Ne të gjithë u ngritëm. Pastaj, vëlla Radhërfordi deklaroi: «Ja, më shumë se 15.000 dëshmitarë të rinj të Mbretërisë!» Ai moment ma çelikosi vendimin që shërbimi i pionierit të ishte jeta ime.
CAKTIMET SI FAMILJE
Pak muaj pas kongresit në Sent-Luis, familja jonë u transferua në jug të Kalifornisë. Atje ishim caktuar të krijonim një kongregacion në qytetin e Oksnardit. Jetonim në një rulotë të vogël vetëm me një krevat. Tryeza e bukës bëhej «krevati» im çdo natë
Më 7 dhjetor 1941, pak para se të mbërrinim në Kaliforni, Japonia sulmoi Perl Harborin në Havai. Të nesërmen Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore. Autoritetet nxorën urdhër që të fikeshin të gjitha dritat natën. Nëndetëset japoneze patrullonin në brigjet e Kalifornisë, dhe errësira e plotë nuk i linte të merrnin ndonjë shënjestër në tokë.
Disa muaj më vonë, në shtator 1942, ndoqëm Asamblenë Teokratike Bota e Re në Klivlend, Ohajo. Atje dëgjuam fjalimin e vëlla Nejthën H. Norit: «Paqja: A mund të zgjatë?» Ai diskutoi kapitullin 17 të Zbulesës ku përshkruhet një ‘bishë’ që «ishte, por nuk është, e megjithatë është gati të ngjitet nga humnera». (Zbul. 17:8, 11) Vëlla Nori shpjegoi se «bisha» ishte Lidhja e Kombeve që më 1939 ishte joaktive. Bibla parathoshte se ajo do të zëvendësohej, e si pasojë do të vinte një kohë relativisht paqësore. Tamam ashtu ndodhi më 1945: Lufta II Botërore mbaroi e më pas «bisha» u rishfaq si Kombet e Bashkuara. Pastaj, Dëshmitarët e Jehovait e zgjeruan veprën botërore të predikimit. Ç’rritje e mahnitshme ka ndodhur që atëherë!
Falë asaj profecie kuptova ç’na priste. Kur u njoftua se vitin tjetër do të niste Shkolla e Galaadit, më lindi dëshira të bëhesha misionare. Më 1943 më caktuan të shërbeja si pioniere në Portlend, Oregon. Ato ditë përdornim një gramafon që njerëzit të dëgjonin ligjëratat te pragu i derës. Pastaj u ofronim literaturë biblike për Mbretërinë e Perëndisë. Tërë atë vit më rrinte mendja te shërbimi misionar.
Më 1944 m’u rrëqeth mishi kur mora ftesën për të ndjekur Galaadin bashkë me shoqen time të dashur, Evelina Trebërtin. Për pesë muaj, instruktorët na treguan si të gjenim gëzim nga studimi personal i Biblës. Na bënte përshtypje përulësia e tyre. Hera-herës gjatë vakteve, ata vëllezër na shërbenin si kamerierë. Më 22 janar 1945 u diplomuam.
CAKTIMI SI MISIONARE
Në qershor 1946, Evelina dhe unë, bashkë me Leo dhe Ester Mehanin, mbërritëm në caktimin tonë në Salvador. Pamë se ajo fushë ishte ‘e bardhë për korrje’. (Gjoni 4:35) Incidenti që përmenda në fillim tregon sa i xhindosur ishte kleri. Vetëm një javë më parë kishim mbajtur asamblenë e parë qarkore në Santa-Anë. Njoftuam gjithandej për fjalimin publik dhe u gëzuam pa masë që patëm gati 500 të pranishëm. Në vend që të trembeshim e t’ia mbathnim nga qyteti, ishim edhe më të vendosur të rrinim e të ndihmonim ata me zemër të sinqertë. Edhe pse kleri i kishte paralajmëruar njerëzit të mos e lexonin Biblën dhe pak vetave ua mbante xhepi ta blinin, shumë ishin të etur për të vërtetën. I vlerësonin përpjekjet tona për të mësuar spanjisht që t’u tregonim për Perëndinë e vërtetë, Jehovain, dhe për premtimin e tij të bukur që toka të bëhet sërish Parajsë.
Roza Asensjo ishte një nga studentet e mia të para. Pasi filloi të studionte Biblën, u nda nga burri me të cilin bashkëjetonte. Më vonë, edhe ai filloi të studionte Biblën. Pastaj u martuan, u pagëzuan dhe u bënë Dëshmitarë të zellshëm për Jehovain. Roza ishte pionierja e parë vendëse në Santa-Anë. *
Ajo kishte një ushqimore të vogël. Kur dilte në shërbim, e mbyllte dyqanin dhe i varte shpresat te Jehovai për gjërat e nevojshme. Kur e hapte dyqanin pas pak orësh, dyndeshin klientët. Roza e provoi vetë sa të vërteta janë fjalët e Mateut 6:33, dhe mbeti besnike gjer në vdekje.
Kujtoj një rast kur prifti vajti te pronari i shtëpisë sonë. E kërcënoi se ai dhe e shoqja do të shkishëroheshin po të na mbante si qiraxhinj ne gjashtë misionarët. Këtij burri, një biznesmeni të njohur, i kishte ardhur në majë të hundës sjellja e klerit dhe nuk u thye para presionit. Madje i tha priftit se nuk i bëhej vonë nëse i përjashtonin nga kisha. Na siguroi se ishim të mirëpritur të rrinim sa të donim.
NJË QYTETAR I RESPEKTUAR BËHET DËSHMITAR
Në kryeqytet, San-Salvador, një tjetër misionare po studionte Biblën me gruan e një inxhinieri që quhej Baltasar Perla. Ai njeri shpirtmirë kishte humbur besimin te Zoti pasi kishte vërejtur hipokrizinë e krerëve fetarë. Kur erdhi koha të ndërtohej një zyrë dege, Baltasari, ndonëse ende nuk ishte në të vërtetën, u tregua i gatshëm ta projektonte dhe ta ndërtonte godinën pa kërkuar pará për punën e tij.
Pasi u shoqërua me popullin e Jehovait gjatë ndërtimit, Baltasari u bind se kishte gjetur fenë e vërtetë. U pagëzua më 22 korrik 1955, dhe shpejt pas tij u pagëzua edhe e shoqja, Paulina. Të dy fëmijët e tyre po i shërbejnë besnikërisht Jehovait. I biri, Baltasar i Riu, ka 49 vjet që po shërben në Bethelin e Bruklinit, ku mbështet veprën mbarëbotërore të predikimit gjithnjë e në rritje. Tani është anëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara. *
Kur nisëm të mbanim kongrese në San-Salvador, vëlla Perla na ndihmoi të siguronim një pallat sporti. Në fillim, mbushnim vetëm ndonjë sektor tek-tuk, por me bekimin e Jehovait radhët tona rriteshin vit pas viti aq sa pallati i sportit u mbush, madje nuk na nxinte më! Në ato raste të gëzueshme, takoja ish-studentët e mi të Biblës. Merreni me mend si ndihesha kur më prezantonin me «nipërit e mbesat»
Në një asamble, m’u afrua një vëlla dhe më tha se donte të më rrëfente diçka. Nuk e njihja dhe u bëra kureshtare. Ai tha: «Isha një nga djemtë që ju qëllonin me gurë në Santa-Anë.» Tani i shërbente Jehovait bashkë me mua. M’u bë zemra mal. Ajo bisedë më forcoi bindjen se shërbimi i plotkohor është jeta më shpërblyese që mund të zgjedhësh.
VENDIME QË MË SOLLËN KËNAQËSI
Për afro 29 vjet shërbeva si misionare në Salvador, fillimisht në qytetin e Santa-Anës, pastaj në Sonsonate, më vonë në Santa-Tekla e në fund në San-Salvador. Më 1975, pasi e peshova mirë dhe u luta shumë, vendosa të lija caktimin si misionare dhe të kthehesha në Spokan. Prindërit e mi besnikë ishin të moshuar e kishin nevojë për ndihmën time.
Pas vdekjes së babait në 1979-n, i bëra hyzmet mamasë, që ishte gjithnjë e më e brishtë dhe më e varur nga unë. Vdiq pas tetë vjetësh në moshën 94-vjeçare. Gjatë asaj periudhe të vështirë, u sfilita fizikisht dhe emocionalisht. Nga stresi pata një shpërthim të dhimbshëm të sëmundjes herpes zoster ose zjarri i natës. Por, falë lutjeve dhe krahëve të dashur të Jehovait që më ngrinin lart, arrita t’i bëj ballë asaj sprove. Ka ndodhur siç tha Jehovai: «Deri kur t’ju zbardhen flokët, . . . unë do të veproj që t’ju mbaj, t’ju mbështes e t’ju shpëtoj.»
Më 1990 u transferova në Omak, Uashington. Atje u ndjeva prapë e dobishme në fushën e gjuhës spanjolle, dhe disa nga studentet e mia të Biblës u pagëzuan. Në nëntor 2007 nuk kujdesesha dot më për shtëpinë time në Omak, ndaj u transferova në një apartament në qytetin fqinj të Shëlanit, Uashington. Që atëherë kongregacioni i gjuhës spanjolle në Shëlan më ka mbajtur mirë dhe i jam shumë mirënjohëse. Meqë jam e vetmja Dëshmitare e moshuar në kongregacion, vëllezërit e motrat më kanë «adoptuar» përzemërsisht si «gjyshen» e tyre.
Edhe pse vendosa të mos martohesha e të mos krijoja familje që t’i shërbeja më plotësisht Jehovait pa shpërqendrime, kam plot fëmijë frymorë. (1 Kor. 7:34, 35) Për mendimin tim njeriu nuk mund të ketë çdo gjë sot. Prandaj vura në radhë të parë gjënë më të rëndësishme
Tani jam 91 vjeçe dhe akoma gëzoj shëndet mjaft të mirë, kështu që vazhdoj si pioniere. Ky lloj shërbimi më mban të re në zemër dhe i jep qëllim jetës sime. Kur shkova në fillim në Salvador, vepra e predikimit ishte në hapat e parë. Pavarësisht nga kundërshtimi i pareshtur i Satanait, tani atje ka mbi 39.000 lajmëtarë. Kjo ma ka forcuar pa masë besimin. Nuk ka pikë dyshimi se me frymën e shenjtë, Jehovai po i mbështet përpjekjet e popullit të tij.