Pyetje nga lexuesit
A do të thonë fjalët e Davidit te Psalmi 37:25 dhe pohimi i Jezuit te Mateu 6:33 se Jehovai nuk lejon kurrë që ndonjë shërbëtor i tij të mos ketë mjaft ushqim?
Davidi shkroi se ‘s’kishte parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë’. Ky ishte një pohim i përgjithshëm bazuar në përvojën personale. E dinte mirë se Perëndia merakosej gjithmonë për shërbëtorët e tij. (Psal. 37:25) Megjithatë, fjalët e Davidit nuk nënkuptonin se asnjë adhuruesi nuk i kishte munguar ose nuk do t’i mungonte kurrë buka e gojës.
Vetë Davidi e pati punën pisk në disa raste. Një nga këto ishte kur ia mbathi nga Sauli. Davidit po i mbaronte ushqimi dhe kërkoi bukë për vete e për njerëzit e tij. (1 Sam. 21:1-6) Pra, Davidi po ‘lypte bukë’. Prapëseprapë, në këtë situatë kritike ai e dinte se Jehovai nuk e kishte braktisur. Ç’është e vërteta, askund në Bibël nuk tregohet që Davidi të jetë bërë lypsar ngaqë po vdiste për bukë.
Te Mateu 6:33, Jezui na siguron se Perëndia do t’ua plotësojë nevojat shërbëtorëve besnikë që vënë të parat në jetë interesat e Mbretërisë. Ai tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera [përfshirë ushqimin, ujin e veshjen] do t’ju shtohen.» Megjithatë, Jezui tregoi edhe se «vëllezërit» e tij mund të vuanin nga uria për shkak të përndjekjes. (Mat. 25:35, 37, 40) Kështu i ndodhi apostullit Pavël, i cili hera-herës pati uri e etje.—2 Kor. 11:27.
Jehovai na paralajmëron se do të na përndjekin në mënyra të ndryshme. Teksa u japim përgjigje akuzave të Djallit, Jehovai mund të lejojë të biem ngushtë nga gjendja. (Jobi 2:3-5) Për shembull, disa bashkëbesimtarë, si ata që i futën në kampet naziste të përqendrimit, rrezikuan jetën për shkak të përndjekjes. I linin pa ushqim, dhe kjo ishte një taktikë djallëzore për t’u thyer integritetin. Dëshmitarët besnikë vazhduan t’i bindeshin Jehovait dhe ai nuk i braktisi. Gjithsesi, lejoi ta kalonin këtë sprovë, siç lejon që gjithë shërbëtorët e tij sot të përballen me lloj-lloj sprovash. Por s’ka fije dyshimi se Jehovai i mbështet të gjithë ata që vuajnë për hir të emrit të tij. (1 Kor. 10:13) Gjithmonë të mbajmë në mend atë që thuhet te Filipianëve 1:29: «Juve ju dha privilegji që jo vetëm të tregoni besim te Krishti, por edhe të vuani për të.»
Jehovai premton se do t’u gjendet pranë shërbëtorëve të tij. Për shembull, tek Isaia 54:17 thuhet: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» Ky premtim dhe të tjera të ngjashme garantojnë se populli i Perëndisë si i tërë do të jetë i mbrojtur. Megjithatë, mund të ndodhë që ndonjë pjesëtar i tij të kalojë sprova, madje edhe vdekjeprurëse.