Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adhurimi Familjar—A mund ta bëni më të këndshëm?

Adhurimi Familjar—A mund ta bëni më të këndshëm?

«Na përpijnë kaq shumë diskutimet gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar, sa shpesh vazhdojmë deri natën vonë nëse nuk i them familjes ta ndërpresim»,—shprehet një baba nga Brazili. Një kryefamiljar nga Japonia tregon se djali i tij dhjetëvjeçar sikur nuk e ndien si ikën koha dhe do që të vazhdojë. Pse? I ati thotë: «Ndihet i motivuar, prandaj e shijon më shumë.»

S’do mend se jo të gjithë fëmijët janë kaq të motivuar dhe, ta themi hapur, disa mbase nuk e kanë fort qejf adhurimin familjar. Përse? Ja ç’ka kuptuar nga përvoja një baba nga Togoja: «Adhurimi i Jehovait nuk duhet të jetë një moment që mezi shtyhet.» Nëse është kështu, mos vallë tregon diçka për mënyrën si drejtohet? Isaia tha se Sabati ishte një ‘kënaqësi e thellë’, dhe shumë familje kanë provuar se po njësoj mund të jetë edhe adhurimi familjar.—Isa. 58:13, 14.

Baballarët e krishterë e kuptojnë se, që të kënaqen të gjithë pjesëtarët e familjes, adhurimi familjar s’duhet të jetë aspak formal. Ralfi, i cili ka tri vajza dhe një djalë, thotë se adhurimi i tyre familjar ngjan më tepër me një bisedë të lirshme, sesa me një studim; të gjithë marrin pjesë. Patjetër, me raste mund të jetë e vështirë ta mbash gjallë interesin e secilit dhe t’i përfshish të gjithë. Një mama pranon: «Nuk jam gjithmonë në formë që ta bëj adhurimin familjar aq të këndshëm sa do të doja.» Si ta përballosh këtë vështirësi?

ELASTIK DHE I LARMISHËM

Babai i dy fëmijëve në Gjermani thotë: «Duhet të jemi elastikë.» Kurse Natalia, mamaja e dy fëmijëve, shprehet: «Gjëja më e rëndësishme për familjen tonë është larmia, larmia dhe prapë larmia.» Mjaft familje e ndajnë adhurimin familjar në disa pjesë. «Kjo e bën studimin më të gjallë dhe të gjithë ndihen të përfshirë»,—thotë Klejtoni, baba i dy adoleshentëve në Brazil. Duke e ndarë kohën e studimit, prindërit arrijnë të përqendrohen te nevojat e secilit, sidomos nëse fëmijët kanë goxha diferencë moshe. Prindërit mund të kujdesen për nevojat e çdo pjesëtari të familjes dhe të jenë elastikë kur zgjedhin materialin e studimit dhe mënyrën si do të trajtohet.

Si po e bëjnë më të larmishëm adhurimin disa familje? Ka nga ata që e fillojnë me një këngë lavdie për Jehovain. Huani nga Meksika thotë: «Kjo krijon një atmosferë të këndshme dhe na përgatit mendërisht për materialin që do të studiojmë.» Familja e tij gjen këngët që lidhen me disa nga materialet e zgjedhura.

Sri-Lankë

Disa familje lexojnë së bashku një pjesë nga Bibla. Për hir të larmisë, pjesëtarët e familjes lexojnë secili fjalët e personazheve të ndryshme nga fragmenti biblik. Një baba nga Japonia e pranon se «në fillim ai lloj leximi ishte pak i çuditshëm» për të. Por, dy djemve të tij u bëhej qejfi që prindërit po kënaqeshin bashkë me ta. Madje, disa familje luajnë rolet e personazheve biblike. Siç thotë Roxheri, baba i dy djemve në Afrikën e Jugut, fëmijët «shpesh dallojnë ca gjëra në tregimet biblike që ne prindërit nuk i kapim».

Afrika e Jugut

Një mënyrë tjetër për të krijuar larmi është të punojmë së bashku për një projekt, si ndërtimi i modelit të arkës së Noesë ose i tempullit të Solomonit. Për këto projekte duhen kërkime që mund të jenë emocionuese. Për shembull, një familje aziatike—vajza pesëvjeçare, prindërit dhe gjyshja—po bënin një lojë në tavolinë në dhomën e ndenjjes, bazuar tek udhëtimet misionare të apostullit Pavël. Familje të tjera kanë bërë lojëra të tilla duke marrë shkas nga tregimet e librit të Daljes. Donaldi 19-vjeçar nga Togoja thotë se larmia «gjallëroi jo vetëm adhurimin familjar, por edhe familjen tonë». A mund të gjesh ndonjë projekt që do ta bënte adhurimin familjar edhe më të këndshëm?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

PËRGATITJA ËSHTË E DOMOSDOSHME

Ndonëse larmia dhe elasticiteti e bëjnë interesant adhurimin familjar, të gjithë duhet të përgatiten që të nxjerrin vërtet dobi. Ndonjëherë të vegjlit lodhen, prandaj baballarët duhet të mendojnë mirë për materialin që do të përdorin dhe të lënë kohë për t’u përgatitur mirë. Një baba tregon: «Kur jam i përgatitur, studimi bëhet më domethënës për çdo pjesëtar të familjes.» Kurse një baba në Gjermani i thotë që më përpara familjes se çfarë do të studiojnë javët e ardhshme. Babai i gjashtë fëmijëve në Benin ndonjëherë planifikon për adhurimin familjar një DVD bazuar në Bibël. Në këto raste, ua jep që më parë pyetjet. Pa dyshim, përgatitja ndikon goxha te cilësia e adhurimit familjar.

Kur pjesëtarët e familjes e dinë që më parë se çfarë do të trajtohet, mund të bisedojnë për këtë gjatë javës, e kështu do ta presin më me entuziazëm studimin. Gjithashtu, nëse secili ka një caktim, do ta ndiejë se ky është adhurimi familjar i tij ose i saj.

BËNI ÇMOS TA MBANI RREGULLISHT

Mjaft familje e kanë të vështirë ta mbajnë rregullisht adhurimin familjar.

Shumë baballarë duhet të punojnë orë të tëra vetëm për bukën e gojës. Për shembull, një baba në Meksikë del nga shtëpia në gjashtë të mëngjesit dhe nuk kthehet deri në tetë të mbrëmjes. Përveç kësaj, ndonjëherë duhet përshtatur koha kur bëhet Adhurimi Familjar, për shkak të ndonjë aktiviteti tjetër frymor.

Gjithsesi, duhet të jemi të vendosur që ta mbajmë rregullisht adhurimin familjar. Loisa 11-vjeçare nga Togoja tregon sa e vendosur është familja e saj: «Ndonëse ka raste që e nisim adhurimin familjar vonë sepse na del diçka gjatë ditës, asnjëherë nuk e lëmë pa bërë.» Duket logjike që disa familje e programojnë adhurimin familjar në fillim të javës. Nëse ndodh diçka e papritur, mund ta shtyjnë për një ditë tjetër.

Siç e tregon vetë emri, adhurimi familjar është pjesë e adhurimit të Jehovait. Të gjithë pjesëtarët e familjes sate le të sjellin para Jehovait çdo javë ‘demat e rinj të buzëve të tyre’! (Hoz. 14:2) Qoftë kjo një kohë e gëzueshme për secilin në familje, «pasi gëzimi i Jehovait është kalaja juaj»!—Neh. 8:9, 10.