Adhuroni Jehovain, Mbretin e përjetësisë!
«Mbretit të përjetësisë, . . . i qoftë nderimi dhe lavdia në jetë të jetëve!»
1, 2. (a) Kush është ‘Mbreti i përjetësisë’, dhe pse ky titull është me vend? (Shih figurën hapëse.) (b) Cili aspekt i mbretërimit të Jehovait na bën për vete?
MBRETI i Suazilendit, Sobuza II, sundoi për gati 61 vjet. Goxha arritje për një monark të ditëve tona. Sundimi i gjatë i mbretit Sobuza mund të na bëjë përshtypje, mirëpo ekziston një mbret, sundimi i të cilit nuk kufizohet nga jetëgjatësia e njeriut. Në të vërtetë, Bibla i referohet atij si ‘Mbreti i përjetësisë’. (1 Tim. 1:17) Një psalmist e identifikon me emër këtë Sovran, duke deklaruar: «Jehovai është Mbret në jetë të jetëve.»
2 Edhe pse gjatësia e mbretërimit të Perëndisë është e pashoqe në krahasim me çdo sundim njerëzor, ajo që na bën për vete është mënyra si sundon Jehovai. Një mbret që sundoi në Izraelin e lashtë për 40 vjet, e lavdëroi Perëndinë me këto fjalë: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Jehovai e ka vendosur patundshmërisht fronin në qiej, dhe mbretëria e tij shtrihet mbi gjithçka.» (Psal. 103:8, 19) Jehovai nuk është vetëm Mbreti ynë, por edhe Ati ynë
MBRETI I PËRJETËSISË KRIJON NJË FAMILJE UNIVERSALE
3. Kush ishte pjesëtari i parë i familjes universale të Jehovait, dhe cilët ishin të tjerët që u krijuan si ‘bij’ të Perëndisë?
3 Çfarë kënaqësie provoi Jehovai kur solli në ekzistencë Birin e tij të vetëmlindur! Perëndia nuk e trajtoi të parëlindurin e tij si një nënshtetas të rëndomtë. Përkundrazi, ai e donte si Bir dhe e ftoi të gëzonte bashkë me të teksa krijonin nënshtetas të tjerë të përsosur. (Kolos. 1:15-17) Këtu përfshiheshin mori e mori engjëjsh. Të përshkruar si ‘shërbëtorë të tij, që kryejnë vullnetin e tij’, engjëjt i shërbejnë me gëzim Perëndisë dhe ai i vesh me dinjitet, duke i quajtur ‘bij’. Ata janë pjesë e familjes universale të Jehovait.
4. Si u përfshinë njerëzit në familjen universale të Perëndisë?
4 Pasi krijoi qiejt dhe tokën, Jehovai e zgjeroi familjen e tij universale. Me të përgatitur tokën si një shtëpi të bukur e në gjendje të rigjeneronte veten, Jehovai krijoi njeriun e parë, Adamin, sipas shëmbëlltyrës së Tij
5. Çfarë masash mori Perëndia që të mbushte tokën me fëmijët e tij njerëzorë?
5 Ndryshe nga shumë monarkë, Jehovai me kënaqësi u delegon përgjegjësi nënshtetasve, duke u sjellë me ta si me pjesëtarët e besueshëm të familjes së vet. Për shembull, i dha Adamit autoritet mbi krijesat e tjera, përfshirë caktimin e lezetshëm, por jo aq të kollajtë, për t’u vënë emra kafshëve. (Zan. 1:26; 2:19, 20) Perëndia nuk krijoi veç e veç miliona njerëz të përsosur për të populluar tokën. Përkundrazi, vendosi të krijonte një plotësuese të përsosur për Adamin
BIJTË REBELË HEDHIN POSHTË AUTORITETIN E PERËNDISË SI MBRET
6. (a) Si filloi rebelimi në familjen e Perëndisë? (b) Pse rebelimi nuk do të thoshte se Jehovait i doli situata jashtë kontrollit?
6 Mjerisht, Adami dhe Eva nuk u kënaqën me Jehovain si Sovran. Në vend të kësaj, vendosën të ndiqnin birin frymor rebel të Perëndisë, Satanain. (Zan. 3:1-6) Jeta e ndarë nga sundimi i Perëndisë u solli dhembje, vuajtje e vdekje si atyre, si fëmijëve. (Zan. 3:16-19; Rom. 5:12) Perëndia nuk kishte më nënshtetas të bindur në tokë. A do të thoshte kjo se situata i doli jashtë kontrollit, se kishte hequr dorë nga e drejta e tij si sovran mbi tokë e mbi banorët e saj? Absolutisht jo! Ai ushtroi autoritet kur dëboi nga kopshti i Edenit burrin e gruan e parë dhe, që të mos ktheheshin, caktoi kerubinët si roja në hyrje të tij. (Zan. 3:23, 24) Në të njëjtën kohë, Perëndia tregoi dashuri atërore, duke vërtetuar se do të plotësohej qëllimi i tij për të pasur një familje universale, të përbërë nga bij frymorë e njerëzorë të devotshëm. Ai premtoi se një pasardhës do t’i jepte fund Satanait e do të zhbënte pasojat e mëkatit të Adamit.
7, 8. (a) Sa keq ishte katandisur situata në kohën e Noesë? (b) Ç’masa mori Jehovai që të pastronte tokën e të ruante familjen njerëzore?
7 Në shekujt vijues disa vendosën t’i qëndronin besnikë Jehovait. Mes tyre ishin Abeli dhe Enoku. Megjithatë, shumica e njerëzve e hodhën poshtë Jehovain si Atë e Mbret derisa në kohën e Noesë toka «u mbush me dhunë». (Zan. 6:11) A do të thoshte kjo se Jehovai nuk i kishte më nën kontroll çështjet që lidheshin me tokën? Çfarë tregojnë ngjarjet historike?
8 Le të shqyrtojmë tregimin e Noesë. Jehovai i dha një projekt të detajuar dhe e udhëzoi të ndërtonte një arkë të stërmadhe, përmes së cilës do të shpëtonte Noenë e familjen e tij. Gjithashtu, Perëndia tregoi sa shumë e donte gjithë familjen e tij njerëzore kur caktoi Noenë si «një predikues të drejtësisë». (2 Pjet. 2:5) Pa dyshim, mesazhi i tij përfshinte edhe thirrjen për pendim dhe paralajmërime për shkatërrimin që po vinte, por ra në vesh të shurdhër. Për dekada me radhë, Noeja dhe familja e tij jetuan mes një bote plot dhunë e të zhytur në imoralitet. Jehovai, si një Atë i kujdesshëm, i mbrojti e i bekoi ata tetë shpirtra besnikë. Ai ushtroi pushtetin e tij mbi njerëzit rebelë e engjëjt e ligj, duke sjellë një Përmbytje globale. S’diskutohet që Jehovai e kishte situatën nën kontroll.
AUTORITETI I JEHOVAIT SI MBRET PAS PËRMBYTJES
9. Ç’mundësi i dha Jehovai njerëzimit pas Përmbytjes?
9 Ndërsa Noeja dhe familja e tij shkelnin tokën e pastruar dhe u ngopën me ajër të pastër, patjetër që zemrat iu mbushën plot mirënjohje për kujdesin e mbrojtjen e Jehovait. Menjëherë, Noeja ndërtoi një altar dhe ofroi flijime për të adhuruar Jehovain. Perëndia e bekoi atë dhe familjen e tij dhe i udhëzoi: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbushni tokën.» (Zan. 8:20–9:1) Përsëri, njerëzit kishin mundësi të bashkoheshin në adhurim e të mbushnin tokën.
10. (a) Kur dhe si nxori kokë rebelimi kundër Jehovait pas Përmbytjes? (b) Ç’masë mori Jehovai që të siguronte plotësimin e vullnetit të tij?
10 Megjithatë, Përmbytja nuk e fshiu papërsosmërinë, dhe njerëzve akoma u duhej të përballeshin me ndikimin e padukshëm të Satanait e të engjëjve rebelë. S’kaloi shumë dhe rebelimi ndaj sundimit dashamirës të Jehovait nxori kokë sërish. Për shembull, stërnipi i Noesë, Nimrodi, ngriti krye ndaj sundimit të Jehovait në një shkallë të paparë. Nimrodi përshkruhet si «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait». Ai ndërtoi qytete të mëdha, si Babeli, dhe e shpalli veten mbret «në vendin e Shinarit». (Zan. 10:8-12) Si do të vepronte Mbreti i përjetësisë kundër mbretit rebel dhe orvatjes së tij që të pengonte qëllimin e Perëndisë ‘për të mbushur tokën’? Perëndia u ngatërroi gjuhën, e si pasojë nënshtetasit e Nimrodit u pështjelluan dhe u shpërndanë «në gjithë faqen e tokës». Ata morën me vete adhurimin e tyre të rremë dhe modelin e sundimit njerëzor.
11. Si tregoi Jehovai besnikëri ndaj mikut të tij, Abrahamit?
11 Edhe pse pas Përmbytjes shumë adhuronin perëndi të rreme, disa besnikë ende nderonin Jehovain. Një prej tyre ishte Abrahami, i cili iu bind kur la pas rehatinë në qytetin e tij të Urit e banoi në tenda për vite me radhë. (Zan. 11:31; Hebr. 11:8, 9) Gjatë kohës që Abrahami jetoi si endacak shpesh u gjend mes mbretërve paganë, shumë prej të cilëve jetonin në qytete të rrethuara me mure. Por, Jehovai e ruajti Abrahamin dhe familjen e tij. Për mbrojtjen atërore të Jehovait, psalmisti deklaroi: «[Perëndia] nuk lejoi t’ua hante kush hakun, përkundrazi, për shkak të tyre qortoi mbretër.» (Psal. 105:13, 14) I shtyrë nga besnikëria ndaj Abrahamit, mikut të tij, Jehovai i premtoi: «Nga ti do të dalin kombe e mbretër.»
12. Si e ushtroi Jehovai autoritetin si sovran mbi Egjiptin, dhe si ndikoi kjo te populli i tij i zgjedhur?
12 Premtimin se do t’i bekonte, Perëndia ia përsëriti Isakut, birit të Abrahamit dhe Jakobit, nipit të tij. Ky premtim përfshinte edhe faktin se nga pasardhësit e tyre do të dilnin mbretër. (Zan. 26:3-5; 35:11) Megjithatë, ata u bënë skllevër në Egjipt para se të dilnin mbretër nga pasardhësit e Jakobit. A do të thoshte kjo se Jehovai nuk do të përmbushte premtimin e tij ose se kishte hequr dorë nga autoriteti si sovran mbi tokë? Aspak! Kur e pa të udhës, Jehovai shpalosi fuqinë e tij hyjnore dhe ushtroi autoritetin si sovran mbi faraonin kokëderr. Izraelitët e skllavëruar treguan besim te Jehovai, i cili i çliroi në një mënyrë marramendëse duke kaluar Detin e Kuq. Qartë, Jehovai ishte ende Sovrani Universal, dhe si një Atë i kujdesshëm, ushtroi fuqinë e tij të pashtershme për të mbrojtur popullin.
JEHOVAI BËHET MBRET I IZRAELIT
13, 14. (a) Çfarë kënduan izraelitët për autoritetin e Jehovait si Mbret? (b) Çfarë premtimi i bëri Perëndia Davidit për mbretërinë e tij?
13 Fill pas çlirimit nga Egjipti me anë të një mrekullie, izraelitët kënduan një këngë fitoreje, duke i thurur lavdi Jehovait. Ajo këngë, e regjistruar te kapitulli 15 i Daljes, përfshin këtë shprehje në vargun 18: «Jehovai do të mbretërojë në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.» Vërtet, Jehovai u bë Mbret i kombit të ri. (Ligj. 33:5) Megjithatë, popullit nuk i mjaftonte ta kishin Jehovain si Sundimtar të padukshëm. Rreth 400 vjet pasi dolën nga Egjipti, i kërkuan Perëndisë t’u caktonte një mbret njerëzor, ashtu siç kishin kombet fqinje pagane. (1 Sam. 8:5) Pavarësisht nga kjo, Jehovai ishte ende Mbret, dhe kjo u duk qartë gjatë mbretërimit të Davidit, mbretit të dytë të Izraelit.
14 Davidi solli në Jerusalem arkën e shenjtë të besëlidhjes. Gjatë këtij rasti të hareshëm levitët kënduan një këngë lëvdimi që përmbante një shprehje kuptimplotë, të regjistruar te 1 Kronikave 16:31: «Le të thonë ata ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret!’» Dikush mund të pyesë: «Meqë Jehovai është Mbret i përjetësisë, si ka mundësi që u bë Mbret në këtë moment?» Jehovai bëhet Mbret kur ushtron fuqinë si sundimtar ose kur themelon një mjet për të përfaqësuar veten në një kohë të caktuar a për të trajtuar një çështje specifike. Ky aspekt i autoritetit të Jehovait si Mbret ka domethënie të gjerë. Para se të vdiste Davidi, Jehovai i premtoi se mbretërimi i tij do të vazhdonte përgjithmonë: «Unë do të nxjerr pas teje një pasardhës, që do të dalë nga brendësia jote, dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.» (2 Sam. 7:12, 13) Ashtu si rrodhën gjërat, ky «pasardhës» i Davidit u shfaq më shumë se 1000 vjet më vonë. Kush ishte ky dhe kur do të bëhej Mbret?
JEHOVAI EMËRON NJË MBRET TË RI
15, 16. Kur u emërua Jezui si Mbret i ardhshëm, dhe çfarë masash mori për sundimin e tij kur ishte ende në tokë?
15 Në vitin 29 të e.s. Gjon Pagëzori nisi të predikonte se «mbretëria e qiejve [ishte] afruar». (Mat. 3:2) Kur Gjoni pagëzoi Jezuin, Jehovai e emëroi Jezuin si Mesinë e premtuar dhe Mbretin e ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Jehovai i shprehu përzemërsi atërore Jezuit me fjalët: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.»
16 Gjatë shërbimit në tokë, Jezui i dha lavdi Atit. (Gjoni 17:4) E bëri këtë duke predikuar për Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 4:43) Madje, i mësoi dishepujt të luteshin që të vinte kjo Mbretëri. (Mat. 6:10) Si Mbret i emëruar, Jezui me të drejtë u shpalli kundërshtarëve: «Mbretëria e Perëndisë është mes jush.» (Luka 17:21) Më vonë, mbrëmjen para se të vdiste, Jezui bëri «një besëlidhje për një mbretëri» me apostujt. Kështu u hapi rrugën disa prej dishepujve të tij besnikë që të bashkoheshin me të si mbretër në Mbretërinë e Perëndisë.
17. Në ç’mënyrë të pjesshme filloi të ushtronte autoritet si Mbret Jezui në shekullin e parë, por për çfarë duhej të priste?
17 Kur do të fillonte të sundonte Jezui si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë? S’mund të fillonte menjëherë. Pikërisht pasditen tjetër Jezuin e ekzekutuan, dhe dishepujt e tij u shpërndanë. (Gjoni 16:32) Mirëpo, ashtu si në të kaluarën, Jehovai e kishte situatën në dorë. Ditën e tretë e ringjalli Birin e tij dhe në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jezui themeloi një mbretëri frymore mbi kongregacionin e krishterë të vëllezërve të tij të mirosur. (Kolos. 1:13) Megjithatë, Jezui duhej të priste që të ushtronte plotësisht fuqinë mbretërore në tokë si fara e premtuar. Jehovai i tha të Birit: «Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.»
ADHURO MBRETIN E PËRJETËSISË
18, 19. Çfarë nxitemi të bëjmë, dhe ç’do të mësojmë në artikullin vijues?
18 Për mijëvjeçarë me radhë, autoriteti i Jehovait si Mbret është sfiduar në qiell e në tokë. Jehovai s’ka hequr dorë kurrë nga sovraniteti i tij; ai gjithmonë e ka mbajtur nën kontroll situatën. Si një Atë i dashur, i ka mbrojtur dhe është kujdesur për nënshtetas besnikë, si Noeja, Abrahami dhe Davidi. A nuk na nxit kjo t’i nënshtrohemi Mbretit tonë dhe t’i afrohemi më shumë atij?
19 Mirëpo tani, mund të pyesim: si është bërë Jehovai Mbret në ditët tona? Si mund të tregojmë se jemi nënshtetas besnikë të Mbretërisë së Jehovait dhe të bëhemi bij të përsosur në familjen e tij universale? Çfarë do të thotë të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin vijues.