Prindër —Stërvitini fëmijët që nga foshnjëria
«JA, FËMIJËT janë trashëgimi nga Jehovai. Fryti i barkut është shpërblim»,—thotë Bibla. (Psal. 127:3) Ndaj, nuk habitemi që prindërit e krishterë e presin gjithë gëzim ardhjen në jetë të fëmijës.
Bashkë me gëzimin, lindja e fëmijës sjell edhe përgjegjësi serioze. Që të bëhet një i rritur i shëndetshëm, fëmija ka nevojë të hajë ushqim të mirë rregullisht. Që të qëndrojë i patundur në adhurimin e vërtetë, ka nevojë për ushqim frymor dhe për drejtim nga prindërit, që përpiqen t’i rrënjosin parime hyjnore. (Prov. 1:8) Kur duhet të fillojë kjo stërvitje dhe çfarë duhet të përfshijë?
PRINDËRIT KANË NEVOJË PËR UDHËZIME
Të shohim rastin e danitit Manoah, që jetoi në qytetin e Zorahut, në Izraelin e lashtë. Engjëlli i Jehovait e njoftoi se gruaja e tij shterpë do të lindte një djalë. (Gjyk. 13:2, 3) Kur morën vesh këtë, me siguri që Manoahu besnik dhe e shoqja fluturuan nga gëzimi. Megjithatë, ata ishin në merak për disa gjëra të rëndësishme. Prandaj, Manoahu u lut: «Të më falësh, o Jehova, por të lutem, lëre njeriun e Perëndisë së vërtetë që dërgove, të na vijë përsëri e të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që do të lindë.» (Gjyk. 13:8) Manoahu dhe e shoqja ishin në merak për mënyrën si do ta rritnin fëmijën. Pa dyshim, i mësuan ligjin e Perëndisë të birit, Samsonit, dhe përpjekjet e tyre patën sukses. Bibla thotë: ‘Pas ca kohësh, fryma e Jehovait nisi ta shtynte [Samsonin] që të vepronte.’ Si rezultat, Samsoni kreu plot vepra të fuqishme si një nga gjykatësit e Izraelit.
Sa shpejt duhet të fillojë stërvitja e fëmijës? Timoteu i mësoi «shkrimet e shenjta» nga nëna Eunikë dhe gjyshja Loidë «që nga foshnjëria». (2 Tim. 1:5; 3:15) Pra, Timoteun e stërvitën sipas Shkrimeve që nga fëmijëria e hershme.
Është e mençur që prindërit e krishterë të luten për drejtim dhe të planifikojnë kohë më parë që ta stërvitin fëmijën «që nga foshnjëria». Proverbat 21:5 thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» S’diskutohet që prindërit do të përgatiten me kujdes para se të lindë fëmija. Madje, mund të bëjnë një listë me gjërat që do t’i duhen bebes. Po ashtu, është e rëndësishme të planifikojnë për gjëra frymore. Synimi i tyre duhet të jetë ta nisin këtë stërvitje që në fillim të jetës së saj.
Një libër thotë: «Muajt fill pas lindjes janë vendimtarë për zhvillimin e trurit. Gjatë kësaj kohe numri i sinapseve, pra i lidhjeve falë të cilave ndodh procesi të mësuarit, shtohet 20-fish.» (Early Childhood Counts
Një nënë që është dhe pioniere e rregullt tha për vajzën e saj të vogël: «E merrja në shërbim që kur ishte vetëm një muajshe. Edhe pse nuk kuptonte ç’po ndodhte, mendoj se kjo përvojë që në moshë të njomë, ndikoi për mirë tek ajo. Kur mbushi dy vjet, tashmë u jepte pa ndrojtje fletushka atyre që takonim në shërbim.»
Stërvitja që në vogëli jep fryte të mira. Megjithatë, prindërit vërejnë se t’i mësosh fëmijët për Perëndinë ka vështirësitë e veta.
‘BLINI KOHËN E DUHUR’
Fëmijët nuk i zë vendi ose nuk përqendrohen dot për një kohë të gjatë dhe kjo mund të jetë një vështirësi e madhe për prindërit. Të vegjlit mund të shpërqendrohen sa hap e mbyll sytë ngaqë i tërheq diçka tjetër. Tekefundit, janë kureshtarë dhe duan të eksplorojnë botën përreth. Ç’mund të bëjnë prindërit për të ndihmuar fëmijën të përqendrohet tek ajo që po përpiqen t’i mësojnë?
Mendoni për atë që tha Moisiu. Ligji i përtërirë 6:6, 7 thotë: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» Fjala ‘ngulit’ përcjell idenë të mësosh dikë me anë të përsëritjeve të shpeshta. Fëmija i vogël është si një filiz që ka nevojë të ujitet rregullisht. Përderisa përsëritja i ndihmon të rriturit të kujtojnë gjëra të rëndësishme, patjetër që ndihmon edhe të vegjlit.
Që t’u mësojnë fëmijëve të vërtetën për Perëndinë, prindërit duhet të kalojnë kohë me ta. Në këtë botë të vrullshme, mund të jetë tepër e vështirë të gjesh kohë. Por, apostulli Pavël këshilloi ‘të blejmë kohën e duhur’ për aktivitetet e domosdoshme të krishtere. (Efes. 5:15, 16) Si mund të bëhet kjo? Një mbikëqyrës i krishterë, gruaja e të cilit ka program të ngjeshur si pioniere e rregullt, mezi gjente ekuilibrin mes edukimit të fëmijës, përmbushjes së përgjegjësive teokratike dhe punës. Si mund të gjenin kohë për ta mësuar vajzën? Babai thotë: «Çdo mëngjes, para se të shkoj në punë, bashkë me gruan i lexojmë nga Libri im i tregimeve biblike ose nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Mbrëmjeve, i lexojmë patjetër diçka para se të flejë dhe, kur dalim në shërbim, e marrim me vete. Duam t’i përdorim sa më mirë vitet e para të jetës së saj.»
‘FËMIJËT JANË PORSI SHIGJETA’
Sigurisht, duam që fëmijët tanë të bëhen të rritur të përgjegjshëm. Sidoqoftë, arsyeja kryesore pse i stërvitim është që t’i brumosim me dashurinë për Perëndinë.
Psalmi 127:4 thotë: «Porsi shigjeta në dorën e një trimi janë fëmijët e rinisë.» Pra, fëmijët krahasohen me shigjetat me të cilat duhet të marrësh në shenjë. Një harkëtar nuk mund ta kthejë kurrë mbrapsht shigjetën pasi e lëshon. Prindërit i kanë në dorë ‘shigjetat’, fëmijët e tyre, vetëm për një periudhë relativisht të shkurtër. Këtë kohë duhet ta përdorin për t’u rrënjosur parime hyjnore në mendje e në zemër.
Ja çfarë tha apostulli Gjon për fëmijët e tij frymorë: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjon. 4) Edhe prindërve të krishterë u mbushet zemra me gëzim kur shohin që fëmijët e tyre «vazhdojnë të ecin në të vërtetën».