Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pleqtë e krishterë—​‘Bashkëpunëtorë për gëzimin tonë’

Pleqtë e krishterë—​‘Bashkëpunëtorë për gëzimin tonë’

«Jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj.»​—2 KOR. 1:24.

1. Pse Pavli gëzoi për të krishterët në Korint?

ISHTE viti 55 i e.s. Apostulli Pavël ndodhej në qytetin-port të Troadës, por nuk i shqitej nga mendja Korinti. Pak më parë atë vit, i kishte therur në shpirt kur kishte marrë vesh se vëllezërit e atjeshëm grindeshin mes tyre. Prandaj, nga meraku atëror u dërgoi një letër për t’i ndrequr. (1 Kor. 1:11; 4:15) Gjithashtu, kishte dërguar tek ata bashkëpunëtorin e tij, Titin, me udhëzimin që t’i raportonte atij në Troadë. Tani Pavli po priste Titin në Troadë, duke dëshiruar me zjarr të dëgjonte si po ia kalonin korintasit. Por, për zhgënjimin e thellë të Pavlit, Titi nuk erdhi. Ç’të bënte? Pavli lundroi drejt Maqedonisë dhe sa u gëzua që u takuan. Titi i tregoi se vëllezërit në Korint kishin reaguar mirë ndaj letrës së Pavlit dhe po digjeshin nga dëshira për ta parë. Kur dëgjoi këto fjalë të mira, Pavli ‘u gëzua edhe më shumë’.​—2 Kor. 2:12, 13; 7:5-9.

2. (a) Çfarë u shkroi Pavli korintasve për besimin dhe gëzimin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Fill pas kësaj, Pavli u shkroi korintasve një letër të dytë. Ai u tha: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.» (2 Kor. 1:24) Ç’donte të thoshte me këtë? Si duhet të ndikojnë këto fjalë te pleqtë e krishterë sot?

BESIMI DHE GËZIMI YNË

3. (a) Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë»? (b) Si e ndjekin pleqtë sot shembullin e Pavlit?

3 Pavli përmendi dy aspekte jetësore të adhurimit tonë, besimin dhe gëzimin. Të kujtojmë se ai shkroi për besimin: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin  tuaj, . . . sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.» Me këto fjalë, Pavli pranoi se vëllezërit në Korint po qëndronin të patundur falë besimit të tyre te Perëndia dhe jo për shkak të tij ose të dikujt tjetër. Prandaj, ai nuk e pa të nevojshme të kontrollonte besimin e vëllezërve të tij dhe as që donte ta bënte këtë. Ishte i sigurt se ata ishin të krishterë besnikë, që dëshironin të bënin atë që ishte e drejtë. (2 Kor. 2:3) Sot, pleqtë ndjekin shembullin e Pavlit kur shprehin sigurinë se vëllezërit e tyre i shërbejnë Perëndisë me besim dhe me motivet e duhura. (2 Sel. 3:4) Në vend që të krijojnë rregulla të rrepta për kongregacionin, pleqtë mbështeten në parimet biblike dhe në drejtimin që vjen nga organizata e Jehovait. Në fund të fundit, pleqtë sot nuk janë zotër të besimit të vëllezërve të tyre.​—1 Pjet. 5:2, 3.

4. (a) Çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj»? (b) Si e imitojnë pleqtë sot qëndrimin e Pavlit?

4 Gjithashtu, Pavli tha: «Jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj.» Me këto fjalë iu referua vetes dhe shokëve të tij të ngushtë të shërbimit. Pse nxjerrim këtë përfundim? Po ja, në të njëjtën letër ai u përmendi korintasve dy prej tyre: ‘Jezui, që ju predikuam ne, domethënë unë, Silvani dhe Timoteu.’ (2 Kor. 1:19) Për më tepër, kurdo që Pavli përdorte termin «bashkëpunëtorë» në letrat e tij, fliste gjithnjë për shokët e ngushtë të shërbimit, si Apoli, Akuila, Priska, Timoteu, Titi dhe të tjerë. (Rom. 16:3, 21; 1 Kor. 3:6-9; 2 Kor. 8:23) Kështu, me fjalët «jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj», po i siguronte korintasit se ai dhe shokët e tij donin të bënin çmos që çdo pjesëtar i kongregacionit të ishte i gëzuar. Sot, pleqtë e krishterë dëshirojnë të njëjtën gjë. Duan të bëjnë çmos t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre ‘t’i shërbejnë Jehovait me gëzim’.​—Psal. 100:2; Filip. 1:25.

5. Përgjigjet e cilës pyetje do të shqyrtojmë dhe për çfarë duhet të reflektojmë?

5 Kohët e fundit, një grup vëllezërish e motrash të zellshëm nga anë të ndryshme të botës u ftuan t’i përgjigjeshin pyetjes: «Cilat fjalë dhe vepra të ndonjë plaku jua kanë shtuar gëzimin?» Ndërsa shqyrtojmë komentet e atij grupi bashkëbesimtarësh, shih se sa ngjajnë me fjalët që mund të kishe thënë ti. Përveç kësaj, të gjithë ne le të reflektojmë se si mund të kontribuojmë për të ruajtur frymën e gëzimit në kongregacion. *

«TË FALA PERSIDËS SONË TË DASHUR»

6, 7. (a) Cila është një mënyrë se si pleqtë mund të imitojnë Jezuin, Pavlin dhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë? (b) Pse u shtohet gëzimi vëllezërve kur ua kujtojnë emrin?

6 Shumë vëllezër e motra thonë se bëhen me krahë kur pleqtë shfaqin interes personal ndaj tyre. Një mënyrë kryesore se si pleqtë e bëjnë këtë është duke ndjekur shembullin e Davidit, të Elihut dhe të Jezuit. (Lexo 2 Samuelit 9:6; Jobin 33:1; Lukën 19:5.) Secili nga këta shërbëtorë të Jehovait shfaqi interes të sinqertë ndaj një tjetri duke e thirrur në emër. Edhe Pavli e kuptoi sa e rëndësishme është të mbahen mend emrat e bashkëbesimtarëve dhe të thirren me emër. Ai e mbylli një prej letrave të tij duke përshëndetur me emër më tepër se 25 vëllezër e motra, përfshirë Persidën, një motër të krishterë për të cilën tha: «Të fala Persidës sonë të dashur.»​—Rom. 16:3-15.

7 Disa pleq e kanë mjaft të vështirë të mbajnë mend emrat. Megjithatë, kur  përpiqen vërtet t’i kujtojnë, faktikisht është sikur po u thonë bashkëbesimtarëve: «Je i rëndësishëm për mua.» (Dal. 33:17) Pleqtë do t’ua shtojnë gëzimin vëllezërve sidomos kur ua kujtojnë emrat ndërsa i ftojnë të komentojnë gjatë Studimit të Kullës së Rojës ose gjatë mbledhjeve të tjera.​—Krahaso Gjonin 10:3.

«U MUNDUA SHUMË NË ZOTËRINË»

8. Cila ishte një mënyrë e rëndësishme se si Pavli ndiqte shembullin e Jehovait dhe të Jezuit?

8 Gjithashtu, Pavli shfaqi interes ndaj të tjerëve duke i lavdëruar me sinqeritet dhe kjo është një mënyrë tjetër thelbësore për t’ua shtuar gëzimin bashkëbesimtarëve. Kështu, në të njëjtën letër ku shprehu dëshirën për të punuar për gëzimin e vëllezërve, Pavli shkroi: «Kam shumë me se të mburrem për ju.» (2 Kor. 7:4) Këto fjalë lavdërimi duhet t’ua kenë ngrohur zemrën vëllezërve në Korint. Pavli shprehu ndjenja të ngjashme edhe për kongregacione të tjera. (Rom. 1:8; Filip. 1:3-5; 1 Sel. 1:8) Në fakt, pasi përmendi Persidën në letrën drejtuar kongregacionit në Romë, Pavli vazhdoi: «[Ajo] u mundua shumë në Zotërinë.» (Rom. 16:12) Ky kompliment duhet t’ia ketë ngritur zemrën peshë kësaj motre besnike. Kur lavdëronte të tjerët, Pavli ndiqte shembullin e Jehovait dhe të Jezuit.​—Lexo Markun 1:9-11; Gjonin 1:47; Zbul. 2:2, 13, 19.

9. Pse dhënia dhe marrja e lavdërimeve ia shton frymën e gëzimit kongregacionit?

9 Edhe pleqtë sot e kuptojnë sa e rëndësishme është t’i shprehin me fjalë ndjenjat e çmueshmërisë për vëllezërit. (Prov. 3:27; 15:23) Kurdoherë që një plak e bën këtë, në të vërtetë po u thotë vëllezërve: «E vura re se ç’bëre. Të kam për zemër!» Domosdo bashkëbesimtarët kanë nevojë të dëgjojnë fjalët siguruese të pleqve. Një motër në mes të të 50-ave po fliste në emër të shumë të tjerëve kur u shpreh: «Në punë rrallë më bëjnë ndonjë kompliment. Ka një atmosferë të ftohtë dhe konkurruese. Prandaj, kur një plak më lavdëron për diçka që kam bërë për kongregacionin, ndihem kaq e përtërirë, plot energji! Ndiej se Ati im qiellor më do.» Një vëlla, prind i vetëm, që po rrit dy fëmijë ndihet po njësoj. Kohët e fundit, një plak e lavdëroi me përzemërsi. Si ndikoi kjo te vëllai? Ai thotë: «Fjalët e plakut më dhanë krahë!» Po, duke i lavdëruar me sinqeritet bashkëbesimtarët, një plak u jep zemër dhe ua thellon gëzimin. Kështu do të marrin më tepër forcë që të vazhdojnë të ecin në udhën që të çon në jetë ‘e të mos lodhen’.​—Isa. 40:31.

«KULLOTNI KONGREGACIONIN E PERËNDISË»

10, 11. (a) Si mund të ndjekin pleqtë shembullin e Nehemisë? (b) Çfarë do ta ndihmojë një plak të japë ndonjë dhuratë frymore kur bën vizita baritore?

10 Cila është një mënyrë jetësore se si pleqtë tregojnë interes personal për vëllezërit dhe ia shtojnë gëzimin kongregacionit? Duke marrë iniciativën për të mbështetur ata që kanë nevojë për inkurajim. (Lexo Veprat 20:28.) Kur veprojnë kështu, pleqtë imitojnë barinjtë frymorë të lashtësisë. Për shembull, vër re se ç’bëri mbikëqyrësi besnik Nehemia kur pa se disa vëllezër të tij judenj kishin rënë frymësisht. Sipas tregimit, ai menjëherë u ngrit dhe u dha zemër. (Neh. 4:14) Sot pleqtë duan të bëjnë të njëjtën gjë. Ata ‘ngrihen’, domethënë marrin iniciativën për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët që të jenë të patundur në besim. Për t’u dhënë një inkurajim të tillë personal vëllezërve e motrave, i vizitojnë në shtëpi nëse e lejojnë rrethanat.  Gjatë këtyre vizitave baritore, duan ‘t’u japin ndonjë dhuratë frymore’. (Rom. 1:11) Çfarë do t’i ndihmojë pleqtë ta bëjnë këtë?

11 Para se të bëjë një vizitë baritore, një plak ka nevojë të marrë ca kohë për të menduar për individin që do të vizitojë. Çfarë sfidash po kalon? Cilat mendime mund ta ndërtojnë? Cili shkrim ose cila përvojë e ndonjë personazhi biblik do të zbatohej për rrethanat e tij ose të saj? Duke menduar që më përpara për këto gjëra, plaku do të mund të bëjë një bisedë domethënëse e jo sipërfaqësore. Gjatë vizitave baritore, një plak i lejon vëllezërit e motrat të shprehen ndërsa i dëgjon me vëmendje. (Jak. 1:19) Një motër tha: «Sa lehtësohesh kur një plak të dëgjon me gjithë zemër!»​—Luka 8:18.

Përgatitja e ndihmon një plak ‘të japë ndonjë dhuratë frymore’ gjatë një vizite baritore

12. Cilët në kongregacion kanë nevojë për inkurajim dhe pse?

12 Cilët do të përfitojnë nga vizitat baritore? Pavli, i cili ishte vetë një plak, i nxiti pleqtë e krishterë ‘t’i kushtonin vëmendje gjithë kopesë’. Po, të gjithë pjesëtarët e kongregacionit kanë nevojë për inkurajim, përfshirë edhe ata lajmëtarë e pionierë që vit pas viti po kryejnë me besnikëri shërbimin. Pse kanë nevojë për mbështetjen e barinjve frymorë? Sepse ndonjëherë presionet e kësaj bote të ligë thuajse i mbysin edhe këta vëllezër të fortë frymësisht. Për ta ilustruar pse edhe një shërbëtor i fortë i Perëndisë ndonjëherë mund të ketë nevojë për ndihmë nga një mik, le të shqyrtojmë një ngjarje nga jeta e mbretit David.

«ABISHAI . . . I ERDHI NË NDIHMË»

13. (a) Cilën gjendje të Davidit shfrytëzoi Ishbi-Benobi? (b) Si arriti Abishai ta shpëtonte Davidin?

13 Pak pasi i riu David u miros si mbret, i doli ballë për ballë Goliadit, një nga refaimët, racë gjigantësh. Davidi guximtar e vrau gjigantin. (1 Sam. 17:4, 48-51; 1 Kron. 20:5, 8) Vite më vonë, gjatë një beteje me filistinët, përsëri Davidi i doli ballë për ballë një gjiganti.  Ai quhej Ishbi-Benob dhe po ashtu ishte refaim. (2 Sam. 21:16; shën. BR me referime, angl.) Por këtë herë, gjiganti për pak sa s’e vrau Davidin. Pse? Jo se Davidi kishte humbur guximin, por forcën. Tregimi thotë: «Davidi u lodh.» Sapo Ishbi-Benobi pikasi çastin kur Davidi ishte i dobët fizikisht, ‘mendoi ta godiste’. Pikërisht kur gjiganti po bëhej gati t’i ngulte shpatën Davidit, «menjëherë Abishai, biri i Zerujasë, i erdhi në ndihmë [Davidit], goditi filistinin dhe e vrau». (2 Sam. 21:15-17) Shpëtoi për një qime! Sa mirënjohës duhet të jetë ndier që Abishai i kishte mbajtur sytë tek ai dhe i kishte ardhur shpejt në ndihmë kur ishte në rrezik! Ç’mësime mund të nxjerrim nga ky tregim?

14. (a) Si mund t’i mposhtim sfidat e ngjashme me Goliadin? (b) Si mund t’i ndihmojnë pleqtë të tjerët që të rifitojnë forcën dhe gëzimin? Jepni një shembull.

14 Në mbarë botën, ne si populli i Jehovait po kryejmë shërbimin pavarësisht nga pengesat që na vë udhës Satanai dhe përkrahësit e tij. Disa prej nesh jemi përballur me sfida gjigante, megjithatë duke u mbështetur plotësisht te Jehovai, nuk u jemi shmangur këtyre «Goliadëve», por i kemi mposhtur. Gjithsesi, ndonjëherë beteja e pareshtur kundër presioneve të kësaj bote na lodh e na shkurajon. Në këtë gjendje të dobësuar, jemi një pre më e lehtë dhe rrezikojmë të na ‘godasin’ presionet, të cilat në raste të tjera, do t’i kishim përballuar me sukses. Në momente të tilla, mbështetja në kohën e duhur nga një plak mund të na ndihmojë të rifitojmë gëzimin dhe forcën, siç e kanë përjetuar shumë veta. Një pioniere në mes të të 60-ave tregoi: «Ca kohë më parë, nuk ndihesha mirë dhe shërbimi më lodhte. Një plak e vuri re që s’kisha energji dhe m’u afrua. Bëmë një bisedë inkurajuese bazuar te një fragment biblik. I zbatova sugjerimet që më dha dhe nxora dobi.» Ajo tha më tej: «Sa i dashur u tregua ai plak që vuri re gjendjen time të dobët dhe më ndihmoi!» Po, marrim zemër kur dimë se kemi pleq që me dashuri i mbajnë sytë te ne dhe që, si Abishai i lashtësisë, rrinë gati ‘për të na ardhur në ndihmë’.

«TA DINI SE SA SHUMË JU DUA»

15, 16. (a) Pse Pavli ishte i shtrenjtë për bashkëbesimtarët? (b) Pse i duam pleqtë tanë të dashur të kongregacionit?

15 Të jesh bari kërkon shumë punë. Nganjëherë pleqtë kalojnë net pa gjumë duke u lutur për kopenë e Perëndisë nga meraku për të ose duke mbështetur frymësisht bashkëbesimtarët. (2 Kor. 11:27, 28) Prapëseprapë, pleqtë e përmbushin përgjegjësinë e tyre plotësisht dhe me gëzim, ashtu si Pavli. Ai u shkroi korintasve: «Unë do të shpenzoj me gëzim të madh dhe do të shpenzohem deri në fund për shpirtrat tuaj.» (2 Kor. 12:15) Vërtet, nga dashuria për vëllezërit, Pavli u shpenzua deri në fund që t’i forconte. (Lexo 2 Korintasve 2:4; Filip. 2:17; 1 Sel. 2:8) Ja pse ishte i shtrenjtë për vëllezërit.​—Vep. 20:31-38.

16 Edhe sot ne si shërbëtorë të Perëndisë i duam pleqtë tanë të dashur të krishterë dhe në lutjet personale falënderojmë Jehovain që na i ka dhënë. Ata na e shtojnë gëzimin duke shfaqur interes personal për ne. Vizitat e tyre baritore na pasurojnë. Për më tepër, jemi mirënjohës që rrinë gati për të na ardhur në ndihmë në momentet kur ndihemi të mbytur nga presionet e kësaj bote. Po, këta pleq të krishterë të vëmendshëm janë vërtet ‘bashkëpunëtorë për gëzimin tonë’.

^ par. 5 Po këtyre vëllezërve e motrave iu bë pyetja: «Cilën cilësi vlerëson më tepër te një plak?» Shumica dërrmuese u përgjigj: «Që është i afrueshëm.» Kjo cilësi e rëndësishme do të shqyrtohet në një numër të ardhshëm të kësaj reviste.