Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Më mëso të bëj vullnetin tënd»

«Më mëso të bëj vullnetin tënd»

«Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.»​—PSAL. 143:10.

1, 2. Si mund të nxjerrim dobi nëse mbajmë parasysh vullnetin e Perëndisë? Çfarë presim të mësojmë në këtë aspekt nga mbreti David?

A KE përdorur ndonjëherë gjatë një udhëtimi hartë dixhitale me pamje nga lart? Falë pamjeve satelitore mund ta kesh më të lehtë të bësh zgjedhjen më të mirë për të shkuar diku. Një parim i ngjashëm mund të na ndihmojë kur duhet të marrim vendime të rëndësishme. Nëse i shohim gjërat nga këndvështrimi i Krijuesit që shikon çdo gjë nga lart, e kemi më të lehtë ‘të ecim në udhën’ që miraton Jehovai.​—Isa. 30:21.

2 Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, na la një shembull të jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Gjatë pjesës më të madhe të jetës, ai u përpoq t’i shihte gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë dhe mbajti parasysh vullnetin e Tij. Le të shqyrtojmë disa ndodhi nga jeta e tij me synimin për të mësuar nga sjellja e një njeriu të kushtuar me gjithë zemër ndaj Perëndisë Jehova.​—1 Mbret. 11:4.

DAVIDI E NDERONTE THELLËSISHT EMRIN E JEHOVAIT

3, 4. (a) Çfarë e shtyu Davidin t’i dilte ballas Goliadit? (b) Si e konsideronte Davidi emrin e Perëndisë?

3 Le të shohim rastin kur Davidi u përball me Goliadin, më të fortin e filistinëve. Ç’e shtyu të riun David të sfidonte një gjigant rreth 3 metra të gjatë, të armatosur gjer në dhëmbë? (1 Sam. 17:4) Guximi? Besimi te Perëndia? Të dyja këto cilësi luajtën një rol të rëndësishëm në këtë akt trimërie. Megjithatë, respekti për Jehovain dhe për emrin e tij të madh e motivuan në mënyrë të veçantë Davidin t’i dilte ballas këtij shtatvigani. Plot indinjatë, ai tha: «Kush na qenka ky filistin i parrethprerë që sfidoka forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë?!»​—1 Sam. 17:26.

 4 I riu David iu drejtua sy më sy Goliadit: «Ti po vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave ushtarake të Izraelit, të cilin ti e ke sfiduar.» (1 Sam. 17:45) Duke u mbështetur plotësisht te Perëndia i vërtetë, Davidi e shembi përdhe më të fortin e filistinëve me një të rënë guri. Jo vetëm në këtë rast, por gjatë gjithë jetës u mbështet plotësisht te Jehovai dhe tregoi nderim të thellë për emrin e tij. Madje, i nxiti bashkëkombësit izraelitë ‘të krenoheshin me emrin e shenjtë të Jehovait’.​—Lexo 1 Kronikave 16:8-10.

5. Cilat situata sot mund të krahasohen me provokimet e Goliadit?

5 A je krenar që Perëndia yt është Jehovai? (Jer. 9:24) Si reagon kur fqinjët, kolegët, shokët e shkollës ose të afërmit flasin keq për Jehovain dhe tallen me Dëshmitarët e tij? A del në mbrojtje kur shahet emri i Jehovait, i sigurt se ai do të të mbështetë? Është e vërtetë se ka «një kohë për të heshtur», ama nuk duhet të na vijë turp që jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe dishepuj të Jezuit. (Ekl. 3:1, 7; Mar. 8:38) Megjithëse duhet të tregojmë takt dhe mirësjellje me ata që nuk na presin mirë, s’duhet të jemi si izraelitët që «u tmerruan dhe u hyri një frikë e madhe» kur dëgjuan provokimet e Goliadit. (1 Sam. 17:11) Përkundrazi, të veprojmë me vendosmëri që të shenjtërojmë emrin e Perëndisë Jehova. Duam t’i ndihmojmë njerëzit të njohin Perëndinë Jehova. Për këtë, përdorim Fjalën e tij të shkruar që të kuptojnë sa e rëndësishme është t’i afrohen Perëndisë.​—Jak. 4:8.

6. Çfarë donte të arrinte Davidi duke u përballur me Goliadin? Cili duhet të jetë meraku ynë kryesor?

6 Përballja e Davidit me Goliadin na jep edhe një tjetër mësim jetësor. Kur Davidi shkoi me vrap në fushën e betejës, pyeti: «Çfarë do të bëhet me njeriun që e vret atë filistinin atje dhe që ia heq kështu poshtërimin Izraelit?» Njerëzit u përgjigjën njësoj si më parë: «Atë që e vret [Goliadin], mbreti do t’i japë pasuri të mëdha dhe të bijën.» (1 Sam. 17:25-27) Mirëpo, Davidi s’e kishte mendjen te shpërblimi. Ai kishte një synim më të lartë. Donte t’i jepte lavdi Perëndisë së vërtetë. (Lexo 1 Samuelit 17:46, 47.) Po ne? A merakosemi të bëhemi dikushi duke mbledhur pasuri e duke bërë emër në botë? S’do mend që duam të jemi si Davidi që këndoi: «Madhëroni Jehovain bashkë me mua, dhe ejani të lartësojmë të gjithë emrin e tij.» (Psal. 34:3) Edhe ne le të mbështetemi te Perëndia, duke e vënë emrin e tij para tonit.​—Mat. 6:9.

7. Si mund ta zhvillojmë besimin e fortë që na duhet, kur takojmë njerëz që nuk na presin mirë?

7 Që të ishte i guximshëm para Goliadit, Davidi duhej të mbështetej plotësisht te Jehovai. Ai kishte besim të fortë. Ndër të tjera, e kishte ndërtuar besimin duke u mbështetur te Perëndia kur ishte bari. (1 Sam. 17:34-37) Edhe ne duhet të kemi besim të fortë që të vazhdojmë në shërbim, sidomos kur takojmë njerëz që nuk na presin mirë. Mund ta zhvillojmë këtë lloj besimi duke u mbështetur te Perëndia në aktivitetet tona të përditshme. Për shembull, mund të nisim biseda për të vërtetat e Biblës me njerëz që mund të ulen afër nesh kur përdorim transportin publik. Veç kësaj, të mos ngurrojmë të flasim me ata që takojmë rrugës gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi.​—Vep. 20:20, 21.

 DAVIDI PRISTE JEHOVAIN

Çfarë e frenoi Davidin të mos e vriste Saulin kur iu dha rasti?

8, 9. Si tregoi Davidi se mbante në mendje vullnetin e Jehovait në lidhje me mbretin Saul?

8 Një shembull tjetër i gatishmërisë së Davidit për t’u mbështetur te Jehovai kishte të bënte me Saulin, mbretin e parë të Izraelit. Sauli xheloz u orvat tri herë ta mbërthente me heshtë në mur, por çdo herë Davidi iu shmang dhe nuk ia ktheu me të njëjtën monedhë. Në fund, ia mbathi larg Saulit. (1 Sam. 18:7-11; 19:10) Atëherë, Sauli zgjodhi 3.000 burra në gjithë Izraelin dhe u nis të kapte Davidin në shkretëtirë. (1 Sam. 24:2) Një herë, pa e ditur, Sauli hyri në shpellën ku ishte Davidi me njerëzit e tij. Davidi mund ta kishte shfrytëzuar këtë rast për ta hequr qafe mbretin që donte t’i merrte jetën. Tek e fundit, ishte vullneti i Perëndisë që Davidi të bëhej mbret i Izraelit në vend të Saulit. (1 Sam. 16:1, 13) Faktikisht, sikur Davidi t’ia vinte veshin këshillës së njerëzve të tij, mbreti s’do të kish mbetur gjallë. Por Davidi tha: «Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk më shkon kurrë ndër mend që t’ia bëj këtë gjë zotërisë tim, të mirosurit të Jehovait.» (Lexo 1 Samuelit 24:4-7.) Sauli ishte akoma mbreti i mirosur i Perëndisë. Përderisa Jehovai nuk e kishte hequr ende nga froni Saulin, Davidi nuk donte t’ia rrëmbente kurorën. Duke i prerë vetëm cepin e petkut pa mëngë, Davidi tregoi se nuk kishte ndër mend t’i bënte keq Saulit.​—1 Sam. 24:11.

9 Davidi tregoi përsëri respekt për mbretin, të mirosurin e Perëndisë, kur e pa për herë të fundit. Asokohe, Davidi dhe Abishai shkuan në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin dhe e gjetën në gjumë. Abishai ishte i bindur se Perëndia ia kishte dhënë në dorë armikun Davidit dhe i kërkoi leje ta mbërthente në tokë me heshtë, por ai s’e la. (1 Sam. 26:8-11) Davidi priste drejtimin e Perëndisë, ndaj qëndroi i vendosur të respektonte vullnetin e Jehovait pa u ndikuar nga nxitja e Abishait.

10. Në ç’situatë sfiduese mund të gjendet secili prej nesh dhe çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të patundur?

10 Edhe ne mund të gjendemi në ndonjë situatë sfiduese ku të tjerët na bëjnë presion të ndjekim arsyetime njerëzore në vend që të na mbështetin të zbatojmë vullnetin e Jehovait. Ashtu si Abishai, disa mund të na nxitin madje të veprojmë pa marrë parasysh vullnetin e Perëndisë për ndonjë çështje të caktuar. Që të qëndrojmë të patundur, duhet të kemi të qartë në mendje pikëpamjen e Jehovait për atë çështje dhe t’u qëndrojmë besnikë udhëve të tij.

11. Si tregoi Davidi se vullneti i Perëndisë ishte gjëja më e rëndësishme në jetë? Si mund ta imitojmë Davidin?

 11 Davidi iu lut Perëndisë Jehova: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.» (Lexo Psalmin 143:5, 8, 10.) Ai nuk u mbështet tek idetë e veta dhe as u dorëzua para nxitjeve të të tjerëve, por donte me zjarr të mësonte nga Perëndia. ‘Meditonte për gjithçka që kishte bërë Jehovai dhe plot ëndje mbante në mend veprën e duarve të Perëndisë.’ Ne mund ta dallojmë vullnetin e Perëndisë duke rrëmuar në Shkrime e duke medituar për tregimet biblike që na zbulojnë se si i ka drejtuar Jehovai njerëzit në të kaluarën.

DAVIDI I ÇMONTE PARIMET QË PASQYRONTE LIGJI

12, 13. Pse e derdhi Davidi ujin që i sollën tre luftëtarët e tij?

12 Gjithashtu, ia vlen të imitojmë çmueshmërinë e Davidit për parimet e pasqyruara në Ligj dhe dëshirën e tij për të jetuar në përputhje me to. Le të shohim çfarë ndodhi kur Davidit i ishte tharë goja për një pikë ujë dhe tha: «Ah, sikur të pija ca ujë nga sterna e Betlehemit!» Tre nga luftëtarët e tij çanë përmes kampit deri në qytet, në atë kohë i pushtuar nga filistinët, dhe i sollën ujë. Gjithsesi, «Davidi nuk pranoi ta pinte, por e derdhi para Jehovait». Pse? Davidi tha: «Nga respekti që kam për Perëndinë, s’më ka shkuar kurrë ndër mend të bëj një gjë të tillë! Të pi unë gjakun e këtyre burrave që vunë në rrezik shpirtin e tyre?! Sepse ata e sollën atë duke vënë në rrezik shpirtin e tyre.»​—1 Kron. 11:15-19.

Ç’mund të mësojmë nga rasti kur Davidi nuk pranoi të pinte ujin që i sollën luftëtarët e tij?

13 Davidi e kishte kuptuar nga Ligji se gjaku s’duhej ngrënë, por duhej derdhur para Jehovait. Gjithashtu, kishte kuptuar pse duhej vepruar kështu. Davidi e dinte se «shpirti i gjallesës është në gjak». Sidoqoftë, ai ishte ujë, jo gjak. Pse Davidi nuk pranoi ta pinte? Sepse çmonte parimin që nxirrte në pah ajo kërkesë ligjore. Për të, uji ishte po aq i çmuar sa edhe gjaku i tre luftëtarëve të tij. Prandaj, as që e çonte ndër mend ta pinte. Ai doli në përfundimin se uji nuk duhej pirë, por duhej derdhur përtokë.​—Lev. 17:11; Ligj. 12:23, 24.

14. Çfarë e ndihmoi Davidin të kishte pikëpamjen e Jehovait?

 14 Davidi u përpoq të jepej i tëri pas ligjit të Perëndisë. Ai këndoi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» (Psal. 40:8) Davidi e studionte ligjin e Perëndisë dhe meditonte thellë për të. Ai besonte te mençuria e urdhërimeve të Jehovait. Si rrjedhojë, kishte merak jo thjesht t’i përmbahej Ligjit të Moisiut germë për germë, por edhe frymës së tij. Kur studiojmë Biblën, është e mençur të meditojmë për atë që lexojmë dhe ta çojmë në zemër. Kështu, dallojmë çfarë i pëlqen Jehovait në lidhje me një çështje të caktuar.

15. Si tregoi mungesë respekti Solomoni për Ligjin e Perëndisë?

15 Biri i Davidit, Solomoni, gëzonte mjaft privilegje para Perëndisë Jehova. Megjithatë, ai nuk tregoi respekt për Ligjin e Perëndisë. Nuk ia vuri veshin urdhrit të Jehovait sipas të cilit mbreti i Izraelit nuk duhej ‘të shtonte gratë e veta’. (Ligj. 17:17) Në fakt, Solomoni u martua me shumë gra të huaja. Kur u plak, «gratë ia kishin kthyer zemrën që të ndiqte perëndi të tjera». Sido që të ketë menduar, «Solomoni filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe nuk iu bind në çdo gjë Jehovait si Davidi, ati i tij». (1 Mbret. 11:1-6) Sa e rëndësishme është t’u bindemi ligjeve dhe parimeve të Fjalës së Perëndisë! Për shembull, kjo është jetësore nëse po mendon të martohesh.

16. Si duhet të ndikojë fryma që përcjell urdhri për t’u martuar «vetëm në Zotërinë» tek ata që duan të martohen?

16 Nëse një jobesimtar tregon interes romantik për ty, cilën pikëpamje do të pasqyronte përgjigjja jote, të Davidit apo të Solomonit? Shkrimet thonë se adhuruesit e vërtetë duhet të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Nëse një i krishterë vendos të martohet, ai ose ajo duhet të martohet me një bashkëbesimtar. Kush e kap frymën e kësaj kërkese biblike, jo vetëm që s’do të martohet me një jobesimtar, por as do ta miklojë interesi romantik që tregon ai.

17. Çfarë mund të na ndihmojë të shmangim grackën e pornografisë?

17 Le të shohim edhe se si këmbëngulja e Davidit për të ndjekur drejtimin e Perëndisë mund të na ndihmojë t’i rezistojmë tundimit për të parë pamje pornografike. Lexo shkrimet e mëposhtme, mendo për parimet që përfshihen dhe përpiqu të dallosh vullnetin e Jehovait për këtë çështje. (Lexo Psalmin 119:37; Mateun 5:28, 29; Kolosianëve 3:5.) Kur mendojmë për standardet e tij të larta, arrijmë të shmangim grackën e pornografisë.

MBAJ GJITHNJË NË MENDJE PIKËPAMJEN E PERËNDISË

18, 19. (a) Ndonëse i papërsosur, çfarë e ndihmoi Davidin të vazhdonte të kishte miratimin e Perëndisë? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Edhe pse ishte shembullor në shumë drejtime, Davidi kreu disa mëkate serioze. (2 Sam. 11:2-4, 14, 15, 22-27; 1 Kron. 21:1, 7) Megjithatë, u pendua sa herë që mëkatoi. Ai eci para Perëndisë «me një zemër me integritet». (1 Mbret. 9:4) Pse mund ta themi këtë? Sepse u përpoq të vepronte në përputhje me vullnetin e Jehovait.

19 Ndonëse të papërsosur, mund të vazhdojmë të kemi miratimin e Jehovait. Me këtë synim në mendje, le ta studiojmë Fjalën e Perëndisë me zell, të meditojmë thellë mbi atë që mësojmë prej saj dhe të veprojmë me vendosmëri sipas asaj që kemi në zemër. Atëherë do t’i lutemi Jehovait si psalmisti që kërkoi me përulësi: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.»