Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui la modelin e përulësisë

Jezui la modelin e përulësisë

«Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.»​—GJONI 13:15.

1, 2. Ç’mësim u dha Jezui apostujve natën e fundit të jetës në tokë?

ËSHTË nata e fundit e Jezuit në tokë dhe ai e kalon me apostujt në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem. Gjatë darkës, Jezui ngrihet dhe vë mënjanë veshjen e sipërme. Merr një peshqir dhe e ngjesh pas vetes. Pastaj hedh ujë në një legen dhe nis t’u lajë këmbët dishepujve e t’ua thajë me peshqir. Vesh prapë veshjen e sipërme. Pse e bëri Jezui këtë veprim të përulur?​—Gjoni 13:3-5.

2 Vetë ai shpjegon: «A e kuptuat çfarë ju bëra? . . . Prandaj, kur ju lava këmbët unë që jam Zotëri dhe Mësues, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:12-15) Me këtë veprim të përulur, Jezui u dha apostujve një mësim që s’do t’u shqitej nga mendja e që do t’i inkurajonte të ishin të përulur në ditët që do të vinin.

3. (a) Si e theksoi Jezui rëndësinë e përulësisë në dy raste? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Ky nuk ishte rasti i parë që Jezui nënvizonte vlerën e përulësisë. Një herë tjetër, kur disa prej apostujve shfaqën një frymë konkurrence, mori afër një fëmijë të vogël dhe u tha: «Kushdo që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon edhe mua. Dhe kushdo që më pranon mua, pranon edhe atë që më dërgoi. Sepse ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.» (Luka 9:46-48) Duke njohur mirë prirjen e farisenjve për t’u dukur, ai tha më vonë gjatë shërbimit: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Luka 14:11) Duket qartë se Jezui do që ithtarët e tij të jenë të përulur, domethënë, me  përulësi mendjeje dhe jo krenarë e arrogantë. Le të shqyrtojmë me kujdes shembullin e tij të përulësisë, me qëllim që ta imitojmë. Gjithashtu, do të shohim se si kjo cilësi i sjell dobi jo vetëm atij që e shfaq, por edhe të tjerëve.

«AS KAM SHKUAR NË DREJTIM TË KUNDËRT»

4. Si tregoi përulësi Biri i vetëmlindur i Perëndisë gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore?

4 Biri i vetëmlindur i Perëndisë shfaqi përulësi edhe para se të vinte në tokë. Gjatë ekzistencës paranjerëzore, Jezui kaloi një numër të pallogaritshëm vitesh me Atin e tij në qiell. Ja çfarë thotë libri biblik i Isaisë për marrëdhënien e ngushtë që kishte Biri me Atin: «Zotëria Sovran Jehova më ka dhënë gjuhën e të mësuarve, që të di si t’i përgjigjem të lodhurit me një fjalë. Ai më zgjon mëngjes për mëngjes. E zgjon veshin tim çdo mëngjes, që të dëgjoj si ata që janë mësuar. Zotëria Sovran Jehova ma ka hapur veshin që të kuptoj, dhe unë nuk kam ngritur krye e as kam shkuar në drejtim të kundërt.» (Isa. 50:4, 5) Biri i Perëndisë shfaqte një qëndrim të përulur dhe dëgjonte me vëmendje atë që i mësonte Jehovai. Ai ishte i etur të mësonte nga Perëndia i vërtetë. Jezui duhet të ketë parë me vëmendje se si Jehovai me përulësi i tregonte mëshirë njerëzimit mëkatar.

5. Si la një shembull përulësie e modestie Jezui në rolin e kryeengjëllit Mikael kur pati një mosmarrëveshje me Djallin?

5 Jo të gjitha krijesat në qiell kishin të njëjtin qëndrim si Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Në vend që të donte të mësonte nga Jehovai, engjëlli që u bë Satana Djalli lejoi të ndikohej nga tipare krejt të kundërta me përulësinë​—mendjemadhësia dhe krenaria—​gjersa u rebelua kundër Jehovait. Kurse Jezui as pretendonte më shumë autoritet në qiell dhe as prirej ta keqpërdorte autoritetin që kishte. Si kryeengjëlli Mikael, Jezui nuk abuzoi me autoritetin kur ‘pati një mosmarrëveshje me Djallin për trupin e Moisiut’. Përkundrazi, Biri i Perëndisë tregoi përulësi e modesti. Me dëshirë ia la këtë çështje në dorë Jehovait, Gjykatësit Suprem të universit, që ta zgjidhte në mënyrën dhe në kohën e duhur.​—Lexo Judën 9.

6. Si tregoi përulësi Jezui kur pranoi caktimin për të shërbyer si Mesia?

6 Ndër ato që mësoi Jezui gjatë ekzistencës paranjerëzore ishin pa dyshim edhe profecitë që parathoshin hollësi për jetën e tij në tokë si Mesia. Kështu, ai duhet të ketë qenë në dijeni të ndodhive të pakëndshme që e pritnin. Sidoqoftë, Jezui e pranoi caktimin për të jetuar në tokë e për të vdekur si Mesia i premtuar. Pse? Pavli nxori në pah përulësinë e Birit të vetëmlindur të Perëndisë kur shkroi: «Edhe pse ishte në formë Perëndie, [ai] as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, përkundrazi e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve.»​—Filip. 2:6, 7.

SI NJERI, «AI E PËRULI VETEN»

Si nxjerrim dobi nga përulësia e Jezuit?

7, 8. Në ç’mënyra tregoi Jezui përulësi gjatë fëmijërisë dhe gjatë shërbimit në tokë?

7 Pavli vazhdoi: «Kur [Jezui] u gjend në trajtë njeriu, ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.» (Filip. 2:8) Që në fëmijëri, Jezui na la modelin e përulësisë. Megjithëse ishte rritur nga prindër të papërsosur, Jozefi e Maria, Jezui me përulësi «vazhdoi t’u nënshtrohej atyre». (Luka 2:51) Ç’shembull i shkëlqyer për të rinjtë që Perëndia do t’i bekojë nëse u nënshtrohen me dëshirë prindërve!

 8 Kur u rrit, Jezui tregoi përulësi duke i dhënë përparësi vullnetit të Jehovait, jo asaj që donte vetë. (Gjoni 4:34) Gjatë shërbimit, Jezu Krishti përdori emrin e Perëndisë dhe i ndihmoi njerëzit e sinqertë të fitonin njohuri të saktë për cilësitë e Jehovait dhe për qëllimin e Tij për njerëzimin. Veç këtyre, ai jetoi në përputhje me atë që u mësonte të tjerëve për Jehovain. Për shembull, në lutjen model, gjëja e parë që përmendi Jezui ishte: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) Në këtë mënyrë, i mësoi dishepujt që shenjtërimi i emrit të Jehovait të ishte gjëja kryesore për ta. Ai vetë jetoi në përputhje me këtë. Nga fundi i shërbimit të tij në tokë, Jezui me të drejtë i tha Jehovait në lutje: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd [apostujve] dhe do ta bëj të njohur.» (Gjoni 17:26) Gjithashtu, gjatë gjithë shërbimit Jezui ia dha meritën Jehovait për atë që kishte bërë në tokë.​—Gjoni 5:19.

9. Çfarë profetizoi Zakaria për Mesinë dhe si e përmbushi Jezui?

9 Zakaria profetizoi për Mesinë: «Gëzohu me të madhe, o bijë e Sionit. Brohorit me ngadhënjim, o bijë e Jerusalemit. Ja, mbreti yt po vjen te ti. Ai është i drejtë dhe ka shpëtuar, është i përulur dhe i hipur në një gomar, po, në një kafshë të rritur, pjellë e gomaricës.» (Zak. 9:9) Kjo u përmbush kur Jezui hyri në Jerusalem para pashkës së vitit 33 të e.s. Turma shtroi në rrugë veshjet e veta dhe degë palmash. Faktikisht, gjithë qyteti u pështjellua kur hyri ai. Edhe kur e shpallën publikisht mbret, Jezui u tregua i përulur.​—Mat. 21:4-11.

10. Çfarë tregoi bindja me dëshirë e Jezuit deri në vdekje?

10 Qëndrimi i përulur dhe i bindur i Jezu Krishtit në tokë kulmoi me vdekjen e tij në shtyllën e torturës. Në këtë mënyrë, ai tregoi përtej çdo dyshimi se njerëzit mund t’i qëndrojnë besnikë Jehovait edhe në sprova ekstreme. Gjithashtu, Jezui tregoi se Satanai e kishte gabim kur  tha se njerëzit do t’i shërbenin Perëndisë për arsye egoiste. (Jobi 1:9-11; 2:4) Duke e mbajtur integritetin në mënyrë të përsosur, Krishti mbrojti të drejtën e Jehovait për të qenë sovrani universal dhe tregoi se sundimi i Tij ishte më i miri për të. Jehovai duhet të jetë kënaqur shumë kur ka parë besnikërinë e patundur të Birit të tij të përsosur.​—Lexo Proverbat 27:11.

11. Cilat mundësi u ofrohen njerëzve me besim falë flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit?

11 Me vdekjen e tij në shtyllën e torturës Jezui pagoi edhe çmimin e shpërblesës për njerëzimin. (Mat. 20:28) Kjo u ofroi mundësinë njerëzve mëkatarë të jetojnë përgjithmonë pa cenuar kërkesat e Perëndisë në lidhje me drejtësinë. Pavli shkroi: «Nëpërmjet një shkeljeje të vetme njerëz të çdo lloji përfunduan në dënim, po ashtu, nëpërmjet një akti të vetëm shfajësimi, njerëz të çdo lloji shpallen të drejtë për jetën.» (Rom. 5:18) Vdekja e Jezuit i çeli rrugën qoftë jetës së pavdekshme në qiell për të krishterët e mirosur me frymë, qoftë jetës së përhershme në tokë për ‘delet e tjera’.​—Gjoni 10:16; Rom. 8:16, 17.

JAM «I PËRULUR NË ZEMËR»

12. Si tregoi Jezui butësi e përulësi me njerëzit e papërsosur?

12 Jezui thirri drejt vetes të gjithë ata ‘që robtoheshin e ishin të ngarkuar’. Ai tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mat. 11:28, 29) Përulësia dhe butësia e nxitën Jezuin të ishte mirëdashës dhe i paanshëm me njerëzit e papërsosur. Ai ishte i arsyeshëm në atë që priste nga dishepujt e tij. Jezui i lavdëroi dhe i inkurajoi. Nuk i bëri të ndiheshin të paaftë ose të pavlerë. Kuptohet që Jezui nuk ishte i ashpër dhe nuk i rëndonte të tjerët. Përkundrazi, i siguroi ithtarët se, po t’i afroheshin dhe po të zbatonin mësimet e tij, do të freskoheshin, sepse zgjedha e tij ishte e mirë dhe ngarkesa e tij ishte e lehtë. Kushdo, pavarësisht nga gjinia ose mosha, ndihej rehat me të.​—Mat. 11:30.

Jezui ishte shembull në shfaqjen e dhembshurisë

13. Si tregoi dhembshuri Jezui për nevojtarët?

13 Kur ishte me izraelitët e thjeshtë, Jezui tregonte dhembshuri për ta, sepse ishin nevojtarë dhe me dashuri u kushtoi vëmendje nevojave të tyre. Kur ishte afër Jerikosë, takoi një lypës të verbër me emrin Bartime bashkë me një të verbër tjetër të cilit nuk i përmendet emri. Ata i kërkuan me ngulm ndihmë Jezuit, por turma u foli rreptë që të heshtnin. Sa e lehtë do të kish qenë të shpërfillte përgjërimin e të verbërve! Ai nuk e bëri këtë, përkundrazi,  kërkoi që t’i çonin tek ai dhe u ktheu shikimin, ngaqë i erdhi keq për ta. Jezui imitoi Jehovain, Atin e tij, duke treguar përulësi e mëshirë për mëkatarët e mjerë.​—Mat. 20:29-34; Mar. 10:46-52.

«KUSHDO QË E PËRUL VETEN, DO TË LARTËSOHET»

14. Çfarë dobish ka sjellë përulësia e Jezuit?

14 Përulësia e Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës u solli gëzim e bekime shumë të tjerëve. Jehovai u kënaq kur e pa Birin e tij të shtrenjtë t’i nënshtrohej me përulësi vullnetit hyjnor. Apostujt dhe dishepujt u ndien të freskuar nga natyra e butë dhe përulësia e zemrës që tregoi Jezui. Shembulli, mësimet dhe lavdërimet e tij të ngrohta i nxitën të përparonin frymësisht. Njerëzit e thjeshtë nxorën dobi nga përulësia e Jezuit, ngaqë i mësoi dhe u dha ndihmë e inkurajim. Në të vërtetë, të gjithë ata që janë të denjë të shpëtojnë, do të korrin dobi të përhershme falë flijimit shpërblyes të Jezuit.

15. Si nxori dobi Jezui nga përulësia e tij?

15 Po vetë Jezui, a nxori dobi nga përulësia e tij? Po, sepse ai u tha dishepujve: «Kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Mat. 23:12) Këto fjalë dolën të vërteta për të. Pavli shpjegon: «Perëndia e ngriti [Jezuin] në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» Meqenëse Biri u tregua gjithmonë i përulur e besnik në tokë, Perëndia Jehova e lartësoi duke i dhënë autoritet mbi çdo krijesë në qiell e në tokë.​—Filip. 2:9-11.

JEZUI ‘DO TË KALËROJË NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS E TË PËRULËSISË’

16. Si e kuptojmë se përulësia do të vazhdojë të jetë karakteristikë e Birit të Perëndisë në çdo gjë që do të bëjë?

16 Përulësia do të vazhdojë të jetë karakteristikë e Birit të Perëndisë në çdo gjë që do të bëjë. Duke parathënë se si do të sulet Jezui kundër armiqve të tij nga pozita e lartësuar qiellore, psalmisti këndoi: «Me shkëlqimin tënd shko drejt suksesit; kalëro në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë.» (Psal. 45:4) Në Harmagedon, Jezu Krishti do të mbrojë përulësinë, njësoj siç do të mbrojë të vërtetën e drejtësinë. Çfarë do të ndodhë më pas, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, kur Mbreti mesianik «të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi»? A do të tregojë përulësi ai? Po, sepse «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij».​—Lexo 1 Korintasve 15:24-28.

17, 18. (a) Pse është e rëndësishme që shërbëtorët e Jehovait të ndjekin modelin e Jezuit në lidhje me përulësinë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Po ne? A do të ndjekim modelin që la Shembulli ynë duke treguar përulësi? Çfarë do të ndodhë me ne kur Mbreti Jezu Krisht të vijë për të ekzekutuar gjykimin në Harmagedon? Përderisa ai kalëron në mbrojtje të përulësisë, e kuptojmë se do të shpëtojë vetëm të përulurit dhe të drejtët. Prandaj, që të mbijetojmë, është jetësore të zhvillojmë përulësinë. Atëherë, përulësia do të na sjellë dobi neve dhe të tjerëve, ashtu siç ishte në rastin e Jezuit.

18 Çfarë mund të na ndihmojë të ndjekim modelin e përulësisë së Jezuit? Si mund të përpiqemi të jemi të përulur pavarësisht nga sfidat që hasim? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.