‘Të qëndrojmë vigjilentë’—Përse është kaq e rëndësishme?
‘Të qëndrojmë vigjilentë’—Përse është kaq e rëndësishme?
«CILA do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3) Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Jezui u dha dishepujve të tij një shenjë të qartë, të hollësishme, të dallueshme dhe të pangatërrueshme, e cila gjendet te kapitulli i 24-t i Mateut, kapitulli i 13-të i Markut dhe kapitulli i 21-të i Lukës. Ai shtoi: «Qëndroni vigjilentë.»—Mat. 24:42.
Mirëpo, nëse shenja në vetvete do të ishte kaq e qartë, pse nevojitej edhe ky paralajmërim? Shqyrtoni këto dy arsye të mundshme. Së pari, për shkak të shpërqendrimeve disa mund ta shpërfillnin shenjën e si pasojë të humbnin gjendjen frymore dhe vigjilencën. Së dyti, një i krishterë mund t’i vërente disa veçori të shenjës, por, për shkak të mjedisit që e rrethonte, mund të mos e ndiente drejtpërdrejt ndikimin e tyre. Prandaj, mund të arsyetonte se ‘shtrëngimi i madh’, pika kulmore e profecisë së Jezuit, ishte akoma tepër larg dhe kështu nuk ishte ende e nevojshme ‘të qëndronte vigjilent’.—Mat. 24:21.
Ata «nuk kushtuan vëmendje»
Jezui u kujtoi ithtarëve të vet bashkëkohësit e Noesë. Predikimi i Noesë, ndërtimi i arkës kolosale dhe dhuna e atyre ditëve s’kishin si të kalonin pa u vënë re. Gjithsesi, pjesa më e madhe «nuk kushtuan vëmendje». (Mat. 24:37-39) Sot mbizotëron një qëndrim i ngjashëm për sa u përket paralajmërimeve. Për shembull, tabelat për kufizimin e shpejtësisë përcjellin një mesazh të pangatërrueshëm, e megjithatë shumë veta nuk ua vënë veshin. Shpesh, autoritetet ndihen të shtrënguara të vënë pengesa në formë gungash nëpër rrugët e qyteteve për t’i detyruar shoferët të ulin shpejtësinë. Në mënyrë të ngjashme, një i krishterë mund të jetë i vetëdijshëm për shenjën e ditëve të fundit, por prapëseprapë të përfshihet në aktivitete që mund ta shpërqendrojnë. Ariela, një adoleshente nga Afrika Perëndimore, e përjetoi vetë këtë.
Arielës i pëlqente të shihte në televizor hendboll për femra. Kur shkolla e saj formoi një ekip, mundësia për të luajtur ia mpiu ndjenjën e vigjilencës ndaj rreziqeve të mundshme për gjendjen frymore. Ajo u bë portiere. Ç’ndodhi më pas? Ariela shpjegon: «Disa nga shoqet e ekipit kishin të dashur që drogoheshin dhe pinin cigare. Ata talleshin me mua ngaqë isha ndryshe, por mendova se mund ta përballoja. Papritur, vetë loja nisi të më gërryente gjendjen frymore. Mendjen dhe zemrën e kisha vetëm te hendbolli. Gjatë mbledhjeve, mendja më bridhte nga Salla e Mbretërisë te fusha e hendbollit. Edhe personaliteti im i krishterë po vuante. Dashuria për lojën u kthye në pasion për të fituar. Stërvitesha shumë për të kënaqur frymën e konkurrencës që kisha zhvilluar. Stresi shtohej. Madje, arrita
deri aty sa të sakrifikoja shoqëritë për hendbollin.Kulmi ishte kur gjatë një ndeshjeje, ekipit kundërshtar iu dha një penallti. U bëra gati të mbroja portën. Para se të kuptoja ç’po bëja, i isha lutur Jehovait që të më ndihmonte ta prisja gjuajtjen. Kjo ngjarje më bëri të vetëdijshme sa poshtë kishte rënë gjendja ime frymore. Si e mora veten?
E kisha parë DVD-në Të rinjtë pyesin—Çfarë do të bëj me jetën time? * Vendosa ta shihja prapë dhe kësaj here ta merrja seriozisht. Në fund të fundit, isha në të njëjtën situatë si Andre, personazhi i dramës. Në veçanti, i kushtova vëmendje sugjerimit që një plak i dha Andres: të lexonte e të meditonte për Filipianëve 3:8. Ashtu bëra. E lashë ekipin.
Kjo ndryshoi gjithçka. Fryma ime konkurruese dhe stresi që shkaktonte, u zhdukën. Ndihesha më e lumtur dhe më afër me miqtë e mi të krishterë. Aktivitetet frymore morën më shumë kuptim. Në mbledhje isha e përqendruar dhe ndieja përsëri kënaqësi. Edhe shërbimi im u përmirësua. Tani shërbej rregullisht si pioniere ndihmëse.»
Nëse ndonjë shpërqendrim po ju shtyn të shpërfillni shenjën që dha Jezui, ndërmerrni hapa seriozë, si Ariela. Ja disa gjëra që mund të provoni. Kërkoni te Treguesi i botimeve Watch Tower, i cili është quajtur një hartë që të çon në thesare të fshehura. Do të gjeni referime për këshilla të dobishme dhe për përvoja që tregojnë se si i kanë përballuar tundimet të tjerët. Përfitoni plotësisht nga mbledhjet e krishtere duke u përgatitur mirë dhe duke mbajtur shënime. Disa e kanë parë të dobishme që të ulen në rreshtat e parë. Kur kërkohet pjesëmarrja e auditorit, përpiquni të komentoni që në fillim. Veç kësaj, qëndroni zgjuar frymësisht duke krahasuar lajmet e fundit me veçori të shenjës dhe me karakteristika të tjera të ‘ditëve të fundit’.—2 Tim. 3:1-5; 2 Pjet. 3:3, 4; Zbul. 6:1-8.
«Jini gati»
Shenja e ditëve të fundit është ndërkombëtare, përfshin «gjithë tokën e banuar». (Mat. 24:7, 14) Miliona veta jetojnë në zona të goditura rëndë nga murtajat, mungesa e ushqimit, tërmetet dhe ngjarje të tjera të parathëna. Kurse shumë të tjerë jetojnë në paqe e qetësi relative. Nëse nuk keni përjetuar kurrë personalisht disa nga veçoritë e shenjës, a duhet të arsyetoni se shtrëngimi i madh është ende shumë larg? Kjo nuk do të ishte e mençur.
Mendoni, për shembull, për fjalët e Jezuit në lidhje me ‘murtajat dhe mungesën e ushqimit’. (Luka 21:11) Së pari, ai nuk tha se ato do të preknin të gjitha vendet njëherazi ose në të njëjtën shkallë. Përkundrazi, tha se do të ndodhnin «nga njëri vend në tjetrin». Kështu që nuk mund të presim që të ndodhin të njëjtat ngjarje kudo e në të njëjtën kohë. Së dyti, pak pasi përmendi mungesën e ushqimit, Jezui tregoi se disa nga ithtarët e tij duhej të ruheshin nga të ngrënët e tepërt: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt.» (Luka 21:34) Prandaj nuk duhet të presim që të gjithë të krishterët të përjetojnë çdo veçori të shenjës. Në vend të kësaj, Jezui tha: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.» (Luka 21:31) Mjetet moderne të komunikimit na lejojnë të shohim të gjitha veçoritë e shenjës, pavarësisht se çfarë përjetojmë personalisht në vendin tonë.
Mos harroni, gjithashtu, se Jehovai e ka vendosur tashmë ‘ditën dhe orën’ kur do të fillojë shtrëngimi i madh. (Mat. 24:36) Zhvillimi i ngjarjeve në tokë nuk do ta ndryshojë atë datë.
Jezui i nxiti të krishterët kudo që të ndodheshin: «Jini gati.» (Mat. 24:44) Ne duhet të jemi gjithnjë gati. Natyrisht, nuk mund të jemi të përfshirë në aktivitete teokratike gjithë ditën dhe çdo ditë. Përveç kësaj, askush nga ne nuk e di se ç’do të jetë duke bërë kur të fillojë shtrëngimi i madh. Disa mund të jenë duke punuar në arë ose duke u marrë me punët e shtëpisë. (Mat. 24:40, 41) Prandaj, ç’mund të bëjmë që të jemi gati?
Emanueli, Viktorina dhe gjashtë vajzat e tyre jetojnë në një zonë të Afrikës ku nuk ndihet ndikimi i plotë i të gjitha ngjarjeve që karakterizojnë shenjën. Kështu, vendosën që çdo ditë të bënin një bisedë frymore që do t’i ndihmonte të ishin gati. Emanueli shpjegon: «Ishte e vështirë të gjenim një orar të volitshëm për të gjithë. Së fundi, zgjodhëm një gjysmë ore, nga ora gjashtë deri në gjashtë e gjysmë të mëngjesit. Pasi shqyrtojmë shkrimin e ditës, përgatitim disa paragrafë te një nga botimet që do të studiojmë në kongregacion gjatë javës.» A i ka ndihmuar ky program që të rrinë zgjuar? Sigurisht! Emanueli është koordinatori i trupit të pleqve në kongregacion. Viktorina shërben shpesh si pioniere ndihmëse dhe ka ndihmuar shumë persona të pranojnë të vërtetën. Të gjitha vajzat e tyre po bëjnë përparim të mirë frymor.
Jezui na këshillon: «Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar.» (Mar. 13:33) Mos lejoni asnjë shpërqendrim t’ju ulë vigjilencën frymore. Përkundrazi, kushtojuni vëmendje këshillave të shkëlqyera në botimet tona dhe në mbledhjet e kongregacionit, njësoj si Ariela. Ashtu si familja e Emanuelit, përpiquni çdo ditë të bëni diçka që të jeni gati dhe ‘të qëndroni vigjilentë’.
[Shënimi]
^ par. 8 Një dramë moderne që flet për përpjekjet e një të riu të krishterë për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait.
[Figura në faqen 4]
Bisedat e përditshme frymore e ndihmojnë Emanuelin dhe familjen e tij ‘të jenë gati’