«Të bindesh është më mirë se flijimi»
«Të bindesh është më mirë se flijimi»
SAULI ishte mbreti i parë i Izraelit të lashtë. Megjithëse e zgjodhi Perëndia i vërtetë, në fund ai u tregua i pabindur.
Cilat ishin gabimet e Saulit? A mund t’i kishte shmangur? Çfarë mësojmë nga rasti i tij?
Jehovai zgjedh dhe shpall mbretin
Para se Sauli të bëhej mbret, profeti Samuel shërbente si përfaqësues i Perëndisë në Izrael. Në këtë kohë, Samueli ishte i moshuar dhe bijtë e tij ishin jobesnikë. Njëherazi, kombin e kërcënonin armiqtë. Kur pleqtë e Izraelit i kërkuan Samuelit të caktonte një mbret që t’i gjykonte dhe t’i drejtonte në luftë, Jehovai e urdhëroi profetin të miroste si udhëheqës Saulin dhe tha: «Ai do ta shpëtojë popullin tim nga dora e filistinëve.»—1 Sam. 8:4-7, 20; 9:16.
Sauli ishte «i ri e i pashëm». Megjithatë, pamja nuk ishte e vetmja e mirë e tij. Ai ishte i përulur. Për shembull, e pyeti Samuelin: «A nuk jam unë një beniaminit nga fisi më i vogël i Izraelit? A nuk është familja ime më e parëndësishmja nga të gjitha familjet e fisit të Beniaminit? Pse, pra, ma thua mua një gjë të tillë?» Sauli kishte një mendim modest për veten dhe për familjen e tij, megjithëse i ati, Kishi, ishte «njeri shumë i pasur».—1 Sam. 9:1, 2, 21.
Të shohim edhe reagimin e Saulit kur Samueli njoftoi kë kishte zgjedhur Jehovai si mbret të Izraelit. Në fillim, Samueli e mirosi privatisht dhe i tha: «Bëj ç’të kesh në dorë, sepse Perëndia i vërtetë është me ty.» Më pas, profeti e mblodhi popullin që t’i njoftonte zgjedhjen që kish bërë Jehovai. Megjithatë, kur doli se ai ishte mbreti i zgjedhur, s’po e gjenin dot. Sauli i turpshëm ishte fshehur. Pasi Jehovai tregoi se ku ishte, e shpallën mbret.—1 Sam. 10:7, 20-24.
Në fushën e betejës
Shumë shpejt Sauli tregoi se të gjithë ata që kishin dyshuar për aftësitë e tij e kishin pasur gabim. Kur amonitët kërcënuan të merrnin një qytet izraelit, «fryma e Perëndisë nisi të vepronte te Sauli». Me vendosmëri, ai mblodhi luftëtarët, i organizoi dhe u priu drejt fitores. Megjithatë, Sauli ia dha meritën për fitoren Perëndisë dhe tha: «Sot 1 Sam. 11:1-13.
Jehovai solli shpëtimin në Izrael.»—Sauli kishte cilësi të mira dhe bekimin e Perëndisë. Gjithashtu, ai ishte i vetëdijshëm për fuqinë e Jehovait. Megjithatë, suksesi i vazhdueshëm i izraelitëve dhe i mbretit të tyre varej nga një faktor shumë i rëndësishëm. Samueli i tha popullit të Izraelit: «Nëse do t’i frikësoheni Jehovait, nëse do t’i shërbeni e do t’i bindeni zërit të tij, nëse nuk do të ngrini krye kundër urdhrit të Jehovait, me siguri që si ju, ashtu edhe mbreti që do të mbretërojë mbi ju, do të jeni ithtarë të Jehovait, Perëndisë tuaj.» Për çfarë mund të ishin të sigurt izraelitët nëse i qëndronin besnikë Perëndisë? «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh,—tha Samueli,—sepse Jehovai deshi t’ju bënte popullin e tij.»—1 Sam. 12:14, 22.
Bindja ishte faktori më i rëndësishëm për të pasur miratimin e Perëndisë, dhe vazhdon të jetë edhe sot. Jehovai i bekon shërbëtorët e vet, nëse u binden urdhërimeve të tij. Po çfarë ndodh nëse nuk i binden Jehovait?
«Ke vepruar pa mend»
Veprimi që ndërmori më pas Sauli kundër filistinëve provokoi reagimin e ashpër të tyre. Një ushtri e madhe sa «kokrrizat e rërës në breg të detit» u ngrit kundër Saulit. «Burrat e Izraelit panë se e kishin punën pisk, sepse populli ishte i dërrmuar. Njerëzit zunë të fshiheshin nëpër shpella, nëpër skuta, nëpër shkrepa, nëpër guva e nëpër gropa uji.» (1 Sam. 13:5, 6) Çfarë do të bënte Sauli?
Samueli i kishte thënë Saulit të takoheshin në Gilgal, ku profeti do të paraqiste flijime. Sauli e priti, por Samueli po vonohej dhe ushtria e Izraelit po shpërndahej. Kështu, Sauli vendosi t’i bënte vetë flijimet. Me të mbaruar flijimet, Samueli mbërriti. Pasi dëgjoi ç’kish bërë, Samueli i tha Saulit: «Ke vepruar pa mend. Ti nuk e ke zbatuar urdhërimin që të dha Jehovai, Perëndia yt, sepse po ta kishe zbatuar, Jehovai do ta kishte bërë përjetësisht të patundur mbretërinë tënde në Izrael. Prandaj mbretëria jote nuk do të zgjasë. Jehovai do të gjejë një njeri siç ia do zemra dhe Jehovai do t’i ngarkojë atij detyrën si prijës të popullit, sepse ti nuk e zbatove atë që të urdhëroi Jehovai.»—1 Sam. 10:8; 13:8, 13, 14.
Sauli tregoi mungesë besimi kur me arrogancë nuk iu bind urdhrit të Perëndisë që të priste Samuelin për flijimet. Sa ndryshe veproi nga Gideoni, komandanti i dikurshëm i trupave izraelite! Jehovai e urdhëroi Gideonin ta zvogëlonte ushtrinë nga 32.000 luftëtarë në 300, dhe Gideoni u bind. Pse? Sepse pati besim te Jehovai. Me ndihmën e Perëndisë, ai mposhti ushtrinë pushtuese me 135.000 luftëtarë. (Gjyk. 7:1-7, 17-22; 8:10) Jehovai do ta kishte ndihmuar edhe Saulin po njësoj. Por nga mosbindja e tij, e pësoi Izraeli që e zhvatën filistinët.—1 Sam. 13:17, 18.
Po ne, si i marrim vendimet kur jemi përballë vështirësive? Atyre që s’kanë besim mund t’u vijë për mbarë të mos u binden parimeve të Perëndisë. Meqë Samueli nuk ishte, Sauli mund të ketë menduar se veproi me mençuri. Megjithatë, ata që janë të vendosur të kenë miratimin e Perëndisë, e dinë se e vetmja udhë e mençur është ndjekja e parimeve biblike.
Jehovai e hedh poshtë Saulin
Gjatë një fushate kundër amalekitëve, Sauli bëri një tjetër gabim serioz. Perëndia i kishte dënuar ata për shkak se i sulmuan pa arsye izraelitët pas Daljes nga Egjipti. (Dal. 17:8; Ligj. 25:17, 18) Veç kësaj, në kohën e gjykatësve, amalekitët ishin bashkuar me të tjerët për të sulmuar sërish popullin e zgjedhur të Perëndisë. (Gjyk. 3:12, 13; 6:1-3, 33) Kështu, Jehovai kishte vendosur t’u kërkonte llogari dhe e urdhëroi Saulin t’i shfaroste.—1 Sam. 15:1-3.
Sauli nuk iu bind urdhrit të Jehovait për të shfarosur armiqtë amalekitë dhe pronat e tyre, por zuri rob mbretin dhe mbajti kafshët e tyre më të mira. Çfarë ndodhi kur Samueli i foli për këtë? Sauli u mundua ta shiste fajin duke thënë: «Popullit iu dhimbs pjesa më e mirë e dhenve dhe e gjedhëve dhe e lanë gjallë që t’ia flijonin Jehovait.» Edhe nëse kishte vërtet ndër mend t’i flijonte ato kafshë, Sauli ishte treguar i pabindur. Atij nuk ‘i dukej më vetja i vogël’. Kështu, profeti i Perëndisë ia vuri në dukje se nuk i ishte bindur Perëndisë. Pastaj, Samueli tha: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait? Të bindesh është më mirë se flijimi. . . . Meqë ti ke hedhur poshtë fjalën e Jehovait, edhe ai po të hedh poshtë ty, që të mos jesh më mbret.»—1 Sam. 15:15, 17, 22, 23.
Pasi Jehovai i hoqi frymën e shenjtë dhe bekimin, Saulin, mbretin e parë të Izraelit, filloi ta pushtonte «një frymë e keqe». Atë e mundonte dyshimi dhe xhelozia për Davidin, të cilit Jehovai më vonë do t’i jepte mbretërinë. Më shumë se një herë ai u përpoq ta vriste. Bibla thotë se kur pa që «Jehovai ishte me Davidin», Sauli «u bë armik i tij përgjithmonë». Ai e ndoqi këmba-këmbës e madje arriti deri aty sa urdhëroi vrasjen e 85 priftërinjve dhe të tjerëve. S’habitemi që Jehovai e braktisi Saulin.—1 Sam. 16:14; 18:11, 25, 28, 29; 19:10, 11; 20:32, 33; 22:16-19.
Kur filistinët e sulmuan prapë Izraelin, Sauli iu kthye spiritizmit për ndihmë, por më kot. Të nesërmen, ai u plagos rëndë në betejë dhe u vetëvra. (1 Sam. 28:4-8; 31:3, 4) Ja çfarë thonë Shkrimet për mbretin e parë të Izraelit që u tregua i pabindur: «Sauli vdiq për shkak të jobesnikërisë, sepse nuk tregoi besim te Jehovai, duke mos respektuar fjalën e Jehovait, si edhe sepse kërkoi një medium për ta pyetur. Ai nuk pyeti Jehovain.»—1 Kron. 10:13, 14.
Shembulli i keq i Saulit tregon qartë se t’i bindesh Jehovait është më mirë se t’i bësh flijime. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjon. 5:3) Të mos e shpërfillim kurrë këtë të vërtetë themelore: miqësia e qëndrueshme me Perëndinë varet nga bindja jonë ndaj tij.
[Figura në faqen 21]
Në fillim Sauli ishte udhëheqës i përulur
[Figura në faqen 23]
Pse Samueli i tha Saulit se «të bindesh është më mirë se flijimi»?