Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fryma e shenjtë në veprim gjatë krijimit

Fryma e shenjtë në veprim gjatë krijimit

Fryma e shenjtë në veprim gjatë krijimit

«Me anë të fjalës së Jehovait u bënë qiejt dhe me frymën e gojës së tij u bë gjithë ushtria e tyre.»​—PSAL. 33:6.

1, 2. (a) Si janë shtuar me kalimin e kohës dijet e njeriut për qiejt dhe për tokën? (b) Cila pyetje kërkon përgjigje?

KUR Albert Ajnshtajni botoi teorinë e veçantë të relativitetit në vitin 1905, ai dhe shumë shkencëtarë të tjerë besonin se universi kishte vetëm një galaktikë, Udhën e Qumështit. Sa të vogël e pandehnin universin! Tani mendohet se gjithësia ka mbi 100 miliardë galaktika e disa prej tyre përbëhen nga miliarda yje. Madje numri i galaktikave që po zbulohen sa vjen e rritet, ndërkohë që përdoren ose hidhen në orbitën e tokës teleskopë më të fuqishëm.

2 Në vitin 1905, nuk ishin të kufizuara vetëm dijet shkencore për qiejt, por edhe për tokën. Është e vërtetë se një shekull më parë njerëzit dinin më tepër se stërgjyshërit e tyre. Megjithatë, sot, bukuria dhe kompleksiteti i jetës e i sistemeve që e bëjnë të mundur, janë kuptuar shumë më mirë se në atë kohë. Pa dyshim që, në vitet në vazhdim, do të mësojmë shumë më tepër për qiejt dhe për tokën. Por mbi të gjitha ia vlen të pyesim: «Si erdhi në ekzistencë gjithçka?» Përgjigjja mund të gjendet vetëm sepse Krijuesi na e ka zbuluar në Shkrimet e Shenjta.

Mrekullia e krijimit

3, 4. Si e krijoi Perëndia universin dhe si i japin lavdi veprat e tij?

3 Që në fjalët e para të Biblës shpjegohet si erdhi në ekzistencë universi: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zan. 1:1) Nga hiçi, Jehovai krijoi me anë të frymës së shenjtë​—forcës së tij të fuqishme vepruese​—qiejt, tokën dhe gjithçka në univers. Një mjeshtër e bën punën me anë të duarve dhe të veglave, kurse Perëndia bën vepra të mëdha me anë të frymës së shenjtë.

4 Në mënyrë të figurshme, Shkrimet e quajnë frymën e shenjtë ‘gishti’ i Perëndisë. (Luka 11:20; Mat. 12:28) ‘Vepra e duarve të tij’—ajo që Jehovai ka krijuar me anë të frymës së shenjtë​—i sjell shumë lavdi. Psalmisti David këndoi: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij.» (Psal. 19:1) Po, krijimi dëshmon për fuqinë madhështore të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Rom. 1:20) Në ç’mënyrë?

Fuqia e pakufishme e Perëndisë

5. Ilustroni fuqinë krijuese të frymës së shenjtë të Jehovait.

5 Universi ynë aq i paanë sa s’e rrokim dot me mendje dëshmon se fuqia dhe energjia e Jehovait janë të pashtershme. (Lexo Isainë 40:26.) Shkenca moderne e pranon se materia mund të shndërrohet në energji dhe anasjelltas. Për shembull, dielli ynë, një yll, tregon se materia kthehet në energji. Çdo sekondë, dielli kthen rreth 4 milionë tonë materie në dritë, nxehtësi dhe forma të tjera energjie. Ajo pjesëz e vogël energjie që arrin në tokë, mjafton që në planetin tonë të ketë jetë. Duket qartë se është dashur një fuqi dhe energji e jashtëzakonshme për të krijuar jo vetëm diellin, por edhe tërë yjet e tjerë që janë me miliarda. Jehovai e ka energjinë që duhej për këtë, madje shumë më tepër.

6, 7. (a) Pse mund të themi se Perëndia e ka përdorur frymën e tij të shenjtë në një mënyrë të rregullt? (b) Ç’gjë tregon se universi nuk erdhi në ekzistencë rastësisht?

6 Ngado shohim dëshmi se Perëndia e përdori frymën e shenjtë në një mënyrë shumë të rregullt. Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se keni një kuti plot me topa ngjyra-ngjyra. E tundni kutinë që të përzihen topat. Pastaj i hidhni përtokë të gjithë njëherësh. A do të prisnit që topat të grupoheshin sipas ngjyrës​—topat blu bashkë, topat e verdhë bashkë, e kështu me radhë? Sigurisht që jo! Veprimet e pakontrolluara zakonisht sjellin rrëmujë, jo rregull. Kjo gjë pranohet si një fakt. *

7 Por, çfarë shohim kur kundrojmë qiellin me sy apo me teleskop? Një sistem të pafund e shumë të rregullt galaktikash, yjesh e planetësh që lëvizin me saktësi të madhe. Kjo s’mund të ketë ardhur rastësisht ose nga ndonjë veprim i paplanifikuar a i pakontrolluar. Prandaj duhet të pyesim: cila forcë është përdorur për të sjellë në ekzistencë universin tonë të rregullt? Ne njerëzit nuk e identifikojmë dot atë thjesht nëpërmjet vëzhgimeve dhe eksperimenteve shkencore. Megjithatë Bibla ka treguar se është fryma e shenjtë e Perëndisë, forca më e fuqishme në univers. Psalmisti këndoi: «Me anë të fjalës së Jehovait u bënë qiejt dhe me frymën e gojës së tij u bë gjithë ushtria e tyre.» (Psal. 33:6) Ajo që shohim natën në qiell është vetëm një pjesëz e asaj ‘ushtrie’ yjesh.

Fryma e shenjtë dhe toka

8. Sa dimë në të vërtetë për veprat e Jehovait?

8 Ajo që kuptojmë tani për tani për natyrën është e papërfillshme në krahasim me gjithë atë që kemi për të mësuar. Gjithçka dimë për veprat e krijimit të Perëndisë është tepër e kufizuar, siç tha Jobi besnik: «E pra, këto s’janë veç thekët e udhëve të tij. Ne dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij.» (Jobi 26:14) Shekuj më vonë, mbreti Solomon, një vëzhgues i mprehtë i krijimit të Jehovait, tha: «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»​—Ekl. 3:11; 8:17.

9, 10. Cilën forcë përdori Perëndia për të krijuar tokën dhe çfarë ndodhi gjatë tri ditëve të para të krijimit?

9 Megjithatë, Jehovai ka zbuluar hollësi të rëndësishme për veprat e tij. Për shembull, Shkrimet thonë se fryma e Perëndisë vepronte në tokë shumë epoka më parë. (Lexo Zanafillën 1:2.) Asokohe, në sipërfaqen e planetit nuk kishte tokë të thatë dhe dritë, e as ajër për të marrë frymë.

10 Më tej, Bibla përshkruan se çfarë bëri Perëndia gjatë një sërë ditësh krijimi. Ato nuk ishin ditë 24-orëshe, por epoka. Ditën e parë të krijimit, Jehovai bëri që drita të fillonte të shfaqej në sipërfaqen e tokës. Ky proces përfundoi më vonë kur dielli dhe hëna u dukën qartë nga toka. (Zan. 1:3, 14) Ditën e dytë filloi të formohej atmosfera. (Zan. 1:6) Kështu, planeti kishte ujë, dritë dhe ajër, por s’kishte ende tokë të thatë. Në fillim të ditës së tretë të krijimit, Jehovai përdori frymën e tij të shenjtë për të bërë tokën e thatë, ndoshta duke vënë në punë forca të fuqishme gjeologjike për të nxjerrë në sipërfaqe kontinentet. (Zan. 1:9) Ditën e tretë dhe gjatë periudhave të mëvonshme të krijimit do të ndodhnin gjëra të tjera të mahnitshme.

Fryma e shenjtë dhe gjallesat

11. Çfarë tregon kompleksiteti, simetria dhe bukuria e gjallesave?

11 Veç këtyre, fryma e Perëndisë bëri gjallesa shumë të organizuara nga ana biologjike. Nga dita e tretë deri në ditën e gjashtë të krijimit, me anë të frymës së tij të shenjtë, Perëndia krijoi një larmi marramendëse bimësh e kafshësh. (Zan. 1:11, 20-25) Kështu, gjallesat sigurojnë shembuj të panumërt kompleksiteti, simetrie dhe bukurie që flasin për një projekt të përkryer.

12. (a) Ç’funksion kryen ADN-ja? (b) Ç’mund të mësojmë nga fakti që ADN-ja e ka kryer siç duhet funksionin e saj në vazhdimësi?

12 Le të flasim për ADN-në (acidin dezoksiribonukleik), një nga mekanizmat kimikë që është përgjegjës për kalimin e karakteristikave të organizmave nga njëri brez në tjetrin. Të gjitha gjallesat në tokë​—përfshirë mikroorganizmat, barishtet, elefantët, balenat e kaltra dhe njerëzit​—riprodhohen nëpërmjet ADN-së. Megjithëse krijesat në tokë janë tepër të ndryshme, kodi që kontrollon shumë tipare të trashëguara të tyre është mjaft i qëndrueshëm dhe ka shërbyer për të ruajtur dallimet mes llojeve të krijesave në rrjedhën e epokave. Kështu, sipas qëllimit të Perëndisë Jehova, organizmat e ndryshëm të tokës vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre si pjesë e zinxhirit kompleks të jetës. (Psal. 139:16) Edhe ky organizim shumë i efektshëm dhe i rregullt dëshmon se krijimi është vepër e ‘gishtit’ të Perëndisë ose e frymës së shenjtë.

Krijesa më e rëndësishme në tokë

13. Si e krijoi Perëndia njeriun?

13 Pasi kishin kaluar shumë epoka dhe Perëndia kishte bërë vepra të panumërta me jetë dhe pa jetë, toka nuk ishte më «pa formë dhe e shkretë». Mirëpo Jehovai do ta përdorte ende frymën e tij për të krijuar. Tani do të bënte krijesën më të rëndësishme në tokë. Nga fundi i ditës së gjashtë të krijimit, Perëndia Jehova krijoi njeriun. Si e krijoi? Duke përdorur frymën e tij të shenjtë dhe elementet e tokës.​—Zan. 2:7.

14. Në ç’mënyrë të rëndësishme ndryshojnë njerëzit nga kafshët?

14 Te Zanafilla 1:27 thuhet: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.» Kjo do të thotë se Jehovai na krijoi me aftësinë për të shfaqur dashuri, për të vepruar me vullnet të lirë, e madje për të pasur një marrëdhënie personale me Krijuesin. Prandaj truri ynë ndryshon shumë nga ai i kafshëve. Në veçanti, Jehovai e projektoi trurin e njeriut në atë mënyrë që të mësojë me kënaqësi për të dhe për veprat e tij deri në pafundësi.

15. Ç’perspektivë kishte Adami dhe Eva?

15 Në fillim të historisë njerëzore, Perëndia i dha Adamit dhe gruas së tij, Evës, tokën me gjithë mrekullitë e saj që ta eksploronin dhe ta shijonin. (Zan. 1:28) Jehovai u dha ushqim të bollshëm dhe një shtëpi parajsore. Para tyre shtrihej mundësia që të jetonin përgjithmonë e të ishin prindër të dashur të miliarda pasardhësve të përsosur. Por gjërat nuk shkuan kështu.

Të pranojmë rolin e frymës së shenjtë

16. Çfarë shprese kemi, pavarësisht se njerëzit e parë u rebeluan?

16 Adami dhe Eva nuk treguan mirënjohje duke iu bindur Krijuesit, por u rebeluan me egoizëm. Për pasojë, si pasardhës të tyre, të gjithë njerëzit janë të papërsosur dhe kanë vuajtur. Megjithatë Bibla shpjegon se si do t’i zhbëjë Perëndia të gjitha dëmet e shkaktuara nga udha mëkatare e prindërve tanë të parë. Gjithashtu, Shkrimet tregojnë se Jehovai do ta përmbushë qëllimin e tij fillestar. Toka do të bëhet parajsë plot me njerëz të shëndetshëm e të lumtur, të bekuar me jetën e përhershme. (Zan. 3:15) Për të pasur gjithnjë besim te kjo perspektivë që të ngroh zemrën, kemi nevojë për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë.

17. Cilat ide duhet të shmangim?

17 Duhet t’i lutemi Jehovait për frymën e shenjtë. (Luka 11:13) Kjo do të na ndihmojë të forcojmë bindjen se krijimi është vepër e dorës së Perëndisë. Sot ka marrë hov propaganda ateiste dhe evolucioniste e ushqyer nga arsyetime të çala e të pathemelta. Të mos lejojmë që ky vërshim idesh të gabuara të na çoroditë ose të na trembë. Të gjithë të krishterët duhet të përgatiten t’u rezistojnë këtyre sulmeve dhe presionit që sjellin ato.​—Lexo Kolosianëve 2:8.

18. Kur bëhet fjalë për origjinën e universit dhe të njerëzimit, pse është mendjeshkurtësi të përjashtojmë ndikimin e një Krijuesi inteligjent?

18 Besimi te Bibla dhe te Perëndia pa dyshim forcohet duke shqyrtuar me mendje të hapur dëshmitë që mbështetin krijimin. Kur bëhet fjalë për origjinën e universit dhe të njerëzimit, shumë parapëlqejnë ta përjashtojnë ndikimin e ndonjë force përtej sferës fizike. Sidoqoftë, po t’i shohim gjërat nga ky këndvështrim, nuk do t’i shqyrtonim të gjitha dëshmitë me paanshmëri. Për më tepër, do të shpërfillnim dëshmitë e dukshme të krijesave «që s’kanë të numëruar» të bëra me rregull dhe qëllim. (Jobi 9:10; Psal. 104:25) Si të krishterë jemi të sigurt se forca vepruese që u përdor në krijim ishte fryma e shenjtë e drejtuar me mençuri nga Jehovai.

Fryma e shenjtë dhe besimi ynë te Perëndia

19. Ç’prova ka secili prej nesh për ekzistencën e Perëndisë dhe për veprimin e frymës së tij?

19 S‘ka nevojë të dimë gjithçka për krijimin që të kemi besim te Perëndia dhe ta duam e ta nderojmë. Njësoj si miqësia me një shok, besimi te Jehovai nuk bazohet vetëm në fakte. Siç rritet miqësia mes dy njerëzve kur e njohin më mirë njëri-tjetrin, rritet edhe besimi ynë te Perëndia ndërsa mësojmë më shumë për të. Vërtet, Perëndia bëhet më real, kur lutjet tona marrin përgjigje dhe vërejmë në jetë dobitë e zbatimit të parimeve të tij. Sa më shumë shtohen dëshmitë se Jehovai drejton hapat tanë, na mbron, na bekon përpjekjet në shërbim dhe na siguron gjërat e nevojshme, aq më shumë afrohemi me të. E gjithë kjo dëshmon fuqishëm për ekzistencën e Perëndisë dhe për veprimin e frymës së tij të shenjtë.

20. (a) Pse e krijoi Perëndia universin dhe njeriun? (b) Ç’do të arrijmë nëse ndjekim vazhdimisht drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë?

20 Bibla është një provë e shkëlqyer se Jehovai e përdor forcën e tij vepruese, sepse shkrimtarët e saj «kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjet. 1:21) Studimi i kujdesshëm i Shkrimeve mund të na e forcojë besimin se Perëndia është ai që krijoi gjithçka. (Zbul. 4:11) Jehovai u bë Krijues për të shprehur dashurinë e tij, një cilësi që na bën për vete. (1 Gjon. 4:8) Prandaj, le të bëjmë çmos t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë për Mikun dhe Atin tonë të dashur qiellor. Gjithashtu, nëse ndjekim vazhdimisht drejtimin e frymës së Perëndisë, do të kemi privilegjin të mësojmë për të në përjetësi. (Gal. 5:16, 25) Le të vazhdojmë të gjithë të mësojmë për Jehovain e për veprat e tij madhështore! E le të pasqyrojmë në jetë dashurinë e pakufishme që tregoi kur përdori frymën e shenjtë për të krijuar qiejt, tokën dhe njerëzimin!

[Shënimi]

A mund të shpjegoni?

• Çfarë mund të mësojmë për frymën e shenjtë nga qiejt dhe toka?

• Ç’mundësi kemi nga fakti që jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?

• Pse duhet t’i shqyrtojmë dëshmitë e krijimit?

• Në ç’mënyra mund të forcohet marrëdhënia jonë me Jehovain?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 7]

Çfarë na mëson për krijimin rregulli që shohim në univers?

[Burimi]

Yjet: Observatori anglo-australian/​pamje nga David Malin

[Figurat në faqen 8]

Në ç’kuptim e kanë të përbashkët ADN-në gjithë këto gjëra?

[Figura në faqen 10]

A je i përgatitur të mbrosh besimin?