Çfarë do të thoshte fëmija juaj?
Çfarë do të thoshte fëmija juaj?
PRINDËR: Në numrin e 15 janarit 2010 të kësaj reviste, në faqet 16-20, përmendëm sa e dobishme është të bëni demonstrime me fëmijët tuaj. Ky artikull jep disa ide që do t’ju ndihmojnë ta përgatitni fëmijën tuaj të përballojë sfidat në shkollë. Mund t’i provoni këto demonstrime gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar.
FËMIJËT që janë Dëshmitarë të Jehovait hasin shumë sfida. Shpesh shokët e shkollës i pyesin pse nuk i bëjnë disa gjëra, si për shembull nderimin e flamurit, ditëlindjet dhe disa aktivitete gjatë pushimeve. Si do të përgjigjej djali ose vajza juaj nëse do t’i bëhej kjo pyetje?
Disa fëmijë të krishterë thjesht thonë: «S’mund ta bëj këtë. Është kundër fesë sime.» Këta fëmijë duhen lavdëruar për qëndrimin e vendosur që marrin. Duke u përgjigjur kështu, të tjerët mund të mos i pyesin më. Megjithatë, Bibla këshillon të jemi «gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që [na] kërkon arsye» për bindjet tona. (1 Pjet. 3:15) Kjo nënkupton që të mos mjaftohemi vetëm duke thënë «nuk e bëj dot këtë». Edhe sikur disa të mos jenë dakord me ne, të tjerëve mund t’u pëlqejë të dinë se kemi arsye për vendimet tona.
Shumë të rinj Dëshmitarë u kanë lexuar shokëve të shkollës tregime biblike duke përdorur botime të tilla, si libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Këto tregime mund t’i ndihmojnë që të shpjegojnë pse fëmijët Dëshmitarë i bëjnë ose jo disa gjëra. Disa nxënës i kanë dëgjuar me vëmendje tregimet dhe në këtë mënyrë janë filluar mjaft studime biblike. Por, nxënës të tjerë mund ta kenë të vështirë ta dëgjojnë deri në fund një tregim biblik. Pa një shpjegim të plotë, disa tregime biblike mund të jenë tepër të vështira për t’i kuptuar një nxënës shkolle. Kur një shoqe e ftoi 11-vjeçaren Minhi në ditëlindjen e saj, ajo i tha: «Bibla nuk thotë të festojmë ditëlindjet. Një personazh biblik, Gjon Pagëzorin, e kanë vrarë në një ditëlindje.» Megjithatë, Minhija kujton se shoqja e saj, me sa duket, nuk e kuptoi përgjigjen.
Ndonjëherë një nxënës mund ta ketë më të lehtë të kuptojë nëse i tregohet një figurë ose tregim nga botimet tona. Po sikur autoritetet e shkollës të thonë se do të parapëlqenin që fëmijët të mos u tregonin nxënësve të tjerë botime fetare? A mund të japin dëshmi të efektshme fëmijët tanë edhe pa përdorur botime? Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mbrohen në këto raste?
Bëni demonstrime me ta
Diçka që mund të jetë e dobishme, është të bëhen demonstrime ku prindërit luajnë rolin e shokëve të shkollës. Teksa fëmijët përpiqen të mbrojnë besimin e tyre, prindërit mund t’i lavdërojnë për përpjekjet e t’u tregojnë se si ta përmirësojnë mënyrën e të arsyetuarit dhe pse ia vlen kjo. Për shembull, sugjerojuni të përdorin fjalë që nxënësit e moshës së tyre janë në gjendje t’i kuptojnë. 1 Kor. 14:9.
Xhoshua, një djalë nëntë vjeç, thotë se shokët e tij të shkollës nuk i kuptojnë disa fjalë, si «ndërgjegje» dhe «besnikëri». Kështu që i është dashur të përdorë fjalë më të thjeshta për të arsyetuar me ta.—Kur pyesin për diçka, disa nxënës mund ta humbin interesin nëse u jepet një përgjigje e gjatë. Duke i përfshirë në bisedë dhe duke arsyetuar me ta, të rinjtë Dëshmitarë mund t’ua mbajnë gjallë interesin. Hanjula, një vajzë dhjetë vjeçe thotë: «Shokëve të mi të klasës u pëlqen të bësh biseda, jo të japësh shpjegime.» Për të bërë një bisedë, duhet të bëjmë pyetje dhe pastaj t’i dëgjojmë me kujdes ndërsa shprehin pikëpamjet personale.
Bisedat vijuese tregojnë se si mund të arsyetojnë fëmijët e krishterë me shokët e shkollës. Nuk ka nevojë të mësohen përmendsh, sepse nuk ka dy fëmijë njësoj dhe në situata të ndryshme nevojiten përgjigje të ndryshme. Pra, një i ri Dëshmitar duhet të kapë idenë, ta thotë me fjalët e veta dhe pastaj ta shprehë
duke e përshtatur sipas situatës dhe shokut të klasës. Nëse keni fëmijë në moshë shkollore, përpiquni t’i demonstroni këto biseda me ta.Për të stërvitur fëmijët duhen përpjekje dhe kohë. Prindërit e krishterë dëshirojnë t’u ngulitin parimet biblike fëmijëve të tyre dhe t’i bindin që të jetojnë sipas këtyre parimeve.—Ligj. 6:7; 2 Tim. 3:14.
Herën tjetër kur të bëni Adhurimin Familjar, përpiquni t’i demonstroni me fëmijët tuaj bisedat e paraqitura këtu. Shihni se sa të efektshme mund të jenë. Mbani parasysh se synimi nuk është të mësojnë përmendsh përgjigjet ose fjalët. Në fakt, mund ta demonstroni një situatë më shumë se një herë, duke dhënë përgjigje të ndryshme dhe duke parë si do të përshtaten fëmijët. Ndërsa ata përpiqen të shpjegojnë bazën për bindjet e tyre, kjo i ndihmon të zhvillojnë arsyetueshmërinë dhe taktin. Me kalimin e kohës, do t’i mësoni fëmijët si të mbrojnë besimin e tyre para shokëve të klasës, fqinjëve, si dhe mësuesve.
[Kutia dhe figurat në faqet 4, 5]
DITËLINDJET
Megi: Ç’kemi Eri. Dua të të ftoj në ditëlindjen time.
Eri: Faleminderit që mendove për mua, Megi. A mund të të pyes pse po e bën këtë festë?
Megi: Për të festuar ditëlindjen. Pse, ti nuk e feston ditëlindjen tënde?
Eri: Jo, nuk e festoj.
Megi: Pse jo? Familja ime u gëzua kur linda unë.
Eri: Edhe familja ime, njësoj si jotja, u gëzua kur linda unë. Megjithatë, nuk mendoj se kjo është një arsye për të bërë një festë çdo vit. Në ditëlindjen e tyre, shumë veta mendojnë se janë njerëzit më të rëndësishëm. Por, a nuk është Perëndia më i rëndësishmi? A nuk duhet ta falënderojmë atë ngaqë na dha jetën?
Megi: Do të thuash se unë nuk duhet ta festoj ditëlindjen?
Eri: Megi, këtë e vendos ti. Por, mendo pak: edhe pse shumë njerëzve u pëlqen të marrin dhurata për ditëlindje, Bibla thotë që ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh. Në vend që ta përqendrojmë vëmendjen te vetja në ditën tonë të lindjes, a nuk do të ishte mirë të falënderonim Perëndinë, të mendonim për të tjerët dhe t’u bënim mirë atyre?
Megi: Nuk kam menduar ndonjëherë për këtë. Pra, ti nuk merr asnjë dhuratë nga prindërit e tu?
Eri: Patjetër që po. Por, prindërit e mi nuk presin derisa të vijë data e lindjes sime. Ata më bëjnë dhurata sa herë që duan. Sidoqoftë Megi, a do të të pëlqente të dije si ka filluar festimi i ditëlindjeve?
Megi: A mund të ma thuash?
Eri: Mirë, nesër do të të tregoj një histori interesante për një ditëlindje që u bë shumë kohë më parë.
NDERIMI I FLAMURIT
Genti: Klara, pse nuk e nderon flamurin ti?
Klara: Faleminderit që më pyete Genti. A mund të të pyes në fillim pse e nderon ti flamurin?
Genti: Sepse e dua vendin tim.
Klara: Genti, unë e di se ti e do mamin tënd, por nuk e nderon siç bën me flamurin, apo jo?
Genti: Ashtu është. Epo unë e nderoj flamurin ngaqë e respektoj. Pse, ti nuk e respekton flamurin?
Klara: Po, por ne nuk e nderojmë çdo njeri ose çdo gjë që respektojmë siç bëjnë njerëzit me flamurin. A nuk është kështu?
Genti: Ashtu është, unë e respektoj mësuesen tonë, por nuk e nderoj atë siç bëj me flamurin. Ç’të them, nuk e di pse e nderoj flamurin.
Klara: Genti, shumë njerëz mendojnë se flamuri përfaqëson vendin e tyre. Nderimi i flamurit tregon se ata do të jepnin çdo gjë për vendin e tyre. Ndërsa unë nuk mendoj tamam kështu. Nuk mund ta jap jetën për vendin tim, sepse jetën ma ka dhënë Perëndia. Unë kam vendosur t’ia jap jetën atij. Prandaj, edhe pse e respektoj flamurin, nuk e nderoj atë.
Genti: E kuptoj.
Klara: Prapëseprapë Genti, më bëhet qejfi që më pyete për këtë. Nëse do të dish pse unë i bëj ose jo disa gjëra, mjafton të më pyesësh. Meqë ra fjala, në Bibël tregohet se shumë kohë më parë një mbret babilonas i urdhëroi njerëzit të përkuleshin para një shëmbëlltyre. Disa nuk e bënë, edhe pse rrezikuan jetën.
Genti: Vërtet? Po çfarë u ndodhi?
Klara: Do të ta them gjatë pushimit.
ZGJEDHJET NË SHKOLLË
Armandi: Elton, cili mendon se duhet të jetë senatori i klasës?
Eltoni: Unë nuk jam me asnjërin nga kandidatët.
Armandi: Pse?
Eltoni: Tashmë e kam zgjedhur udhëheqësin më të mirë. Si i krishterë, kam premtuar se do të ndjek Jezuin. Prandaj, nuk mund të zgjedh një udhëheqës tjetër. Meqë ra fjala, a do të dish pse mendoj se ai është një Udhëheqës i përsosur?
Armandi: Jo, nuk më intereson.
Eltoni: Mirë, nëse ndonjëherë do të duash ta dish, do të ta them me gjithë qejf.
[Figura]
«Ç’kemi Eri. Dua të të ftoj në ditëlindjen time»
[Figura në faqen 3]
«Pse nuk e nderon flamurin?»